Aleanca e Grave Deputete, propozon ngritjen e akademisë politike

71
Aleanca e Grave Deputete ka organizuar një tryezë për fuqizimin e rolit të gruas në politikë, ku njoftuan edhe propozimin për ndryshimin e kuotës gjinore. Një tjetër propozim që synon të forcojë pozitat e grave në politikë është edhe ngritja e akademisë politike. Aleanca e Grave Deputete në Kuvendin e Shqipërisë ka propozur ngritjen e një akademie politike si institucion që përgatit gratë dhe vajzat të jenë më të kualifikuara në politikë.

Mesila Doda : “Ka të bëjë me një iniciativë më të fundit për të krijuar akademinë politike të gruas shqiptare e cila do mbështetet dhe do rritet sigurisht nga gratë e politikës , nga gratë e parlamentit të Shqipërisë.” Gjatë tryezës së mbajtur për fuqizimin e gruas në politikë, nënkryetarja e kuvendit Valentina Leskaj paralajmëroi ndryshim të kuotave ligjore pasi sipas saj një përfaqësi e grave në kuotën 30% nuk flet për një shoqëri të emancipuar.

Valentina Leskaj : “Është koha tani dhe besoj që na ka ardhur një moment me këto arritje të mendojmë për një arritje të qëndrueshme dhe pse jo të rishikojmë edhe kuotën përsa i përket pjesëmarrjes së grave në politikë dhe vendimarrje .” Të pranishëm në tryezë ishin një sërë përfaqësuesish të selive diplomatike, Ambasadori i SHBA Donald Lu, si dhe kryebashkiakët e zgjedhura gra pas zgjdhjeve të 21 qershorit.