“Albpetroli” është “Tepsia” ku emërohen militantët e qeverisë

1460
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Ndërkohë që hiqen nga puna specialistë dhe familjarë mbi kriteret partiake

Kur kryeministri Rama u kërkoi shqiptarëve në fushatën elektorale parlamentare të 2017-s të votonin PS, që të qeveriste e vetme, jo në koalicion partish, që të kishte i vetëm Timonin e qeverisjes, shumë pak shqiptarë asokohe menduan se kryeministri e kërkonte qeverisjen si “Tepsi” që zyrtarët dhe militantët partiakë të privilegjoheshin, në dëm të të shqiptarëve. Tashmë, kur kanë kaluar vetëm 1 vit nga mandati i dytë qeverisës, emërimet, jo vetëm në administratën publike, por edhe në ato pak kompani biznesi, që ende janë shtetërore, sikurse “Albpetrol”, ndodh, që punësimet të bëhen jo mbi nevojat e punës për specialistë të caktuar, drejtues e administratorë të aftë dhe me përvojë, por deputetët e zonës, ministrat përkatës përkujdesen të punësojnë militantët e partisë, për t’i shpërblyer për kontributin që dhanë në fushatën elektorale.

Ja emrat e militantëve të partisë të punësuar në Albpetrol

Ka ditë që naftëtarët protestojnë se nuk paguhen rregullisht, specialistët po ndiqen nga puna, qeveria nuk u jep statusin e Naftëtarit, sipas premtimeve, por edhe për ndotjet e mjedisit, ku herë pas here, banorë të zonave naftë-shfrytëzuese po helmohen për shkak të gazrave helmuese të hidrokarbureve, që çlirohen në atmosferë. Deputeti i Fierit Luan Baçi bëri publik edhe listën emërore të të punësuarve partiake në këtë zonë: Pak ditë më parë, në këtë sallë denoncova punësimet partiake dhe të paligjshme që po bëhen në Albpetrol ndërkohë që ka shpallur ristrukturimin e kompanisë. Ashtu siç pritej, Ministria e Energjetikës, bëri një sqarim të gjatë me plotë të pavërteta. E pavërteta e dytë është se Albpetrol nuk ka të punësuar asnjë person të ri dhe, nëse do të hapen vende pune, prioritet kanë punonjësit e larguar nga ristrukturimi. E pavërteta e parë është se bisedimet për ristrukturim janë kryer me sindikatën e punëtorëve. E vërteta është se janë marrë në punë 79 persona dhe ne e disponojmë këtë listë. Do të doja të mos i përmend emrat e të punësuarve, por do ta bëj këtë në emër të naftëtarëve të ndershëm të Fierit, Patosit, Roskovecit, Mallakastrës, Vlorës dhe Delvinës që, ose janë larguar nga puna ose rrinë me zemër të ngrirë. Gjatë periudhës së ristrukturimit është marrë në punë: Ermal Cakrani, Bashkëshort i kryetares së PS Fier. Gentjan Lamçe, koordinator i PS Patos. Limonera Bozha, vajza e Administratorit të PS Portëz. Ilir Kripa, Anëtar i KZAZ 59 Patos. Sefret Hoxhaj, Kryetar i PS Cakran. Bashkë me ta janë edhe disa militantë të tjerë të PS. Ervis Toska, Flauers Shoshi, Florenc Gjata, Samontha Kondi, Silva Jano, Irid Ciko, Jelsona Qirko, Sokol Saliaj, Dritan Shahu, Hajri Hoxha, Enea Prifti e shumë të tjerë. E pavërteta e tretë është se gratë kryefamiljare do të kenë përparësi dhe nuk do të hiqen nga puna. E kundërta është e vërtetë. Kryefamiljarët i kanë zëvendësuar me militantë partiakë. Shembull për këtë është zonja Vjola Tafa, kryefamiljare, me 11 vjet punë, nënë e një fëmije të mitur. Nuk i është mbyllur vendi i punës, i plotëson të gjitha pikët, por është hequr nga puna si simpatizuese e PD. Kompensimin financiar të të larguarve nga puna akoma nuk ua kanë paguar.

Qeveria “ngre” sindikatë

Qeveria më shumë interesohet që të shuajë që në embrion reagimet, protestat e naftëtarëve, prandaj, punoi fort për të shkrirë ato sindikata që i bënin opozitë dhe “ndërtoi” sindikatat e saj. Naftëtarët denoncojnë se në Albpetrol u nxorën nga qeveria jashtë loje 7 sindikata të ligjshme dhe krijuan vetë një sindikatë, ku nuk ka punëtorë të Albpetrol-it, por truproja të kompanisë. Drejtuesi i sindikatës quhet Kostandin Kina, Shef i policisë private në Albpetrol. Qeveria është zotuar, gjithashtu, që të ndërtojë edhe Institutin Shkencor të Naftës, por do ta ketë në Tiranë dhe jo në Fier, ku është zona naftëmbajtëse.