Albi, Ergi Bardhi dhe Vehap Kola, ideatorët e rrjetit social që bashkoi shqiptarët në protestë

770
Sigal

Tre shokë midis tyre,  në momentet më kritike të protestës masive të studentëve dhe  të të rinjve kundër shkatërrimit të armëve kimike në Shqipëri, krijuan rrjetin social, “1 Milion shqiptarë kundër shkatërrimit të armëve kimike në Shqipëri”, e cila u bë zëdhënësja dhe shpirti luftarak i protestuesve. Albi Bardhi, ishte ideatori dhe menaxhuesi i faqes, Vehap Kola dhe Ergi Bardhi moderator kryesor i faqes, e cila u bë zëdhënësja  dhe zëri i fuqishëm i gjithë atyre që ishin kundër armëve kimike.  Këta protagonistë, flasin në intervistën për “Telegraf”,

– Zotërinj Badhi dhe Kola, përse e krijuat faqen “1 milion shqiptarë kundër shkatërrimit të armëve kimike në Shqipëri”?

– Albi Bardhi: Lexuam një intervistë të ministrit të Jashtëm të Shqipërisë për “Le Monde”, ku përmendej tema e armëve kimike siriane. Megjithatë, në vend nuk kishim hasur asnjë reagim mbi këtë temë, kishim diskutuar mbi mundësinë që ekzistonte që këto lajme të ishin të vërteta. Ndërkohë, kishim dëgjuar reagimin e ambientalistëve dhe shoqërisë civile, që mohonin ekzistencën e lajmeve të sakta mbi këtë çështje. U deshën vetëm pak ditë dhe lajmi u përhap me shpejtësi edhe në vend. Sakaq, ishte prononcuar AKIP-i dhe ishte krijuar AKILH-i (Aleanca Kundër Importit të Lëndëve Helmuese). Ishte iniciuar edhe një peticion online nga AKIP-i, të cilin e kishim nënshkruar. Por shihnim se vetëdija publike ishte zgjuar shumë pak. Atëherë, krijova faqen dhe ekipin e menaxhimit: Ergin dhe Vehapin. Qëllimi i krijimit të faqes ishte të shërbente si një media pa një linjë redaksionale dhe me mbulimin më të plotë të informacioneve.

-Përse e cilësuat “1 milion shqiptarë”?

– Albi Bardhi: Duke ditur se Facebook përdoret nga mbi 1 milion shqiptarë me mbi 1,5 milion llogari, atëherë vendosa që faqja të quhej ”1 milion shqiptarë kundër shkatërrimit të armëve kimike në Shqipëri”.

– A keni përdorur promovimin me pagesë për ta nxitur audiencën në faqe?

– Albi Bardhi:Jo. Faqen nuk e kemi promovuar asnjëherë me pagesë. Ndoshta është suksesi i papritur i saj që të bën të mendosh se ajo është promovuar me pagesë. Kjo mund të verifikohet shumë lehtë.

Ku mund ta shpjegoni suksesin e kësaj faqeje që u bë e mirëbesueshme nga të gjithë shqiptarët?

– Albi Bardhi: Faqja ka ecur me një ritëm shumë të shpejtë për disa arsye:

1. Ndjeshmëria e lartë publike mbi çështje të shëndetit dhe ambientit;

2. Emri i përzgjedhur. Faqja kishte një emër që nuk linte hapësira për dyshime mbi qëllime komerciale apo organizacionale. Edhe vetë fjalët kyçe të përzgjedhura janë thirrëse efektive për bashkim dhe solidarizim.

3. Disa parime krejt të thjeshta të lidhura me postimet.

4. Ndërveprimi me ndjekësit. Besoj se i kemi dhënë përgjigje çdo mesazhi që ka ardhur në Inbox dhe kemi sqaruar shumë pyetje që ngriheshin në komente. Postimet menaxhoheshin me një follovv-up të përkushtuar, ndërsa raportimet nga terreni reflektoheshin vazhdimisht në mur.

5. Etika e përdorur në komunikim. Në komunikimin me ndjekësit kemi qenë shumë të duruar. Shumë komente dhe mesazhe ngrinin dyshime, akuzonin dhe paragjykonin mbi qëllimet dhe qëndrimet e faqes. Ndërsa ne i kemi sqaruar me mirëkuptim të plotë të gjitha këto pikëpyetje dhe nuk kemi lënë vend për keqkuptim. Kështu, kemi gjetur gjatë gjithë kohës mirëkuptimin dhe përkushtimin e të gjithë ndjekësve.

– A ishit ju vetëm menaxhues të faqes, apo kishit ndonjë rol edhe në protestë?

– Vehap Kola: Në fakt, ka patur shumë debate këto ditë mbi rolin e grupeve dhe organizatave të caktuara në organizimin dhe drejtimin e protestës. Prononcimet tona në disa media janë keqinterpretuar si ngarendje për të pretenduar trofeun. Kështu që, dua të sqaroj edhe njëherë se merita kryesore e këtyre protestave u takon qytetarëve shqiptarë, veçanërisht të rinjve, nxënës të shkollave të mesme dhe studentë të universiteteve. Sa i përket angazhimit tonë në këto protesta maratonë, mund të përmend disa pika kryesore:

1. Krijimin e eventit të parë të protestës;

2. Angazhimin e heshtur në organizimin e protestave deri më datë 14 nëntor, për të mos i veshur vetes merita, çka nuk shtonte asgjë në suksesin e protestave;

3. Nxitjen e nxënësve dhe studentëve të braktisin mësimin për të marrë pjesë në protestë. Duke qenë se rrjeti ”1 milion shqiptarë” kishte arritur një audiencë të prej rreth 100 mijë ndjekësish, pasditen e vonë të datës 13 nëntor, ne u bëmë thirrje nxënësve dhe studentëve t’i bashkoheshin protestës maratonë përpara Kryeministrisë.

– Çfarë orientimi keni ndjekur në thirrjet që keni bërë në Facebook dhe në organizimin në terren?

– Vehap Kola: Në angazhimin tonë për këto protesta kemi përcaktuar këto politika, si vija të kuqe:

1. Kauza jonë nuk ishte thjesht një kauzë ambientale apo shëndetësore: ajo ishte një kauzë morale. Qytetarët nuk ishin informuar dhe, besoj, ishin injoruar. Ky qëndrim paternalist i qeverisë i ka dhënë tonin kësaj që ndodhi këtë nëntor. Qytetarët nuk ishin të frikësuar nga vdekja, sa ç’ishin të irrituar nga anashkalimi dhe moskonsiderimi i qëndrimit të tyre për këtë çështje.

2. Protestat do të orientoheshin vetëm përpara Kryeministrisë dhe asnjëherë tek Ambasada Amerikane. Për këtë arsye, ne nuk kemi mbështetur asnjë nismë, thirrje apo tentativë për ta devijuar kërkesën e përgjegjësisë nga qeveria tek Ambasada e SHBA-ve. Devijimi i protestës së ditës së martë, 12 nëntor, drejt Ambasadës së SHBA-ve është dënuar publikisht nga ne dhe është konsideruar si një strategji që ia bënte më të lehtë qeverisë opsionin e pranimit të armëve kimike, duke i dhënë paralelisht një justifikim të vyer: mirëkuptimin qytetar se ajo kishte marrë një vendim nën një trysni të papërballueshme.

3. Protesta do të kishte një karakter thellësisht qytetar, ashtu siç ishte edhe vetë kauza e saj dhe nuk do të pranonte asnjë ndikimi apo përdorim për qëllime partiake apo axhendash organizacionale. Përpjekjet e subjekteve politike apo organizatave për t’i shndërruar protestat në kapital politik për krahë të caktuar u refuzuan në mënyrë unanime nga qytetarët në protestë. Jam i bindur se kjo ka qenë një arritje madhore e protestave të nëntorit 2013.

– Çfarë u ka lënë më shumë mbresa nga kjo protestë?

Vehap Kola: Mbresa më e madhe që kam nga protestat e nëntorit është konstatimi se politika i ka përçarë shqiptarët dhe bashkimi i tyre mund të realizohet vetëm duke e injoruar atë. Këtu nuk bëj thirrje për ide apolitike dhe anarki, por shpreh brengën se interesat dhe axhendat partizane kanë krijuar një pamje krejt të deformuar të gjërave në shoqërinë shqiptare. Jam dëshmitar i një bashkimi aq të madh zemrash të sinqerta dhe mendjesh të lira, saqë kam hequr dorë nga pikëpamjet politike që kam shfaqur më herët. Falënderoj Zotin që më dhuroi një depërtim të tillë në një të vërtetë përcaktuese për qëndrimin tim në të ardhmen ndaj asaj që quhet sferë publike. Përmbysja tjetër e madhe në pikëpamjet e mia është gjykimi për brezin e ri të vendit. Besoj se këta të rinj kanë për të ndërtuar një jetë më të mirë për shoqërinë tonë nga ç’kanë bërë brezat sot. Ky ndryshim nuk do të jetë thjesht i matshëm, por jam i sigurt se do të jetë një ndryshim i shkallës.

– Çfarë keni ndërmend të bëni pas kësaj përvoje publike?

– Ergi Bardhi: Kemi vendosur të vazhdojmë angazhimin tonë në shërbim të kauzave të edukimit të qytetarëve për pjesëmarrje në qeverisje. Mendoj se janë pjekur kushtet që shqiptarët të kenë më shumë rol në vendimmarrjen publike dhe që vullneti i tyre të merret më shumë në konsideratë nga drejtuesit publikë. Fokusi ynë do të jenë të rinjtë. Do të përpiqemi deri në kufijtë e të mundshmes për të ngritur vetëdije, kapacitete dhe instrumente që krijojnë hapësira të reja për zhvillimin e tyre dhe që e ngrenë aspiratën e tyre në një nivel të ri.

– Kë do të falënderoni pas suksesit të protestave?

– Ergi Bardhi:Do të falënderojmë pas asnjë hezitim qytetarët shqiptarë anembanë vendit, të rinjtë, nxënës e studentë, aktivistë dhe intelektualë që dhanë një shembull të mrekullueshëm qytetarie me këto protesta. Do të falënderojmë edhe qeverinë që me refuzimin e armëve kimike në vend, nuk lejoi që reagimi qytetar të ashpërsohej, çka do t’i kushtonte shumë vendit në termat e mundësive të zhvillimit dhe imazhit ndërkombëtar.

A do të ndryshojë faqja juaj?

Ergi Bardhi:  Faqja nuk do të ndryshojë emër as nuk do të mbyllet. Kjo është pronë e të rinjve shqiptarë dhe do t’u shërbejë atyre sa herë që të jetë e nevojshme.

Kauza jonë  është  i ndalimit të çfarëdo materiali helmues kimik në Shqipëri

Kauza jonë do të konsiderohet e fituar përfundimisht, vetëm kur të jetë sanksionuar ligjërisht hyrja e çfarëdo materiali helmues kimik luftarak. Prandaj, ju bëjmë thirrje që të vazhdojmë ta ndjekim këtë çështje dhe të mos shfokusohemi nga të tjera probleme, në këtë moment. Dy hapat e ardhshëm të veprimit tonë janë:
1. Solidarizimi te nxënësit që janë ndëshkuar me thyerjen e notës sjellje, janë paralajmëruar për përjashtim, apo janë përjashtuar.
2. Ngritja e një grupi ekspertësh ligjorë dhe kimikë për të hartuar draftin e ligjit për ndalimin e hyrjes së lëndëve helmuese kimike luftarake. Përpjekja vazhdon!