Albert Çaçi: Rilindja nuk mbajti premtimet, varfëria shtohet, socialistët janë të zhgënjyer

574
Albert Çaçi, ish deputet për 12 vjet i PS-së, në intervistën për “Telegraf” shpjegon se ai është kandidat i PSD në bashkinë e Fierit, ngaqë kryetari i PS e braktisi, ngaqë nuk kishin nevojë për atë, por për rilindasit. Zoti Çaçi shpjegon se derisa Ben Blushi, eksponent i PS kritikon keqqeverisjen, problemi është serioz. Ndërsa për mosreagimin e senatorëve të PS, zoti Çaçi thotë: “Mendoj se nuk kanë më forcën e duhur për të reaguar, nuk kanë asnjë lloj ideje, kanë mbetur thjesht me shpresën se Rama do të vendosë dorën në zemër për ta, por mendoj se Rama s’ka më kohë për të humbur me ta dhe në zgjedhjet e ardhshme politike ata do të pësojnë fatin tim dhe të disa kolegëve të mi”. 
– Zoti Çaçi, përse ju zgjodhët të jeni kandidat me PSD, ndërkohë që kjo parti nuk bën pjesë më në koalicion me PS?
Në këto dy vjet që nuk jam deputet kam patur kontakte me shumë intelektualë, profesionistë, të rinj, fshatarë, të papunë dhe kam arritur në konkluzionin se elektorati nuk beson më tek dy partitë e mëdha. Ndaj edhe mora vendimin të përfaqësoj këtë pjesë të elektoratit, të majtë e të djathtë të zhgenjyer. Unë nuk jam anëtar i PSD, por teknikisht për të kandiduar ishte e vetmja mundësi, pasi PSD ishte jashtë dy koalicioneve të mëdha politike dhe e kishte këtë mundësi.
– Kujt elektorati i drejtoheni? Çfarë mund t’i thoni elektoratit socialist që juve ju kish votuar t’i përfaqësoni në Parlament si socialist?
Unë i drejtohem atij elektorati që nuk beson më tek dy partitë e mëdha dhe unë besoj se janë më shumë se 50% e votuesve. Elektoratit të majtë do t’i thoja këtë, unë kam qenë dhe do jem krenar që përfaqësova për 12 vjet PS dhe që në asnjë rast nuk i turpërova dhe as tradhëtova besimin e tyre. Nuk isha unë që ndërpreu marrëdhëniet me PS, por kupolo që gjykoi se nuk kishin më nevojë për mua, por për rilindasit. Ndjej një nervozizëm në rradhët e PS, ngaqë nuk janë mbajtur premtimet, nuk janë vlerësuar kontributet e atyre që i sollën në pushtet, nuk u qëndrojnë njerëzve pranë, ndaj, PS aktualisht ka vështirësi në rikonfirmimin e mbështetjes.
– Kritikat e Blushit, sa shprehin edhe shqetësimin e socialistëve të vërtetë, për qeverisjen e Rilindjes?
Kur kritikat bëhen nga një eksponent i spikatur i PS, pavarësisht motiveve që ai niset, problemi është serioz. Sot është evidente që vendi është në një krizë ekonomike, papunësia është në rritje, çmimet gjithashtu janë rritur, fuqia blerëse ka një rënie të frikshme, listat poshtëruese kane kaluar nga ushqimet tek ilaçet nëpër farmaci. Natyrshëm që të gjitha këto godasin pjesën dërrmuese të popullsisë, përfshirë këtu edhe socialistët.
– A duhej që Ben Blushi të kritikonte në këto momente, që jemi para zgjedhjeve të 21 qershorit?
E parë në aspektin elektoral për PS, natyrisht që nuk është pozitive, por mesa duket Blushi po projekton një alternativë që ngelet për t’u parë nëse do të jetë brenda apo jashtë partisë. Ndërsa nga pikëpamja politike ky është moment më i përshtatshëm sipas tij për lëvizjet e ardhshme që ai mund të marrë.
– Shumë rilindas deputetë mundohen të gjejnë te kritikat e Blushit, shkaqet personale të tij se sa të analizojnë thelbin e kritikave. Përse ndodh kjo?
Këtu nuk ka asgjë të re. Është shumë e thjeshtë, ata që gëzojnë të mirat e pushtetit në veçanti rilindasit, shikojnë realitet krejt ndryshe nga ai që shohin dhe ndjejnë qytetarët në kurrizin e tyre. Dhe për pasojë, çdo kritikë që vjen brenda llojit është e papranueshme, duke prishur kështu rehatinë e tyre.
– Përse heshtin publikisht ata socialistë që janë ende në kupolën e Partisë e deputetë?
Mendoj se nuk kanë më forcën e duhur për të reaguar, nuk kanë asnjë lloj ideje, kanë mbetur thjesht me shpresën se Rama do të vendosë dorën në zemër për ta, por mendoj se Rama s’ka më kohë për të humbur me ta dhe në zgjedhjet e ardhshme politike ata do të pësojnë fatin tim dhe të disa kolegëve të mi. Mendoj se Rama do të ecë pa ngurrim drejt projektit të tij dhe në zgjedhjet e ardhshme politike asnjë nga ata që Rama gjeti në PS në 2005, nuk do të jenë më në lista, por rilindasit do të kenë triumfuar totalisht, madje mendoj se edhe emri Parti Socialiste nuk do i duhet më.

– Mendoni se sot kryetari i PS dhe kryeministri Rama ka një pushtet absolut në PS dhe atrofizon çdo mendim ndryshe? 
Tashmë kjo gjë është evidente, asnjë njeri që nga krijimi i shtetit shqiptar nuk ka pasur kaq shumë pushtet. Tashmë Ramën e lodh edhe ana formale, duke mos begenisur e as mbledhur më strukturat e partisë. Për mendimin tim Rama ka një koncept perandorak drejtimi. Perandori, populli dhe TV, të tjerët janë thjesht oborrtarë.
– A mund të quhet PS sot një forcë intelektuale?
Tani besoj se te gjithë bien dakort se niveli i parlamentit tonë është shumë i ulët në krahasim edhe me paraardhësin, këtu ka meritën e saj edhe PS. Mendimin intelektual e çon përpara debatet, alternativat dhe këto koncepte tashmë tek PS janë tretur, ka një mendim të unifikuar, deputetët që mbështesin totalisht liderin, me ndonjë përjashtim të rrallë si ai i Ben Blushit. Një grupim politik e zbaton verbërisht mendimin e të parit nuk mund të quhet forcë intelektuale.
– A mund të flasim sot që tjetër është Rilindja dhe tjetër është PS? 
Tashmë kjo gjë është shumë e qartë, mjafton te shohësh fushatën elektorale në Fier, ku në të gjitha shtabet nuk ka asnjë flamur të PS, por janë vetëm ato të Rilindjes. Mendoj se triumfi i Rilindjes në PS është total. Është një fakt i pranuar edhe nga senatorët, pasi s’mund të bëjnë asgjë tjetër. Nuk besoj se mund të bëhet ndonjë gjë me në këtë Parti Socialiste. Rama ka trimfuar totalisht për ta transformuar këtë parti në atë që ai donte në Rilindje.

– Nëse Ben Blushi nuk ndërmerr veprim dhe aksion politik, a mund të themi se ai do të shterrojë edhe në idetë që tani shtron për zgjidhje për socialistët?
Se çfarë do të bëj Blushi unë akoma se kam kuptuar qartë. Ajo që unë kuptoj është një gjë: Më shumë se 50% e shqiptarëve kërkojnë një alternativë të re. Ashtu siç ka ndodhur në Greqi, Itali, Spanjë dhe Angli. Partitë e reja nuk krijohen nga pakënaqësi, inate apo prishje të marrëdhënieve personale, por si një nevojë e elektoratit per ndryshim dhe nga kjo pikëpamje mendoj se një parti e re mund të jetë shprehje e shumë njerëzve të zhgënjyer nga politika aktuale. Përsa më përket mua pozicionimi im do të varet nga rezultati dhe vlerësimi që do të më bëj elektorati fierak në këto zgjedhje.
Sigal