Albert Brojka:“PD-ja ka nevojë që të thërrasë akoma: “Liri-Demokraci” për veten e saj”

497
Sigal

Albert Brojka ka qenë një nga drejtuesit kryesorë të PD-së në Tiranë, ku në 1996 u zgjedh edhe kryetari i Bashkisë të Tiranës, i zgjedhur nga PD-ja. Mirëpo, i larguar, pasi ka shfaqur mendimin ndryshe dhe nuk u është servilosur udhëheqjes. Sot, kur themeluesi i PD-së, Sali Berisha dha dorëheqjen, për shkak të disfatës së thellë politike në zgjedhje dhe shkaku kryesor i humbjes është ngurtësimi i PD-së, mungesa e demokracisë, kanë vlerë të dëgjohen edhe zëra të atilla, që kanë kritikuar fenomenin e humbjes  të PD-së, që në shfaqjen e saj. Albert Brojka, në intervistën për “Telegraf”, shpjegon se, PD-ja ka nevojë të thërrasë “Liri- Demokraci” për veten e saj, për t’u reformuar dhe për t’u bërë sërish lokomotiva e ndryshimeve demokratike të Shqipërisë.

– Zoti Brojka, si duhet kuptuar vota e 23 Qershorit nga PD-ja?

– Edhe po të punosh mirë, në pushtet, në qeverisje, pushteti të konsumon. Dhe ndryshimi i pushtetit, rotacioni, apo alternanca është e nevojshme për një demokraci. Nuk është turp të lësh pushtetin. E ka lënë pushtetin Çërçilli, megjithëse, mundi Hitlerin, britanikët e votuan kundër. E ka lënë pushtetin  Helmut Kol, edhe pse bashkoi 2 Gjermanitë, ngaqë gjermanët e votuan kundër, pas një kohëqeverisjeje të gjatë. Vendi ka nevojë për alternancë. Shqipërisë i bëhet mirë ndërrimi i pushtetit, konkurrenca dhe  ndryshimi i alternativave.

– Cilat ishin shkaqet e kësaj disfate elektorale për PD-në?

– Unë nuk mund të them se është qeverisur gabim, por është 8 vjet në pushtet dhe , sado mirë të punosh, pushteti të konsumon. Kështu, që konsumin e pushtetit, klientelizmin e ngushtë, apo qeverisjen thjesht për interesa personale, sillën këto rezultate.

– Ky rotacion i 23 Qershorit, është thjesht një rotacion i radhës, apo një kthesë historike nga periudha e tranzicionit?

Për mua është një ndryshim i radhës. Duhej të ndodhte dhe ndodhi. Nuk mund të them se është një kthesë e madhe historike për Shqipërinë, sepse po të vësh në standard, të Majtën dhe të Djathtën, nuk ka ndonjë ndryshim të madh në programet e tyre, në mentalitetin e tyre, brenda partisë, apo në mënyrën sesi qeverisin. Nuk është ndonjë ndryshim i atillë, që pas kësaj, të thuash “Shqipëria shpëtoi dhe do fillojë lulëzimi”. Në këtë moment, PD-ja arriti fundin, sepse u konsumua në pushtet, PS-LSI arritën majën, sepse populli është i pakënaqur nga qeverisja e PD-së. Por, këtej e tutje, do të ndryshojë edhe kahu i lëvizjes. PD-ja do fillojë të ngrihet. Do fillojë të reformohet. Do fillojë të ndërtojë demokracinë e brendshme dhe do të jetë në zgjedhjet e ardhshme, një alternativë qeverisëse. PS-ja ka premtuar shumë. Do t’i mbajë dot premtimet e saj në këtë gjendje të vështirë financiare? Elektorati do t’i kundërvihet pikërisht së Majtës,  që i premtoi shumë për votëbesimin dhe nuk do të jetë në gjendje t’i realizojë. Të mos shpresojë se tani, Shqipëria e kaloi vështirësitë e do të ecë përpara, meqë thjesht erdhi e Majta në pushtet.

Berishën a mund ta quajmë edhe simbolin e tranzicionit në Shqipëri?

– Berisha, duam nuk duam, ka luajtur një rol protagonist 23 vjet në politikën shqiptare. Nuk ka tjetër politika të deritanishëm, që të ketë luajtur rol kaq të madh sa Berisha, qoftë pozitiv, qoftë negativ. Kështu, që Berisha mund të quhet njëfarë simboli i tranzicionit, por jo vetëm Berisha. Mund të futim Nanon, Metën, Ramën, dhe mund të themi që tranzicioni ka ardhur te këta liderë.

Berisha, në lamtumirën e tij politike, pranoi se fajtori i humbjes së PD-së është Berisha, personi dhe jo “Berishizmi”. Është kështu?

– Jo, nuk është vetëm Berisha, nëse do të duhet të fajësonim dikë për këtë humbje politike. Janë të gjithë drejtuesit e tjerë të PD-së. Jam, ndoshta edhe unë, që jam anëtar i thjeshtë i PD-së. Jemi edhe ne të tjerët, që e kemi mbështetur, që i jemi servilosur, që ia kemi miratuar veprimet e vendimet e tij, që e kemi brohoritur. Tani, kur vjen puna për faje, Berisha u tregua burrë që i mori përsipër. Duhet një reflektim i tërë dhe nga të gjithë. Në qoftë se Berisha merrte përsipër të çonte deri në fund një projekt, nuk e bënte pa marrë miratimin e Këshillit drejtues apo kombëtar të PD-së. Ndoshta, ajo që unë dua të theksoi, është se ka patur zëra kundër, por, për fat të keq, këto zëra kundër, në vend që të dëgjoheshin dhe të vlerësoheshin, ato janë flakur. Mosmarrja në konsideratë e mendimit ndryshe është pjesë e fajit të sotëm.  Kështu që fajtor unë bëj “berishizmin”.  Mbajtën larg PD-së energjitë intelektuale të së djathtës. Kjo bëri që PD-ja u ngurtësua dhe bëri që të vinim te ky rezultat i 23 Qershorit. Përgjegjësia është e gjithë strukturës së PD-së nga mënyra sesi funksionuan dhe sesi i bënë gjërat. E konsideruan PD-në si një pronë të tyre, për interesat e tyre vetjake dhe zgjidhën vetëm problemet e tyre.

Të gjitha ata që në fillim  shpresuan për rilindje demokratike, por u zhgënjyen nga PD-ja, a mund të rikthehen me shpresën se kjo parti do të riformohet?

Unë kam bindjen se, nëse PD-ja do të reflektojë mbi gabimet e veta, dhe, sinqerisht kërkon të riformohet, kjo do të jetë shpresë e madhe për të gjithë ata që u distancuan dhe duhet të rikthehen për të vazhduar kontributin, në të mirë të demokracisë të Shqipërisë.

– Rikthimi i Eduard Selamit në PD e shikoni në këtë frymë, apo është një kthim për interesat personale?

–  Mund të mos jetë kthim personal i tij. Unë mendoj se miqtë tanë ndërkombëtarë, nuk mund ta lënë në rënie të lirë reformimin e PD-së. Kuadro të përgatitur të PD-së, që janë specializuar jashtë për fusha të ndryshme dhe që mund të kontribuojnë, nuk do të lihen jashtë vëmendjes edhe nga ndërkombëtarët.

– Çfarë duhet tani që të bëhet një fillim i ri për PD-në?

– Duhet një vizion i ri dhe një vullnet. Një vizion sesi duhet reformuar PD-ja. Po të kesh edhe dëshirën, kjo arrihet.

Demokratizmi i PD-së, domosdoshmëri për reformimin e saj

– Dorëheqja e Berishës nga PD-ja a mund të shërbejë si valvul për çlirimin e energjive pozitive e demokratike brenda PD-së? A shikoni se ka vullnet politik për të demokratizuar PD-në?

Unë nuk jam në strukturat e PD-së dhe nuk mund të shprehem nëse ka vullnet për ta bërë këtë reformë. Mendimi im është se duhen të çlirohen energjitë demokratike e reformuese në vetë PD-në. PD-ja ka nevojë që të thërrasë akoma: “Liri-Demokraci” për veten e saj. I gjithë elektorati i PD-së, simpatizantët e saj, duhet të shprehë mendimin e vet. I gjithë ky mendim duhet marrë në konsideratë, për të reformuar e demokratizuar PD-në. Dhe jo formalisht, sa për sy e faqe. Duhen afruar njerëzit që mund të japin. Pavarësisht, nëse është në PD, apo nuk është. Pavarësisht se këta nuk janë militantë, por kanë koncepte e mentalitet ndryshe, të përparuar, demokratik. Ata dinë të bëjnë reforma. Edhe kur ta kenë mundimin “kundër”, me liderit, pikërisht, duhen të vlerësohen, sepse kanë edhe kurajon që shprehin mendimin ndryshe. Këta njerëz, tani duhen afruar. Një reformë e tillë duhet të jetë e konceptuar pastër. Nëse bëhet formalisht, atëherë, hiqet një Berishë e do të vijë një tjetër Berishë. Por nuk mund të kalojmë edhe në ekstremin tjetër, duke i mohuar edhe arritjet Berishës. Ndryshimi për PD-në është që të hapet. Ka nevojë për liri, ka nevojë për demokraci. Të përkrahen intelektualët e të mos bazohet më PD-ja te militantët. Reformat i çojnë përpara mendimi dhe jo forca e muskujve. Po të bëhen të tilla reforma, PD-ja vjen në pushtet sërish pas 4 vjetësh.

– Cila do të jetë rruga e PD-së që të rikthehet të ëndrrat e fillimit të demokracisë?

– Respektimi i statusit. Si do të zgjidhet institucionet partiake  lidershipi i ri i PD-së?! I duhet një Këshill Kombëtar i ri me njerëz që vijnë nga baza, të cilët i ka vlerësuar e respektuar. Të jenë teknokratë, sesa militantë. Natyrisht, PD-ja ka nevojë edhe për militantin, por jo deri aty sa militanti të determinojë e të bëjë ligjin në parti. Të mos veprohet më me klane, të grupohen njerëzit e të diktojnë: “ Do vëmë këtë , sepse kështu dua unë”.  Do të ishte mirë, që partia të jetë e lirë e të funksionojë në mënyrë demokratike. Mirë do të ishte që lidershipi i ri i PD-së të zgjidhet me parimin “ Një anëtar, një votë”, që ka normat e së Djathtës europiane.

– Faleminderit!