Albana Vokshi për koncesionet në shëndetësi: Reforma të nisë nga abuzuesit

1034
Alma Çuka
Katër koncesionet e dhëna nga qeveria Rama në katër vitet e parë të qeverisjes së tij, janë konsideruar vjedhje e hapur nga ana e opozitës
Deputetja demokrate Albana Vokshi, hedh akuza të forta ndaj qeverisë Rama, lidhur me firmosjen e katër kontratave koncesionare në shëndetësi. Sipas Vokshit, Rama dhe ish-ministri Ilir Beqaj, i kanë shërbyer një grushti të caktuar njerëzish, duke përfituar në dëm të shëndetit të qytetarëve. Po kështu deputetja e Partisë Demokratike, e cila ka qenë gjithmonë kundër këtyre koncesioneve, duke dhënë edhe shifra konkretë të abuzimit, shprehet se reforma në drejtësi duhet të nisë pikërisht nga abuzuesit e këtyre përmasave. 
Qeveria Rama ka nënshkruar katër kontrata koncesionare në Shëndetësi me një vlerë 311 mln euro. Cili është rezultati i tyre?
Bazuar në informacionet, shuma totale e katër koncesioneve (PPP – Partneritet Publik Privat) në shëndetësi është shumë më e madhe. Arrin në rreth 400 mln Euro. Por duhet të kemi parasysh që disa prej kontratave të koncesioneve nuk kanë tavan por vetëm dysheme për pagesat. Pavarësisht asaj që qeveria ka deklaruar si vlerë totale të koncesioneve, pothuajse në të gjitha rastet, ato janë vetëm shumat minimale që i garantohet koncesionarit privat. Faturat reale të tyre mund të jenë shumë herë më të larta, duke ju siguruar fitime marramendëse abuzive koncesionarëve, e nga ana tjetër duke mos sjellë praktikisht pothuajse asnjë përfitim real për qytetarët.

Janë tashmë të njohura për të gjithë abuzimet si me mënyrën e prokurimit, kontraktimit por edhe të implementimit të të famshmit Check-up “falas” që i ka shkaktuar dëme të konsiderueshme buxhetit të shtetit. Vetëm në 2015 koncesionari përfitoi rreth 1.7 mln Euro pa kryer asnjë analizë. Nëse llogarisim edhe faktin që një numër i konsiderueshëm analizash mund të jetë fiktiv (të vdekur ose qytetarë që kurrë s’e kanë bërë Check-up) fitimet për koncesionarin janë shumë herë më të mëdha. Ndërkohë analizat bëhen me infrastrukturën dhe stafin e qendrave shëndetësore. Madje infermierët e qendrave shëndetësore punojnë 3–4 orë në ditë për llogari të Vilmës. Por pavarësisht se Rama ka kushtëzuar pothuajse çdo shërbim të shtetit me bërjen e Check-up, pa frikë sot mund të themi që CHECK-UP ka dështuar. Analizat e Check-up bëhen vetëm nga 20-25% e qytetarëve. Qytetarët e kanë braktisur Check-up. Edhe ekspertë ndërkombëtarë ditët e fundit e kanë konsideruar koncesionin e Chek-up jo vetëm të dështuar, por edhe përdorim i gabuar i fondeve buxhetore. Qeveria duhet ta anulojë koncesionin e Check-up dhe paratë t’i investojë në sektorin publik.

Sa i takon shërbimit të hemodializës, është një shërbim i nevojshëm, iniciuar që në Qeverinë Berisha. Por edhe në këtë rast, Rama, jo vetëm e monopolizoi shërbimin, duke mos lejuar konkurrencën që mund të çonte në uljen e çmimit dhe përmirësim të shërbimit, por e koncesionoi atë, duke ia dhënë një kompanie që kishte një bar-kafe në Berat, pa kapital e pa asnjë eksperiencë në fushën e shëndetësisë.

Sterilizimi i pajisjeve është një nga koncesionet më korruptive në shëndetësi. Rreth 100 mln Euro iu dhanë si “dhuratë” mikut të ish -Ministrit të Shëndetësisë, i cili kishte një kompani pa eksperiencë në fushën e duhur, me kapital 1500 euro dhe vetëm një punëtor. Them dhuratë, pasi Qendra e Sterilizimit të pajisjeve mjekësore ishte e ndërtuar në QSUT me Kredi të Bankës Qendrore Evropiane (CEB) si dhe ishin siguruar edhe paratë për trajnimin e punonjësve që do të merreshin me këtë proces. Gjithashtu, duhet theksuar që mënyra e hartimit të koncesioneve favorizon vetëm koncesionarin në dëm të buxhetit të shtetit pasi fatura totale e këtij koncesioni 10 vjeçar të sterilizimit është e paparashikueshme. Askush nuk mund të parashikojë se sa do të jetë numri i ndërhyrjeve kirurgjikale në spitalet publike të Shqipërisë deri në vitin 2025-ën.

Koncesioni i rrjetit të laboratorëve publikë është një hap tjetër në planin e mirëmenduar të Edi Ramës për të privatizuar shëndetësinë në favor të klientëve të tij. ‎Ky koncesion e çon në më shumë se 400 mln euro për 4 koncesione vetëm në shëndetësi, 400 mln Euro para që duhet të shkonin për shëndetin e qytetarëve shqiptarë. Koncesioni i rrjetit të laboratorëve nuk ka asnjë rast të ngjashëm në botë. Askund nuk është aplikuar në këtë shtrirje dhe eksperiencat ndërkombëtare nuk dëshmojnë sukses. Aplikimi i këtij projekti në QSUT mund të sjellë dëme të mëdha, të shumëfishta e të pariparueshme: për karakterin unik të shërbimeve laboratorike, në dëmtimin e pakthyeshëm të funksionit pedagogjik, edukativ-formues dhe shkencor të këtyre shërbimeve, që janë qendra kombëtare unike dhe ekselence për formimin, specializimin dhe punën kërkimore të të rinjve në këto fusha.‎Koncesioni mund ketë pasoja të rënda humane, shkencore, didaktike, fiskale‎. ‎Vetëm pak muaj para zgjedhjeve parlamentare, proceduar në fshehtësi totale, koncesioni, s’është gjë tjetër veçse një tjetër procedurë korruptive dhe abuzive.

Në fillim të këtij katërvjeçari shëndetësia është në ditën e saj më të keqe, pothuajse e shkatërruar, me spitale në gjendje të mjeruar që s’kanë as kushtet dhe as pajisjet më elementare; pa mjete e barna; me bluza të bardha të nëpërkëmbura, të shantazhuara nga presioni i qeverisë si dhe pacientëve dhe familjarëve të tyre, me rrogën më minimale në rajon e në botë. Në buxhetin e shtetit 2018, janë parashikuar rreth 35 mln dollar për 4 koncesionet në shëndetësi, si dhe rreth 10 mln të tjera për tjetër koncesion të dyshimtë, atë të Spitalit Rajonal të Fierit.

A ka PD një plan për të kërkuar ngritjen e një komisioni hetimor për verifikimin dhe realizimin e shërbimit të këtyre koncesioneve?
Pas denoncimeve të njëpasnjëshme nga PD në lidhje me koncesionet në Shëndetësi, Prokuroria hapi hetim kryesisht për koncesionin e Check-up, Hemodializës dhe Sterilizimit të pajisjeve mjekësore. Gjithashtu, para rreth një viti PD ka depozituar një tjetër padi për ish -Ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqaj, me informacion të plotë dhe të përditësuar edhe me implementimin e vitit të parë e të dytë të Check-up. Një padi tjetër nga ana e PD është dorëzuar zyrtarisht në Prokurori në lidhje me një ndërhyrje flagrante të ish -Ministrit të Shëndetësisë në tenderët spitalorë në fillim të vitit 2014. Në shkelje flagrante të legjislacionit në fuqi me ndërhyrjen e Ministrit u lejua importi i barnave të pakontrolluara e jo cilësore që dyshohet se kanë shkaktuar edhe viktima humane (të denoncuara nga familjarët e viktimave). Ende nuk ka asnjë informacion në cilën fazë janë hetimet për 3 koncesionet si dhe për tenderët spitalorë. Gjej rastin ti kërkoj Prokurorisë të mos hezitojë përballë presioneve të vazhdueshme të Kryeministrit në drejtim të organit të akuzës dhe gjykatave, por të vijojnë hetimet për aferat korruptive në shëndetësi duke çuar para drejtësisë të gjithë abuzuesit me paratë e shëndetit të shqiptarëve. Shëndetësia Falas është dështimi më spektakolar i Edi Ramës!!! Ajo nuk gjendet më as në fjalorin e Rilindjes së Ramës, e jo më në realitet!!!

Reforma në drejtësi duhet të nisë pikërisht nga abuzuesit në sektorin e shëndetësisë. Vjedhja e parave të shëndetit të shqiptarëve është KRIM dhe krimi duhet dënuar!!!
Sigal