Albana Vokshi: Ja arsyeja kryesore pse duhet protestuar

Klaudia Malaj 

Në një intervistë ekskluzive për Telegraf, deputetja e partisë demokratike Albana Vokshi ka deklaruar dhe ritheksuar arsyet se përse sot të gjithë duhet të dalin në protestë. Sipas Vokshit kjo qeveri ka shkelur në mënyrë flagrante ligjin, gjatë periudhës kur zonja Vokshi ka qenë Kryetare e Komisionit të Shëndetësisë në legjislaturën e shkuar ka denoncuar shpesh “sjelljet kriminale”, të qeverisë me pacientët dhe në kurriz të tyre.

Nga show mediatik kemi parë, që femra ka qenë një nga viktimat kryesore të Rilindjes. Përmendim këtu rastin e mungesës së ilaçeve nëpër spitale. Si do ta komentonit?

“Është kriminale neglizhenca shtetërore për kurat dhe kujdesin paliativ për mijëra paciente të diagnostikuara ndër vite me sëmundje tumorale. Ndërkohë shumë nëna janë shkatërruar nga dhimbja në pamundësi për të gjetur mjekimet për fëmijët e sëmurë, ndërsa miqtë e Kryeministrit “notojnë” në miliona eurot që përfitojnë nga koncesionet në shëndetësi. Në legjislaturën e mëparshme, në cilësinë e Kryetares së Komisionit të Shëndetësisë kam dorëzuar në Prokurori ”Dosjet” e Koncesioneve dhe kam denoncuar mashtrimin me fondet e shëndetit dhe sjelljen kriminale me pacientët dhe personelin mjekësor. Pacientëve iu mohohej e drejta e kurimit dhe kujdesit shëndetësor, ndërsa mjekët dhe infermierët lihen në urgjenca dhe pavijone pa materialet bazike mjekësore; pambuk dhe alkool... Por nën diktatin e Ramës, abuzuesit e parave të shëndetit të shqiptarëve janë të lirë!”

Sa i vështirë është punësimi i gruas sot? 

“Referuar statistikave gratë dhe vajzat përbëjnë numrin më të madh të të papunëve. Por në qeverinë e drogës dhe të landfilleve gratë u shfrytëzuan gati në punë skllavërie. Ndërsa profesionistet u zëvendësuan me militantët dhe ish të dënuar për krime jashtë dhe brenda vendit. Ndërsa gratë e Qeverisë së Edit u përdorën për propagandën e Barazisë Gjinore e asnjëherë nuk u përkthyen në masa e politika konkrete në ndihmë të grave.”

Për çfarë duhet të protestojë me 27 janar një femër?

Gratë dhe vajzat ashtu si çdo shqiptar duhet të protestojnë kundër këtij regjimi korruptiv dhe shfrytëzues. Gratë dhe vajzat kanë humbur liritë e tyre, ato duhet të protestojnë për të rifituar të drejtat e tyre, sot të mohuara dhe të nëpërkëmbura si asnjëherë më parë. Gratë nuk mund të qëndrojnë në heshtje dhe të lejojnë shkatërrimin e familjes dhe punësimin e fëmijëve në fushat me kanabis apo largimin e tyre nga Shqipëria!

Gratë janë jeta e kombeve dhe duhet të bëjnë rezistencë!

Jam e sigurt se gratë dhe vajzat nuk do të qëndrojnë pas mureve të shtëpisë, por do të jenë bashkë me ne në protestë!