Albana Vokshi: Agjencitë shtetërore të Ramës po mashtrojnë

174

Pas deklaratës së djeshme të ish-deputetes së PD Albana Vokshi se në spitalet tona mungon sëmuri antitetanik, ka ardhur reagimi nga ana e Operatorit të Kujdesit Shëndetësor dhe Agjencisë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore.

Agjencia Kombëtare e Barnave bën me dije se qendrat shëndetësore dhe spitalet janë të pajisura me serumet antitetanik dhe antivipera që në fillim të sezonit turistik.

Sipas kësaj agjencie, deklaratat e thëna në media nga ish-deputetja Vokshi janë bërë për kauza politike.

Por nuk mungon sërish reagimi i Vokshit.

Përmes një postimi të detajuar në Facebook, ish deputetja shprehet se agjencitë shtetërore po mashtrojnë publikun me deklaratat e tyre.

“Të dy agjensive ju deshën më shume se 24 orë, për një reagim mbushur me mashtrime në lidhje me serumet anti-viper dhe anti-tetanik”, shkruan ish-deputetja demokrate.

Postimi i plotë i Albana Vokshit:

– A mbajnë përgjegjësi Operatori i Kujdesit Shëndetësor dhe Agjensia Kombëtare e Barnave, për mashtrimin që i bëjnë publikut???

– Të dy agjensive ju deshën më shumë se 24 orë, për një reagim mbushur me mashtrime në lidhje me serumet anti-viper dhe anti-tetanik.

Një miku im mjek më telefonoi sot pasdite e më njoftoi për një reagim që kishin bërë Operatori i Kujdesit Shëndetësor dhe Agjensia Kombëtare e Barnave në lidhje me një statusin tim në fb për mungesat në rrjetin e hapur të farmacive ai dhe në qendra shëndetësore e spitale të serumeve anti-tetanike dhe anti-viper.

Kërkova reagimin zyrtar në faqen e Ministrisë dhe të Ministres së shëndetësisë si dhe në fb përkatëse, por nuk e gjeta. Kërkova më tej në faqen zyrtare të Agjensisë së barnave, si dhe në fb të saj. Përveç propagandës rilindase dhe shpërndarjes së çdo aktiviteti të Ministres Manastirlliu, nuk gjeta asgjë për barnat që mungonin.

Më së fundi e gjeta reagimin në pak portale lajmesh online. Në të,  dy agjensitë, njoftonin që nuk kishte mungesa të serumit antitetanik dhe anti viper as në rrjetin e hapur farmaceutik as në të gjitha qendrat shëndetësore apo spitalet.

Për të mbuluar skandalin, kanë futur në reagim edhe Agjencinë Kombëtare të Barnave që në fakt duhet të përgjigjet për cilësinë, kontrollin dhe sigurinë e barnave, të cilat NUK PO I KRYEN. Por në rastin konkret, Agjencia Nuk është përgjegjëse për furnizimet me barna. Ajo thjesht pajis importuesit me autorizimet e nevojshme. Ndaj, minimalisht, drejtuesi i Agjensisë mund të kishte heshtur e jo të bëhej bashkëfajtor.

Gjithashtu, miq që punojnë në qendra shëndetësore më thanë, që të dielën në orën 10.30 në mëngjes, operatori i kujdesit shëndetësor, kishte dërguar një email, ku i kërkonte drejtorive rajonale shëndetësore të njoftonin me URGJENCË, brenda orës 12.00 (po ditën e dielë), gjendjen e injeksioneve antiviper dhe antitetanik për çdo qendër shëndetësore.

Duke pasur të gjithë dëshirën për të qenë gabim vetë, e për t’i besuar këtij reagimi, (pavarësisht që muajt e fundit në PD kanë ardhur shumë denoncime e ankesa për mungesa), duke mos ju referuar as dëshmive me zë e figurë të emisionit fiks fare, bëra një kërkim të shpejtë. Në të dy qendrat shëndetësore për të cilat pyeta në Luz të Vogël dhe Lekaj të Kavajës, nuk kishte as serum anti-tetanik dhe as anti-viper.

Në rrjetin e hapur të farmacive të dy serumet MUNGOJNË!!

Ajo çka e bën edhe më të rëndë situatën është që në farmaci mungojnë edhe shumë barna të tjera jetike, alternativa të para ose të vetme të listës. Për të cilat pacietët detyrohen ti drejtohen kondrabandës ose t’i luten Zotit.

Është i turpshëm shpërdorimi me postin dhe mashtrimi i publikut sidomos për çëshjtje shëndeti dhe jete.

Edi Ramës nuk i interesojnë qytetarët, por oligarkët. Ndaj me Edi Ramën shëndetësia dhe farmaceutika do vazhdojnë të jenë sektorët që lëngojnë më shumë për shkak të vjedhjes, abuzimit dhe korrupsionit galopant.

#MeEdiRamenNukKaSherbimShendetesorPerQytetaret
#ShendetesiFalas = #VuajtjeFalasPerQytetaret