Albana Misja: Partitë që bëjnë fushatë parazgjedhore, duhen penalizuar nga KQZ

324
Albana Misja, Avokate pranë Komitetit Shqiptar të Helsinkit në intervistën për gazetën “Telegraf” pohon se partitë politike shkelin ligjin, që kanë filluar fushatën elektorale para 22 majit, ndaj duhet KQZ duhet të veprojë për të zbatuar Kodin Zgjedhor, sepse kjo dëmton edhe barazinë e zgjedhjes, por edhe se shpenzohen shuma financiare, jashtë çdo kontrolli dhe jashtë çdo financimi që bëhen nga buxheti i shtetit. 
– Zonja Misja, fushata zgjedhore sipas njoftimit të KQZ-s, fillon në 22 maj. Praktikisht, maxhoranca e opozita kanë kohë që e kanë filluar. A përputhet kjo me ligjin?
-Gjykoj se ka mospërputhje. Pika 1 e nenit 77 të Kodit Zgjedhor parashikon se “Fushata zgjedhore fillon 30 ditë para datës së zgjedhjeve…”.
– Cilat mund të ishin efektet e fillimit të fushatës para kohe?
– Për të gjithë është e qartë që shpenzimet do të jenë më të mëdha. Veç kësaj krijohet një farë pabarazie ndaj subjekteve të tjera dhe kandidatëve të pavarur të cilët disponojnë më pak mundësi për të zhvilluar, edhe para kohe, propagandën e tyre elektorale. Është KQZ-ja që përllogarit shumën që i takon secilës parti që është subjekt zgjedhor. Burimet financiare i ka parashikuar Kodi Zgjedhor, siç është parashikuar edhe financimi i subjekteve zgjedhore nga fondi publik. Çdo subject zgjedhor mbart detyrimin e regjistrimit në një regjistër të posaçëm shumën e fondeve të përfituara nga çdo person fizik apo juridik. Vetë subjektet zgjedhore duhet të jenë transparent lidhur me fondet që ata shpenzojnë për zgjedhjet. Në rast se në këtë drejtim nuk zbatohet Kodi Zgjedhor parashikohen masat përkatëse. Shkelësit e ligjit mund të përgjigjen edhe penalisht. Veç sa më sipër, në Kodin e Praktikës së mirë në Çështjet Zgjedhore, miratuar nga Komisioni i Venecias në vitin 2002, (faqe 34), thuhet:
“Duhet të theksohet se në fushën e financimit publik të partive apo fushatave duhet të aplikohet parimi i barazisë… Me qëllim që të sigurohet barazia e shanseve për të gjitha fazat e ndryshme politike, financimi publik duhet të shtrihet me të gjitha financimet publike që përfaqësojnë një numër të konsiderueshëm zgjedhësish dhe paraqesin kandidatë për zgjedhje” 
-Lidhur me fushatën zgjedhore të parakohshme, sipas jush, a duhet të reagojë KQZ-ja?
– Mendoj se po.
-Cilat janë argumentet ku e bazoni këtë mendim?
– Së pari, KQZ-ja është organi më i lartë shtetëror i përhershëm i ngarkuar për administrimin e zgjedhjeve në përputhje me rregullat e përcaktuara me këtë Kod (shih nenin 2 pika 7 e Kodit Zgjedhor). Neni 77 pika 1 e Kodit Zgjedhor nuk mund të bëjë përjashtim. Ai është pjesë e rregulloreve të përcaktuara në Kod. 
Së dyti, në nenin 3 të Kodit Zgjedhor emërtuar “Parime të përgjithshme” dhe përkatësisht me pikën 5 të tij parashikon shprehimisht: “Subjektet zgjedhore janë të lira të bëjnë paraqitjen e programeve të tyre zgjedhore në çdo formë dhe në mënyrë të ligjshme”. Së fundmi, në Nenin 78, pika 1 të Kodit Zgjedhor thuhet: “Gjatë fushatës zgjedhore, çdo subjekt zgjedhor ka të drejtë të bëjë propagandë zgjedhore në çdo mënyre të ligjshme”. 
– Nëse partitë politike shkelin nenin 77 të Kodit Zgjedhor dmth e fillojnë fushatën (siç në fakt ka ndodhur) para kohës së përcaktuar në ligje, a kanë përgjegjësi?
– Këtë le ta vlerësojë dhe interpretojë KQZ-ja. Por më lejoni t’i referohem nenit 172 pika 1 të Kodit Zgjedhor dhe pikërisht parimit të parashikuar në nenin 3 të Kodit Zgjedhor., ku përcaktohet se: “edhe kur shkelja e këtij parimi nuk ka ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve, ajo përbën kundravajtje penale dhe dënohet me gjobë”. Përsa i përket reagimit mendoj se do t’i shërbente detyrimit të subjekteve zgjedhore që të zbatonin me rigorozitet çdo normë të Kodit Zgjedhor.