Alarmi i Francës për azilin, negociata urgjente në Tiranë

611
Ministri i Brendshëm francez thotë se 20 % të kërkesave për azil e zënë shqiptarët. Oficerë të huaj në vendin tone dhe goditje krimit të organizuar
Shqipëria dhe Franca ranë dakord të forcojnë bashkëpunimin për luftën kundër krimit të organizuar dhe frenimin e fenomenit të emigracionit të paligjshëm. Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Brendshëm francez, Zherard Kolomb, nënvizuan gjatë një takimi në Tiranë se tema e emigracionit të paligjshëm dhe e azilkërkimit është diskutuar posaçërisht. “Kemi punuar dhe do të vazhdojmë të punojmë, ne nga ana jonë, jo vetëm me masat e marra, por edhe për të vazhduar që t’ia bëjmë të qartë të gjithë qytetarëve shqiptare që rruga e azilkërkimit, jo vetëm që përbën në vetvete një rrugë të paligjshme, por nga ana tjetër përbën dhe një rrugë pa krye, pasi, siç dëshmojnë vetë ata, të cilët në fund të kësaj rruge janë detyruar të rikthehen, përkthehet në kosto individuale dhe familjare, edhe të natyrës financiare”, u shpreh Rama. Përballë kërkesës së përsëritur dhe insistuese të Francës për pakësimin e kërkesave për azil nga shqiptarët, Rama tha se respektimi i demokracisë dhe i rregullave të saj, funksionimi normal i institucioneve, zhvillimi i procesit demokratik në bazë të modelit të Shqipërisë evropiane, janë të panegociueshme. Nga ana e tij, ministri Zherard Kolomb tha se kishte biseduar me Ramën, Bushatin e Xhafën më 20 korrik për emigrimin e paligjshëm, lidhur me azilkërkuesit, si dhe çështjen e rrjeteve të krimit të organizuar. “Në vendet e strehimit që kemi në Francë për të pritur azilkërkuesit, 20% i zënë shqiptarët, të cilët kanë ardhur pa vizë, por që kanë kërkuar azil. Kjo është një çështje mbi të cilën, ne po mundohemi të punojmë së bashku me autoritetet shqiptare. Ata kanë treguar shumë kurajë lidhur më këtë çështje, sepse është një çështje delikate, e para e punës për t’i penguar njerëzit që duan të largohen nga Shqipëria. Kur ne ju kërkojmë autoriteteve shqiptare që azilkërkuesit, të cilët nuk kanë marrë përgjigje pozitive, duhet sipas procedurave të kthehen në Shqipëri, ata na janë përgjigjur gjithmonë në mënyrë të favorshme”, tha ministri francez. Ai shtoi se tashmë ka edhe bashkëpunim të mirë lidhur me luftën kundër rrjeteve kriminale. “Edhe rrjetet kriminalë janë botërore dhe ne të gjithë e dimë se bashkëpunimi midis vendeve është një bashkëpunim i domosdoshëm, sepse krimi i organizuar është global tashmë. Ndaj duhet patjetër që edhe partneriteti që kemi me vende të ndryshme evropiane dhe të kontinenteve të tjera të jetë i tillë që të arrijmë rezultat”, u shpreh Kolomb. Më tej, ai dha edhe mesazhin e qeverisë së Parisit për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. “Kur Presidenti Macron foli në Universitetin e Sorbonës, në lidhje me të ardhmen e Evropës, foli më në veçanti për zonën e Ballkanit Perëndimor dhe tha që është shumë e rëndësishme që duhet të stabilizohet kjo zonë, ky rajon dhe se BE nuk mund t’i lërë vendet e Ballkanit jashtë kësaj familje, por duhet patjetër që t’i përfshijë në një ecje dinamike drejt anëtarësimit. Reformat, natyrisht marrin kohë, po duhet patjetër që të ecim përpara”, nënvizoi ministri francez. Kolomb tha se është e rëndësishme të bëhen përmirësime në Shqipëri, por dhe në Francë, sepse procedurat për azilin dhe për emigrimin në Francë duhet të pajtohen me kriteret evropiane dhe me kriteret e miqve tanë gjermanë. Ai shtoi se i kishte premtuar ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, që pas disa kohësh, do të vinte përsëri për të qëndruar 7-8 ditë në Shqipëri.
Oficerët francezë në Shqipëri
Ministri i Brendshëm francez, Zherard Kolomb, tha se janë sjellë oficerë në Shqipëri për Policinë Kufitare. “Do të punojmë së bashku dhe me vendet fqinje, sepse shqiptarët nuk nisen vetëm nga Tirana, por disa prej tyre që duan të shkojnë në Francë, nisen nga kryeqytetet e vendeve fqinje. Prandaj është e rëndësishëm që të punojmë bashkë me ata, në mënyrë që ta bllokojmë këtë fenomen”, tha Kolomb. Ai shtoi se kishte propozuar që oficerë të policisë shqiptare të shkojnë në Francë, dy në Paris, për të punuar me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë Ajrore dhe të Kufirit dhe dy në zonat e Francës ku janë të përqendruar azilkërkuesit shqiptarë që vijnë, qoftë në zonën e Moselle dhe qyteti i Metz-it, që është një qytet i prekur nga ky fenomen.
Sigal