Alarmi i falimentit të bankave, kërkohet fondi i jashtëzakonshëm

725
Falimenti i bankave, nis Fondi i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme
Banka e Shqipërisë fillon grumbullimin e financimeve për rastet e emergjencës. Ja kur përdoren paratë, rreziku i depozituesve dhe cenimi i stabilitetit financiar
Banka e Shqipërisë ka filluar ngritjen e një fondi të posaçëm që do të përdoret për të ndihmuar bankat në rrezik falimentimi apo në gjendje të vështirë financiare. Fondi i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme do të themelohet nga kontributet e sektorit bankar dhe shërben për zbatimin e instrumenteve e kompetencave të ndërhyrjes së jashtëzakonshme. Ndërhyrja vjen në një moment kur banka të caktuara në vend kanë shfaqur probleme dhe vështirësi. Deri më tani, Banka e Shqipërisë ka dhënë garanci për gjendjen e sistemit bankar, ndonëse nuk kanë munguar rastet e bankave pranë falimentimit. Goditjet e sistemit bankar në disa vende të Evropës dhe lidhja e bankave vendase me mëmat e tyre jashtë vunë në lëvizje Bankën Qendrore për të mos rrezikuar depozitat e klientëve. Në bazë të një ligji të posaçëm, ato janë të siguruara deri në masën 2.5 milionë lekë, por falimentimi i ndonjë banke shihet me rrezik për qëndrueshmërinë e sistemit bankar dhe humbjen e milionave euro depozita të qytetarëve. 

Në rregulloren përkatëse, të miratuar nga Këshilli Mbikëqyrës, përcaktohet se “ky fond duhet të plotësohet gradualisht dhe të arrijë nivelin 0.5% të detyrimeve të të gjitha bankave, të llogaritura si diferenca midis aktiveve të sektorit bankar dhe kapitalit rregullator, brenda datës 11 korrik të vitit 2027”. Në këtë kuadër, rregullorja e re përveç krijimit të fondit, përcakton edhe metodologjinë për llogaritjen e kontributeve të bankave për plotësimin e tij si dhe hartimin e procedurave për administrimin e tij, në bashkëpunim me Agjencinë e Sigurimit të Depozitave. 

Bankat do të jenë të detyruara të paguajnë këstin e parë të detyrimeve deri më 10 janar 2018, në llogarinë e ASD-së, pranë Bankës së Shqipërisë. Banka Qendrore pritet të përllogarisë dhe njoftojë bankat e nivelit të dytë për kontributin vjetor të vitit të parë të plotësimit të fondit, brenda datës 15 nëntor 2017. Përllogaritja e nivelit të synuar, nivelit vjetor të Fondit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme dhe kontributit vjetor për çdo bankë, për vitin e parë të plotësimit të fondit, do të bazohen në pasqyrat financiare të vitit 2016. Fondi i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme do të administrohet nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave në përputhje me politikën e investimit të mjeteve financiare të fondit. “Politika e investimit të mjeteve financiare të fondit miratohet nga administratori përkatës me propozim të ASD-së dhe orientohet nga parimet e investimit për ruajtjen e një profili rreziku të ulët dhe likuiditeti të lartë të mjeteve financiare të fondit, me qëllim disponueshmërinë e menjëhershme të fondit në rast nevoje”, theksohet në rregullore. ASD-ja duhet t’i paraqesë për miratim çdo vit pranë Bankës së Shqipërisë politikën e investimit të fondit. Banka e Shqipërisë miraton politikën e investimit të fondit, që përfshin kriteret dhe kufijtë e përqendrimit dhe maturitetit në investim të mjeteve financiare të fondit dhe çdo ndryshim të tyre, sipas propozimit të ASD-së.

Sipas ligjit, ndërhyrja e jashtëzakonshme konsiderohet se është në interes publik në qoftë se çmohet e nevojshme për të ruajtur stabilitetin financiar dhe për arritjen e një ose më shumë objektivave të ndërhyrjes së jashtëzakonshme, të cilat nuk do të mund të arriheshin nëpërmjet procedurave të likuidimit të detyruar.
Shqiptarët, populli që ka më shumë pasuri si depozita në rajon
Ndonëse një nga vendet me të ardhura për frymë ndër më të ulëtat në Evropë, shqiptarët rezultojnë një popull mjaft kursimtar dhe kanë një pasuri të lartë në depozita. Sipas të dhënave krahasuese të publikuara nga Banka Botërore, Shqipëria ka nivelin më të lartë të depozitave në banka, në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto në rajon, prej 70% (rreth 7.5 miliardë euro). Pas nesh, në renditje është Bullgaria, me depozita sa 68% e PBB-së, Kroacia me 64% dhe Mali i Zi me 60%. Në vendet e tjera, kursimet e popullsisë në banka janë minimale, ku më të ulëtin e ka Kosova, me 32% të PBB-së, Serbia me 42%, Bosnjë-Hercegovina me 50%. Pak më lart është Sllovenia me 53%. Mesatarja e vendeve me të ardhura të ulëta e të mesme, sipas Bankës Botërore është rreth 43% e PBB-së dhe Evropa në zhvillim e ka 41%. Për nga niveli i depozitave në raport me PBB, Shqipëria i afrohet edhe vendeve të zhvilluara të Evropës Perëndimore, ku p.sh., Italia dhe Franca e kanë këtë tregues midis 70 dhe 80% (Italia e ka 77%). Grekët janë më kursimtarë, me rreth 93% depozita në raport me PBB-në.

Në Shqipëri, prurjet e larta të remitancave, por dhe të ardhurat nga ekonomia informale dhe ajo e zezë janë disa nga faktorët që shpjegojnë nivelin e lartë të depozitave. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në fund të vitit 2016, depozitat totale në sistem ishin rreth 1 trilion lekë, apo rreth 7.5 miliardë euro. Vitet e fundit është shënuar rënie e depozitave në lekë, për shkak të tkurrjes së interesave, që kanë rënë afër zeros, ndërsa kursimet në valutë kanë vijuar të rriten me ritme të shpejta, ndonëse dhe ato nuk kanë interesa të favorshme, por shqiptarët kanë besim të lartë tek euro. Për herë të parë gjatë vitit 2016, Shqipëria kishte më shumë kursime në valutë sesa në lekë, ku depozitat në valutë aktualisht përbëjnë gati 53% të totalit.
Kur përdoret Fondi i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme
1 – Autoriteti i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme përdor mjetet financiare të “Fondit të ndërhyrjes së jashtëzakonshme” për qëllimet e mëposhtme:
a) për të garantuar aktivet ose pasivet e bankës, e cila është në procedurën e ndërhyrjes së jashtëzakonshme, filialeve të saj, bankës urë apo të një shoqërie për administrimin e aktiveve;
b) për t’i dhënë likuiditet bankës, e cila është në procedurën e ndërhyrjes së jashtëzakonshme, filialeve të saj, një banke urë apo një shoqërie për administrimin e aktiveve;
c) për të blerë aktivet e bankës, e cila është në procedurën e ndërhyrjes së jashtëzakonshme;
ç) për të kontribuar në kapital dhe për të siguruar fondet e tjera të nevojshme për një bankë urë apo një shoqëri për administrimin e aktiveve;
d) për t’i paguar kompensim aksionarëve ose kreditorëve (në përputhje me nenin 58 të ligjit);
dh) për t’i kompensuar bankës, e cila është në procedurën e ndërhyrjes së jashtëzakonshme humbjet e pambuluara që lindin për shkak të përjashtimit të detyrimeve të pranuara të kreditorëve, të caktuara nga zbatimi i instrumentit të rikapitalizimit nga brenda (në përputhje me ligjin);
e) për të ndërmarrë ndonjë kombinim të veprimeve të përmendura në shkronjat “a” deri në “dh”;
ë) për të paguar kostot e arsyeshme të pësuara nga Autoriteti i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme në lidhje me zbatimin e instrumenteve apo kompetencave të ndërhyrjes së jashtëzakonshme, nëse nuk bëhet kompensimi në përputhje me ligjin;
f) për mbulimin e shpenzimeve për administrimin e “Fondit të ndërhyrjes së jashtëzakonshme”;
g) për shlyerjen e detyrimeve dhe huave të marra, në përputhje me nenin 72, të këtij ligji;
gj) për çdo pagesë dëmshpërblimi, sipas vendimit administrativ ose gjyqësor të formës së prerë, në përputhje me parashikimet e ligjit.
2 – Autoriteti i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme, gjatë zbatimit të instrumentit të shitjes së aktivitetit tregtar, mund të përdorë mjetet financiare të “Fondit të ndërhyrjes së jashtëzakonshme” edhe për të ndërmarrë veprime të parashikuara në shkronjat “a” deri në “ë”, të pikës 1, këtij neni, në lidhje me blerësin.
3 – Mjetet financiare të “Fondit të ndërhyrjes së jashtëzakonshme” nuk përdoren për të përthithur në mënyrë të drejtpërdrejtë humbjet ose rikapitalizimin e bankës. Në rast se gjatë përdorimit të mjeteve financiare të “Fondit të ndërhyrjes së jashtëzakonshme”, për qëllimet e pikave 1 dhe 2, të këtij neni, rezulton se një pjesë e humbjeve të bankës përthithen në mënyrë indirekte nga ky fond, zbatohen parimet që rregullojnë përdorimin e “Fondit të ndërhyrjes së jashtëzakonshme”, të përcaktuara në ligj. 
4 – Autoriteti i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme urdhëron Agjencinë e Sigurimit të Depozitave për transferimin e mjeteve të “Fondit të ndërhyrjes së jashtëzakonshme” në llogarinë përkatëse në Bankën e Shqipërisë, për zbatimin e shkronjave “a” deri në “ë”, të pikës 1, të këtij neni.
Objektivat e ndërhyrjes së jashtëzakonshme:
a – të sigurojë vazhdimësinë e funksioneve kritike të bankës;
b – të shmangë çdo pasojë të rëndë negative për stabilitetin e sistemit financiar, duke parandaluar përhapjen e rreziqeve, përfshirë edhe infrastrukturat e tregut, dhe duke ruajtur disiplinën e tregut;
c – të mbrojë fondet publike, duke minimizuar mbështetjen financiare publike të jashtëzakonshme;
ç – të mbrojë depozituesit e siguruar nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave;
Kushtet për ndërhyrjen e jashtëzakonshme:
1 – Autoriteti i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme vendos bankën në ndërhyrje të jashtëzakonshme, kur konstaton se plotësohen kushtet e mëposhtme:
a) banka konsiderohet të jetë pranë një situate të paaftësisë paguese;
b) nuk ekziston mundësia që një masë tjetër e marrë nga banka, grupi bankar ose aksionarët e bankës apo një masë mbikëqyrëse ose masë e ndërhyrjes së hershme, e marrë nga Autoriteti Mbikëqyrës në mbështetje të legjislacionit në fuqi për bankat në Republikën e Shqipërisë, të rivendosë bankën brenda një periudhe të arsyeshme, në kushte të mira financiare dhe brenda treguesve mbikëqyrës;
c) ndërhyrja e jashtëzakonshme ndaj bankës është e nevojshme për interesin publik.
Banka konsiderohet të jetë pranë një situate të paaftësisë paguese nëse plotësohet të paktën një nga kushtet:
a) kur banka nuk plotëson ose kur ekzistojnë kushte objektive, të cilat krijojnë bindjen se banka në të ardhmen e afërt mund të mos plotësojë kërkesat për të vazhduar të jetë e licencuar dhe të plotësojë kushtet për heqjen e licencës nga Autoriteti Mbikëqyrës, duke përfshirë, por pa u kufizuar, në faktin se banka ka pësuar ose ekziston mundësia që të pësojë humbje, të cilat përthithin të gjithë ose një sasi të konsiderueshme të kapitalit të saj;
b) aktivet e bankës janë më të vogla sesa detyrimet e saj ose ekziston mundësia që të jenë të tilla në të ardhmen e afërt;
c) banka nuk është në gjendje të shlyejë detyrimet financiare ose ekziston mundësia që në të ardhmen e afërt të mos jetë në gjendje të paguajë detyrimet kur ato bëhen të kërkueshme;
ç) është e nevojshme të sigurohet mbështetje financiare publike e jashtëzakonshme.
BSH-Qeveri: Pakësim të përdorimit të euros
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, në cilësinë e Guvernatorit të Republikës së Shqipërisë në FMN, mori pjesë në Mbledhjet Vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe të Grupit të Bankës Botërore (BB), të cilat u zhvilluan në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në takimet e zhvilluara, guvernatori u shpreh se sistemi bankar shfaqet me tregues mjaft të mirë financiarë si dhe me një nivel të kënaqshëm kapitalizimi dhe likuiditeti. Disa nga çështjet më të rëndësishme që u diskutuan ishin nxitja e kreditimit, reduktimi i kredive me probleme, nisma në drejtim të deeuroizimit të ekonomisë, zhvillimi i tregut të kapitalit në vend si dhe ai i sistemit të pagesave. Lidhur me nivelet e larta të euroizimit, guvernatori Sejko prezantoi Memorandumin e Bashkëpunimit të nënshkruar nga Banka e Shqipërisë së bashku me Ministrinë e Financave dhe Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare, me të cilën po ndiqet një përqasje strategjike afatgjatë për deeuroizimine ekonomisë, që nëpërmjet reduktimit të përdorimit të euros në ekonominë shqiptare do të mundësojë rritjen e efektivitetit të politikës monetare dhe forcimin e stabilitetit financiar në vend.
Sigal