Alarmi i ekspertëve: Po i shërbehet grupeve të fuqishme të biznesit

470
Pas Dhomës Amerikane dhe asaj të Tregtisë dhe Industrisë, katër organizma të tjerë (Instituti i Ekspertëve Kontabël të Autorizuar -IEKA, Instituti i Kontabilistëve të Miratuar- IKM, Shoqata e Kontabilistëve dhe Financierëve të Shqipërisë -SHKFSH, Shoqata Kontabël i Miratuar – SHKM) kanë kundërshtuar projektligjin; “Për organizimin dhe funksionimin e Profesionit të rregulluar të Ekspertit Fiskal dhe Institutit të Ekspertëve Fiskalë”.
Të gjitha institucionet e biznesit janë vënë në lëvizje për të kundërshtuar një nismë të fundit të deputetit Gjovalin Kadeli, lidhur me projektligjin; “Për organizimin dhe funksionimin e Profesionit të rregulluar të Ekspertit Fiskal dhe Institutit të Ekspertëve Fiskalë”, i cili po tenton të kalojë pa transparencë dhe pa u konsultuar më parë me palët e interesit.
Drafti parashikon krijimin e Institutit të Ekspertëve Fiskalë” (IEF) një organizëm, që grupon të gjithë ekspertët fiskalë persona fizikë dhe të gjitha shoqëritë e ekspertëve fiskalë të regjistruara në Regjistrin e Institutit të Ekspertëve Fiskalë të Shqipërisë.
Dhoma Amerikane e Tregtisë, në një shkresë zyrtare drejtuar Ministrave të Financave e Drejtësisë dhe Komisionit të Ekonomisë, thotë se drafti nuk paraqet asnjë analizë, studim apo dhe thjesht problematikat që mund të jenë shfaqur që të ketë krijuar nevojën për rregullimin e këtij profesioni në Shqipëri.
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë thotë se ky shërbim, që kërkohet të monopolizohet përmes këtij drafti, sot jepet nga të punësuar në shoqëri (financierë dhe administratorë me kualifikimin përkatës), Kontabilistë të Miratuar si profesion i rregulluar, Ekspertë Kontabël të Regjistruar, Avokatë dhe Juristë të së drejtës tregtare dhe më gjerë, të tjerë të diplomuar, të lejuar sipas kurrikulave përkatëse universitare.
Edhe katër organizma profesionalë, Instituti i Ekspertëve Kontabël të Autorizuar (IEKA), Instituti i Kontabilistëve të Miratuar (IKM), Shoqata e Kontabilistëve dhe Financierëve të Shqipërisë (SHKFSH), Shoqata Kontabël i Miratuar (SHKM), janë deklaruar zyrtarisht kundër projektligjit në një takim të përbashkët që kanë zhvilluar në fillim të muajit mars.
Ata kanë shprehur shqetësimin për ndikimin e drejtpërdrejtë negativ që mund të ketë miratimi i këtij projektligji, në të gjithë procesin e raportimit financiar në Republikën e Shqipërisë.
Organizmat profesionalë të Kontabilitetit dhe Auditimit: Monopolizim në shërbim të grupeve të fuqishme të biznesit
Të ndodhur në kushtet e mungesës së informacioneve për këtë zhvillim, pasi projekti në fjalë nuk ka ndjekur rrugën normale të konsultimit me palët e interesuara dhe as me autoritetet përkatëse që ndikojnë apo ndikohen nga ky projektligj, ne si përfaqësues të profesionit me bazë kontabël, që përfshin audituesit, kontabilistët dhe financierët, të cilët llogariten në disa mijëra anëtarë, përmes kësaj deklarate organizatat kanë shprehur shqetësimin e tyre për ndikimin e drejtpërdrejtë negativ që mund të ketë miratimi i këtij projektligji, në të gjithë procesin e raportimit financiar në Republikën e Shqipërisë.
Sigal