Alarm në Shqipëri, në rrezik Siguria Kombëtare

673
Sigal

Petraq Barjami

Mediat evropiane shkruajnë përditë, se BE-ja i kushtëzon Shqipërisë negociatat me kampet e refugjatëve

Dje të gjitha mediat franceze (të majta e të djathta, të shkruara dhe vizive) kanë folur për bisedime që po mbahen në nivelet më të larta politike të Bashkimit Evropian për të krijuar kampe refugjatësh të tipit “hot spot” në hyrje të territorit të BE-së, të cilët për zonën e Evropës Qendrore dhe Ballkanit do të vendosen në Shqipëri.

Prapaskena apo shpërfillje e qeverisë shqiptare?

E para, këto bisedime bëhen pa dijeninë e qeverisë shqiptare, duke e kthyer Shqipërinë në një zonë të papërfillshme për partnerët tanë, të cilët, për arsye të ndryshme, kanë arritur në përfundimin se nuk kanë nevojë në na pyesin për të marrë dhe propozuar vendime që prekin gjithë popullin shqiptar.

E dyta, këto bisedime bëhen me dijeni të plotë me qeverinë shqiptare, duke treguar se vendime thellësisht transformuese për shoqërinë tonë merren në fshehtësi totale, pa konsultime dhe pa diskutime më minimale, gjë që e dëmton akoma më shumë demokracinë e brishtë shqiptare. Nëse ndodh kjo, atëherë, do të thotë, se Evropa e shpërblen qeverinë shqiptare me hapjen e negociatave. Pardje, zëvendësministri i Brendshëm shqiptar, Hodaj dha një intervistë televizive në televizionin gjerman, ZDF, ku një pyetje konkrete:“Çfarë mund të bënte Shqipëria në kushtet e një emergjence imigrantësh?”, zëvendësministri Hodaj, iu përgjigj, që Shqipëria është e gatshme. Bëhet fjalë, që në Shqipëri të mbërrijnë deri në 600.000 sirianë të larguar nga lufta, të cilët tani ndodhen në kampe refugjatësh në vendet e ndryshme të Evropës, por që largohen andej, pasi janë të padëshirueshëm. Nuk dihet kohë-qëndrimi i tyre, veçse Shqipëria kurrë nuk mund të ketë as territorin, as kapacitetet materiale e njerëzore, për të përballuar 600.000 refugjatë.

Ministri Xhafaj me homologun belg: Masa për uljen e numrit të azilkërkuesve

Shqipëria ka marrë masa për uljen e azil kërkimit dhe adresimin e çështjeve të migracionit të parregullt. Këtë e ka shprehur ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, gjatë një takimi me homologun e tij belg Jan Jambon, në vijim të vizitës në Bruksel. Gjatë takimit, ministri Xhafaj bëri një përmbledhje të arritjeve të deritanishme në fushat e veprimit të Ministrisë së Brendshme. Duke qëndruar tek çështja e azil kërkimit, Xhafaj nënvizoi se “Ministria e Brendshme dhe strukturat e Policisë së Shtetit kanë ndërmarrë një sërë masash për uljen e numrit të azil kërkimit dhe adresimin e çështjeve të migracionit të parregullt. Shqipëria, edhe në sajë të kapaciteteve të kufizuara që disponon, ka arritur të shpreh suksese të qenësishme në këtë drejtim, por nevojitet një mbështetje më e gjerë nga partnerët e Bashkimit Evropian”.

Majko i prerë: Ftesa më mirë të mos vijë

Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko ka reaguar pas pretendimeve, se Shqipëria do pranojë rreth 600 mijë refugjatë nga vendet e luftës. Majko thotë se, nëse ka ndonjë politikan evropian që diskuton ‘ftesën’ për hapjen e negociatave me Shqipërinë me pranimin e ndërtimit të kampeve të refugjatëve atëherë kjo “ftesë” më mirë të mos vijë për Shqipërinë. “Në se ka ndonjë politikan evropian i cili diskuton “ftesën” për të hapur negociatat e integrimit evropian për Shqipërinë me pranimin e ndërtimit të kampeve të refugjatëve atëherë kjo “ftesë” më mirë të mos vijë… Pasi ajo nuk do të ishte ftesë, e aq më pak ftesë evropiane. Jam i bindur, që Brukseli nuk mund t’i kërkojë një vendi dhe populli, ndryshimin e strukturës së vet sociale duke vënë në diskutim sigurinë e tij kombëtare dhe më gjerë”- shkruan ndër të tjera Pandeli Majko.