“Akuzat për Ministrinë e Mbrojtjes nuk janë shqetësimi i ynë, por i opozitës”

716
Sigal

INTERVISTA/Flet Arjan Starova, kryetari i BLD-së: “Kompromisi i Reformës Zgjedhore është përpjekje për një sistemi pluralist dypartiak”

Për herë të parë, zëvendësministri i Mbrojtjes, zoti Arjan Starova iu përgjigjet drejtpërdrejtë në intervistën për “Telegraf” pyetjeve që kanë të bëjnë me akuzat e opozitës për Ministrinë e Mbrojtjes. Esenca e përgjigjes zyrtare të zv/ministrit Starova është kjo “Akuzat për ministrinë e Mbrojtjes nuk janë shqetësimi ynë, por i opozitës”. Përsa i përket kompromisit të Reformës Zgjedhore, zoti Starova, si kryetari i BLD-së, nuk është aspak optimist. Për rolin e ndërkombëtarëve në arritjen e këtij kompromisi, zoti Starova e cilëson si qëndrim të dyfishtë. Përsa i përket çështjes së imunitetit, zoti Starova, edhe pse e vlerëson si hap vendimtar në luftën kundër korrupsionit, thekson se ky mund të shndërrohet në asgjë, po nuk u shoqërua me vullnetin politik të të gjithë palëve politike.

– Zoti Starova, kompromisi i reformës zgjedhore, a është kompromisi i ruajtjes të privilegjeve partiake të PD-PS, apo vërtet, edhe ne të tjerët duhet të shikojmë me njëfarë optimizmi politik këtë kompromis?

– Për ne partitë e tjera, ashtu duket është përpjekje për të shkuar me detyrim drejt një sistemi pluralist dypartiak. Ose, thënë me fjalë të tjera, është përpjekje për të “fotografuar” apo “ngrirë” gjendjen e tanishme të larmisë pluraliste në Shqipëri. Mendimi im nuk është në thelb kundër të pasurit të një sistemi pluralist dypartiak në Shqipëri, por ajo që unë kundërshtoj është përpjekja për ta bërë këtë gjë duke shpërfillur rreth një të tretën e votuesve shqiptarë që përfaqësohen nga partitë e tjera. Pra, nuk besoj se ka vend për ndonjë optimizëm.”

– Pak kohë më parë PD-PS e nënshkruan marrëveshjen për kërkesën e partive të tjera për korrektim të Kodit Zgjedhor. Rezultati a nuk dëshmoi që PD-PS nuk kishin sinqeritet politik ndaj partive të tjera?

– Megjithatë, përfundimi i punës së komisionit për reformën zgjedhore nuk do të thotë që ai nuk mund të rimblidhet vetëm për të rishikuar çështjen e përllogaritjes për partitë e tjera dhe në respekt të marrëveshjes së lartpërmendur.

– Ju si e shpjegoni këtë shpërfillje të ndërkombëtarëve për korrektimin e Kodit Zgjedhor, derisa ata përshëndetën kompromisin e PD-PS ?

–  Sigurisht që më bën përshtypje, por ndoshta ky është edhe gabim e njëherësh iluzion i imi dhe i të tjerëve. Faktorit ndërkombëtar i intereson më shumë korrigjimi i Ligjit Zgjedhor nga pikëpamja e vërejtjeve që ka bërë OSBE/ODIHR-ri në zgjedhjet e fundit sesa korrigjimi i përllogaritjes së votave të partive të tjera përtej PD-së dhe PS-së Përfaqësuesit e institucioneve të rëndësishëm ndërkombëtarë e quajnë çështjen e korrigjimit të përllogaritjes së votave për partitë e tjera si çështje të brendshme të politikës shqiptare. Edhe çështje të tilla, si ajo e zgjedhjes së presidentit të ri të Shqipërisë, e reformës së sistemit gjyqësor, e zgjedhjes së krerëve të institucioneve të rëndësishëm, etj. janë çështje të brendshme, por ato janë vështruar nga faktorët ndërkombëtarë si çështje të përbashkëta. Ekziston siç shihet, njëfarë qëndrimi i dyfishtë të cilin nuk e kemi në dorë përveçse për ta komentuar.

– Kërkesa për korrektimin e Kodit Zgjedhor është thjesht kërkesë politike nga partitë e vogla që iu shërben interesave të tyre partiake apo është tregues i pluralizmit politik?

– Patjetër që është tregues i pluralizmit, siç e kam thënë më lart. Madje, parashtrimi i juaj në formë alternative nëse kërkesa e partive jashtë PD-së e PS-së është tregues interesi partiak apo pluralizmi, nuk më duket shumë i gjetur, sepse në fund të fundit, interesat partiake janë shfaqje e pluralizmit politik.

– Tani, cili është reagimi që duhet të bëjnë partitë e vogla?

–  Kundërveprimi i partive tona do të mbetet për t’u menduar dhe këtu ka shumë rëndësi fakti që ato përfaqësojnë rreth 30% të votave të shqiptarëve. Takimet dhe bisedimet jozyrtare tashmë kanë filluar në kërkim të politikave të duhura në rrethanat e reja të pas përfundimit të punës së komisionit parlamentar të reformës zgjedhore.

– Nga ana e tyre, ekzistenca politike është e mundur duke u bërë shtojcë e simbiozës politike me partinë e madhe?

–  Kjo mbetet për t’u parë dhe diskutuar. Megjithatë, nëse partia a madhe do të gjykonte se ka nevojë për partitë e tjera kjo do të thotë se ato nuk janë shtojca. Në kushtet e reja të krijuara, simbioza apo koalicionet marrin kuptim serioz vetëm kur ato votat e partive të vogla përkthehen në përfaqësim parlamentar me të njëjtat sasi si te partitë e mëdha. E thënë ndryshe, logot dhe zërat e partive të tjera do të respektoheshin seriozisht në një koalicion parazgjedhor vetëm nëse do të përcaktoheshin garanci të përfaqësimit të tyre parlamentar.

– Imuniteti, në vetvete, kështu siç është drafti i PD-së (pak a shumë edhe i PS-së) është i mjaftueshëm që të luftohet korrupsioni e krimi?

– Heqja e imunitetit është hap vendimtar në luftën kundër korrupsionit, por ai shndërrohet në asgjë nëse nuk do të shoqërohet me vullnetin politik për ta bërë pa kompromis këtë luftë në çfarëdo rrethane.

– Heqja e imunitetit duhet të shtrihet horizontalisht, edhe në Gjyqësor, e kudo, apo duhet të ketë kufizime të heqjes të imunitetit?

– Parimisht, nuk duhet të ketë dallime ndërmjet zyrtarëve në lidhje me heqjen e imunitetit. Të gjithë duhet të jenë në kushte të barabarta.

– Dhe cilat mund të jenë të këqijat e mospërfshirjes përsa përmendëm më lart?

– Askush nuk e ka penguar deri tani, më duket. Pra, nëse nuk merr pjesë procesi, megjithatë, mund të vijojë normalisht në Kuvend i cili në fund të fundit përfaqëson të gjithë popullin.

– A mund të ketë efikasitetin e pritur, heqja e imunitetit, pa u ndërmarrë më parë reformat në drejtësi, Gjyqësor dhe luftës kundër krimit të organizuar?

– Kjo është çështje më vete dhe mund të kryhet pa u kushtëzuar prej të tjerave. Natyrisht, frytshmëria e heqjes së imunitetit në luftën kundër krimit e korrupsionit do të ishte më e madhe si pjesë e tërësisë së masave të tjera të ndërmarra.

– A duhen lidhur me këtë reformë për heqjen e imunitetit edhe ndryshimet kushtetuese për zgjedhjen e Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese me 84 vota, si edhe Kryetari i KQZ, po me 84 vota nga parlamenti?

– Këto janë secila çështje më vete dhe për nga natyra e ndryshme e tyre nuk duhet të lidhen me njëra tjetrën sepse mund të humbet kohë.

– Zoti zv/ministër i Mbrojtjes, sipas jush, cilët faktorë pengojnë transparencën mbi mbikëqyrjen nga Komisioni Parlamentar i Sigurisë Kombëtare të Ministrisë së Mbrojtjes? Mos është mungesa e një praktike të konsoliduar për të realizuar një proces kontrolli transparent, dhe jo dhe aq politik?

– Asgjë nuk e ka penguar deri tani dhe asgjë nuk e pengon në të ardhmen. E vetmja “pengesë” është nevoja që të respektohen ligjet dhe standardet e caktuara të Ministrisë së Mbrojtjes të një vendi anëtar të NATO-s.

– Sqarimi sa i më i shpejtë dhe në mënyrë sa më transparente i akuzave të PS-së për ministrinë e Mbrojtjes, a nuk është në interes të vetë Ministrisë  dhe të SHIU-së?

– Më duket se ka pasur disa shpjegime nga vetë Ministri dhe përfaqësues të institucionit tonë të Ministrisë së Mbrojtjes. Deri tani, këto shpengime janë përqendruar më shumë te nevoja e respektimit të rregullave të hetimit parlamentar. Të tjerat, mbeten për t’u parë dhe gjykuar pas kryerjes së hetimit parlamentar dhe përfundimeve në të cilat ai do të arrijë. Të bësh sqarime të tepërta tani kur akuzat janë thjesht thashethemnajë është e panevojshme. Për më tepër këto akuza nuk janë shqetësimi i ynë por i opozitës.

– Trajtimi me standarde dhe integritet të lartë të kësaj çështje a nuk është edhe një testim politik që Shqipëria jep edhe te faktorët ndërkombëtarë, si anëtare e NATO-s?

– Pikërisht prandaj, siç e keni parë besoj, jemi duke e trajtuar këtë çështje me seriozitetin më të madh ligjor. Testimet politike për Shqipërinë si anëtare e NATO-s nuk kanë mbetur për t’u kryer për rastin në fjalë. Ato janë kryer e po kryhen përditë nëpërmjet proceseve reformuese dhe modernizuese të ndërmarra nga Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Armatosura. Rrjedhojë e tyre janë anëtarësimi ynë në NATO dhe vlerësimet e shkëlqyera të aleatëve që janë marrë në këto tre vjet të pas anëtarësimit.

Mospërfshirja në debatin  për heqjen e imunitetit

Shoqëria civile i ka të gjitha mundësitë për ta shprehur mendimin e saj për çështjen e imunitetit, prandaj çdo kërkesë që e shndërron përfshirjen e shoqërisë civile në këtë proces si problem më vete, mbetet të jetë shprehje e një vullneti pengues për heqjen e imunitetit. Duket se shprehëse e një vullneti të tillë është bërë këto ditë opozita.

– Ju faleminderit!