Akuzat e Berishës dhe mbrojtja e Ramës: Pse Fatmir Xhafaj rrezikoi largimin nga Ministria e Brendshme

46
Kokaina, si Xhafaj rrezikoi largimin nga Ministria e Brendshme
Ish-kryeministri Sali Berisha zbulon përplasjen mes kryeministrit dhe ministrit të policisë për aksionin e kapjes së drogës në Durrës
Ish-kryeministri Sali Berisha zbuloi detaje mbi marrëdhënien mes kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, lidhur me aksionin për kapjen e 613 kg kokainë që vinte nga Kolumbia. Ngarkesa më e madhe e drogave të forta e bllokuar ndonjëherë në territorin shqiptar ka sjellë jo pak tension edhe në politikë, ndërsa deklaratat ditën e operacionit policor ishin të ndryshme nga ministri i Brendshëm dhe shefi i qeverisë. Fillimisht Xhafaj këmbënguli për një operacion në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, ndërsa Rama për një sukses tërësisht shqiptar. Të dy, Rama dhe Xhafaj, i “pajtuan” deklaratat vetëm në mbrëmjen e 28 shkurtit. Në rindërtimin e tij të fakteve, Berisha mbështet idenë se ngarkesa e drogës ishte për “llogari të Edi dhe Olsi Ramës”. Ish-shefi i qeverisë e cilëson Xhafajn si “burimi më i besueshëm dhe më autoritativ i fushës për vendin dhe të huajt”. “Për sa i përket krimit dhe drogës, ministri i Brendshëm është zyrtari më i informuar, më kompetent dhe i pakundërshtueshëm, krahasuar me çdo zyrtar tjetër të vendit, përfshirë këtu dhe kryeministrinë. Ai është i vetmi zyrtar që me ligj disponon të gjithë informacionet e shërbimeve inteligjente të shtetit, të Ministrisë së Brendshme dhe policisë kriminale për krimin dhe trafiqet, si dhe të gjitha informacionet që vendet partnere dërgojnë në Shqipëri për këto çështje”, thotë Berisha. Për ish-kryeministrin, Xhafaj me deklaratën për bashkëpunim me ndërkombëtarët tha vetëm të vërtetën, të cilën e konfirmuan më vonë disa burime të pavarura ndërkombëtare. “Por nga ana tjetër, me këtë deklaratë ai me qëllim i futi një thikë pas shpine Edi dhe Olsi Ramës dhe ai njëkohësisht vuri në tepsi kokën e tij si ministër”, argumenton Berisha, duke bërë edhe një paralele me rastin “Xibraka”, ku pati raportime për prishjen e provave dhe largimin e drejtuesve të rrjetit.

Pjesë nga deklarata e Berishës:
“I tërbuar Rama thërret me urgjencë në takim Xhafajn në Kryeministri dhe i kërkon atij të përgënjeshtrojë menjëherë deklaratën e mëngjesit dhe të deklarojë se operacioni i zbulimit të drogës ishte vepër vetëm e policisë së shtetit dhe drejtorisë doganore, pa asnjë njoftim apo bashkëpunim me partnerët. Këtë kërkesë ultimative të Ramës, Xhafaj e refuzoi në mënyrë kategorike dhe i kërkoi Ramës që ai ta bënte vetë po të donte një deklaratë të tillë. Pas debatesh tejet të ashpra dhe kërcënimesh të egra, Rama i kërkon në mënyrë ultimative Xhafajt deklaratën ose dorëheqjen. Xhafaj i përgjigjet se ai do japë dorëheqjen dhe largohet menjëherë për në zyrën e tij për të formuluar kërkesën për dorëheqje. Menjëherë pas kësaj përplasje, Rama bëri deklaratën e tij, në të cilën konsideronte operacionin e kapjes së drogës në Durres si sukses ekskluziv të policisë dhe doganës shqiptare. Ndërkohë ai nisi në Ministrinë e Brendshme tek Xhafaj famozin Don Agaçio, i cili kishte qenë avokat në çështjen e trafikut të drogës të Agron Xhafajt në Itali. Don Agaçio, mik intim i familjes Xhafaj, u nis me ultimatumin, sipas të cilit, Xhafaj kishte gjithsej 60 minuta afat për të përgënjeshtruar deklaratën e mëngjesit dhe përsëritur deklaratën e Ramës. Në rast të kundërt, Xhafaj do të përballej me: 1 – Shkarkimin e menjëhershëm nga ministër i Brendshëm, pra nuk do të pranohej dorëheqja dhe 2 – Arrestimin dhe dërgimin me procedurë të shpejtuar të vëllait Agron për të vuajtur 14 vitet e dënimit në Itali, të dhëna nga gjykata supreme e Republikës Italiane, etj, etj… Kështu që, jo Rama, por Don Agaçio, njeriu që dinte gjithçka për dosjen e Agron Xhafajt, e “bindi” Fatziun të lëpinte atë që kishte pështyrë në mëngjes, të shkelte mbi veten e tij, por tashmë jo për lëkurën e Edvinit dhe Olsit, por për lëkurën e Agronit dhe Fatziut, duke përsëritur si skllav mjeran deklaratën mashtrim që Rama kishte bërë një orë më parë se operacioni “Xibraka 2” ishte vepër ekskluzive e narkopolicisë dhe narkodoganës shqiptare”.