Akuza e fortë e LSI: Policia po iu hap rrugë grupeve kriminale, do e demaskojmë dyshen Rama-Basha

461
Nënkryetari i LSI-së Luan Rama zbardhi sot për mediat një pjesë të bisedës me ambasadorët e BE-së në Tiranë. Ai tha se ambasadorët janë njohur me padrejtësisë që po i bëhen LSI-së, duke nisur nga Berati, Lezha dhe deri tek ajo e numëruesve në KQZ. Luan Rama hodhi akuza edhe mbi policinë, duke i thënë se grupe shërbimi shmangen nga posti i tyre për t’i hapur rrugë grupeve kriminale.
“I kemi njohur ambasadorët me padrejtësitë ndaj LSI-së. Rasti në Berat me policinë, rasti më administratorin e njësisë numër dy; rasti i Lezhës, apo edhe informacione të detajuara për veprimtari të hapur të grupeve kriminale në një sërë qendrash të banuara, në përpjekje për të motivuar veprimtarinë e grupeve kriminale dhe për të demotivuar zbatimin e ligjit. Një pjesë e mirë e informacionit na kanë ardhur nga policë në detyrë që më vetëdije profesionale dhe kurajë kanë refuzuar të jenë pjesë e këtyre veprimeve të policisë. Na kanë informuar edhe për raste flagrante kur struktura shërbimi janë evituar nga postet e shërbimit për t’iu hapur rrugë grupeve kriminale”, deklaroi Luan Rama.

Për sa i përket numëruesit të LSI-së, Luan Rama tha se është shkelur kodi zgjedhor dhe foli për dy standarde.

“Një çështje tjetër ajo për numëruesit, që në zbatim të Kodit zgjedhor por edhe referuar vetë akteve të KQZ-së i takonte LSI-së për të mos u hedhur në short me një parti tjetër pasi vetë KQZ-ja dhe kodi zgjedhor e ka të përcaktuar qartë si ndahet shumica parlamentare, referuar zgjedhjeve të vitit 2013. Kemi të bëjmë me një veprim në shkelje të ligjit. Demonstrim i dy qëndrimeve në kohë të ndryshme. Më konkretisht dua t’ju them, faktin që kur diskutohej në kuvend çështja e përfaqësimit në Komisionet e Vettingut, përfaqësuesit e PS-së nuk pranuan që t’i jepej një vend në treshen që i takonte PDIU-së, sepse e konsideronin parti që ka hyrë në kuvend si opozitë”, u shpreh nënkryetari i LSI-së.

Sipas tij, “sjellje të tilla në inkoherencë me ligjin, me vendimet e KQZ-së janë një dëshmi e radhës e pafytyrësisë politike, hipokrizisë të atyre që flasin se duan të bëjnë shtet por sillen në kundërshtim me parimet e shtetit të së drejtës”.

“Kjo situatë nuk na krijon asnjë lloj sugjestioni por na motivon më shumë për të demaskuar hipokrizinë politike të dyshes së marrëveshjes së natës”, deklaroi Luan Rama.
Sigal