Akuza e fortë e Bashës: Me paratë e ARMO-s lobohet në Uashington

528
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i ka kthyer një përgjigje ftesës së kryeministrit Rama për dialog, ndërsa ka deklaruar se qeveria po lobon në Uashington me paratë e ARMO-s. Basha është shprehur se për dialog mirëpret çdo parti të përgjegjshme, por jo për monolog shterpë. Më tej ai ka falënderuar edhe aleatët e qeverisë, LSI dhe PDIU.

“Ky nuk është dialog, por monolog shterp nga ato që keni dëgjuar për këto 3 vite. Në qoftë se për këta monologë, që keni dëgjuar nga FB apo në takime, shqiptarët do ishin bërë milionerë. Monologët shterpë nuk pranoj dhe nuk do pranojë. Jemi të hapur siç e kemi thënë që prej ditës së parë”, tha Basha nga çadra e Partisë Demokratike. Ai tha se kjo është një lëvizje popullore. “Prej ditës së parë kemi pritur këtu, jo vetëm ata që mendojnë si ne, por dhe ata që mendojnë krejt ndryshe nga ne”, u shpreh Basha.

Më tej në fjalën e tij, kreu i opozitës u shpreh se do ta shembin republikën e drogës dhe të krimit. “Qeveria po logon në Uashington me paratë e ARMO-s”, ka deklaruar Lulzim Basha në protestën e opozitës. “Nën peshën e zullumeve të pafundme, do shembet republika e vjetër, republika e krimit, e drogës, e korrupsionit, e hajdutërisë, e pafytyrësisë, e pashpirtësisë. Po shembet, sepse pesha e zullumeve kundrejt shqiptarëve është e madhe. Po shembet, sepse po e shembni ju, qytetarët e lirë, dinjitozë të lëvizjes popullore. Është një komplot politik, ekonomik, kundër lirive dhe të drejtave të çdo shqiptari. Në këtë komplot përfitojnë një grusht njerëzish që kanë bërë zap partitë e tyre përmes aleancës me krimin, kanë shndërruar territorin e Shqipërisë në një hambar droge”, tha Basha, pa përmendur emra konkretë. 

Sipas tij, në këtë komplot marrin pjesë një grusht kriminelësh në shërbim të një grushti politikanësh të korruptuar. “Asgjë nuk ka ndodhur vetvetiu. Ekonomia jonë është shkatërruar nga autorët e këtij komploti. Çmimet janë rritur, vuajtjet janë shtuar, faturat janë kripur si pjesë e këtij komploti. Ky komplot po bën gjithçka që ka në dorë për të mbajtur në jetë Republikën e vjetër. Lobistët e paguar me paratë drogës dhe lobisti i paguar në Uashington me paratë që vidhen nga nafta shqiptare nuk duan t’ia dinë nëse ju keni bukë. Uashingtoni dhe Evropa kanë qëndruar 100 vjet gjithmonë, jo në krah të hajdutëve, po në krah të shqiptarëve, të Shqipërisë siç qëndrojnë edhe sot në krah të kësaj lëvizje të madhe popullore”, deklaroi lideri i opozitës.
Sigal