Akti Normativ rrezikon imazhin politik, përpara shqyrtimit të statusit

488
Sigal

Qeveria “presion” ndaj opozitës: Dialog pa kushte, ose votojmë Aktin të enjten

Opozita e djeshme socialiste, derisa refuzonte deri në minutën e fundit të votonte 3 ligjet e paketës së integrimit, thoshte se integrimi nuk është thjesht një votim formal i 3 ligjeve, por duhen përmbushur standardet demokratike dhe bënte fjalë për mungesën e dialogut, të debatit, të cilat, sipas socialistëve atëherë, ishin shprehje të maxhorancës, e cila shpërfillte plotësisht opozitën, nëpërmjet “diktaturës së votës”. Ndërsa tani, që  Shqipëria ndodhet disa ditë përpara shqyrtimit nga BE-ja të raportit për plotësimin e kushteve  nga Shqipëria për marrjen e statusit kandidat, klima politike acarohet në kulm, me akuza të ndërsjella, për shkak se maxhoranca shfuqizon një nga 3 ligjet e paketës së integrimit,  me një Akt Normativ, pa kërkuar me opozitën,  paraprakisht, konsensusin e shfuqizimit.

Maxhoranca e Majtë me mendësinë e “diktaturës së votës”

Kryeministri Rama, si lideri i PS-së, në fushatën elektorale, premtoi që Rilindja e socialistëve do të hapte një epokë të re në politikëbërjen e vendit tonë. Kjo, sipas Ramës, do të fillonte që me sjelljen ndryshe të maxhorancës së re ndaj opozitës. Pasi filloi punën, premtimi i parë i kryeministrit Rama, ishte se do t’i jepte opozitës ato që i ishin mohuar opozitës socialiste. Mirëpo, vendimi i parë i qeverisë “Rama” ishte Akti Normativ, për të shtyrë 6 muaj ligjin “Për Nëpunësin Civil”, i miratuar në 30 maj, me konsensusin  e plotë politik nga të gjitha forcat politike. Kryeministri Rama, as për etikë, nuk e mori mundimin që të konsultohej paraprakisht me Opozitën, përpara se të nxirrte Aktin Normativ. Thjesht, u nis nga pozitat e një kryeministri që ka 84 vota, duke menduar se, do apo nuk do opozita, edhe votimin e cilësuar e ka të sigurt. Kësisoj, një sjellje e tillë politike e kryeministrit Rama, nuk ndryshon aspak me sjelljen e asaj maxhorance që u mund, përkundrejt opozitës së djeshme, teksa çdo ligj, e kalonte në Kuvend, me “diktaturën e votave”, siç shprehej atëherë opozita e PS-së.

Imazhi që i përcjellim Brukselit: Konfliktualiteti vazhdon…

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, i ndodhur përballë bojkotit që i bëri  opozita seancës parlamentare për diskutimin e Aktit Normativ, e nxori nga rendi i ditës, duke u dhënë edhe njëherë kohë PS-PD që të gjejnë mundësi bashkëpunimi për një konsensus. Mirëpo, PS-ja këmbëngul në Aktin Normativ, PD-ja kërkon si kusht bisedimi, tërheqjen e Aktit Normativ. Dje ministra e Administratës Publike, Milena Harito, edhe një herë përsëriti, që nëse opozita nuk përfshihet në debat, atëherë, maxhoranca do të kërkojë, në seancën parlamentare të së enjtes,  84 votat e Kuvendit, në mungesë të konsensusit të opozitës. Opozita e së Djathtës, njëzëri kërkon nga maxhoranca tërheqjen e Aktit Normativ, si kusht që të ulen bashkarisht për të diskutuar. I vetmi produkt politik, që prodhohet nga këto qëndrime diametrikisht të kundërta të palëve politike, është konfliktualiteti, acarimi i skajshëm i klimës politike, dhe këto imazhe përcillen nga Tirana  në Bruksel, si ngjyrat më të errëta të politikëbërjes, duke u dhënë edhe mesazhin politik, që asgjë nuk ka ndryshuar në Shqipëri, edhe pas zgjedhjeve.

KQZ-ja një tjetër ngërç politik, që do çojë në të kuqe barometrin politik

Anormaliteti politik vazhdon të dominojë në gjithë sferat e politikëbërjes shqiptare, ndërkohë, kur përditë kjo maxhorancë e re, zotohet e premton reforma e reforma për drejtësi, për ligjshmëri. KQZ-ja, edhe pse kanë kaluar 4 muaj nga dita e zgjedhjeve, vazhdon të funksionojë me 4 anëtarë, jashtë çdo legjitimiteti kushtetushmërie. Duke qenë se raportet politike ndryshuan,  gjëra e parë, që duhet të bënte  maxhoranca e re  do të ishte t’i kthente legjitimitetin KQZ-së. Mirëpo, që ende nuk është bërë asgjë, dëshmon që KQZ-ja ishte peng i interesave partiake të të gjitha palëve politike, dhe jo vetëm i maxhorancës së atëhershme. Legjitimiteti i KQZ-së mund të kthehet vetëm duke u bazuar në Kodin Zgjedhor aktual. Mirëpo, kjo nuk i intereson aspak maxhorancës së re, sepse do t’i duhet që, sipas këtij Kodi Zgjedhor, të plotësojë me 3 anëtarë të tjerë KQZ-në, zgjidhje e përjashtuar nga PS-LSI. Por, që të rikompozohet KQZ-ja nga e para, duke shkarkuar edhe  4 anëtarët aktualë,  kjo do të cenonte rëndë vetë ligjin, Kodin Zgjedhor dhe, duke patur parasysh reagimin e mundshëm të opozitës, do të thotë që barometri politik të kapërcejë çdo kufi të së kuqes, konfliktualiteti politik të arrij përmasa të paparashikuara. Ndaj hesht ende maxhoranca e re me KQZ-në e cunguar me 4 anëtarë. Ndoshta pret, të jepet nga BE-ja statusi kandidat dhe paskëtaj, çdo konfliktualitet politik, që mund të krijojë rikompozimi nga e para i KQZ-së, do të jetë- sipas maxhorancës- pa pasoja politike. Maxhoranca e re, me mendësinë e “diktaturës së votës”, i ka 84 vota, qoftë edhe për të bërë një Kod të ri Zgjedhor, që do të prodhojë çdo KQZ të re, me shijet e saj politike.

Berisha

“ Bashkëkryetarët e maxhorancës, pasi asgjësuan me aktin e tyre normativ, për herë të parë në historinë e pluralizmit, konsensusin, u vunë këto ditë në garë ftesash për opozitën për të zgjidhur me dialog shkatërrimin e njëanshëm të konsensusit për Ligjin e Nëpunësit Civil. Pra ftesat e tyre janë si dardhat me bisht dhe bishtin e nxorën sot. Këta nuk duan dialogun ndaj dhe i ofrojnë opozitës ftesa me bisht, me ultimatum. Ky është një gabim historik”

 Milena Harito, ministre e Administratës Publike

Le të dialogojmë pa kushte. Ne nuk vëmë kushte dhe kërkojmë që edhe opozita të mos verë kushte. Mbase ata na bindin që kanë një alternativë, mbase dhe asgjë nuk ndryshon, por një gjë është e sigurt pa dialog asgjë nuk ka për të ndryshuar. Ftojmë opozitën në dialog pa kushte, në të kundërt na duhet të votojmë me 84 vota. Ne jemi gati të dëgjojmë, por jemi gati të udhëheqim, sepse për këtë gjë jemi votuar.

  Komisioni i Ligjeve miraton ndryshimet në ligjin “Për Nëpunësin Civil”

Komisioni për Çështjet Ligjore shqyrtoi dhe miratoi dje dy projektligje të rëndësishme, ndryshimet në ligjin “Kodi i Procedurës Civile i Republikës së Shqipërisë”, si dhe projektligji “Për miratimin e marrëveshjes për kryerjen e shërbimit të auditimit të borxhit të ministrive kundrejt biznesit vendas dhe të huaj”.  Ndryshimi i miratuar në projektligjin për Nëpunësin civil, ka të bëjë me paragrafin e parë të dispozitës tranzitore, të miratuar me nenin 49, të ligjit nr122/2013 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8116, datë 29.03.1996 “Kodi i Procedurës Civile i Republikës së Shqipërisë” i cili bëhet: “Çështjet civile, që janë në gjykim ditën e hyrjes në fuqi të këtij ligji do të vazhdojnë të gjykohen në Gjykatën e Shkallës së Parë dhe në Gjykatën e Apelit sipas ligjit të kohës së paraqitjes së kërkesës”.  Ndërsa projektligji “Për miratimin e marrëveshjes për kryerjen e shërbimit të auditimit të borxhit të ministrive kundrejt biznesit vendas dhe të huaj” ka si qëllim dhënien e autorizmit për auditimin e të dhënave të zotëruara nga administrata shtetërore dhe miratimi i marrëveshjes së asistencës me audituesin e autorizuar, përmes së cilës do të rregullohen marrëdhëniet për kryerjen e shërbimit të auditimit, në përputhje me objektin e ligjit.