Aktet terroriste me tritol në Tiranë ndezin debatet në sallën e Kuvendit

615
Sigal

TIRANE – Sulmet terroriste që tronditën Tiranën të martën janë vënë në qendër të debatit politik në sallën e Kuvendit në seancën e kësaj të enjteve. Kreu i qeverisë Edi Rama e nisi fjalën e tij me akuza ndaj opozitës për qëndrimet që mbajti publikisht duke mos dënuar sulmet por duke drejtuar gishtin nga ministri i Punëve të Brendshme, familja e të cilit u bë pre e shpërthimeve me tritol. Kryeministri tha se përdorimi i krimit nga opozita si kryefjalë e debatit në Kuvend, ka shërbyer si frymëzim për botën e krimit. Duke i vlerësuar të turpshme deklaratat për shpërthimet me tritol, Rama tha se opozita është vënë në anën e krimit. “E bëtë krimin partner të qeverisë suaj, sot drejtoni gishtin”, tha Rama.
 
Reagoi menjëherë kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka, i cili akuzoi qeverinë se erdhi në pushtet përmes krimit dhe se këto ngjarje ndodhën sipas tij, ngaqë “krimi sot kërkon shpërblimin se ju ka sjellë në pushtet”. Në të njëjtën linjë edhe ish-kryeministri Berisha tha se aktet terroriste në Tiranë, dy prej të cilave kundër familjes të ministrit Tahiri, janë paralajmërim i botës së krimit ndaj qeverisë për t’i thënë se ka kaluar vijën e kuqe. “Atëherë çfarë ishte tritoli në zarf? Tritoli ishte pikërisht me mesazhin se “guxuat të na prekni ku na keni dhënë garanci”, u shpreh Berisha.
 
Ora 14:00 Berisha: Tritoli në zarf për Tahirin “Guxuat të prekni ku na keni dhënë garanci”
Ish-kryeministri Sali Berisha tha se sulmet terroriste me tritol në Tiranë, dy prej të cilave ndaj familjarëve të ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri,  ndodhën si pasojë e lidhjes së qeverisë me krimin. Berisha tha se sulmet janë paralajmërim i botës të krimit ndaj qeverisë, për t’i thënë se ka kaluar vijën e kuqe.

Deputeti demokrat tha se lidhjet që sipas tij Ministri Tahiri ka me krimin, sollën këtë paralajmërim, të cilin Berisha e cilësoi: Tritol në zarf me mbishkrimin “na prekët aty ku na dhatë garanci”. 
 
Deputeti demokrat tha se shpërthimet me tritol dëshmuan se gjendja e rendit në vend është shqetësuese dhe se krimi mund të godasë kudo. 

Goditja e krimit dy ditë më parë, e kam thënë dhe do e them prapë, ishte tritoli në zarf për Ministrin e Brendshëm dhe kjo është një gjë e papranueshme dhe e dënueshme. Një gjë që s’ka ndodhur kurrë. Nuk ndodhi në kohën kur Spartak Poçi siç e dini goditi banda dhe sot ecën i lirë në rrugët e qytetit. Nuk ndodhi me Sokol Olldashin. Ndodhi tani, në mënyrën më të egër. Krimineli që kreu aktin, para kamerave dëshmuan se ata mund të godasin ku të duan. Janë në gjendje të projektojnë akte kriminale në seri. Dëshmuan se mund t’i kryejnë me preçizion ato akte. Zgjodhën ministrin për t’i thënë se ne mund të vëmë tritol ku të duam. Dhe kjo përbën një ngjarje të rëndë për vendin. Por në një farë mënyre këto janë paralajmërime për krimin se ka kaluar vijën e kuqe. Prisni. Unë jam i bindur se Rama çdo gjë në botë mund të bëjë por mësim nuk mund të nxjerrë. Le të kthehemi pak në ngjarjet e fundit. “Hakmarrja për Drejtësi” u rikthye më e fortë se kurrë. Gentian Gjonaj ka qenë një eksponentët më kryesorë të bandës. A jeni ju socialistë që u mor me këtë bandë? A jeni ju që Neritan Nallbatin e çuat në Elbasan, pikërisht aty ku kishte folenë. A e dini ju që Vilson Bala, shefi i komisariatit të Elbasanit arrestoi Kelmend Dalipin në laboratorin e kokainës se vidhte energjinë dhe më pas e liruan me urdhër. 
 
Për Berishën të gjitha këto kanë një lidhje të vetme, dhe kjo është ajo e lidhjes së Tahirit me botën e krimit dhe persona të njohur për drejtësinë. Në këtë kontekst, Berisha tha se tashmë është e njohur lidhja e Emiljano Shullazit dhe qeverinë. Por sipas Berishës nuk ishte puna e policisë që preku bandat me të cilat është i lidhur Tahiri, por ishin hetimet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda.
 
“Çfarë ndodhi në rrugën e Kavajës? E gjithë historia për të nxjerrë të palarë Shullazin dhe shullazarët. Atëherë çfarë ishte tritoli në zarf? Tritoli ishte pikërisht me mesazhin se “guxuat të na prekni ku na keni dhënë garanci”, – tha në fjalën e tij Berisha.
 
Ora 13:20 Paloka: Nuk i  jep opozita zemër krimit, por qeveria
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Edi Paloka reagoi pas fjalës së kryeministrit Edi Rama për qëndrimin që demokratët mbajtën ndaj sulmeve me tritol në Tiranë. Paloka hodhi akuza të rënda duke thënë se qeveria erdhi në pushtet përmes krimit. “Kjo qeveri që kur erdhi në pushtet, erdhi me krim, Aleanca e qelbësirave. Krimi sot kërkon shpërblimin se ju ka sjellë në pushtet”, u shpreh Paloka.
 
Deputeti demokrat tha se nuk është opozita ajo që ka frymëzuar dhe mbështetur krimin, por është vetë qeveria.
 
“Ne, tha kryeministri, jemi ata që i japim zemër krimit. Nuk i japim ne, por krimit i jepet zemër se do të jetë bashkëpunëtore kur të vijë në pushtet. Krimit i jepet zemër kur sapo vjen në pushtet shkarkon specialistët e policisë dhe në vend të saj emëron militantë. Krimi merr zemër kur djali i deputetes së qeverisë, vret një njeri dhe pastaj del nga burgu brenda një viti. Denoncohet se po merret me drogë, dhe prapë është i paprekshëm. Vret 4 vetë, dhe gjykata nën ndikimin e këtij kryeministri e nxjerr thuajse të pafajshëm. Është thënë disa herë se si mund të guxojë krimi të sulmojë Ministrin e Brendshëm. Dhe për qeverinë, kjo vjen se ministri po i bën namin krimit. Askush nga qytetarët nuk e beson këtë. Për herë të parë kemi laborator kokaine. Për herë të parë përdoren pistat e ushtrisë për trafik droge. Dhe krimi do të guxojë edhe më shumë nëse do të vazhdojmë të akuzojmë PD. Dhe ne nuk jemi të shqetësuar për qeverinë, por për veten, për çdo shqiptar. Tha që opozita qenka fajtore për kriminalitetin. Janë të tjerë ata që e kanë zakon të fërkojnë duart. Ky jo vetëm që fërkon duart por edhe e urdhëron krimin të veprojë”, tha Paloka.
 
Ora 12:10 Rama: Opozita në anën  e krimit, nuk dënoi sulmet por bëri fajtor Tahirin
Kryeministri Edi Rama dënoi pozicionimin e opozitës, sipas tij në anën e krimit. Ai tha se  sulmet me tritol nuk janë i vetmi rast kur opozita drejton gishtin e akuzës nga qeveria, e një ndër ta është edhe aksioni antikanabis i policisë në Lazarat. “E bëtë krimin partner të qeverisjes tuaj tallave. Sot tundi gishtin e akuzës ndaj nesh”, u shpreh kryeministri.
 
“Si në asnjë vend opozita se ka për gjë të pozicionet në anën e krimit, përmes reagimesh që nuk dënojnë krimin por bëjnë fajtorë ministrin dhe familjen. Deklaratat tuaja janë kulmimi i një fushate të egër shpifjesh, denigrimesh të pandërprera ndaj Ministrit të Brendshëm dhe Policisë së Shtetit. E nisët qëkur filloi kthimi i policisë në krye të detyrës dhe prerja e lidhjeve të vendosura prej jush mes policisë dhe botës së krimit. Ato deklarata janë fundi i fillit të çdo arsyeje, të çdo morali politik, të çdo mundësie justifikimi jo në Evropën e sotme po as në faqen e kanunit nuk ka gërmë të shkruar mbi bashkëjetesën e qenieve njerëzore që justifikon atë reagim. Ju nuk pritët dot as 4 orë për t’i shtuar bombave, aktin e pashembullt ndaj Ministrit të Brendshëm. Akuza monstruoze që nxirrni nga goja në opozitë duke e kthyer Kuvendin në hapësirën ku emrat e kriminelëve i përmendi më shumë. Ku kundërshtarëve i drejtoheni me një gjuhë që as prokurori nuk do i drejtohej kriminelit. Tek e fundit ju nuk keni faj thotë populli, Shqipërinë e përçarjes deshët dhe atë që deshët e bëtë realitet, dhe na e latë ne ta kthejmë në rrugën e robit që do shtet. Qoftë për ato që keni bërë në 21 Janar me dorën tuaj apo ato që keni bërë në bashkëpunim me krimin në Lazarat, apo qoftë për akuzat monstruoze që nxirrini nga gojaKërkoni të përfitoni sot me epshin anti-shtet duke tundur gishtin para syve për çdo plagë që e hapët ju,  ju e bëtë krimin partner, që njollosët me drogën duke lënë të mbillej në çdo kodër. Të njëjtën gjë bëtë edhe kur u shkul Republika juaj e drogës në Lazarat”, tha Rama.  
 
Ora 12:00 Rama: Deklaratat e opozitës për sulmet me tritol, na turpërojnë!
Kryeministri Rama tha se deklaratat e opozitës për sulmet me tritol në Tiranë ishin të turpshme. Rama tha se cilëtdo qofshin urdhëruesit dhe zbatuesit e sulmit ndaj familjes së ministrit Tahiri, ata janë frymëzuar edhe nga politika, e cila shfrytëzon Kuvendin për të kriminalizuar qeverinë dhe policinë e Shtetit.
 
“48 orë më parë Tirana u gdhi me lajmin e vendosjes së tre bombave. Dy prej tyre kishin shënjestër familjen e Ministrit të Brendshëm. Akte të mirëfillta terroriste që së pari përcjellin mesazhin e një kërcënimi të rëndë në adresë të Ministrit të Brendshëm. Së dyti, përcjellin ankth e pasiguri tek njerëzit siç është në natyrën e terrorizmit. Së treti, përcollën energjitë më negative të qenies njerëzore për të furnizuar politikën e llojit më të fundit, që është politika me krimin, që është mbështetje imorale dhe frymëzim i drejtpërdrejtë për krimin. Cilëtdo qofshin urdhëruesit e drejtpërdrejtë dhe zbatuesit ndaj sulmit të familjes së Ministrit të Brendshëm, për fatin më të keq të punonjësve të policisë dhe gjithë qytetarëve që janë cenuar psikologjikisht nga ky karshillëk kriminal, frymëzim është bërë edhe politika e ditës, edhe ky Kuvend ku krimi përdoret si lëndë e parë haluçinative që kriminalizojnë qeverinë dhe policinë. Askush që nuk është pjesë e kësaj politike nuk mund ta gëlltisë si reagimin e radhës reagimin e faqezesshëm të sulmeve me bomba. Nga ana tjetër reagimet e forta të opinionit publik përmes rrjeteve sociale dhe të opinionit ndërkombëtar, lidhur me deklaratat e turpshme të Partisë Demokratike, na turpërojnë të gjithëve ne, partitë politike dhe institucionet ligjzbatuese të Shqipërisë”, tha kryeministri Edi Rama.
 
Rama: Politika juaj nuk na pengon në luftën me krimin
Politika juaj me krimin bën dëm të madh po nuk na pengon ne të vazhdojmë luftën me krimin”, tha Rama.

Sulmet që tronditën Tiranën
Të martën, në orët e para të mëngjesit, tre sulme me tritol përhapën panik në kryeqytetit, ku shpërthimi i parë u shënua në farmacinë e prindërve të ministrit Tahiri, i dyti në banesën e oficerit të policisë Alfred Numani dhe i treti, i cili u çaktivizua nga policia, në një stacion autobusi, pranë vendit ku Bashkim Tahiri, babai i ministrit parkonte zakonisht makinën.