Aktet Normative drejt Venecias dhe Strasburgut

505
Sigal

Kryetari i PD-së mblodhi aleatët për Aktin Normativ dhe i dërgojnë letër Kryeministrit

Lulzim Basha: “S’ka dialog, nëse s’tërhiqni Aktin Normativ”

 Akti Normativ i qeverisë së Ramës, ka mbërthyer politikën në një ngërç të pazgjidhur, duke rritur përtej vijës së kuqe barometrin politik, për më tepër, në këtë stad kohor, kur Shqipëria ndodhet ende në provim nga BE-ja, e cila së shpejti do të shqyrtojë raportin për dhënien ose jo të statusit kandidat Shqipërisë, në fundvitin e 2013-s.

Ftesa e maxhorancës për opozitën: Të japë konsensusin për Aktin Normativ të saj

Në fakt, shtyrja e votimit nga seanca e fundit e Kuvendit të Aktit Normativ, nga kreu u parlamentit, Ilir Meta, me qëllim që të përfshihet edhe opozita në këtë diskutim, kishte në thelb idenë, që opozita duhet të japë konsensusin për Aktin Normativ dhe jo për ligjin e miratuar me konsensus 3 muaj më parë “Për Nëpunësin Civil”.  Kjo u shpreh më së miri, edhe në ftesën që kryeministri Rama u bëri gjithë kryetarëve të partive parlamentare opozitare, që të përfshihen në debat për Aktin Normativ. Reagimi i parë erdhi nga kryetari i PD-së, Lulzim Basha, i cili tha: “Opozita nuk mund të japë konsensusin, për zhbërjen e  ligjit që është miratuar me konsensus”. Ndërsa dje, kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka mbledhur sot aleatët për të diskutuar në lidhje me debatin e ditëve të fundit për Ligjin e Nëpunësit Civil. Pas përfundimit të takimit që u zhvillua në selinë Blu, kreu i PR-së Fatmir Mediu është shprehur për mediat se opozita do të ketë një përgjigje me shkrim të unifikuar sa i përket ftesës së kryeministrit për konsensus. “Akti Normativ është antikushtetues e ne s’mund ta pranojmë atë. S’ka njeri që të dalë mbi autoritetin e një konsensusi. Ne kemi diskutuar sot mbi bazën e një letre; ka një reflektim me shkrim nga ana jonë dhe do shikojmë hapat e mëtejshëm edhe në bashkëpunim me ndërkombëtarët” theksoi Mediu.

Opozita i përgjigjet Ramës me një letër kundërshtimi

Opozita i përgjigjet zyrtarisht me anë të një letre, ftesës së Ramës, për dialog me maxhorancën. Në këtë letër që Lulzim Basha i drejton në emër të aleatëve të djathtë në opozitë nuk ka tërheqje nga qëndrimi i një dite më parë ku theksohej se dialogu rivendoset nëse tërhiqet akti normativ për statusin e Nëpunësit Civil nga Kuvendi. Aleatët cilësojnë se nëse bëhej fjalë për një pr/ligj atëherë mund të jepnin sugjerime dhe përmirësime, por në rastin e një Akti Normativ, -thonë ata, kjo bie ndesh me nenin 101 të Kushtetutës.

Letra e opozitës së bashkuar drejtuar maxhorancës

Drejtuar: Z. Edi Rama, Kryeministër dhe Kryetar i Partisë Socialiste

Për dijeni: Z. Ilir Meta, Kryetar i Kuvendit dhe Kryetar i LSI

Z. Vangjel Dule, Zv. Kryetar i Kuvendit dhe Kryetar i PBDNJ

I nderuar z. Rama,

 Në përgjigje të letrës suaj, në emër të opozitës ju shpreh qëndrimin tonë për sa vijon. Miratimi me konsensus i Ligjit 152/2013 “Për Nëpunësin Civil” ishte një nga tre kushtet që iu parashtruan Shqipërisë nga Komisioni Europian për të formalizuar dhënien e rekomandimit për statusit e vendit kandidat për dhe shqyrtimin e tij nga Këshilli Europian. Për fat të keq, refuzimi i konsensusit nga Partia Socialiste pamundësoi këtë proces edhe në dhjetorin e 2012-ës edhe në pranverën e 2013-ës. Arritja e konsensusit u evidentua si qëllim e kusht më vete nga përfaqësuesit e lartë të Komisionit Europian të cilët, publikisht, e cilësuan konsensusin ndërpartiak më të rëndësishëm se madje edhe vetë aprovimi i tre ligjeve përmes një referendumi.

Pas negociatash të gjata dhe pasi u humb çdo shans për marrjen e statusit të vendit kandidat para zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit, ligji “Për Nëpunësin Civil” u miratua me konsensus unanim në Kuvendin e Shqipërisë më 30 maj 2013. Me kërkesë të vetë Partisë Socialiste hyrja e ligjit në fuqi u shty nga 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare në datën 1 tetor, njëkohësisht duke njehsuar datën e hyrjes në fuqi me atë të fillimit të efekteve, ndërsa u përcaktua se Këshilli i Ministrave duhet të përgatisë aktet nënligjore brenda 3 muajsh nga hyrja në fuqi e ligjit, pra brenda datës 31 dhjetor 2013. Theksojmë se këto përcaktime të ligjit sikundër i gjithë ligji u miratuan me konsensus dhe u votuan me unanimitet. Një ditë pas konstituimit të qeverisë së re, opozita mësoi nga burime jo-zyrtare synimet e maxhorancës për të zhbërë konsensusin e 30 majit duke anuluar efektet ligjore të Ligjit për Nëpunësin Civil për një periudhë 6 mujore pas datës 1 tetor përmes një akti normativ të Këshillit të Ministrave. Për më shumë se dhjetë ditë, opozita i bëri thirrje publike e në mënyrë të përsëritur maxhorancës, ju personalisht dhe z. Meta, për të mos shkelur konsensusin e arritur me 30 maj.

Duke injoruar këto thirrje, mbrëmjen e 30 shtatorit, vetëm pak orë para hyrjes në fuqi të ligjit, Këshilli i Ministrave nëpërmjet një akti normativ anuloi konsensusin parlamentar të 30 majit dhe zhbëri efektet e votës unanime në Kuvend. Shkelja e njëanshme e konsensusit është një akt i paprecedent në historinë 23 vjeçare të demokracisë shqiptare. Ky akt ka pasoja të rënda për klimën politike në vend dhe evidenton para opozitës por edhe para mbarë qytetarëve shqiptarë pabesueshmërinë tuaj për t’iu përmbajtur angazhimeve tuaja më solemne, siç është konsensusi parlamentar. Në bindjen tonë, prekja nëpërmjet një akti normativ të miratuar vetëm nga Këshilli i Ministrave e çdo ligji të miratuar nga Kuvendi me shumicë të cilësuar, aq më shume unanime në këtë rast, është një akt arbitrariteti i skajshëm anti-kushtetues si dhe shprehje e një përçmimi jo vetëm ndaj konsensusit parlamentar si vlerë por edhe ndaj parlamentit si institucioni më themelor i republikës. Në letrën tuaj, ju shpreheni se nuk keni dëgjuar nga opozita asnjë alternativë tjetër që e zgjidh më mirë problemin e krijuar nga mungesa e akteve nënligjore. Natyrisht që s’kishit si ta dëgjonit pasi nismën e ndërmorët njëanshmërisht e në fshehtësi të plotë nga sytë e publikut e të opozitës. Nëse do të donit të dëgjonit zgjidhjet alternative nga opozita, do të duhej që, në momentin më të parë, të shtronit çështjet konkrete që ju preokuponin dhe të kërkonit mirëkuptim e bashkëpunim për të gjetur zgjidhjen e arsyeshme dhe konsensuale. Nëse do të kishit vepruar kështu ne do të kishim dhënë të gjithë mirëkuptimin tonë si dhe do të ofronim të gjitha kapacitetet teknike të opozitës për të trajtuar e zgjidhur çështjet – ato të qenësishme e jo të sajuara – për zbatimin e ligjit të ri, çështje të cilat, të paktën nga këndvështrimi juridik, ishin e janë lehtësisht të kapërcyeshme e në kohë shumë të shpejtë – çështje ditësh e jo muajsh – pa patur fare nevojë për shtyrjen që ju i bëtë zbatimit të ligjit të ri.

Për më tepër, faktet e këtyre ditëve të fundit tregojnë se veprimet tuaja mbi administratën janë jo vetëm në kundërshtim të hapur me frymën e ligjit të ri për nëpunësin civil por edhe në shkelje flagrante të ligjit të vjetër dhe ligjeve të tjera në fuqi, veprime këto që parathonë qartë se çfarë do të pësojë administrata deri më 1 prill 2014. Sa i përket argumenteve tona në lidhje me aktin normativ, opozita ka folur fare qartë, se akti normativ i qeverisë është antikushtetues. Argumentet tona janë bërë publike dhe janë shtjelluar qartësisht edhe në ankimin tonë në Gjykatën Kushtetuese, ankim i cili në vetvete demonstron se opozita e sotme sillet në respekt të plotë të demokracisë dhe shtetit ligjor, në respekt të institucioneve kushtetuese të vendit, ndryshe nga ajo e djeshmja. Ky akt normativ është edhe antikonsensual vetiu. Vetë natyra e aktit normativ përjashton edhe dialogun e jo më konsensusin. Siç përcakton neni 101 i Kushtetutës akti normativ nuk mund të ndryshohet nga Kuvendi. Ai ose miratohet ose rrëzohet. Ndaj, ndryshe nga rasti i një projekt-ligji që mund të ndreqet përmes procesit parlamentar, kjo është e pamundur me aktin normativ. Në gjithë këtë kontekst, ftesa për të dëgjuar arsyet tuaja se pse kërkoni të prishni konsensusin, vjen dy javë pasi prishjen e konsensusit e keni bërë fakt të kryer përmes aktit normativ. Nëse maxhoranca kërkon me të vërtetë të gjejë rrugën e humbur të dialogut dhe arsyetimit me opozitën atëherë zgjidhja është e thjeshtë dhe evidente; tërhiqni aktin normativ me të cilin u shkelmua konsensusi e bashkë me të edhe besueshmëria juaj për t’ju përmbajtur angazhimeve tuaja.

Ky nuk është kusht. Kjo është rruga e arsyes për të gjetur zgjidhjen së bashku. Për çdo nevojë të përligjur le ti drejtohemi procedurave normale parlamentare dhe frymës së konsensusit gjithëpërfshirës. Një ligj i miratuar me konsensus mund dhe duhet të ndryshohet vetëm me konsensus. Në këtë frymë opozita është e gatshme të dialogojë dhe të ofrojë konstruktivitetin e saj për këtë çështje dhe për çdo çështje që ka të bëjë me interesat madhore të vendit dhe qytetarëve shqiptarë.

Me respekt,

 Lulzim Basha

Kryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë”

Nard Ndoka për “Telegraf”

“Unë mbështet qëndrimin e opozitës”, ndaj Aktit Normativ

Nga takimi i djeshëm i opozitës, mungoi vetëm deputeti i Qarkut të Shkodrës, i zgjedhur me listat e PD-së, Nard Ndoka, i cili është edhe kryetari i PKD-së. U thanë shumë hamendje, lidhur me këtë mungesë të Ndokës, për më tepër, kur edhe vetë Ndoka, herë pas here, ka lënë të kuptueshëm faktin, që në një moment, mund të shkëputet nga opozita. I prononcuar dje nga “telegraf”, deputeti Ndoka u përgjigj: “Unë, mungova sot (dje), për arsye personale, ngaqë jam larg Tiranës. Por unë e mbështet qëndrimin e opozitës ndaj Aktit Normativ dhe vota ime, do të jetë me qëndrimin që do të mbajë opozita”.