Aksioni për faturat e ujit duhet të jetë 100 për qind ndryshe nga ai për faturat e dritave

616
Prof . Dr Arben Malaj 
Universiteti i New York Tiranë
Aksioni për faturat e ujit duhet të qartësojë që në fillim objektivin e tij kryesor. Objektivi nuk është mirëpërdorimi i burimeve ujore, sepse konsumi individual zë një peshë shumë të vogël në totalin e përdorimit të burimeve ujore. Sipas studimeve ndërkombëtare peshën kryesore në përdorimin e ujit e zë bujqësia, vendin e dytë e zë përdorimi industrial dhe vendin e tretë dhe më të vogël përdorimi individual. Ky aksion duket se ka në qendër të tij, shpëtimin nga falimentimi i ndërmarrjeve të ujësjellësve dhe ky është një objektiv i mirë sepse ujësjellësit për shkak të rëndësisë jetike të ujit, nuk falimentojnë pasi mbahen gjallë nga subvencionet e buxhetit që në burimin e tyre janë taksat dhe tatimet që paguajnë taksapaguesit. Borxhet e tyre janë të konsiderueshme dhe vlerësohet se po të mos ndërhyhet për uljen e tyre, këto borxhe mund të bëhet kërcënuese për financat publike. Subvencionet direkt ose indirekte janë taksa që në vend investohen për arsimin, shëndetësinë dhe prioritete të tjera kritike keq përdoren për ujësjellësit. Burimi i dytë i mbijetesës së ujësjellësve është zinxhiri i detyrimeve të pa paguara në shumë raste nuk paguhen sigurimet shoqërore të punonjësve, është kriminale. Por edhe mos pagimi i energjisë apo furnizimeve të tjera ndaj kompanive publike dhe private ka efekte negative në ekonomi. Pikërisht sepse ky aksion kërkon në thelb të përmirësoj gjendjen financiare të ndërmarrjeve të ujësjellësve hapi i parë dhe kryesorë duhet të ishte analiza e thelluar profesionale e ecurisë së ujësjellësve të cilët shpesh janë përdorur për investime dhe sidomos punësime të përkohshme elektorale apo për “ndere” nepotike, politike e personale. Analiza dhe miratimi i bilanceve të këtyre ndërmarrjeve publike është i përciptë, jo profesional dhe jo i pavarur. Njëkohësisht ERRU që ka autoritetin ligjorë për të qenë arbitër midis bashkive dhe tregut në shërbim të konsumatorëve për një furnizim sa më të plotë dhe sa më cilësorë me ujë, duhet ta kryej më mirë misionin dhe funksionin e tij profesional dhe ligjorë. 

Përpara se të vendosen afate për lidhjen e aparateve matëse, konsumatorët duhet të njihen me masat konkrete të uljes së kostove , ndërsa investimet nuk mund të jenë pjesë vetëm e rritjes së çmimeve të ujit, por të rritjes së cilësisë së administrimit ekonomik dhe financiar të ujësjellësve. 

Thithja e investimeve të huaja në furnizimin me ujë duhet synuar të vij nga rritja e miradministrimit të ujësjellësve dhe jo vetëm apo kryesisht nga rritja e tarifave të shitjes së ujit.

Ujësjellësit që përpara fillimit të këtij aksioni duhet të bëjnë një politikë lehtësuese për ristrukturimin dhe mbledhjen e borxheve të prapambetura. Këtë duhet ta bëjnë në fillim të këtij aksioni, jo në fund siç ndodhi me mbledhjen e faturave të energjisë. Ndërsa politikat e subvencionimit për shtresat e varfra dhe në pamundësi reale për pagimin e faturave duhet të bëhet në nivel qendrore, si pjesë e politikës kombëtare kundër varfërisë, bazuar edhe në burimet e limituara të qeverisjes vendorë.

Pra, në qoftë se aksioni bëhet për të përmirësuar gjendjen financiare të ujësjellësve e ai duhet të filloj nga reduktimi i kostove abuzive në të cilat notojnë këto sipërmarrje. 

Hapat kryesore të aksionit të mbledhjes së faturave të ujit mund të jenë: 
1. Faljet e kamat-vonesave, ristrukturimi i detyrimeve të prapambetura të çdo konsumatori duke u dhënë më shumë hapësirë për pagimin e tyre në periudha më të gjata, vendosja e stimujve financiare për ata që i paguajnë detyrimet e prapambetura duhet të përbëjnë thelbin e fillimit të këtij aksioni. Në rastin e mbledhjes së faturave të dritave këto masa u bënë në etapën e fundit të këtij aksioni, në rastin e mbledhjes se faturave të ujit këto hapa duhet t’i paraprijnë këtij aksioni. 

2. Çdo individ në vështirësi për faturën duhet asistuar në varësi nga situata e tij ekonomike e sociale. Ata që jetojnë në kushte varfërie duhen përjashtuar, ata që janë të papunë duhen asistuar. Ata që kanë vështirësi sepse kanë kosto për sëmundjet apo arsimimin e fëmijëve duhen asistuar, duke ju krijuar lehtësi në mbulimin dhe pagimin e faturës së ujit.

3. Duhet të ndalohet presioni psikologjik nëpërmjet medias, pasi ajo rrezikon të sjell viktima, valë të re zhgënjimi dhe largimi nga vendi. Teoritë ekonomike argumentojnë së lehtësitë ndikojnë tek individët më shumë se sa penalitetet.

4. Media duhet fokusuar tek abuzimet e përdoruesve të mëdhenj dhe jo tek individët. Kjo ndikon edhe në një perceptim pozitive për qeverisjen e vendit. 

5. Për individët duhet të veproj fushata pozitive, modelet e respektimit të pagimit të faturave nga individ dhe familje me të ardhura mujore të arsyeshme. 

6. Fushata duhet të synoj dhe fitoj kredibilitetin publik nga paanshmëria në zbatimin e saj, reduktim të kostove abuzive të ujësjellësve, ndalim të shpenzimeve apriori në ngarkim të konsumatorëve me zëvendësimet e matësve sipas tenderëve të ujësjellësve dhe shpenzime të tjera joefektive.

Rezultati i reformave dhe aksioneve që bazohen në kredibilitetin publik është më i qëndrueshëm se rezultati nga forca, penalizimet dhe arrestimet.
Sigal