AKSIONI I OPOZITËS SË BASHKUAR

162

Në 26 maj protestë e madhe për të rrëzuar qeverinë Rama

Opozita e bashkuar: Është koha që Shqipërinë të mos ia lëmë më në dorë një qeverie mafioze

Kreu i PD-së Lulzim Basha ka ftuar shqiptarët të ngrihen në protestë më 26 maj, ditën e shtunë në Tiranë për të rrëzuar qeverinë, sipas tij, pengesën e vetme për integrimin e Shqipërisë në BE. Ai u shfaq në konferencë bashkë me aleatët e tij, Petrit Vasilin nga LSI-ja, Dashamir Shehin nga LZHK-ja, Agron Dukën nga PAA-ja, Nard Ndokën nga PDK-ja dhe Vangjel Dulen nga PBDNJ-ja, ndërsa shtoi se pjesë e protestës duhet të bëhej çdo shqiptar i ndershëm. Ai është shprehur se është koha që Shqipërinë të mos ia lëmë më në dorë një qeverie mafioze. Basha tha se të gjithë bashkë mund t’ia dalim. Ai bëri të ditur se në datën 26 maj, opozita do të dalë në protestë të madhe për të rrëzuar qeverinë e Edi Ramës.

Pjesë nga deklarata e Lulzim Bashës:

Nuk ka ndryshuar BE siç gënjeu sot përsëri Edi Rama. Nuk ka ndryshuar klima. Klima është e njëjta. Nuk hapen negociatat pa luftuar krimin dhe politikanët e lidhur me krimin Nuk hapen negociatat pa e ndare qeverisjen nga krimi. Nuk hapen negociatat kur qytetarët e pafajshëm plasen në burg, por kur Ministri i Brendshëm dhe Kryeministri kapin shtetin për të mbrojtur krimin e organizuar dhe vëllain trafikant droge. Ky ka qenë mesazhi i Brukselit dhe vendeve anëtare tash 5 vjet. Ky është akoma më i fortë dhe më i qartë mesazhi i Samitit të Sofjes. Klima nuk ka ndryshuar. As BE dhe as vendet anëtare nuk janë pengesa. Edi Rama është pengesa. Fatmir Xhafaj është pengesa. Kryeministri dhe ministrat e lidhur me krimin, për pushtetin dhe pasurinë e tyre në kurriz të shqiptarëve janë pengesa. Qeveria Rama është pengesa e vetme për rrugëtimin evropian dhe mirëqenien e shqiptarëve. Ndaj i ftojmë të gjithë qytetarët të bashkohemi të shtunën më 26 maj në Tiranë, në protestën kombëtare për një Shqipëri të çliruar nga qeveria e lidhur me krimin. I ftojmë të gjithë qytetarët të bashkohemi të shtunën me 26 qershor në Tiranë për një Shqipëri të çliruar nga qeveria anti popullore e Edi Ramës që ka tradhtuar interesat e njerëzve të thjeshtë duke bashkëpunuar haptas me krimin për pushtetin dhe pasurinë e tij. I ftojmë të gjithë qytetarët të bashkohemi të shtunën me 26 qershor në Tiranë për një Shqipëri të çliruar nga qeveria anti-evropiane që me rekordet e saj të zeza të korrupsionit dhe bashkëpunimit me krimin pengon ëndrrën e të gjithë shqiptarëve për Shqipërinë si gjithë Evropa.