Aksionerët e “Gozhdë-Bullona”: Kandidati i LZHK, Haveriku, i dënuar me 2 vjet burg

819
Kandidimet edhe për anëtarë këshillash bashkiakë, janë bërë objekt debatesh e denoncimesh jo vetëm prej partive politike konkurrente, por edhe mes palësh që kanë pasur e kanë marrëdhënie pune, si anëtarë të shoqërive aksionere, të cilët kandidojnë për partitë politike, për individë drejtues, të cilët kanë abuzuar me fondet publike dhe me të drejtat e përfitimeve në shoqëritë aksionere. Një nga këto denoncime, erdhi dje nga Kavaja, me autorë 37 aksionerë të ish-ndërmarrjes së “Gozhdë – Bulonave Kavajë”, të cilët i drejtohen KQZ dhe mediave, me një letër publike, për të bllokuar kandidimin e shtetasit Aqif Haveriku, si kandidat i parë në listën për anëtar i këshillit bashkiakë të Kavajës, në emër të Partisë Lëvizja për Zhvillim Kombëtar (LZHK). Referuar denoncimit të bërë prej 37 aksionerëve të ish-ndërmarrjes së “Gozhdë – Bulonave Kavajë” që ka mbërritur në redaksinë e gazetës “Telegraf”, zoti Aqif Haveriku, kandidati i regjistruar në KQZ, si emër i parë në listën për anëtar të Këshillit Bashkiak të Kavajës, në emër të LZHK është person i dënuar nga drejtësia shqiptare, për abuzime ekonomike-financiare. Është një denoncim i faktuar me “letra” drejtësie, sipas të cilave personi i denoncuar Aqif Haveriku, kandidat në krye të listës së LZHK-së për këshillin bashkiak të Kavajës, rezulton i dënuar, për shkak të abuzimeve që ka bërë si kryeadministrator i “Gozhdë – Bulonave Kavajë”. LZHK, sipas listës së këshilltarëve e ka përzgjedhur këtë persona të dënuar me vendim gjykate të formës së prerë, duke e kandiduar të parin në listën e këshilltarëve. Por ky fakt, nuk ka penguar LZHK që ta kandidojë për këshilltar, të dënuarin Aqif Haveriku (sipas vendimit të formës së prerë të Gjykatës Kavajë). Ky nuk është rasti i parë i kandidimeve të tilla, të zyrtarëve me precedentë penalë dhe me dënime gjykatash të formës së prerë. Por rasti i kryeadministraitorit Haveriku të ish-ndërmarrjes “Gozhdë – Bulonave Kavajë”, është provë konkrete e dokumentuar si persona që e ndalon procesi i dekriminaalizmit të politikës dhe pushtetit lokal e qëndror. Nuk e dimë, nëse LZHK dhe krerët e saj drejtues e dinë që kandidati Haveriku ka “damkë” dënimi nga gjykata për abuzime me financat e shoqërisë së “Gozhdë – Bulonave Kavajë” e me “probleme” të tjera në Kavajë, por dimë faktin që kemi përballë një vendim gjykate që kësaj force politike i është bërë i ditur në momentin e listimit të Haverikuit si i pari këshilltar në Kavajë, e po kështu edhe KQZ, për të ndalur kandidimin e tij. Faktikisht, Haveriku, ish-administratori i “Gozhdë – Bulonave Kavajë”, që këtë post ia dhuroi djalit të tij, aktualisht administrator i “Gozhdë – Bulonave Kavajë” dhe drejtor i Shtëpisë së të Moshuarve në Kavajë, është i pari si kandidat në listën e këshilltarëve të LZHK-së për qytetin e Kavajës. Por rezulton i dënuar me 2 vjet burg për “shpërdorim të kompetencave”, me vendimin Nr. 12-2015-386/54, datë 27/03/2015, të Gjykatës Kavajë, me vendim të formës së prerë.
Ja letra e 37 aksionerëve të “Gozhdë Bulonave Kavajë”
Në letrën e 37 aksionerëve drejtuar gazetës “Telegraf””, thuhet: “Denoncim për inkriminimin e Aqif Haverikut, i cili është i pari në listën e Partisë LZHK në Kavajë, për zgjedhjet lokale të 21 Qershorit 2015”. Më tek denoncimi vazhdon: “Ne, aksionerët e “Gozhdë – Bulona Kavajë sha”, të indinjuar dhe të revoltuar, i drejtohemi KQZ dhe të gjithë mediave vizive dhe të shkruara të Shqipërisë, për ngjarjen më poshtë: Nga burime të brendshme në Partinë LZHK të Kavajës, mësuam se në listën shumë emërore të kandidatëve për t’u zgjedhur si anëtar për Këshillin Bashkiak të qytetit tonë (Kavajë) më 21 qershor 2015, nga ana e kësaj partie (i pari në listë) është i përfshirë dhe personi Aqif Haveriku. Ky person ka administruar që nga viti 1999 ndërmarrjen “Gozhdë – Bulona Kavajë sha” dhe për 16 vjet, nuk i ka shpërndarë aksionerëve të kësaj shoqërie as… 1 lekë! Për veprime të kundërligjshme (edhe gjatë kohës që ishte në hetim) kundër drejtuesit Aqif Haveriku u vendos masa e përjashtimit si administrator i shoqërisë “Gozhdë – Bulona Kavajë sha”, me vendim të formës së prerë të Gjykatës së Apelit Durrës, në vitin 2013. Me mashtrime dhe falsifikime, drejtuesi i shkarkuar Aqif Haveriku, vendosi si administrator të birin e tij Denis Haveriku (aktualisht edhe Drejtor i Shtëpisë së të Moshuarve në Kavajë). Në datën 27 mars 2015, Aqif Haveriku, mbas një hetimi 12 – mujor dhe mbas një gjykimi – 16 mujor (zvarritje për arsye politike, mbasi prej 4 vitesh është kryetar i Këshillit Bashkiak Kavajë) u dënua me 2 vjet burg nga Gjykata e Shkallës së Parë-Kavajë, për veprën penale “Shpërdorim kompetencash”, parashikuar nga Neni 164 i Kodit Penal. Aqif Haveriku, si administrator i “Gozhdë -Bulona Kavaje sha”, ka humbur brenda 2 viteve edhe dy gjyqe të tjerë civilë, lidhur me veprime të kundërligjshme si administrator. Aqif Haveriku, së shpejti do të përballet me një gjyq tjetër penal, me akuza shumë herë më të rënda se sa gjyqi që kaloi, përfshirë edhe evazion fiskal të llahtarshëm. Me këtë rast, i drejtohemi hartuesve të listës shumë-emërore të Partisë LZHK-Kavajë si dhe kryetarit të kësaj partie Dashamir Shehi: Nuk gjetët një person më të mirë, si kandidat për zgjedhjet e 21 Qershorit 2015?! I kërkojmë organeve kompetente, të marrin masat e duhura për të mos pjesëmarrjen në zgjedhje, si kandidat për t’u zgjedhur, të personave të inkriminuar. 
Sigal