Aksidenti i shkaktuar nga deputeti Rakipi, PD kërkon heqjen e imunitetit

539
Intensifikohen akuzat e Partisë Demokratike kundër deputetit Aqif Rakipi, autor i një aksidenti me pasojë vdekje. Ja cilat janë akuzat dhe sa parashikohet dënimi
Katër ditë pas aksidentit të ndodhur në autostradën Durrës-Tiranë, në afërsi të Vorës, ku gjeti vdekjen një kalimtar, Partia Demokratike, ka intensifikuar akuzat e saj kundër deputetit Aqif Rakipi. Përmes një deklarate për shtyp, PD ditën e djeshme kërkoi nga Parlamenti që të nisë procedurat për heqjen e imunitetit të deputetit Aqif Rakipi, pasi përplasi për vdekje një person në Vorë.“Partia Demokratike i kërkon Prokurorit të Përgjithshëm dhe Kreut të Parlamentit të nisin urgjent procedurat e heqjes së imunitetit të deputetit Rakipi, dhe një hetim të plotë dhe të pandikuar të ngjarjes, në mënyrë që të ketë drejtësi për viktimën”, thuhej në deklaratë. Po ashtu nënvizohet se Rakipi rrezikon një vit burg, sipas Kodit Penal, pasi u largua nga vendi i ngjarjes. Partia Demokratike shprehet se sipas saj mbarë opinioni publik është i revoltuar se si gjithë shteti është vënë deri tani në shërbim të deputetit mik të Ramës, dhe në kurriz të viktimës. “Gjithçka për ta paraqitur viktimën fajtor të aksidentit dhe fajtorin viktimë. Largimi nga vendngjarja pas përplasjes për vdekje të Seit Sorrës, përveçse akt burracak i deputetit Rakipi, është edhe vepër e pastër penale që e rëndon pozitën e tij para ligjit. Por miku i kryeministrit po përfiton nga Edi Rama i cili është në vijim të qëndrimeve të tij të njohura, pranë krimit e larg qytetarëve. Për më tepër, që deputeti Rakipi njihet si pikë kyçe e ndërlidhjes së Edi Ramës me trafiqet”, përfundon deklaratën PD. Deputeti i Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Aqif Rakipi do të përballet me dy akuza, lidhur me aksidentin e mëngjesit të së shtunës, ku me makinën e tij përplasi për vdekje këmbësorin Sait Sorra 54 vjeç. Prokuroria ka ngritur ndaj tij akuzat “Shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Largim nga vendi i aksidentit”, ndërkohë që Rakipi po hetohet në gjendje të lirë. Duke parë nenet e Kodit Penal, shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor, kur ka shkaktuar vdekjen e një personi, dënohet me burgim nga dy deri në dhjetë vjet. Ndërkohë vepra tjetër, “largimi nga vendi i aksidentit”, i drejtuesit të automjetit apo të çdo mjeti të motorizuar, për t’u shmangur nga përgjegjësia penale, civile apo administrative, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit. Pak pas ngjarjes policia bëri me dije se rreth orës 04:41 duke zbardhur e shtuna, në rrugën interurbane kryesore Vorë-Tiranë, në afërsi të mbikalimit të kthesës së Kamzës, konkretisht përballë me tregun ushqimor, ka ndodhur një aksident automobilistik. Menjëherë është nisur patrulla e policisë për të verifikuar informacionin, e cila pak minuta më vonë ka konstatuar një person në rrugë pa shenja jete. Në këto momente, afërsisht në orën 04:51 minuta, komisariati i Policisë nr.2 ka njoftuar që në këtë komisariat është paraqitur deputeti Aqif Rakipi, me automjetin e tij, tip “Mercedes” i dëmtuar në pjesën e përparme të tij. Rakipi deklaroi se ka përplasur një person në autostradë dhe po dorëzohej në komisariat. Policia thotë se është formuar grupi hetimor dhe është kërkuar ndërhyrja e Prokurorit të gatshëm, por nuk u mundësua lidhja nëpërmjet celularit, të cilin e kishte të fikur. Në këto kushte u kryen veprimet e para hetimore në vendin e ngjarjes dhe gjatë kryerjes së veprimeve, u njoftua Prokurori i Rrethit Gjyqësor Tiranë, i cili pasi u informua për rrethanat dhe veprimet e para, kërkoi që krahas ekspertit autoteknik të policisë, të caktoheshin edhe dy ekspertë të tjerë autoteknik të jashtëm, me qellim kryerjen e një ekspertimi autoteknik me grup ekspertesh. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve që shkaktuan aksidentin rrugor me pasojë vdekjen e këmbësorit Sait Sorra, 54 vjeç. Aqif Rakipi në zgjedhjet e 25 qershorit nën siglën e PDIU, siguroi mandatin e deputetit në qarkun e Elbasanit.
Sigal