Akoma nuk ka dënuar arrestimet e mesnatës me metodat naziste dhe falsifikimin e orës së ndalimit

543
Sigal

Petraq BARJAMI

Rekomandimet e Avokatit të Popullit, si kofini pas vjeljes: Policia nuk mund ta ndalojë protestat

Avokati i Popullit, në një raport të publikuar, ka deklaruar dje se qëndrimi i Policisë së Kukësit për të ndaluar protestën në Rrugën e Kombit ishte shqetësues, pasi Policia nuk ka tagër për të lejuar apo kundërshtuar protestat. Për këtë arsye, Avokati i Popullit ka përgatitur një Rekomandim që do t’i paraqitet Kuvendi këto ditë, jo vetëm për këtë rast, por edhe për dy protesta të tjera; atë të opozitës më Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe atë të komunitetit rom në Korçë për vdekjen e dyshimtë të Enea Ftoit.

Avokatja e Popullit nuk denoncon arrestimin dhe falsifikimin e orës së mesnatës

Avokatja e Popullit akoma edhe dje, në rekomandimet e saj, nuk ka dënuar arrestimet e mesnatës të qytetarëve kuksianë protestues nga Policia e Shtetit. Madje, për herë të parë, Avokatja e Popullit pranon që Policia e Shtetit nuk mund të pengojë protestat dhe as të japë leje ose jo, për protestat. Mirëpo, çuditërisht, Avokatja e Popullit nuk denoncoi Policisë e Shtetit pse arrestoi në mesnatë, me metoda naziste protestuesit nga shtëpia. Madje, Policia e Shtetit, për të fshehur këtë shkelje flagrante të ligjit, falsifikoi edhe orën e arrestimit, duke shënuar në procesverbalet përkatëse orët e mëngjesit dhe ende Avokatja e Popullit nuk e ka denoncuar as këtë falsifikim. Gjatë seancave gjyqësore, avokatët dhe vetë protestuesit argumentuan orën e mesnatës, ku ata u arrestuan, madje ka edhe video të publikuar. Përse, vallë hesht Avokatja e Popullit, dhe nuk denoncon këtë shkelje flagrante të Kushtetutës nga Policia e Shtetit? Përse Avokatja e Popullit nuk denoncon Policinë e Shtetit edhe për falsifikimin e orës së arrestimit, ku në gjyq u paraqit ora e mëngjesit dhe jo mesnata, kur u bë faktikisht arrestimi i qytetarëve? Mund të jetë vepër penale djegia e disa barakave që pagimit aty në autostradën e rrugës së Kukësit, për të cilën akoma janë në burg protestues, por më e rëndë është shkelja e të drejtave kushtetuese të qytetarëve nga Policia e Shtetit dhe Avokatja e Popullit, si institucion Kushtetues duhet të denoncojë këto shkelje flagrante të Kushtetutës nga institucione të shtetit në dëm të të drejtave të qytetarëve.

Avokatja e Popullit nuk foli as për qëndrimin e drejtorit të Komisariatit të Policisë, që dhunoi qytetarin pa të drejtë, derisa qytetari u terrorizua psikologjikisht, sa u vetëvra.

Avokatja e Popullit nuk pa as dhunën e torturës për të riun që vdiq në qelinë e policisë

Në lidhje me rastin e vdekjes së qytetarit E. F, në ambientet e Komisariatit të qytetit të Korçës, Institucioni i Avokatit te Popullit hetoi rastin lidhur me veprimet e kryera nga i gjithë zinxhiri veprues i policisë, për të evidentuar çdo veprim apo mosveprim jashtë-rregulloreve të përcaktuara i cili mund të ketë ndikuar në vdekjen e të ndjerit. Avokati i Popullit është ndërkohë në pritje të rezultatit të ekspertizës mjeko-ligjore, me qëllim dhënien e konkluzionit përfundimtar mbi këtë ngjarje të rëndë. Familjarë të të vrarit në qelinë e policisë së Korçës publikuan foto të viktimës, ku dukej qartë shenjat e dhunës policore, mirëpo Avokatja e Popullit nuk i mori parasysh fare këto foto, dhe pret… versionin zyrtar të …vetëvrasjes, për të mbuluar krimin e kryer nga Policia e Shtetit, duke u bërë bashkëfajtore e këtij krimi, derisa në raport shkruan “Gjithsesi, nga hetimi i kryer për këtë rast deri në këto momente nuk kemi mundur të konstatojmë veprime sikurse janë ato të bëra publike në media dhe të pretenduara nga familjarët e të ndjerit të cilat mund të kenë çuar në vdekjen e tij”.