Akademiku Alfred Uçi:Është domosdoshmëri reformimi i sistemit politik

497
Sigal

Ata që nuk durojnë të mbeten pa pushtet as edhe një ditë, duke mos nxjerrë asnjë mësim nga humbja e fundit, shkojnë drejt një humbjeje të përsëritur e përfundimtare.

Akademiku Alfred Uçi, në pjesën e dytë të intervistës ekskluzive për “Telegraf” shpjegon edhe arsyet përse tranzicioni në Shqipëri zgjat më shumë, e krahasuar me vendet ish-komuniste. Më tej, Profesor Uçi thotë se, tashmë ka perënduar koha e “Njëshit”, duke kritikuar të gjitha tendencat e kultit të individit dhe, njëkohësisht, thotë se liderët politikë në demokraci janë të përhershëm. Akademiku Uçi shtron si domosdoshmëri reformimin e bërjes së politikës dhe kjo fillon nga katharsi i brendshëm i vetë partive. Sarkazma e akademikut Uçi prek edhe faktin e 65 partive politike që konkurruan në zgjedhje, e kjo shumicë për lumë është në dëm të vetë demokracisë. Akademiku Uçi shpjegon se 3 janë kolonat e pluralizmit demokratik. E Djathta, e Majta dhe  Qendra e Djathtë ose e Majtë.

– Prof. Uçi, sipas jush, përse ka zgjatur shumë tranzicioni  në Shqipëri, në krahasim me vendet e tjera ish- socialiste?

– Ka pasur shumë faktorë të brendshëm e të jashtëm, që e kanë e zvarritur, por mund të përmendim disa shkaqe. Vendet e tjera europiane, ish-socialiste, i kishin nisur transformimet demokratike më shpejt në kohë, kur porsa kishte vdekur Stalini dhe kur ishte dobësuar vartësia e tyre nga Moska, kurse tek ne nga Enver Hoxha u thelluan edhe më tej proceset e stalinizimit të vendit dhe u kundërshtua politika e pajtimit të Bashkimit Sovjetik me Jugosllavinë e Titos. Dhe më tej, udhëheqja partiake shqiptare kishte frikë se mos humbiste pushtetin e do t’i duhej të jepte llogari për prapësitë që kishte bërë dhe zgjodhi të bëjë zhurmë propagandistike të marrë si “vendi i vetëm besnik ndaj “marksizëm-leninizmit”. Realisht, e futi vendin në armiqësi me të gjithë, i imponoi vendit një izolim gati absolute dhe në një krizë pa rrugëdalje. Në vendet ish-socialiste europiane kishte grupe të tëra intelektualësh e specialistësh shumë të mençur, kishte disidentë të shquar që kishin eksperiencë të gjatë dhe vendosmëri për t’u ndarë sa më shpejt nga sistemi diktatorial, kurse tek ne, kur u rrëzua regjimi enverian, pushtetin Ramiz Alia ua dorëzoi ca studentëve dhe ca njerëzve që kishin kaluar nëpër kurset e format e edukimit partiak dhe që kishin qenë të lidhur me Sigurimin e Shtetit, që ishin kaluar nëpër të ashtuquajturat “forma partiake të edukimit”, prandaj  ata, veç klithmave e thirrjeve të ca parullave, s’dinin gjë tjetër për të qenë. Popullit të pakënaqur, që kërkonte liri e demokraci i servirnin ca premtime tragjikomike, si “çekun e bardhë”, si bankat piramidale, që grabitën kursimet modeste të qindra mijëra shqiptarëve, që ishin të gatshëm të përdornin dhunën  kundër popullit, në vend të shpallnin e të mbronin lirinë, demokracinë, mirëqenien dhe paqen në rrugën drejt Bashkimit Europian. Njerëz pa biografi, nga ish-familje kolaboracionistësh të vjetër u bënë më të parapëlqyerit për t’i ngritur në përgjegjësitë më të larta të shtetit. Një mjek pediatër i ndershëm e bënë ministër të Jashtëm, një llogaritar kooperative e bënë ministër të Ekonomisë, një mësues që shiste peshk – ministër të Mbrojtjes e një tjetër të tillë kryetar të SHIK-ut etj., etj..  Prandaj s’kishte si të mos pengoheshin transformimet demokratike në kohën e fillimeve të periudhës të tranzicionit.

– Cilat do të jenë sfidat e të dy krahëve të kundërt të politikës shqiptare?

Unë nuk guxoj të jap parashikime sfidash të sakta, se ato kanë qenë shpesh të habitshme  e  tronditëse dhe i kanë provuar edhe e Majta, edhe e Djathta. Madje, mua nuk më pëlqen fort termi i “sfidës”, sepse  kjo fjalë bart një nuancë mospajtimi, kërcënimi dhe inati. Vendi ka nevojë për angazhime madhore politike, sociale, ekonomike, kulturore dhe për marrëdhënie me të vërtetë njerëzore, humane që t’i sjellin vendit mbarësi e progres të përgjithshëm. Sfida bëjnë forcat politike, që supozojnë se janë “njësha” të pagabueshëm, që kanë monopolin e së vërtetës. Qysh nja 15 vjet përpara, kur zhvilloheshin konflikte të ashpra, armiqësie irracionale brenda shoqërisë sonë, në një artikull pata shkruar ca fjalë, që  kam dëshirë t’i përsëris në vend të thirrjeve për sfida: “Ka ikur tashmë koha e “njëshave”.Teoritë e “Njëshit”, Duçes, Hitlerit, Vozhdit, “Komandantit” dështuan në shek. XX; ato u dhanë ithtarëve rë tyre “lavdi neroniane”, të ngritur mbi viktima e mundime, që njerëzimi i sotshëm nuk mund t’i harrojë”. Vendi nuk ka nevojë për “mbinjerëz”, por ka nevojë për liderë të përkohshëm, që ju mjafton koha të ngrihen mbi  interesat personale të vogla, që me aftësi e përvoja të mjaftueshme jetësore e profesionale, me kulturë, urtësi e nder të sjellin mirëkuptim, të shmangin përplasjet armiqësore, të sjellin paqe e stabilitet të qëndrueshëm për t’i bashkuar forcat krijuese të kombit, duke qëndruar pranë popullit e halleve të tij, për ta përshpejtuar procesin e integrimit në qytetërimin e BE-së. Në vendet e qytetëruara demokratike janë përpunuar metoda e forma të përshtatshme për të krijuar lidhje komunikuese midis liderëve dhe popullit. Qeveritë e këtyre vendeve , kur ndeshen me probleme të ndërlikuara e të vështira,  nuk marrin vendime pa bërë plebishite, referendume,studime shkencore, pyetësorë e forma të tjera, domethënë pa e pyetur popullin, zgjedhësit që votojnë, madje edhe ata që janë mërzitur dhe abstenojnë, duke mos votuar.

 Kuptimi i rezultatit të zgjedhjeve të fundit të lira e relativisht të qeta krijoi mundësinë që të hiqet dorë nga “sfidat”  mitingashe, me  entuziazëm parullash dhe britmat  gëzimi të fitores e me ulërima rikthimi, në një kohë që s’janë tharë lotët e humbjes. Të dy palët kryesore  kanë favorin të veprojnë në kushte më të favorshme, të punojnë me mjete e forma efikase demokratike për të ndërtuar. Këtë mundësi e dëgjuam në përmbajtjen e mençur e të urtë të fjalës që mbajti lideri i PS-së, me rastin e fitores,  por këto ditë në shtypin, në masmedia mbizotërojnë britmat e atyre që duan të rikthejnë  sa më shpejt pushtetin që e humbën për faje të rënda të tyre. Por zgjedhjet e fundit treguan, gjithashtu, se masat e gjëra të popullit, ku përfshihen inteligjencia e  brezat e rinj breza kanë një kulturë politike më të lartë, të fituar në kushtet e pluralizmit dhe demokracisë, arsimit dhe informimit nga Interneti, nga masmediat, që  i kanë bërë më të aftë për ta dalluar shapin nga sheqeri. Prandaj, ata që nuk durojnë të mbeten pa pushtet as edhe një ditë, duke mos nxjerrë asnjë mësim nga humbja e fundit, shkojnë drejt një humbjeje të përsëritur e përfundimtare. Aq më tepër se vendin bosh që lenë, do ta zënë brezat e rinj, që po vinë, të pajisur me kulturë politike demokratike europiane, që do të përfaqësojnë një të djathtë ndryshe nga e Djathta e çoroditur, që humbi me parullat démodé, do të jetë një e Djathtë me ata që e kanë braktisur e po e braktisin PD-në e sotme, në favor të një të Djathte liberale moderne, që ndoshta mund ta kuptojë  e pranojë se Shqipëria , ashtu si edhe bota në përgjithësi, kanë hyrë e po hyjnë në një epokë të re progresive. Prandaj, e quaj të nevojshme që të dy palët e sotme sfidat  e tyre duhet t’i ndërtojnë jo me plane intrigash e mashtrimesh ideologjike e politike, por me  programe të studiuara, të mençur, ndërtuese  dhe nga ato që ushqejnë grindje, armiqësi, luftë midis njëkombësve. Ta rrethojnë veten nga specialistë të zot e të ndershëm, që punojnë në të gjitha fushat e jetës, të zgjedhin grupe këshilltarësh të urtë për të kuptuar të metat, gabimet, por edhe rrugët e mjetet e sakta për të ndërtuar e për të mos prishur.

– Si mund të përmirësohet përbërja e partive politike të sotme?     

 – Duhet të bëjnë katharsis. Pluralizmi  i gjithanshëm e ka bërë të mundur që në tërë shoqërinë, në sektorët e ndryshëm të jetës, madje edhe në fushën politike, që njerëzit të kenë ide e mendime të ndryshme, të larmishme, të mira e të këqija, të bukura e të ndotura, progresiste e anakronike. Ky pluralizëm meriton të konsolidohet e të pastrohet brenda secilës partie,  jo vetëm të kryesive të tyre, por të gjithë kontingjenteve të anëtarëve e simpatizantëve, që të afirmohet katharsisi si metodë e përhershme e tyre. Me debate demokratike partitë të spastrohen nga njerëzit me ide të  gabuara, me të meta e huqe imorale, gënjeshtarë e batakçinj. Forcimi i demokracisë të brendshme nënkupton edhe lirinë e opinioneve të ndryshme brenda orientimit themelor të programeve partiake, nënkupton zhvillimin e kritikës  dhe autokritikë konstruktive, pasurimin e përsosjen e programeve dhe vendimeve të drejta për ta forcuar unitetin, tolerancën, barazinë dhe afrimin e pajtimin e ideve, mendimeve e propozimeve të drejta të reja, që përputhen me ndryshimet e jetës së shoqërisë, për të mënjanuar dogmatizmin në idetë e veprimet e tyre.

 Spastrimi është detyrë e rritje e fuqizimit, jo vetëm e të majtës, por  edhe e PD-së, e cila ka nevojë për katharsis, sidomos tani që humbi, për të shfaqur lirisht brenda saj jo justifikime dhe lavdërime bajate të atyre që turren për t’u ngjitur lart e më lart në piramidën partiake dhe të atyre që janë futur në këtë parti se e kanë xhepin e madh për të vjedhur, për ta mbushur me paratë e korrupsionit.

– Përveç partisë a nuk ka probleme edhe në tërë sistemin shoqëror?

– Katharsi është ilaç, që i sjell shëndet çdo sektori dhe gjithë jetës shoqërore. Leximi i vëmendshëm  i rezultatit të zgjedhjeve të fundit tregon se demokracia e sotme ka nevojë të forcohet në shumë drejtime. Ajo nuk është plotësisht reale, është formale e fiktive në mjaft drejtime. Ajo është formale, kur shumica e deputetëve nuk flasin asnjëherë në parlament e nuk njihen nga populli. Ajo është formale kur mohohet nga ekzistenca e veprimi i tarafeve, klaneve, grupeve të krimit të organizuar, nga lobe që pasurohet me anë të korrupsionit e veprimesh kriminale të paligjshme, nga grupe të tjerë mafiozë që i kthejnë në monopol fitimprurës institucione të tëra, shtypin, qendra televizive, salla shtetërore konferencash, institucionesh, të cilat i shndërrojnë në vatra fitimprurëse, që monopolizojnë sektorë të rëndësishëm shtetërorë ose  qendrat  botuese, letrare, artistike, arsimore, duke gjymtuar funksionet legjitime të tyre, duke mbytur frymën krijuese  të kulturës kombëtare.

Në këtë fushatë u vu re prania e 65 partive politike, që shumica e tyre nuk mori as votat e kryesisë së partisë. Domosdoshmërisht, ky fluks i partive  a është dëshmi e pluralizmit të shëndoshë dhe  a i shërben demokracisë?

– Forcimi  i mëtejshëm i shtetit të së drejtës dhe i  sistemit politik kombëtar qendror e  vendor pengohet nga ekzistenca e 60-70 partive, që gjallërohen kryesisht vetëm gjatë fushatave zgjedhore, kur i kërkojnë shtetit t’u paguajë fonde nga buxheti. Me to qeshim e i përqeshim, jo vetëm ne vendasit, por edhe të huajt dhe, kanë të drejtë të qeshin. Një vendi të vogël, me një popullsi gjithashtu, të vogël,  s’ka ç‘i duhen 70 parti parazitare. Nuk cenohet as pluralizmi politik, as demokracia liberale e vërtetë, në qoftë se pakësohet fort numri i partive të tilla.

– Cilat do të ishin kolonat e një pluralizmi të shëndoshë demokratik?

– Në botën e pluralizmit të sotëm politik e ideologjik mua më duket se ka tre drejtime themelore të krijimit të partive politike efikase. Që nga koha e Revolucionit të madh francez janë justifikuar tre ndarje themelore politike dhe në botën e sotme, gjithashtu, përherë e më shumë po përkrahet e pëlqehet kjo ndarje: e Majta dhe e Djathta. Por meqenëse struktura sociale e shumicës të vendeve është komplekse, përligjet krijimi edhe i partive të qendrës (të majtë ose të djathtë). Prandaj, më duket se edhe tek ne do të duhej në dobi të stabilitetit politiko-social të shoqërisë sonë demokratike të zbatohej kjo ndarje e trefishtë e të pakësohej numri i partive, sado tërheqës, origjinal e i bukur të jetë emri i shumicës së madhe që kemi tani. Por ajo që mbetet, meriton të përsoset; në perspektivë ka rëndësi të konsolidohet  karakteri i tyre specifik: e Majta të jetë e Majtë në përbërje, në program,veprime e synime, ashtu si e Djathta të jetë vërtet e Djathtë vërtet moderne e demokratike. Shikoni edhe Italinë, pranë nesh, çfarë kaosi dhe ngatërresa krijohen jo vetëm nga emrat.

Aq më tepër, nuk janë serioze dhe nuk janë vetëm për të qeshur disa lëvizje, kur disa që kanë qenë të majtë, kalojnë në të djathtën (duke u shitur e u blerë dhe e kundërta); kur diferencohet e majta socialiste në disa parti fare të vogla, që s’mund të ekzistojnë po nuk u mbështetën nga Partia Socialiste. Kështu, edhe në të djathtën kemi disa parti me emrin “demokratike” dhe luftojnë njëra me tjetrën, kurse zgjedhësit nuk mund ta kuptojnë se ç‘është e djathta e sotme, moderne, europiane.

Prandaj them që e Majta të jetë e Majtë, që brenda saj të forcohet fryma demokratike, disiplina e brendshme, toleranca dhe pluralizmi i majtë. Por nuk e kam quajtur të pamundur edhe ekzistencën e partive të qendrës së majtë, siLSI-ja që ka vepruar me sukses për një kohë të gjatë si e tillë, dhe duke hyrë në aleancë me Partinë Socialiste e dëshmon veten si e parti e majtë me përbërje sociale, me programin  dhe me veprime, që së bashku me partitë e tjera, formuan një shumicë dinjitoze dhe siguruan fitoren.

Prof. Uçi, ajo çka bëri përshtypje në koalicionet zgjedhore, ishte se brenda të njëjtit grupim kemi parti që ideologjikisht kundërshtojnë njëra-tjetrën, sikurse republikanët me monarkët. Për hir të një shumatoreje vote, ka sens politik kjo konglomeratë politike?

– Në kohën e sotme jeta shoqërore karakterizohet nga një dinamizëm i madh, nga lëvizje e shpejtë, prandaj këto prirje shprehen edhe në jetën politike. Në këtë kuptim nuk mund të ndalohen me “mur kinez”, (që as kinezët e sotëm nuk i ndan), edhe lëvizje ose bashkëpunim midis partive të ndryshme, por ato janë të mira, kur veprojnë përkohësisht dhe në mënyrë parimore, duke mbrojtur interesat e përbashkëta kombëtare, ose për çështje të veçanta, por jo me hile dhe me mashtrime të fizionomisë së tyre themelore. Ka pasur tek ne aleancë, për shembull, midis Partisë Republikane me parti monarkiste, në kushtet kur vendi me Kushtetutë është vetëm REPUBLIKË. Ky fakt është një nonsens politik, siç është i  tillë shitja e blerja me para e njerëzve,  që kanë bindje të qëndrueshme politike. Por kjo s’do të thotë se ndodh që bindjet ndryshojnë nga vetë ndryshimi i shoqërisë dhe, prandaj, mund të ndryshojë përkatësia partiake e sinqertë dhe e vërtetë, sepse do të ishte nonsens që një monarkist apo kolaboracionist, të futet në Partinë socialiste të majtë e për më tepër të mbrojë aty pikëpamjet e vjetra anakronike. Pra, mbetet për të ardhmen për secilën parti të forcojë fizionominë e vet, duke siguruar demokraci të brendshme tolerante demokratike të brendshme.

 Ndonjëherë tjetër do të duhej të diskutoheshin edhe probleme të tjera, që kanë të bëjnë me bashkëpunimin e shqiptarëve që jetojnë në shtete të tjera me shtetin tonë, problemet e qëndrimit të vendit tonë në raport me vendet e tjera, problemet e kulturës, shkencës, arsimit, letërsisë e arit dhe qendrave televizive dhe botimeve të gazetave, revistave të ilustruara dhe të instituteve të panumërt privatë me emra kinse shkencore-kulturorë për laicizmin e shtetit dhe besimeve të lira fetare etj..

 Ka perënduar koha e Njëshit

“Ka ikur tashmë koha e “njëshave”. Teoritë e “Njëshit”, Duçes, Hitlerit, Vozhdit, “Komandantit” dështuan në shek. XX; ato u dhanë ithtarëve të tyre “lavdi neroniane”, të ngritur mbi viktima e mundime, që njerëzimi i sotshëm nuk mund t’i harrojë”. Vendi nuk ka nevojë për “mbinjerëz”, por ka nevojë për liderë të përkohshëm, që ju mjafton koha të ngrihen mbi  interesat personale të vogla, që me aftësi e përvoja të mjaftueshme jetësore e profesionale, me kulturë, urtësi e nder të sjellin mirëkuptim, të shmangin përplasjet armiqësore, të sjellin paqe e stabilitet të qëndrueshëm për t’i bashkuar forcat krijuese të kombit, duke qëndruar pranë popullit e halleve të tij, për ta përshpejtuar procesin e integrimit në qytetërimin e BE-së.

  Kuptimi i rezultatit të zgjedhjeve të fundit të lira e relativisht të qeta krijoi mundësinë që të hiqet dorë nga “sfidat”  mitingashe, me  entuziazëm parullash dhe britmat  gëzimi të fitores e me ulërima rikthimi, në një kohë që s’janë tharë lotët e humbjes

 E quaj të nevojshme që të dy palët e sotme sfidat  e tyre duhet t’i ndërtojnë jo me plane intrigash e mashtrimesh ideologjike e politike, por me  programe të studiuara, të mençur, ndërtuese dhe nga ato që ushqejnë grindje, armiqësi, luftë midis njëkombësve. Ta rrethojnë veten nga specialistë të zot e të ndershëm, që punojnë në të gjitha fushat e jetës, të zgjedhin grupe këshilltarësh të urtë për të kuptuar të metat, gabimet, por edhe rrugët e mjetet e sakta për të ndërtuar e per të mos prishur.

 Demokracia e brendshme e vetë partive politike

Me debate demokratike partitë të spastrohen nga njerëzit me ide të  gabuara, me të meta e huqe imorale, gënjeshtarë e batakçinj. Forcimi i demokracisë të brendshme nënkupton edhe lirinë e opinioneve të ndryshme brenda orientimit themelor të programeve partiake, nënkupton zhvillimin e kritikës dhe autokritikë konstruktive, pasurimin e përsosjen e programeve dhe vendimeve të drejta për ta forcuar unitetin, tolerancën, barazinë dhe afrimin e pajtimin e ideve, mendimeve e propozimeve të drejta të reja, që përputhen me ndryshimet e jetës së shoqërisë, për të mënjanuar dogmatizmin në idetë e veprimet e tyre.

 Demokraci  funksionale, jo formale

Demokracia është formale, kur shumica e deputetëve nuk flasin asnjëherë në parlament e nuk njihen nga populli. Ajo është formale kur mohohet nga ekzistenca e veprimi i tarafeve, klaneve, grupeve të krimit të organizuar, nga llobe që pasurohet me anë të korrupsionit e veprimesh kriminale të paligjshme, nga grupe të tjerë mafiozë që i kthejnë në monopol fitimprurës institucione të tëra, shtypin, qendra televizive, salla shtetërore konferencash, institucionesh, të cilat i shndërrojnë në vatra fitimprurëse, që monopolizojnë sektorë të rëndësishëm shtetërorë ose  qendrat  botuese, letrare, artistike, arsimore, duke gjymtuar funksionet legjitime të tyre, duke mbytur frymën krijuese  të kulturës kombëtare.

 Bashkëpunimi ndërpartiak për interesa të përbashkëta kombëtare

Nuk mund të ndalohen me “mur kinez”, (që as kinezët e sotëm nuk i ndan), edhe lëvizje ose bashkëpunim midis partive të ndryshme, por ato janë të mira, kur veprojnë përkohësisht dhe në mënyrë parimore, duke mbrojtur interesat e përbashkëta kombëtare, ose për çështje të veçanta, por jo me hile dhe me mashtrime të fizionomisë së tyre themelore. Ka pasur tek ne aleancë, për shembull, midis Partisë Republikane me parti monarkiste, në kushtet kur vendi me kushtetutë është vetëm REPUBLIKË. Ky fakt është një nonsens politik, siç është i  tillë shitja e blerja me para e njerëzve,  që kanë bindje të qëndrueshme politike. Por kjo s’do të thotë se ndodh që bindjet ndryshojnë nga vetë ndryshimi i shoqërisë dhe, prandaj, mund të ndryshojë përkatësia partiake e sinqertë dhe e vërtetë, sepse do të ishte nonsens që një monarkist apo kolaboracionist, të futet në Partinë socialiste të majtë e për më tepër të mbrojë aty pikëpamjet e vjetra anakronike. Pra, mbetet për të ardhmen për secilën parti të forcojë fizionominë e vet, duke siguruar demokraci të brendshme tolerante demokratike të brendshme.

 3 kolonat e pluralizmit të shëndoshë demokratik

Në botën e pluralizmin e sotëm politik e ideologjik mua më duket se ka tre drejtime themelore të krijimit të partive politike efikase. Që nga koha e Revolucionit të madh francez janë justifikuar tre ndarje themelore politike dhe në botën e sotme, gjithashtu, përherë e më shumë po përkrahet e pëlqehet kjo ndarje: e Majta dhe e Djathta. Por meqenëse struktura sociale e shumicës të vendeve është komplekse, përligjet krijimi edhe i partive të qendrës (të Majtë ose të Djathtë). Prandaj, më duket se edhe tek ne do të duhej në dobi të stabilitetit politiko-social të shoqërisë sonë demokratike të zbatohej kjo ndarje e trefishtë e të pakësohej numri i partive, sado tërheqës, origjinal e i bukur të jetë emri i shumicës së madhe që kemi tani. Por ajo që mbetet, meriton të përsoset; në perspektivë ka rëndësi të konsolidohet  karakteri i tyre specifik: e Majta të jetë e Majtë në përbërje, në program,veprime e synime, ashtu si e Djathta të jetë vërtet e Djathtë vërtetë moderne e demokratike. Shikoni edhe Italinë, pranë nesh, çfarë kaosi dhe ngatërresa krijohen jo vetëm nga emrat.