Akademik prof. Anastas Angjeli/ Integrimi është sfida jonë

498
Bashkëpunimi më i mirë në rajonin tonë dhe më gjerë vjen nga mendimi dhe zhvillimi, vjen nga idetë. Vetë BE-ja u ideua u ngrit, përparoi, zhvillohet dhe sfidon në botën globale, duke e kërkuar gjetur dhe ushqyer zhvillimin nga idetë progresive, nga moderniteti real dhe i prekshëm, nga zhvillimi ekonomik, financiar bankarë dhe monetarë, nga zhvillimi kulturor dhe edukimi i pandërprerë. Debati publik shkencor akademik dhe profesional për çështje të rëndësishme për të ardhmen e një vendi dhe të një rajoni si dhe për bashkëpunimin dhe integrimin rajonal, sot më shumë se në çdo periudhë tjetër është jo vetëm një detyrim qytetar e profesional për të gjithë komunitetin akademik e shkencor, por edhe një domosdoshmëri, nevojë dhe kusht i zhvillimit dhe i progresit. Ky është parimi që udhëheq filozofinë e punës së Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë që nga themelimi i tij. Konferencat shkencore të këtyre përmasave janë ngjarje për vendin tonë, për rajonin, por edhe për Europën. Shkëmbimi i hapur i mendimeve, ballafaqimi debatues, kundërshtimi me argumente, dhe gjetja e qasjeve komplementare; do të na shpien në parashtrimin e problematikave vendore dhe rajonale, në ravijëzimin e zgjidhjeve të mundshme, por edhe në gjetjen e rrugëve të bashkëpunimit për ndërtimin e një sinergjie institucionale rajonale dhe partneriteti më të gjerë Europian., etj. Në këtë nismë për organizimin e kësaj konference shkencore ne bashkëpunim me EURAS, rrjeti i Universiteteve Euroaziatike, janë përfshirë një numër i madh Universitetesh të vendit tonë, rajonit të Ballkanit, Evropës, Euro-Mesdheut dhe të Azisë. Pra, një rrjetë i gjerë akademikë e shkencorë, me dëshirën dhe vullnetin për të bashkëpunuar në dobi të zhvillimit dhe të integrimit të rajonin tonë në BE. Qëllimi i konferencës është të vëmë në dukje ato karakteristika që na bashkojnë dhe mbi të cilat mund të thellojmë bashkëpunimin tonë, gjithmonë duke pasur parasysh se destinacioni ynë i përbashkët është BE-ja. Njëkohësisht, qëllimi i gjithë pjesëmarrësve dhe referuesve është edhe evidentimi i problematikave, si dhe propozimi i përmirësimeve të mundshme, me synim final thellimin e integrimit dhe bashkëpunimit rajonal. Zhvillimi në shoqërinë e sotme globale nuk mund të vij nga qasjet e mbyllura lokale, por nga unitet e bashkëpunimit, ku ndërtohet “inteligjenca kolektive” dhe ku evidentohen prirjet e zhvillimit afatmesëm dhe afatgjatë. Horizontet fillimisht kapen nga idetë progresive, pastaj maten me hapat e strategjive të zhvillimit. Pa ide të tilla s’ka zhvillim. Zhvillimin politik të demokracive tona të gjitha vendet e rajonit e realizuan veç e veç. Le të punojmë që integrimin ta zhvillojmë së bashku. Le të rikthejmë kujtesën tonë në vitin 1948, kur për herë të parë Churchill paraqiti në kongresin evropian vizionin e tij për Evropën duke hedhur tezën: ”Këtu (në Evropë) secili duhet ta ndjejë veten si në shtëpinë e tij”. Ky është një qëllim madhor, për të cilin mendimi i botës akademike duhet të kontribuojë dhe të mbështesë dhe klasën politike të vendeve tona. Tematika kryesore e Konferencës do të mbështetet në analizën e realitetit ekonomik, politik, social, universitar, dhe demokracisë institucionale të rajonit të Europës Juglindore. Këndvështrimi është jo thjesht kombëtar, por edhe rajonal. Kemi nevojë për një përqasje më vizionare për të ardhmen e tregut tonë rajonal dhe rrugën e përbashkët drejt Bashkimit Evropian. Ekonomitë e vendeve tona kanë nevojë të bashkëpunojnë por edhe te specializohen të diversifikohen në ato fusha ku çdo vend mund të japë më shumë, kjo është rruga më e mirë për të kontribuar edhe për ekonominë e Bashkimit Evropian. Duhet mbajtur në fokus si Rajon, se ekonomi e zhvilluar do të thotë më shumë stabilitet, arsimi modern siguron më shumë perspektivë europiane dhe zhvillim më harmonik në aspektin gjeosocial, më shumë kërkim shkencorë e teknologjik në shoqëritë tona, më shumë prosperitet social dhe individual do të kemi. Urat e bashkëpunimit po zgjerohen gjithnjë e më shumë, jo vetëm me marrëveshjet e tregtisë së lirë dhe të asaj CEFTA, por edhe nga thellimi i zgjerimit të lirive ekonomike dhe të reformave strukturore, nga zbatimi i projekteve konkrete të përbashkëta, nga zgjerimi i mëtejshëm i rrjeteve infrastrukturore rrugore, të cilat duhet të marrin një zhvillim edhe më të madh. Ky bashkëpunim nuk do të kishte kuptim pa zhvillimin dhe mirëfunksionimin e tregut energjetik rajonal, të tregut të punës, bashkimeve doganore dhe harmonizimit fiskal. etj.. A mund të kemi një bashkëpunim të frytshëm ekonomik pa forcuar bashkëpunimin në fushën e arsimit, kërkimit shkencor, inovacionit, teknologjisë së informacionit? Teknologjitë e reja inovacioni gjithmonë e më shumë po luajnë një rol thelbësor në zhvillimin ekonomik të vendeve dhe të rajoneve.. Prandaj kërkohet bashkëpunim më i ngushtë në fushën e shkencës-teknologjisë-inovacionit teknik. Teknologjitë e reja janë ngushtësisht të lidhura me një sistem arsimor cilësor dhe bashkëkohor. Roli i brezave të rinj të arsimuar në mënyrë cilësore është thelbësor në rritjen ekonomike të një vendi dhe të një rajoni. Në këtë kontekst vazhdimi dhe thellimi i reformave të ndërmarra nga të gjithë vendet e rajonit në fushën e arsimit, dhe sidomos Arsimit të Lartë, luajnë rolin kryesor dhe rrisin ndikimin e kontributit të arsimit të lartë në zhvillimin ekonomik. Vendi ynë është përfshirë në një diskutim të gjerë, mbarëkombëtar për realizimin e një reforme tërësore, efikase e të dobishme të arsimit në përgjithësi, profesional dhe atij të lartë në veçanti. Në thelb të reformimit të sistemeve tona të Arsimit të Lartë do duhet të jetë ai që quhet “Curricular Revolution”. Revolucioni kurrikular. I varfër nuk është ai vend apo ai rajon që ka nivel të ulët ekonomik, pasi kjo gjendje përmirësohet hap pas hapi. I varfër është ai vend, apo ai rajon që nuk e ndryshon korpusin e ideve, nuk e përmirëson mentalitetin dhe nuk futet me kurajë njerëzore dhe institucionale në rinovimin e mendimit shkencorë. Kjo është sfida e shoqërive tona.
Pas 6-7 viteve të krizës së thellë globale dhe në eurozonë, premisat për rimëkëmbje janë më reale se kurrë, megjithëse rreziqet ekzistojnë ende. Reformat e ndërmarra nga vendet anëtare, por edhe nga be-ja po japin efekte pozitive, për sa i përket uljes së deficiteve, borxhit publik dhe stabilizimit financiar, por tashmë fokusi po zhvendoset gjithnjë e më shumë drejt rritjes së qëndrueshme ekonomike, shërimit të papunësisë, sidomos tek të rinjtë dhe plagëve të tjera sociale. Çfarë masash duhen marrë për këtë qëllim? A ishte rruga e masave shtrënguese ajo e duhura? Çfarë duhet bërë me qëllim që ritmet e rritjes ekonomike të rriten dhe të gjenerohen vende të reja pune? Po vendet e evropës juglindore si u përballën me krizën dhe a po ndërmarrin reformat e duhura? Më tej. Nuk do të mbeten jashtë debatit shkencor çështjet dhe prioritetet që lidhen me sfidat me të cilat përballen vendet e rajonit, si vende kandidate për në be, (siç është rasti i vendit tonë me pesë prioritete e veta, reforma në administratën publike, reforma në sistemin e drejtësisë, lufta ndaj korrupsionit, të drejtat e njeriut duke përfshirë të drejtën e pronës). E pra, çdo reformë, çdo politikë e ndërmarrë nga be ka rëndësi direkte edhe për rajonin e evropës juglindore, ashtu siç dhe reformat e suksesshme në vendet tona, kanë rëndësi për të ardhmen e vendeve të rajonit tonë dhe të vetë be-së. 
Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë dhe Unioni i Universiteteve Euroaziatike EURAS organizuan Konferencën Shkencore Ndërkombëtare “South East Europe as a Common Market”. Në Seancën Plenare merrnin pjesë përfaqësues të botës akademike, politike, diplomatike. Fjalën hapëse te Konferencës e mbajti Prof. Dr. Anastas Angjeli i cili vuri në dukje rëndësinë që debati publik shkencor akademik dhe profesional ka për çështje të rëndësishme për të ardhmen e një vendi dhe të një rajoni si dhe për bashkëpunimin dhe integrimin rajonal. Sot më shumë se në çdo periudhë tjetër ky dialog dhe debat, është jo vetëm një detyrim qytetar e profesional për të gjithë komunitetin akademik e shkencor por edhe një domosdoshmëri, nevojë dhe kusht i zhvillimit dhe i progresit. Në Seancën Plenare të Konferencës Kryeministri i Shqipërisë z. Edi Rama në fjalën e tij analizoi mundësitë dhe prioritetet e bashkëpunimit ndër rajonal. Në Sesionin e parë të Seancës Plenare referoi Presidenti i Akademisë Evropiane të Shkencave dhe Arteve Prof. Dr. Felix Unger, Presidenti i EURAS Prof. Dr. Mustafa Aydin si dhe Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë Prof. Dr. Muzafer Korkuti. Konferenca në seancën plenare dhe në sesionet tematike analizon realitetin ekonomik, politik, social të rajonit të Evropës Juglindore, e parë nga një këndvështrim rajonal dhe jo kombëtar. Konferenca trajton situatën ekonomike e financiare të rajonit kushtet e periudhës së post krizës globale në përgjithësi dhe asaj të Eurozonës në veçanti, sfidat aktuale dhe të së ardhmes, perspektivën e zhvillimit të rajonit në këndvështrimet e reja ekonomike si dhe perspektivën evropiane të vendeve që nuk janë ende anëtare të Bashkimit Evropian. Në Konferencë trajtohen raste nga të gjitha vendet e rajonit, dhe krahasohen përvojat kombëtare dhe do të jepen rekomandime për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik rajonal, për rritjen e shkëmbimeve tregtare ndërmjet vendeve të rajonit si dhe për intensifikimin e dialogut politik dhe social ndërmjet vendeve të rajonit. 
Sigal