Akademik Artan Fuga: Të shkarkohen bordet dhe të pezullohet funksioni i tyre

572
Sigal

Bordet e administrimit të universiteteve publike duhen shkarkuar dhe të pezullohet funksionimi i tyre!

Bordet e administrimit të universiteteve publike duhen shkarkuar brenda ditës dhe të pezullohet sot funksionimi i tyre! Pse e argumentoj njërën nga 11 propozimet që kam bërë për zgjidhjen e krizës të rëndë të universiteteve shqiptare që po shfaqet, fatmirësisht, në këto ditë protestash studentore? Sapo studentë dhe organizata studentore më dërguan listën e personave që janë sjellë nga ana e dikasterit në bordet e universiteteve publike u ndesha para një të vërtete të hidhur. Shumica, pothuajse të tërë këta persona, me të cilët në vetvete nuk kam asgjë, janë ose nëpunës të ministrisë të arsimit, ose nëpunës të agjencive të saj (agjenci që mos qofshin) ose nëpunës të pushtetit lokal, apo figura politike të dorës së tretë a të katërt politike lokale të shumicës qeverisëse! Nuk është se nuk e dija këtë të vërtetë. Nuk ishte se e kisha lënë pa denoncuar këtë hidhërim, bashkë me kolegët e forumit të lirive universitare kishim kërkuar madje shkarkimit e përfaqësuesve të dikasterit në bordin e administrimit të Universitetit të Tiranës. Por, më kot! Por, kur pashë listën që kishte rënë në dorë të studentëve më erdhi një farë neverie. Si është e mundur bre?!

Si kemi arritur deri këtu? Çfarë turpi!!!

E para këta njerëz janë në konflikt të rëndë interesi. Këta duhen shkarkuar urgjent sot, se nesër është vonë! Të shkojnë të bëjnë punën e tyre atje ku janë dhe të mos përzihen në administrimin e universiteteve, sepse mbajnë përndryshe përgjegjësi të rëndë. Një nëpunës ministrie edhe na qenka pjesë e bordit të një universiteti autonom edhe na qenka nëpunës i ministrisë apo i agjencive të saj (Agjenci që mos qofshin) që duhet të kontrollojnë apo vlerësojnë punën e këtyre universiteteve.

Vetë Ali dhe vetë Kadi!

Deri këtu që edhe nëpunës të ministrisë shkelin kodin etik minimal të nëpunësit, duke pranuar privilegje të tilla monstruoze – nuk e kisha menduar.

Ky është korrupsioni

Bashkë me korrupsionin universitar që përmend me të drejtë opinioni studentor. Ngjyerja e gishtit në mjaltin e korrupsionit filloka qysh te nëpunësit e agjencive dhe drejtorive të ministrisë. Çfarë duan pushtetarë lokalë nënkryetarë bashkish, ta zëmë si ai i Tiranës, që të jenë në bordin drejtues të Universitetit të Tiranës. As në kohën e Enver Hoxhës nuk mund të ndodhte që nënkryetari i komitetit ekzekutiv që ta zëmë merrej me ulluqet e qytetit, të drejtonte edhe Universitetin e Tiranës. Deri në këtë poshtërim të UT nuk është arritur kurrë. Dhe pastaj terrenet e UT i përdor bashkia e Tiranës për parkingje!!! E kush do të ngrihet kundër kësaj? Anëtari i bordit që është nënkryetar i bashkisë!!!

 Çfarë komedie!!!

Pyes veten : Po këta nëpunës ku janë marrë me administrim financiar universitetesh?

Ku i kanë diplomat?

Ku i kanë kompetencat?

Për çfarë janë darovitur për të qenë atje dhe për të na hipur mbi kokë dhe na lënë pa kokë financiare? Pse na kanë sabotuar? Për honorarin e majmë që marrin? Aman more, ju ngelshin në fyt, nuk u ngopët, nëse vërtet merrni honorare dhe nga universitetet, merrni lekët e studentëve pa bërë asnjë punë? Lekë për mbledhje? Ku e gjetëm këtë model me borde? Po në universitetet e huaja ndodh të ketë borde, por atje janë të besuarit e atyre që japin financime si privatë universiteteve, jo si këta tanët që vijnë me lugë në brez për të marrë! Konflikti i interesit si formë korruptive ia bën muuu !, pavarësisht se individi mund të jetë i pacenuar konkretisht në moralin e tij. Argumenti sipas të cilit ata qenkan garantët e mirëpërdorimit të parasë publike që i akordohet universiteteve ose është formë budallallëku mendor ose është djallëzi e madhe. Sepse shteti shqiptar ka agjencitë e veta që kontrollojnë financat e parasë publike dhe nuk e kontrollon ose e drejton apo e garanton politikën e vet financiare me anë individësh që nuk ka asnjë tagër, asnjë funksion, asnjë kompetencë për ta bërë këtë. Nëpunës që nuk kanë lidhje me financat në punën e tyre bëhen menaxher të financave të parasë publike!!! Çfarë paradoksi që në mos qoftë një djallëzi që disa e kanë bërë ligjin për t’u shpërblyer vetë, ose si formë kontrolli e punonjësve të ministrisë ndaj universiteteve, është një keqadministrim që e prodhon ligji për arsim.

Ligji për arsim të lartë është burimi dhe vegja e të gjitha të këqijave nga vuan arsimi shqiptar

Ai ligj për arsim të lartë që është burimi dhe vegja e të gjitha të këqijave nga vuan arsimi shqiptar sot ose vegla që të gjitha horrllëqet ose dobësitë e tridhjetë vjetëve nuk i shëron dot, por i shton. Na ka marrë frymën ne universitarëve zonja ministre! Na ka bërë të bashkëjetojmë me paaftësi, korrupsion, keqmenaxhim dhe të kemi atë produkt që të gjithë e njohin. Duhen protesta studentësh që të dëgjohemi sepse kur flasim intelektualisht nuk mungojnë të na kundërvihen lloj lloj sahanlëpirësish që shpifin, ndyjnë nëpër gazeta, sepse po t’ua gërvishtësh pak lëkurën gjen atje mashtruesin, hajdutin, spekulantin, trafikantin e titujve dhe gradave, përveç maskarain që në ditë të keqe të le edhe në baltë. Gjeni qoftë edhe një dokument strategjik për zhvillimin e universiteteve përkatëse në planin financiar që të mos jetë një paçavure, bërë nga këto bordet e administrimit! Do të gjeni vetëm raporte paçavuresh që të kallin datën! Kush e rrit çmimet dhe i vendos tarifat idiote që sapo u anuluan? Pikërisht këto borde! Këto borde nuk çajnë kokën për të ardhura tretësore, për rrogat mizerabël të pedagogëve, për gjendjen e varfër sociale të studentit në universitete, për infrastrukturën për ibret të universiteteve tona.

Prandaj ligja që i ka konstituuar duhet të amendohet sa më shpejt.

Shumë thellësisht.

Këto borde janë sabotuesit e financave të universiteteve publike! Që sot ato duhen suspenduar për t’u likuiduar si të tillë në një kuadër tjetër ligjor.

Niseni që këtej!

Mos prisni kërkesa nga studentët zonja zëvendësministre që u bën thirrje në dialekt në televizion studentëve: Na sillni kërkesat tuaja! Merrni iniciativën jo si në një lojë pokeri, mos prisni sjelljen e atij përballë!

Vetëm kështu studentët dhe universitarët do të besojnë në ndershmëri!

Sa lekë u harxhuan nga bordet për ekipin anglez tejet të lodhur e të plakur që na monitoroi gjoja cilësinë?

Çfarë cilësie seeeee! A e dini që janë lekë që dolën nga xhepat e familjeve shqiptare? Tregojeni sa lekë mori agjencia e huaj? Përse të mos bëhet transparente? Dhe çfarë rezultati ka sjellë kur studentët- sot janë në rrugë? Në borde janë edhe gjoja të dërguarit dhe përfaqësuesit e universiteteve! Një pjesë kolegë të nderuar! Por ata në vend të përcjellin në borde vullnetin e senateve universitare që u japin mandatet, pasi zgjidhen, jo që nuk pyesin për senatet, por kanë fuqi që edhe të refuzojnë vendimet e këtyre senateve!

O Zot!!!

Ata që kanë bërë ligjin a kanë bërë ndonjëherë ndonjë leksion teorie kushtetuese!!! A e dinë që ai që i delegon një mandat dikujt nuk mund t’ia delegojë atë në mënyrë absolute! Në vend të qindra kolegëve, tre ose katër syresh pasi zgjidhen anëtarë bordi nuk kanë më asnjë detyrë për të dhënë llogari dhe marrë mendimin e kolegëve apo senateve, por shprehin vetë vullnete individuale!!! Një pedagog, se student po gjetët unë pres kokën, që të jetë pyetur nga bordelistët për strategjitë financiare, një sondazh të tyre po gjetët, një konsultim masiv në formë fushate po gjetët, do të më lumturonit! Dhe këto borde komandojnë gjysmën e administratës të universiteteve. Universitetet shqiptare janë bërë me dy administrata, njëra drejtohet nga rektori e tjetra nga kryeadministratori që varet nga bordi. A keni parë institucion të çarë administrativisht më dysh?

Kjo është çudia e universiteteve dhe fakulteteve shqiptare publike një risi për të cilin Hobsi po ta merrte vesh do të ishte kthyer përmbys në varrin e tij.

Pezulloni që sot funksionimin e bordeve zonja Ministre!

Falënderoni anëtarët e tyre që përfaqësojnë dikasterin për punën e shkëlqyer që kanë bërë derisa ju sollën dhe na sollën këtu, në pikë të hallit, dhe futuni lehtë, fare miqësisht, sa për simbol, nga një shkelm në prapanicë dhe të ikin në punë të tyre!

Hapni dosjen për amendimin e ligjit për arsimin e lartë!

Dhe do të gjeni mbështetje!

Bordet e menaxhimit po rrjepin universitarët, pedagogë e studentë!

Anëtarët e bordeve të administrimit duhen shkarkuar sot, jo nesër!

Nesër është vonë!

Veç kësaj duhen pezulluar të gjitha funksionet e bordeve deri në konceptimin e e mënyrave të reja të menaxhimit të universiteteve Ata po falimentojnë universitetet, po rrjepin studentët, po injorojnë trupat profesorëve, janë në konflikt interesi me ushtrimin e detyrës, janë emëruar sipas trafiqeve të influencave politike dhe administrative, nuk kanë asnjë legjitimitet për funksionet që ushtrojnë, kanë bllokuar reformat universitare dhe nuk luajnë asnjë rol pozitiv, marrin paga të paligjshme në dy llogari publike, nuk ia fërshëllen fare për të bërë me rendiment dhe efikasitet investimet publike në universitete.

Skandalet e korrupsionit në Universitetin e Vlorës

Protesta e studentëve dhe rektorët e korruptuar!

Av Kujtim Cakrani

Meqë jemi tek protesta e studentëve dhe rektorët e korruptuar!

Krenar Ibraimi, është një tjetër “viktimë” e ish-rektorit të Universitetit të “Ismail Qemali” Vlorë, Albert Qarri! Krenar Ibrahimi, i diplomuar në Francë, një pedagog i kompletuar me grada shkencore, i cili për nga aftësitë ishte një shkencëtar në fushën e inxhinierisë! Por ish-rektori në Universitetin e Vlorës Albert Qarri e hoqi nga puna, pasi Krenari nuk mund të pranonte mediokritetin dhe korrupsionin e rektorit Albert Qarri! Vendin e Krenarit në Universitetin e Vlorës ish-rektori Albert Qarri e nxori në ankand! Pra kush paguante më shumë mbi 10.000 mijë euro ai do fillonte punë! Rektorit këto euro i duheshin, sepse duhet të paguante këstin mujor për shkollën e djalit në SHBA. Krenari i ka fituar gjyqet me Universitetin e Vlorës, madje ka denoncuar ish-rektorin Albert Qarri edhe tek Ministrja Arsimit, Lindita Nikolla, madje edhe tek Kryeministri Edi Rama! Prandaj Kryeministri nuk bëhet i besueshëm sot, kur bën sikur nuk di që korrupsioni në Universitetet Publike është kthyer në institucion. Kryeministri e di që Universiteti i Vlorës është drejtuar si organizatë kriminale, ku në krye të saj qëndronte ish-rektori Albert Qarri. Dhe pedagogët janë agregate të tij…

Të jetë i vërtetë ky skandal që vjen nga Universiteti i Vlorës?

Akademik Artan Fuga

Të jetë i vërtetë ky skandal që vjen nga Universiteti i Vlorës? Ma dërgojnë si informacion! Sa do të doja të mos ishte i vërtetë!!! “Para nja dy-tre vjetësh vendos bordi që senatit të Universitetit të Vlorës t’i rritej rroga nga 80000 lekë të vjetra në 300000 për pjësëmarrjen në mbledhje senati. Dhe vetë senatorët u çuditën. Kjo rritje shoqërohej me ngritjen e rrogës së “bordelistëve”, me 400000 lekë të vjetra. Vjen Kontrolli i Shtetit dhe ngritjen e rrogës së senatorëve e kap si shkelje dhe duhet t’i kthejnë paratë, ndërsa për rritjen e rrogave të anëtarëve të bordit nuk u gjet si shkelje. Tani senatorët janë në gjyq për të kundërshtuar kthimin e parave.”

Verifikojeni.