Akademik Artan Fuga: Llogari, në vend të llogjeve

511
Sigal

A ka ministër ekonomie ky vend, apo jo?

A ka komision parlamentar ekonomie?

A ka borde financiare?

A ka departament ekonomie opozita?

Kërkoj prej muajsh transparencë dhe nuk e gjej! E dinë miqtë e mi senatorë në Universitetin e Tiranës? A mund të më ndihmojë njeri? Ndonjë deputet, ndonjë ministër, ndonjë gazetar, a ndonjë kryetar partie opozitare? Kam dëgjuar se:

  1. Për kampusin universitar që gjoja do të ngrihej në Tiranë, dhe që për mua nuk duhet kurrë të ngrihet në formën e një korpusi gjigantoman që fsheh abuzime, më thonë se Universiteti i Tiranës paska paguar për projektimin shuma marramendëse. Ndërkaq, që ka vite që as bëhet fjalë për kampus!

Është e vërtetë dhe sa ka qenë kjo shumë, dhe kush e ka marrë këtë vendim, dhe kujt i është paguar e përse parapaguar? Është e vërtetë, apo jo? Do të doja mos ishte se po qe se është, atëherë ka rënë tërmet.

  1. Terrenet sportive të Universitetit të Tiranës i ka marrë Bashkia e Tiranës dhe i ka nxjerrë krejtësisht nga funksioni që kanë pasur. Është e vërtetë? Kush e ka dhënë atë urdhër, kush e ka pranuar këtë gjë, kush i merr paratë nga përdorimi i atyre terreneve sportive jo për funksionin e tyre, por për parkingje, a ku e di unë se çfarë tjetër?
  2. Thonë që, megjithëse kemi një agjenci akreditimi, që e paguajnë familjet e studentëve sa frëngu pulën, erdhi një agjenci angleze, e lodhur dhe e plakur, që na e bëri si deshi! Ndonëse zotërinjtë shumë të lodhur nuk dinin asnjë fjalë shqip! Thonë që nga xhepat e studentëve fluturuan të tjera miliona e dhjetëra miliona! Mund ta dimë sa u pagua, kush i pagoi, dhe kush e vuri çmimin e këtij shërbimi, që po na rezulton një fiasko e plotë!
  3. Thonë që konviktet i ka marrë në administrim a pronësi Bashkia Tiranë. A ka ndokush ndonjë ide, sesa janë fitimet që merren nga dhënia me qira e dhomave dhe se çfarë do Bashkia Tiranë që u bie në qafë universiteteve, duke u marrë shërbimeve universitare një burim të ardhurash?

Di njeri për sa më sipër?

  1. Studentët kanë në programet universitare gjuhë të huaj. Megjithatë në nivel masteri më thuhet se atyre u kërkohet të japin provime në agjenci private. Di njeri kush e ka marrë këtë urdhër? Përse nuk njihet Diploma universitare me provimin përkatës?

Sa parà kanë qarkulluar në vit dhe kush i merr këto para?

  1. Ka vite që shkollat doktorale nuk funksionojnë? A ka ndokush një informacion sa është fitimi i munguar i universiteteve publike nga kjo mbyllje dhe ky mosfunksionim? Kush e mban përgjegjësinë për këtë fitim të munguar që duhet të ketë arritur qindra milionë lekë në vit?
  2. Bibliotekë për studentët nuk ka.

A mundet dikush të llogaritë se sa lekë shkojnë në xhepat e privatëve që komandojnë ministren e Kulturës direkt nga xhepat e studentëve për të blerë libra që duhen si buka e uji, por që nuk gjenden në biblioteka?

Sa lekë në vit, sa miliarda shkojnë në xhepat e privatëve për shërbim të universiteteve publike?

A ka ministër të ekonomisë ky vend apo jo? A ka borde ky vend apo jo? Pse na tregojnë llogje, në vend të llogarive?