Akademia e Shkencave si një mbetje totalitare

413
Sigal

Akademik Artan Fuga

Unë e akuzoj sot Akademinë e Shkencave të Shqipërisë si një mbetje totalitare që riciklon të njëjtat mendësi, praktika dhe propagandë gënjeshtare!

Kë përbuzin akademikët në atë Akademi Shkencash?

Profesorët e universiteteve shqiptare?

Për çfarë bërtasin akademikët se i “paskan prerë në besë” pikërisht ,sepse gjykimi për një Akademi të ardhshme Shkencash ka ardhur te pedagogët, doktorët, shkencëtarët e vendit?

Çfarë e dinë veten, një pjesë jo e vogël akademikësh?

Mos kujtojnë se koha e shkuar iu ka lënë atyre trashëgim drejtimin, komandën mbi dijet, ruajtjen e lidhjeve okulte midis tyre, kapjen me thonj pas dogmave ideologjike, honorarët e marra pa punë dhe pa kontribut?

Mos kujtojnë ata se nuk kanë të drejtë t’i gjykojnë shkencëtarët dhe pedagogët shqiptarë?

Mos mendojnë se me mekanizma bizantinistë, në kurriz të komunitetit shkencor të vendit, kanë të drejtë të kooptojnë ata njerëz që duan të lidhur me mijëra fije nepotizmi për ta përdorur buxhetin publik në atë Akademi për interesa dhe perspektiva personale?

Unë e akuzoj rëndë sot përpara Jush Akademinë e Shkencave të Shqipërisë si institucion, pikërisht për atë se ka keqpërdorur paranë publike, nuk ka kryer detyrat e saj, ka dalë nga shinat e misionit fisnik që duhet të kishte.

Atje unë veç kërcënimeve, fyerjeve, presioneve që kam pësuar personalisht, kam parë edhe mbetjet e një mendësie totalitariste që shfaqet në mënyrën e funksionimit të saj. Unë e akuzoj pikërisht si mbetje dhe mbeturinë totalitare!