Ahmetaj: Shqipëri-Kosovë, firmoset Marrëveshja “Për Lehtësimin dhe Nxitjen e Tregtisë”

538
Në përfundim të Mbledhjes së Përbashkët të Qeverive Shqipëri-Kosovë, u nënshkruan 11 Marrëveshje bashkëpunimi mes Ministrave të dy vendeve në fusha të ndryshme, mes të cilave edhe ajo “Për Zbatimin e Marrëveshjes Kuadër ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për Bashkëpunimin në Nxitjen dhe Lehtësimin e Tregtisë”, firmosur nga Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes Arben Ahmetaj dhe Ministres së Tregtisë dhe Industrisë të Republikës së Kosovës, znj. Hykmete Bajrami. Protokolli për zbatimin e Marrëveshjes për nxitjen dhe lehtësimin e tregtisë synon heqjen e të gjitha barrierave jo-tarifore mes të dy vendeve, me qëllim rritjen e shkëmbimeve tregtare, një nismë të cilën Ministri Ahmetaj e prezantoi rreth katër muaj më parë, gjatë vizitës së tij në Prishtinë me rastin e Panairit “Blej shqip” që u zhvillua me rastin e festave të 28-29 Nëntorit.
Gjatë këtij viti janë zhvilluar dy takime në nivel ekspertësh dhe një numër i madh konsultimesh mes palëve tona, për të zgjidhur në kohë reale të gjithë problematikat e tregtisë mes dy vendeve dhe për të vendosur shkëmbimet ekonomike mbi themele të reja bashkëpunimi dhe mirëbesimi. Në vitin 2014 volumi tregtar me Kosovën ishte 176.78 milionë euro ose 17.8 milionë më shumë se një vit më parë, pra kemi një rritje mbi 11% vit me vit. Eksportet shqiptare drejt Kosovës shënuan një rritje me 15%, duke kapur vlerën e 134.1 milionë euro nga 116.1 milionë në 2013. Në raport me totalin ato përbëjnë 7.3% të eksporteve shqiptare. Sot në Shqipëri, numërohen 649 biznese nga Kosova megjithatë vlera e investimit është e ulët, 13.2 milionë euro ose 0.46% e totalit të IHD. Në këtë drejtim mendojmë se ka akoma shumë për të bërë dhe pikërisht për këtë arsye sot është sjellë para të dy qeverive ky protokoll bashkëpunimi. Protokolli që do të firmoset sot është një instrument ligjor i cili lejon ndërmarrjen e aktiviteteve specifike në drejtim të lehtësimit të tregtisë. Ai është një zgjerim i mëtejshëm i marrëveshjes kuadër midis dy vendeve në nxitjen e lehtësimit të tregtisë dhe synon eliminimin e vazhdueshëm të barrierave jo-tarifore.
Protokolli do të sjellë:
1. Në fushën e rregullave teknike
Harmonizimin e rregullave teknike për produktet me interes reciprok. Për këtë brenda 4 muajve do të identifikohen të gjitha produktet me interes reciprok në fushën industriale dhe brenda datës 30 korrik 2015 do të hartohet plani i përbashkët i ndryshimeve ligjore.
2. Në fushën e standardizimeve
Do të punohet për përshtatjen e standardeve me objektiv harmonizimin, njohjen reciproke, ose referimin në standardet ndërkombëtare sipas rastit. Gjithashtu, Shqipëria do të rishikojë çmimin e shitjes së standardeve deri në 50% të çmimit të deklaruar të Drejtorisë së Përgjithshme të Standardizimeve të Shqipërisë. 
3. Në fushën e akreditimeve 
Protokolli përcakton ndërmarrjen e aktiviteteve dhe masave konkrete për përshtatjen e skemave të akreditimit, harmonizimit të legjislacionit për akreditimin dhe njohjen e kompetencës teknike të vlerësuesve/ekspertëve teknikë të miratuar nga të dy palët.
4. Në fushën e sigurisë ushqimore dhe veterinare 
Njohja e rezultateve të testeve dhe analizave të kryera nga laboratorët e akredituar në të dyja vendet tona mbetet një sfidë dhe e pamundur në periudhë afatshkurtër. Për këtë, protokolli kërkon njohjen reciproke të rezultateve të testeve laboratorike kryer në të dyja vendet në laboratorët e referencës. Gjithashtu, brenda 15 dhjetorit 2015 do të hartohet plani i ndryshimeve legjislative për harmonizimin e legjislacionit të sigurisë ushqimore dhe veterinare.
5. Institucionalizimi i punës së grupeve teknike të krijuar nga marrëveshja kuadër e muajit janar 2014.
Për të lejuar zbatimin e aktiviteteve në fushën e standardizimit, akreditimit dhe rregullave teknike dhe atë të sigurisë ushqimore dhe veterinare, ky protokoll miraton funksionet e tri grupeve të përbashkëta të punës të krijuara tashmë. Këto grupe janë mbledhur gjatë 2014 dhe diskutimet dhe analizat e kryera mundësuan përcaktimin e aktiviteteve dhe masave të propozuara në këtë protokoll. Funksionet dhe rregullat e funksionimit të këtyre grupeve miratohen nëpërmjet këtij protokolli duke krijuar kështu mekanizimin zbatues dhe monitorues të marrëveshjes kuadër si dhe të protokollit zbatues. Në panairin që u organizua në Prishtinë në 28 Nëntor 2014, ne patëm premtuar para bizneseve kosovare dhe shqiptare në atë panair se shumë shpejt do të kishte një dokument të tillë, për lehtësimin dhe heqjen e barrierave tregtare mes dy vendeve dhe për të hedhur një hap domethënës në drejtim të unifikimit të tregjeve tona sipas parashikimeve të CEFTA dhe sipas interesave të qytetarëve në të dy anët e kufirit. Po kështu në vazhdojmë të mbetemi të hapur për të zgjidhur të gjithë problematikat e sipërmarrësve kosovarë në Shqipëri si dhe problemet tregtare. Ne mendojmë se mënyra më e mirë për të rritur konkurueshmërinë e produkteve vendase qoftë për Shqipërinë, qoftë për Kosovën, është hapja e tregjeve tona ndaj mallrave të njëri tjetrit dhe lehtësimi i shkëmbimeve mes njerëzve dhe sipërmarrjes. Së fundmi, më lejoni të ndaloj një moment edhe në një proces rajonal të rëndësishëm, siç është procesi i ndërlidhjes, apo konektivitetit. Në datë 25 Mars, në Prishtinë do të zhvillohet një konferencë tejet e rëndësishme për zhvillimin infrastrukturor rajonal. Në përgatitje për konferencën e Gushtit në Vjenë, Shqipëria po merr një rol proaktiv, për të propozuar projekte rajonale që do të lidhin të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor, në një rrjet komunikimi dhe shkëmbimesh që do t’i hapë horizonte të reja zhvillimit ekonomik për vendet tona. Kosova është një pjesë tepër e rëndësishme e këtij procesi, një urë lidhëse për Shqipërinë dhe rajonin me Europën. Si e tillë, doja të theksoja edhe njëherë rëndësinë e përfshirjes sonë bashkërisht në këtë proces, për ta çuar zhvillimin ekonomik të vendeve tona në një nivel tjetër dhe për të sjellë projekte të cilat me burimet tona do të ishin të pamundura të paktën edhe për disa dekada. 
Sigal