Ahmetaj: Marrëdhënia me FMN do të vazhdojë, përtej marrëveshjes aktuale

516
Sigal

Ministri i Financave në Uashington për bisedime me Fondin Monetar Ndërkombëtar

Fillimisht, le të flasim pak për temat e bisedës me FMN-në këto ditë.

Fokusi kryesor janë zhvillimet ekonomike të Shqipërisë, me një retrospektivë trevjeçare, pra që nga momenti i fillimit të programit, sepse tashmë jemi në fund të programit me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Në shkurt të 2017-ës, programi mbyllet. Programi është cilësuar si “star performer”, pra një nga performuesit më të mirë në rajon, edhe për arsye të drejtpërdrejta statistikore dhe strukturore. Ekonomia shqiptare ka një rritje prej 3.4%, ndërkohë që tre vite më parë ishte statistikisht nën 1%. Dhe të gjitha të dhënat, shifrat, tregojnë që ekonomia shqiptare e ka lënë pas krizën dhe ka hyrë në një rrugë, cikël, të konsoliduar rritjeje afatgjatë. Në të njëjtën kohë, të gjitha të dhënat makrofiskale, pra që kanë të bëjnë me buxhetin, tregojnë vetëm konsolidim fiskal, rritje ekonomike, ulje borxhi.

A është njëra nga temat rritja e pensioneve dhe rrogave? Duket sikur ky vendim për ta diskutuar dhe për të parë nëse mund të rriten është si shumë pranë zgjedhjeve të ardhshme. A ka lidhje, ndërkohë që kjo nuk është bërë në tre vitet e para?

Dua t’ju them që në qoftë se FMN me shumë vende diskuton uljen e pagave, me ne sot është duke debatuar rritjen e pagave dhe sa rritje do të ketë. Nuk ka lidhje fare me zgjedhjet. Ka lidhje me suksesin që ka pasur reformat. Është momenti i duhur për të përmendur atë set reformash që qeveria Rama ka bërë në këto tre vite; që nga reforma makrofiskale – pra kontrolli i borxhit, ulja e borxhit, ulja e defiçitit. Për herë të parë sivjet, pra këtë vit në 2016-ën, do të ketë një balancë primare pozitive. E thënë për qytetarët thjesht, qeveria vetë me operacionet e veta nuk krijon borxh. Është reforma në energji që është nga reformat më të suksesshme, megjithëse ishte shumë e vështirë. Është reforma e pensioneve, e paprekur në 25 vite. Dhe mbi të gjitha, është reforma në drejtësi. Pra, është shumë e rëndësisshme për t’i treguar qytetarëve shqiptarë që reformat po kthejnë mbrapsht sakrificën, me rritje ekonomike, me rritje të ardhurash dhe patjetër me mundësi për të rritur pagat dhe pensionet.

U pranua propozimi juaj për rritjen dhe sa përqind është plani juaj për këtë rritje?

Ne jemi akoma në debat me FMN se çfarë hapësire do të kemi brenda buxhetit për rritjen e pagave dhe pensioneve. Dhe sigurisht pastaj, që është një vullnet dhe një vendim politik i Kryeministrit dhe i maxhorancës, për hapësirat se sa.

Vitin që vjen mbyllet marrëveshja aktuale me FMN, me këtë institucion të rëndësishëm. Cila do të jetë marrëveshja e ardhshme? Do të jetë po ajo formale, sipas artikullit 4, apo ndonjë marrëveshje dhe program i një forme tjetër të re?

Mbaron një program i cili u quajt një ndër programet më të suksesshme të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Shqipëria, sërish e theksoj dhe besoj që duhet theksuar, ka lënë mbrapa krizën ekonomike. Ka krijuar një model të ri ekonomie, i bazuar në prodhim, në eksporte, dhe patjetër në konsum, dhe i foksuar nga tërheqja e investimeve të huaja. Investimet e huaja në vitin 2015 kanë qenë rekord në 25 vite dhe krahasimisht me shumë vende të rajonit ne jemi mbi Maqedoninë, mbi Malin e Zi nominalisht, dhe mbi shumë vende, mbi Kosovën patjetër. Dhe besoj që marrëveshja do të mbyllet me sukses në shkurt. Është shpejt për të menduar çfarë lloj marrëveshjeje do të kemi vitin tjetër me Fondin Monetar Ndërkombëtar, por një gjë është e sigurt. Ne do ta vazhdojmë punën me Fondin Ndërkombëtar Monetar dhe marrëdhënien me Fondin Monetar Ndërkombëtar, ndoshta në artikullin 4, ndoshta në një, le të themi, marrëveshje politikash.

(Marrë me shkurtime)