Ahmet Gjana: Mandati im qe një risi. Ishte hera e parë që kjo sallë do të kishte një deputet shqiptar

902
Sigal

Ekskluzive nga Saranda për lexuesin e gazetës “Telegraf”

 Me z.Ahmet Gjana, deputet me origjinë shqiptare në Parlamentin e Brukselit

Është vetëm 46 vjeç dhe është shqiptari i parë që ulet në Parlamentin e Brukselit të dalë nga zgjedhjet e 25 Majit 2014. Këto ditë ndodhet me familjen në Sarandë dhe morëm për lexuesin e “Telegraf” këtë intervistë, ku paraqet rrugëtimin e tij drejt uljes si deputet në Parlamentin e Brukselit si i pari shqiptar. Jep edhe përballjen me mendësinë shqiptare dhe dallimin e kompetencave mes deputetëve në Shqipëri dhe në Belgjikë. Z.Ahmet thotë se, politika e ka përçarë komunitetin shqiptar, ndërsa sot i udhëheq patriotizmi dhe çështja kombëtare. Ai shprehet se, do të shtrëngohen masat drejt emigracionit jo vetëm në Belgjikë, por edhe vende të tjera si rezultat i qeverive konservatore. Shprehet me superlativa për kulturën dhe sportin shqiptar.

Përshëndetje, z.Ahmet! Ju urojmë suksese, pasi 25 maji ka finalizuar përpjekjet tuaja për t’u ulur, më në fund, në karrigen e deputetit në Parlamentin e Brukselit. Si ia arritët këtij suksesi?

-Përshëndetje dhe juve si gazetë! Këtë sukses e arritëm, them e arritëm se nuk është vetëm suksesi im, por mbarëshqiptar, si rezultat dhe produkt i një pune disavjeçare, më saktë, 15- vjeçare. Kjo se duke qenë me origjinë shqiptare, gjatë këtyre viteve jam marrë me kontaktimin e komunitetit shqiptar në Belgjikë, kam qenë pranë tyre dhe pse jo, edhe kam ndihmuar edhe në organizimin e eventeve dhe manifestimeve të ndryshme që i shërbejnë komunitetit shqiptar në Belgjikë. Këtu mund të përmend me krenari hapjen e shkollës shqipe “Vatra”dhe të një grupi folklorik dhe kulturor që gjithashtu quhet “Vatra”. Kështu jemi gjithmonë afër komunitetit shqiptar. Ndihma ime në këto organizime dhe evente nuk ka qenë vetëm kolektive, por edhe në mënyrë individuale kam ndihmuar më shumë se 1500 veta me origjinë shqiptare  dhe një pjesë të mirë të tyre u kam gjetur edhe zgjidhje të problemeve të ndryshme si përsa i përket punësimit, strehimit e ndonjë halli tjetër, kjo më e shumta duke shfrytëzuar dhe kërkuar ndërhyrjen e rrjetit të të njohurve të mi.

Përveç kësaj mbështetjeje falë aktivitetit tuaj, dashamirësisë, patriotizmit, përtej atyre skematizmave të nacionalizmit që vjen nga geni dhe gjaku shqiptar, ju u ulët në Parlamentin e Brukselit më 25 Maj, ndërkohë, qershori shënoi edhe marrjen e statusit si vend kandidat i BE-së, pra, po nga Brukseli, i cili këto 23 vite ka qenë shpresa e shqiptarëve. Si e pritët këtë?

-Sinqerisht e përjetova gëzueshëm. Ishte realisht ajo çka priste komuniteti shqiptar. Ishin dy ngjarje të suksesshme që arritëm të merrnim një mandat deputeti në Parlamentin e Brukselit dhe atë të statusit të vendit kandidat për integrimin dhe anëtarësimin në BE. Arritje shumë e madhe dhe e shumëpritur nga i gjithë komuniteti shqiptar në Belgjikë e kudo, ku ndodhet. Mund të them se viti 2014 ka qenë një vit i mbarë, se disa personalitete janë spikatur si në fushën e sportit, kulturës e fusha të tjera dhe marrja e mandatit të deputetit qe një arritje në një fushë tjetër, në politikë, e cila shpjegohet si një mjet i fuqishëm për t’u integruar dhe ky mandat është një shenjë se shqiptarët janë integruar një hap më tej në jetën e zhurmshme të Brukselit dhe kjo, e bashkuar edhe me marrjen e statusit të vendit kandidat, mendoj se është diçka e madhe dhe një mbarësi për shqiptarët

A keni pasur kontakte me politikanët shqiptarë dhe kosovarë?

-Jo, jo! Nuk kam pasur! Realisht apo faktikisht aty në Belgjikë ekzistojnë të gjitha partitë shqiptare që ekzistojnë këtu në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni etj.. I kemi aty të gjitha. Dhe komuniteti shqiptar në Belgjikë është i përbërë nga shumë elementë të popullsisë të Shqipërisë, Kosovës e Maqedonisë dhe kjo ka ndikuar që për shumë vite të mos ishim të bashkuar, por të ndarë nëpër parti të ndryshme, shoqata e organizata politike. Por ky kapitull tanimë është mbyllur dhe kemi filluar të punojmë me elementin e vetëm të patriotizmit dhe të elementit të shqiptarizmës, pra punojmë me dimensionin kombëtar dhe nuk ka më ndarje mes nesh për politikë, pasi ia pamë dëmin që dha ashtu si ia pamë produktin edhe bashkimit. Sot lidhemi vetëm pas institucioneve zyrtare shqiptare si të Shqipërisë, ashtu edhe të Kosovës dhe të Maqedonisë. Pra, nuk kam kontaktuar me politikanë. Ky vit ka qenë një vit i ngarkuar në aspektin e angazhimeve politike. Kemi qenë tre kandidatë të ndryshëm për këtë nivel ku garonim dhe duhet pranuar që kishte edhe ndërhyrje të shumëllojshme qoftë nga Shqipëria, qoftë nga Kosova, qoftë nga Maqedonia dhe preferoj që këto mos t’i përmend.

Kush ju ka mbështetur nga personalitetet e artit, kulturës dhe sportit, të cilët nuk janë të pakët në komunitetin shqiptar të Belgjikës?

-Me thënë të vërtetën ka personalitete të tilla si Adnan  Januzaj ose trajneri i famshëm Besnik Hasa  që është trajneri i famshëm i skuadrës së Andrelehtit, por kanë mbajtur një qëndrim neutral ndaj kandidatëve të ndryshëm, paçka se neve jemi munduar gjithmonë që ta kemi mbështetjen e tyre të fuqishme. Për ta qartësuar më tej këtë qëndrim, kemi aty një shoqatë, shoqatën e “Studentëve shqiptarë”, ku janë afërsisht rreth 300 apo 400 studentë shqiptarë në universitetet e ndryshme të Belgjikës dhe të gjithë si kandidatë kërkuam ndihmën e tyre dhe këtyre ftesave iu përgjigjën me një vendim për organizimin e një debati mes tre kandidatëve për të mos dalluar mes tyre favorizimin.

Z. Ahmet, teksa na njihni me rrugëtimin e tuaj të gjatë e të lodhshëm deri sa ju u ulët në karrigen e deputetit të Brukselit, a ndjetë vështrime nga kolegët tuaj ditën e parë që u futët në sallën e Parlamentit?

-Po! Edhe për faktin se mandati im qe një risi. Ishte hera e parë që kjo sallë do të kishte një deputet shqiptar. Ata gjithmonë, së bashku me deputetë të komuniteteve të tjera, kanë menduar se neve nuk do t’ia arrinim kësaj fitoreje të mandatit të deputetit. Përveç kësaj, ishte dhe mendimi shumë negativ që ne shqiptarët nuk bashkohemi. Realisht kjo qe situata, kështu që, kur arritëm rezultatin, ne i befasuam dhe ata na panë me habi, si ka mundësi që edhe neve shqiptarët arritëm që ta kemi zërin tonë në ligjvënësin e Brukselit.

Megjithëse deri tani është një kohë e pakët, cili do të jetë zëri juaj në mbështetje të komunitetit shqiptar që jeton në Belgjikë?

-Duke qenë me origjinë shqiptare dhe duke përdorur këto mjete që kam, jo se unë do të bëj ndonjë ligj që do të favorizojë shqiptarët, por do përpiqemi që subvencionimet që kemi së bashku me komunitetin shqiptar të jenë më masovike për të.

Keni dijeni nëse do të ketë liberalizim apo shtrëngim të ligjit të legalizimit të emigrantëve në Belgjikë?

-Jo! Tani për tani është shtrënguar ky proces, pasi ka limitime të numrit të emigrantëve dhe Belgjika në veçanti, në aspektin e nivelit federal, ka shumicë progresiste, ndërsa qeveria belge pritet të jetë konservative, dhe si të tillë ata do ta shtrëngojnë edhe më tej, por mendoj se edhe në nivelin evropian ky proces do jetë i tillë. Duhet theksuar se koha kur janë marrë vendimet për këtë proces, mungesa e shqiptarëve ka bërë që një pjesë që u destinohej të huajve kanë qenë në disfavor të emigrantëve shqiptarë dhe në favor të emigrantëve të komuniteteve të tjera, si për shembull komuniteti maroken dhe ai turk kanë vite që përfaqësohen me deputetë në Bruksel dhe si të tillë, në mënyrë të përsëritur, kanë bërë presion ndaj autoriteteve që t’u pranohen dokumentet emigrantëve nga vendet e tyre. Tani mendoj që do kemi edhe neve fjalën tonë dhe nëse janë rezervuar disa vende për shqiptarët, tani ato do të mbrohen, sepse më para këto vende kanë shkuar tek marokenë edhe turq, pasi ata qenë në parlament. Pra, ka munguar zëri shqiptar për mbrojtjen e tyre tek ligjvënësi i Brukselit.

Belgjika mbajti qëndrim pozitiv dhe mbështetës ndaj marrjes së statusit të vendit kandidat të BE-së. Cila është klima në Bruksel përtej statusit të kandidatit të BE?

-Mendoj se, kjo varet më shumë nga vetë Shqipëria, sesa nga vendet e tjera. Por në Belgjikë them se i gjithë spektri politik majtas, djathtas e në qendër, është i favorshëm për shqiptarët. Shqipëria, mendoj unë, duhet të avancojë në mënyrë të qetë, duke kërkuar konsensusin e të gjitha partive si të pozitës dhe të opozitës, por mendoj që edhe mediat kanë një punë shumë të madhe për të bërë, sepse në Belgjikë, për shembull, ata që janë në opozitë shumë pak fjalë kanë në media, ndërsa këtu shoqëria është kaq e politizuar, ndërsa mediat shesin këtë politizim. Mendoj se, duhet të ulen tensionet dhe mediat të bëjnë punën e tyre që të zbusin tensionin politik sepse mendoj se nuk është e thënë që sa herë kritikohet qeveria të ketë kronika në lajmet e ditës për t’i reklamuar këto kritika. Për shembull, aty qoftë tek 300 apo 3000 ditët e qeverisë nuk thuhet asgjë se çfarë u arrit. Rëndësi ka të bëhet puna apo është arritur diçka. Po marr një shembull. Në Belgjikë, në zgjedhjet e kaluara  kemi qenë 541 ditë pa qeveri dhe nuk ka dalë aspak në media dhe nuk është nxirë fare se nuk ka pasur qeveri. Këtu tërë administrata, mendoj, duhet përforcuar dhe të ketë sa më pak ndërhyrje të qeverisë dhe të jetë një punë e drejtpërdrejtë, të jetë një punë që të mos rëndohet administrata nga ndërhyrjet, të jetë profesioniste dhe e përforcuar. Për këtë duhet punë dhe Europa këtë pret, që të ketë një shtet ligjor që funksionon, një shtet me nëpunësi pa presion dhe ndërhyrje.

Si kalon dita juaj përtej kostumit të deputetit?

-Në radhë të parë, për angazhimin tim kam kërkuar falje nga nëna, bashkëshortja dhe fëmijët  dhe ata më dhanë mbështetjen e tyre të fuqishme. Kuptohet që jeta politike kërkon shumë angazhim, por momentet që kemi në dispozicion u japin intensitet të lartë si në punë, ashtu edhe në familje, me miq e shokë si pas mundësive, si tani që jemi në Sarandë me pushime, duke i quajtur këto momente të privilegjuara, por edhe kohën që kaloj me shokë e shoqe të universitetit, të punës, por thashë që koha është më e kufizuar. Por miqtë e vërtetë e të përjetshëm mjafton të dish që janë mirë dhe kur t’i takosh do t’i takosh me kënaqësi dhe këto momente nuk përcillen me mesazhe mërzitjeje.

Cili është hobi juaj?

-Leximi. Kudo kur shkoj nëpër librari, blej shumë libra. Po, të them të drejtën, nuk kam dhe kohë të lexoj të gjitha, por i lë në bibliotekë me mendimin se do vijë dita për lexim. Librat nuk demodohen kurrë. Nuk jam shumë tifoz futbolli, por botërori është event i veçantë dhe kënaqësia që më dha qe fakti që morën pjesë shumë shqiptarë dhe them se trajneri i Belgjikës ka bërë gabim që nuk e përdori fare Adnan Januzaj dhe arsyeja ka qenë xhelozia e lojtarëve të tjerë.

Z. Ahmet, ju sonte ndodheni në Sarandë, ku brigjet e kësaj perle lagen nga ujërat e detit JON. Grupi folklorik i këtij qyteti, “Jonianët”, kur ju ishit në fushatën elektorale, ka qenë në Bruksel, ku polifonia shqiptare shpalosi vlerat e saj. Ju u takuat me pjesëtarët e grupit. Mos ishte një fatmbarësi për ju?

-Po! Po, vërtet mbarësi. Mendoj se, këngët e kënduara nga ky grup bënë një jehonë të madhe në Bruksel. Dhe si për rastin tim, si për marrjen e statusit të vendit kandidat, mendoj se këto kanë bërë punën e vet  dhe një shtytje e madhe, sidomos kënga drejtuar Europës “Hape portën”. Dhe ky ishte mesazhi që mjaft kemi pritur dhe kemi bërë të gjitha përpjekjet, prandaj kërkojmë që të na hapni portat. Mesazhi i grupit ka qenë domethënës, madje vendimtar, mendoj unë, për nxitjen që ka futur me forcën dhe magjinë e artit, sepse shumë politikanë ishin aty, në atë sallë të koncertit. Të kuptohemi, jo se Evropa nuk qe e motivuar, por edhe kjo këngë shtoi diçka në motivacionin e gjerë për të bërë edhe një hap më tej. Them se deri në minutën e fundit duhet luftuar e përpjekur për të marrë diçka.

 Faleminderit për intervistën!

-Ju faleminderit edhe juve sidomos për intervistën, mikpritjen dhe gjithçka na ofroni!

Agron MEMA