Ahlin: Shqipëria arritje të mëdha 20 vjet më parë nuk do i besoja!

542
Sigal

TIRANE – Duke kujtuar udhëtimin e tij në Shqipëri në fillim të viteve ’90, Urban Ahlin politikani i ri në ato vite, tashmë kryetar i parlamentit të Suedizë, tha se 20 vjet më parë nuk do t’i kishte besuar ndryshimet që ka pësuar vendi ynë me liberalizimin e vizave, anëtarësimin në NATO dhe marrjen e statusit kandidat për në BE. Në vizitën e tij zyrtare në Tiranë pas më shumë se 20 vjetësh, Ahlin përcolli angazhimin e Suedisë për të mbështetur Shqipërinë në rrugën e integrimit evropian.  “Suedia do të mbështesë më shumë nga të gjithë anëtarësimin e Shqipërisë dhe hapin e negociatave”, tha Ahlin. Kryeparlamentari suedez theksoi se vendi i tij nuk është skeptik përballë anëtarësimeve të reja duke shtuar se qëndrimi i Suedisë është i qartë: Zgjerimi i BE-së është pasuri për Evropën.
 
Ahlin: E duam më shumë se të gjithë anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Meta: Sikur të ishin të gjitha vendet “skeptike” si Suedia
Kryetari i parlamentit të Suedisë takoi këtë mëngjes kreun e Kuvendit të Shqipërisë Ilir Meta, e ku pas diskutimeve me dyer të mbyllura mbajtën një konferencë për shtyp. Ahlin tha se Suedia nuk është vend skeptik sa i përket zgjerimit të mëtejshëm të Bashkimit Evropian, por se vendet aspirante duhet të përmbushin kriteret.
 
“Suedia nuk është pjesë e vendeve skeptike. Një shumicë e madhe në Suedi mbështet faktin që zgjerimi i BE-së është pasuri për Evropën. Ne nuk kemi kufizime për këtë, duam vërtetë ta shohim Evropën të zgjeruar. Por anëtarësimi nuk vjen lehtë, duhen përmbushur kushtet. Në krahasim me kur isha këtu para 20 vjetësh, Shqipëria ka bërë shumë arritje. Suedia do të mbështesë më shumë nga të gjithë anëtarësimin e Shqipërisë dhe hapin e negociatave”, theksoi Ahlin.
 
Kryeparlamentari Meta ka bërë një batutë në këtë moment duke u shprehur: Urojmë që të gjitha vendet të jenë skeptike si Suedia.
 
Ahlin: nëse dikush do më fliste për arritjet e tanishme të Shqipërisë 20 vjet më parë, do i qeshja në fytyrë
Politikani suedez ka kujtuar vizitën që ka pasur në Shqipëri në fillim të viteve ’90 dhe udhëtimet në disa qytete të vendit tonë i shoqëruar në ato vite nga Ilir Meta. Ai vlerësoi ndryshimet që ka arritur Shqipëria dhe tha se Suedia do të japë mbështetjen e saj në hapat e mëtejshëm.
 
“Në fillim të viteve ‘90 kam vizituar Shqipërinë dhe kam udhëtuar në Elbasan, Shkodër, Vlorë, Sarandë. Unë vija nga një vend i pasur në veri të Evropës si një politikan i ri. Isha i shokuar që shikoja një vend kaq të rrënuar nga regjimi i Enver Hoxhës dhe personi me të cilin i bëra këto udhëtime ishte Ilir Meta. Është kënaqësi që pas 20 vitesh jemi të dy kryetar parlamentesh. Është kënaqësi e madhe që shoh këto ndryshime kaq të mëdha pas 20 vitesh. Kam kënaqësi të shikoj se si Shqipëria ka marrë liberalizim të vizave dhe udhëton kudo në zonën Shengen, kam kënaqësinë të shoh që Shqipëria është anëtare e plotë e NATO-s dhe që në vitin 2014 ka marrë statusin e vendit kandidat. Nëse do më pyeste dikush para 20 vjetësh nëse ky vend pas 20 vjetësh vjetësh do të ishte anëtar i NATO-s, pa viza dhe me status për në BE, do i kisha qeshur në fytyrë.  Pavarësisht ngjyrave të partive politike në Shqipëri është bërë një punë e madhe për të arritur këtu dhe të keni sigurinë se do të keni mbështetjen e Sudisë për më tej. Suedia është e kënaqur që shikon se Shqipëria luan rol pozitiv në stabilitetin e Rajonit. Suedia është e angazhuar për zgjerimin e mëtejshëm të BE”, u shpreh kreu i Parlamentit të Suedisë. 

Meta: Suedia vend demokratik, deputët shqiptarë në parlamentin e tyre
Kryetari i Kuvendit Ilir Meta tha se e njohu homologun e tij me vendosmërinë për të përmbushur 5 prioritetet e Bashkimit Evropian dhe për të forcuar zbatimin e ligjit në luftën kundër krimit të organizuar. Meta u ndal veçanërisht në realizmin e reformën në drejtësi. Po ashtu kryeparlamentari falënderoi Ahlin për mbështetjen që Suedia dha në mbështetjen dhe angazhimin në përmbushjen e reformës territoriale.
Kryeparlamentari tha se Suedia është një vend tejet demokratik, duke iu referuar deputetit me origjinë shqiptare që ndodhet në parlamentin suedez. “Suedia i jep mundësi të gjithëve pa asnjë paragjykim, jo vetëm për të zgjedhur por edhe për tu zgjedhur”, përfundoi Meta.
Meta tha se Shqipëria mirëpret investimet suedeze, ndërsa në fokus të bisedimeve u vendos edhe rëndësia e projekteve në rajon, në kuadër të forcimit të rolit të Shqipërisë për stabilitetin në rajon.