Agron Duka: Zgjidhja emergjence janë kontejnerët e banimit

417
Sigal

Të pastrehët e tërmetit, Agron Duka ofron një zgjidhje emergjente

Ndonëse kriza humanitare tregoi edhe njëherë brishtësinë e institucioneve tona, vala e solidaritetit ishte më e madhe se tërmeti. Solidaritet nxori në pah se shqiptarë janë më të mëdhenj se shteti i tyre, se kufijtë që na ndajnë janë thjesht administrativë dhe shpirti që lidhë këtë komunitet ndjehu dhimbjen sikur t’i përkiste një trupi të vetëm. Nderimet e mia shkojnë te të gjithë ata që në këto ditë të vështira vepruan për të dhënë kontributin e tyre, sipas mundësive të tyre, pavarësisht statusit social, pavarësisht se e kanë bërë përpara apo pas kamerave. Nga ky solidarizim duhet të nis edhe ringritja. Ky bashkëpunim vëllazëror midis shqiptarëve duhet të jetë tulla e parë për të ngritur jo vetëm banesat, por edhe shtetin që ra bashkë me ato. Dëshiroj të veçoj vetëm një bashkëpunim që ka lindur orët e fundit, për të cilin mendoj se do të duhet të jetë edhe një nga rrugët që duhen ndjekur për të zgjidhur fazën tranzitore të strehimit. Bëhet fjalë për ndihmën që ofron miku im Kolë Gjokaj, sipërmarrës shqiptar që zhvillon aktivitetin e tij në Zvicër, në bashkëpunim me të cilin do të vendosim në dispozicion të institucioneve vendase konteinerë banimi, të cilat mund të strehoni deri në 100 persona. Një donacion që vlen për fazën e parë të emergjencës, por që do të uroja të merrej si model për t’i dhënë një strehë atyre që këtë dimër rrezikojnë ta kalojnë në qiell të hapur. Kjo fatkeqësi, që midis të tjerash na hapi sytë mbi situatën reale të vendit tonë, sidomos në zonat rurale, njëkohësisht na dha aftësinë për të parë qartë sa të fortë jemi kur bashkohemi dhe bashkëpunojmë. Të qëndrojmë kështu, dhe me ketë vetëdije ta ndërtojmë të ardhmen së bashku.