Agron Duka: Të thjeshtohet procedura e marrjes së subvencioneve për fermerët

987
Jakup B. GJOÇA

Agron Duka, kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste në prononcimin për gazetën “Telegraf” pohon se subvencionet për fermerët janë pika fundore e politikës, pasi së pari, që ata të përfitojnë duhet të zgjidhet problemi i pronësisë, dhe duhet të thjeshtohet procedura e përfitimit të tyre

-Zoti Duka, përse fermerët e kanë të vështirë të përfitojnë subvencionet?
– Ndonëse subvencionet në bujqësi kanë një impakt të madh në forcimin e prodhimit dhe mbështetjen e fermerëve, ato mund të konsiderohen pika fundore në sektorin e bujqësisë. Përpara se të arrijmë tek subvencionet, si mjet fuqizimi të mëtejshëm të fermerëve, duhet të kemi zgjidhur disa probleme strukturore, të cilat konsiderohen të mbartura në këto tri dekada. Që fermerët të përfitojnë subvencionet, me skemën aktuale, duhet të kenë në pronësi tokën që ata punojnë, ose kontratë qiraje. Për të dyja kushtet kërkohet që të përfundojë regjistri i tokës. Një aspekt tjetër për të aplikuar në skemat subvencionuese është formalizimi, pra pajisja me NIPT dhe të jesh pagues i rregullt i taksave. Ky proces është ende shumë i ngadaltë, pasi që të normalizohesh është e nevojshme që të kesh jo vetëm aftësi për të prodhuar dhe paguar taksat, por edhe të kesh tokën në pronësi, gjë që sikurse thash më sipër, nuk është realizuar për një pjesë të madhe të fermerëve. Një tjetër aspekt i rëndësishëm është të kesh një projekt të mirë me të cilin ti konkurron për grandin (subvencionin), dhe ky është një tjetër limit i fermerëve tanë, të cilët jo gjithnjë kanë aftësi për të përpunuar një biznes-plan. Me pak fjalë, që fermerët të përfitojnë nga subvencionet duhet që qeveria t’i jap zgjidhje si fillim problemit të tokës; dhe së dyti të thjeshtojë mënyrën e aplikimit. Ne si PAA kemi dhënë alternativën tonë për këtë çështje, dhe janë subvencionet e direkte dhe plotësuese. 

– Përse AZHBR-ja ua bën gati të pamundur subvencionet dhe a ka korrupsion për dhënien e subvencioneve për fermerët?
– Rritja e fondeve në bujqësi, këtë vit ato kapin një sasi më e lartë se vitet e mëparshme, do të thotë se mazhoranca, dhe si pasojë AZHBR-ja, kanë vullnetin për të përmirësuar mbështetjen ndaj fermerëve. Kjo duhet përshëndetur dhe jo paragjykuar. Nëse AZHBR-ja, deri më sot, nuk ka arritur të alokojë të gjitha fondet me sukses, nuk duhen ngritur gishtat tek vullneti i institucionit për klientelizëm apo abuzivitet, por tek ato problematika të pazgjidhura ndër vite që përmenda më sipër, dhe që pengojnë konkurrimin e të gjithë fermerëve. Unë e kam përmendur shpesh herë, dhe po e përsëris edhe me ju; bujqësia do të gjej zgjidhje vetëm atëherë kur një qeveri do të kthejë totalisht sytë drejtë këtij sektori, duke e parë si shpresa e vendit. Kur vullneti politik do të përkojë me deklaratat elektorale, bujqësia dhe fermerët do të jenë fituesit e vërtetë, dhe si pasojë edhe ekonomia jonë.
Sigal