Agron Duka, Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste: Kriza ekonomike, pasojë e keqqeverisjes

474
Sigal

 

Hashashizmi dhe trafiqet mund  të blejnë zgjedhjet e 2017

 

Jakup B. GJOÇA

 

Agron Duka, kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste,
në intervistën për gazetën “Telegraf”, shpjegon se në PAA janë ofruar të
kontribuojnë personalitete, ngaqë PAA ka energji të shtuar, ka ofertë dhe
alternativë, që prodhon besim. Zoti Duka pohon se kriza ekonomike e vendit është
pasojë e keqqeverisjes, dhe e politikës ekonomike të saj. Akoma, sipas zotit
Duka, nuk është bërë dekriminalizimi. Zoti Duka pohon se PS nuk e do votimin
elektronik, sepse është “më rehat” ngaqë “ndihet më rehat me mundësitë abuzive
të sistemit aktual”. Ndërsa Hashashizmi dhe trafiqet, thotë zoti Duka, mund të
blejnë edhe zgjedhjet e 2017-s, sepse droga kërcënon tashmë edhe Sigurinë Kombëtare.

 

-Zoti Duka, cila është fizionomia politike që ju
i keni dhënë deri tani,  Partisë Agrare Ambientaliste?

 


Partia Agrare Ambientaliste, ka një traditë të sajën ndër vite, që janë trashëgimia
e saj. Ne kemi bërë riorganizimin e saj, ka prurje të reja njerëzore, ka
energji të shtuar, që ka sjellë shpresë, ka ofertë dhe alternativë, e cila
prodhon  besim. Ne nuk jemi larguar nga targeti i saj tradicional, por
kemi sjellë vëmendjen, atë që për shumë shtresa ishte harruar. 

 

– Është fakt, që tashmë në PAA janë ofruar
tashmë shumë personalitete intelektuale dhe por edhe politikanë, që
riaktivizohen. Cila është ajo diçka që i ka nxitur të aktivizohen në PAA,
ndërkohë që i kanë  zhgënjyer partitë e tjera?

 


Po, është e vërtetë, që emra të rinj për PAA dhe personalitete politike janë
bashkuar projektit tonë. Ata kanë gjetur në Partinë Agrare Ambientaliste mundësinë
për të kontribuar, hapësirën për të konkretizuar investimin e tyre politik,
partinë, ku demokracia e brendshme nuk është teori, por një realitet konkret.
Ata janë një vlerë e shtuar për PAA.

 

– Në zgjedhjet parlamentare të 2017, PAA në
cilin koalicion zgjedhor do të renditet dhe përse?

 

-Ne
jemi në opozitë dhe kështu do të nisim konkurrimin dhe në zgjedhjet e ardhshme.
Në Ersekë, për zgjedhjet e pjesshme që do të zhvillohen atje, koalicioni
opozitar besoi në zgjedhjen e PAA. Bashkë me Zotin Basha ne prezantuam
kandidatin dhe alternativën tonë, duke sjellë elektoratit mundësinë për të
refuzuar harresën ndaj tyre. Për të menduar për ta dhe bashkë me ta. Bashkë me
kandidatin tonë do të jenë të majtë e të djathtë për të ndryshuar keqqeverisjen,
që po u bëhet. Kam besim që banorët e Kolonjës do të përkrahin kandidatin tonë.
Nuk besoj që ata do jenë test për zgjedhjet parlamentare, sepse zgjedhjet
vendore kanë specifiken e tyre, ku një rëndësi të dorës së parë merr dhe
individi.

 

– Kush  mendoni se do jenë zonat tuaja
bastion? Mund të na thoni disa dhe pse ?

 


Nuk do të dalim me idenë se këto janë zona të sigurta dhe të tjerat jo.
Pasiguria që ka mbjellë qeverisja duhet të shërbejë si mundësi për të rritur
besimin tonë. Ne po funksionojmë si një koalicion dhe elektorati ynë nëpër disa
qarqe do të jetë përcaktues për të fituar sa më tepër mandate.

 

– Zoti Duka, duke iu referuar aktualitetit, dhe
ju keni kontribuar në PS, në seancën e fundit të parlamentit, Taulant Balla i
thotë Blushit” Ti nuk u solle kurrë si socialist”, Pyetja është:  A sillen
Rilindësit socialistë si socialistë? Cili është vlerësimi juaj për qeverisjen e
Rilindjes Socialiste?

 


Të mos merremi me thashetheme. Unë kam zgjedhur një tjetër rrugë politike. Kemi
ndarë me Ramën mendime ndryshe e
projekte ndryshe. Kam qenë dhe jam
hartues projektesh konkrete, por (mos)korrektësia dhe premtimet e pambajtura na
ndajnë dhe na indetifikojnë. Rilindja socialiste i ka bërë prezent telashet e
veta, me largime, shkëputje nga grupi, janë socialistet që dëshmojnë se çfarë ka
ndodhur me ta. Ne po mendojmë për qytetarët. Të majtët kanë shumë parti dhe ky
copëzim është njëherësh tregues i raporteve të brendshme të këtij elektorati
dhe këtyre partive. Por votuesit janë aq inteligjentë e të mençur, sa të njohin
politikanin e fjalës së mbajtur. Popullin e ke të pamundur ta gënjesh.

 

Kriza
ekonomike që kalon vendi ynë, është pasojë e keqqeverisjes, apo shkak i
ndikimit të krizës globale?

 


Janë shumë faktorë që ndikojnë në krizën ekonomike. Sigurisht, efektet e krizës
globale janë faktorë që kanë ndikimin e tyre, por nuk mund të lëmë mënjanë
menaxhimin e dobët dhe të keq nga qeveria. Taksat e larta barra fiskale më e
lartë në rajon, klima e biznesit në përkeqësim të vazhdueshëm, rritja e kredive
të këqija, investimet e huaja në një situatë të pazakonte, janë elementë që kanë
stresuar ekonominë. Punësimi s’ka njohur përmirësim, ikja e të rinjve është një
alarm shqetësues. Vitin e shkuar 60 mijë shqiptarë kërkuan azil në BE është
thuajse një qytet që mund të zhdukej nëse do kishin marrë po-në e kërkesës për
azil. Abuzimet dhe korrupsioni janë vrasës shtesë të ekonomisë. Drejtësia e
mbetur sëmurë prej vitesh nuk prodhon shpresë. Ndaj ekonomia është pacienti
global që kërkon ndihmë, ndërsa te ne është në reanimacion.

 

– Zoti
Duka, ju besoni se miratimi i ligjit të Vetingut dhe i 6 ligjeve të paketës së
Reformës në Drejtësi, do të reformojë Gjyqësorin?

 


Drejtësia është në proces reformimi. Vetingu thuajse ka nisur. Të presim fjalën
e institucioneve dhe t’i bindemi drejtësisë.

 

– Sipas
jush, a u krye deri tani, dekriminalizimi i parlamentit dhe i pushtetit vendor?

 


Për kryebashkiakët e pushtetarët ne besojmë se duhet të veprojë
dekriminalizimi.

 

– Zoti
Duka, Grupi Parlamentar i PS rrëzoi mundësinë e numërimit elektronik në
zgjedhjet e 2017-s, ndërkohë që PS kërkoi me këmbëngule numërimin elektronik në
zgjedhjet e 2013-s. Ju, si e shpjegoni këtë paradoks?

 


Votimi elektronik është me shumë dobi, sepse minimizon manipulimet. Duket se maxhoranca
nuk është pro, sepse ndihet më rehat me mundësitë abuzive të sistemit aktual,
por ne do të investohemi maksimalisht, që vota të reflektojë vullnetin e
qytetarëve.

 


 Droga është emergjencë
kombëtare


Cili është shkaku i vërtetë i Hashashizmit të Shqipërisë, sidomos në vitin e
parafundit të mandatit qeveritar? Varfëria? Apo bashkëpunimi i krimit me
politikën?


Droga është një alarm dhe emergjencë kombëtare. Zoti Kukan ditë më parë tha, se
problemi i drogës është problem gjigand në Shqipëri dhe ne po e ndjekim me shumë
shqetësim. Shtypi i huaj: ai italian, amerikan, francez dhe zviceran po japin
reportazhe të shpeshta ku denoncojnë plantacionet e hashashit në Shqipëri.
Tonelata droge sekuestrohen në Itali dhe vendet e tjera. Jemi në kufijtë e cënimit
të Sigurisë Kombëtare. Kjo mbart rrezik serioz që paraja e drogës dhe trafiqeve
të përdoret për të blerë mandatet dhe kështu zgjedhjet janë një pavlefshmëri
dhe jo demokraci…


 Faleminderit!