Agron Duka: Ka filluar çmontimi i Ramës në popull

447
Sigal

Intervista me deputetin Agron Duka për gazetën “Telegraf”, u realizua  disa orë më  përpara se zoti Duka humbi babanë. Gazeta “Telegraf” i shpreh zotit Duka, si edhe gjithë familjes Duka, ngushëllimet për këtë humbje të madhe. Në intervistën për “Telegraf” deputeti Agron Duka, shpreh bindjen e tij, se debati midis Ramës e Tom Doshit, nuk është personal, por deputeti Doshi nuk është dakord me qeverisjen “Rama” dhe se ndihet i përdorur nga Kryeministri. Sipas Dukës, nëse kryeministri Rama hesht ndaj akuzave të Doshit, sepse ka hall, atëherë ky është meraku i popullit shqiptar. Kjo kritikë, por edhe ndodhi të tjera, sipas Dukës, tregojnë që në popull ka filluar çmontimi i Ramës si kryeministër dhe si lider i së majtës.

Doshi-Rama a mund të quhet debat i brendshëm në Partinë Socialiste, apo sherr personal?

– Sipas mendimit tim, debati ndërmjet tyre nuk është personal. Unë e njoh Tom Doshin, kam parë gjithashtu edhe raportet e tij me elektoratin. Ai gjithmonë i përkushtohet halleve dhe problemeve të tij, si dhe mundohet të zgjidhë ato. Me sa duket, ai nuk është dakord me mënyrën e qeverisjes në përgjithësi, si dhe me mungesën e investimeve në zonën e tij, për të cilën zoti Doshi mund të ketë dhënë fjalën në fushatë elektorale dhe në vazhdimësi. Zoti Doshi, duke pasur shumë besim te fjala e dhënë, mendoj se është fyer dhe  është ndjerë i përdorur nga kryeministri, sepse, në fund të fundit, është ai që ballafaqohet drejtpërdrejt me elektoratin dhe realizimin e premtimeve. Duke e parë në këtë optikë, mendoj se ky debat mund të marrë përmasa të tjera brenda PS-së dhe në rast se ndodh kështu, nuk ka më vend për këtë pyetje.

 – Sipas jush, çfarë ekuilibri u prishën midis Ramës dhe Tom Doshit?

– Së pari, më vjen mire që edhe brenda maxhorancës ka deputetë të cilët dalin hapur për pakënaqësitë e tyre, ndaj kryetarit të PS-së njëherësh edhe Kryeministër. Nga momenti që Doshi foli, sigurisht që u prishën ekuilibrat mes tyre. Mendoj që Rama nuk mund të gjejë dot mbështetje më tek Tom Doshi dhe anasjelltas. Unë nuk jam në gjendje të bëj orakullin e të gjej çfarë gjërash personale nuk shkojnë ndërmjet tyre, por nisem nga opinione personale dhe deklarata të bëra publikisht, prandaj mendoj se ekuilibrat, që janë prishur, janë ato që thashë më sipër. Nëse më vonë mund të dalin gjëra, siç përflitet, që nuk i dimë, ky nuk është faji ynë, por i atyre që i kanë konservuar. Këtë që bëri Doshi, pra që foli hapur për pakënaqësitë e tij ndaj mënyrës së qeverisjes, duhet ta bëj çdo deputet që mendon në të njëjtën mënyrë, sepse deputetët janë ata që ballafaqohen direkt me hallet dhe problemet e popullit. Nëse je i pakënaqur me qeverisjen dhe hesht, tregon se nuk ke integritet dhe kacavirresh për të siguruar karrigen e deputetit në vazhdimësi, gjë e cila favorizohet edhe nga Kodi Zgjedhor aktual. Prishja e ekuilibrave me kryetarin e partisë do të thotë shkatërrim i perspektivës në politikë.

 – Është një opinion se ky konflikt publik, Rama-Doshi, shënon fillimin e çmontimit të mitit të Ramës në PS. Cili është mendimi juaj?

– Opinione mund të ketë shumë. Siç e thashë, nëse do të ketë të tjerë zëra që do dalin kundër për shkak të mos qeverisjes së mirë, sigurisht që mund të shkojmë në një tkurrje të PS-së. Përsa i përket çmontimit të mitit Rama, nëse ka ekzistuar një i tillë, ai ka kohë që ka filluar, jo vetëm brenda PS-së, por edhe në popull.

– Kur Tom Doshi deklaron se do të ketë tërmet në këmbët e Ramës, nëse ai flet, mendoni se bën shantazh politik ndaj kryeministrit?

– Kjo mbetet për t’u parë dhe varet gjithmonë nga vërtetësia e akuzave, por për një gjë jam i sigurt, që pozitat e Ramës në qytetin verior vërtet pësojnë tronditje të mëdha.

– Ministri Tahiri deklaroi orë më vonë, pasi Doshi akuzoi Ramën, se askush nuk e merr dot peng kryeministrin. Cili është mesazhi “peng” i ministrit dhe ndaj kujt?

– Si ministri, edhe kryeministri e njohin shumë mirë Tom Doshin dhe së bashku kanë bërë fushatë elektorale për fitoren e PS-së, prandaj nuk  mendoj që e kanë fjalën për të. Si një deklaratë e bërë nga ministri i Brendshëm, duhet marrë në konsideratë, të jetë vallë aq në hall kryeministri? Nëse është e vërtetë, të gjithë jemi në merak për kryeministrin e vendit.

– A mund të ketë paqe të brendshme në PS dhe tolerancë për shqiptarët, tashmë, nëse Tom Doshi nuk zbardh çfarë kishte ndërmend ato që adresoi ndaj Ramës “Nëse hap gojën, ai do ketë tërmet në këmbët e Ramës”?

– Zhvillimet në PS sigurisht që do të tregojnë edhe marrëdhënien mes Ramës dhe Doshit. Shpresoj që Doshi të shprehet, sepse kjo do të ndihmojë jo vetëm votuesit e Tom Doshit, por të gjithë shqiptarët.

 – Sipas jush, përse deri tani hesht Rama?

– Për këtë duhet pyetur Rama. Sidoqoftë, nuk mendoj që kjo do të vazhdojë gjatë, sepse, nëse ndodh kështu, do të thotë që Rama personalisht ka probleme, që nuk guxon t’i bëjë publike dhe si pasojë do të tronditet shumë roli i tij si kryeministër dhe lider i së majtës.

– Po rolin e kumbarit të Koço Kokëdhimës, ju si e cilësoni? Mund të ketë paqe politike tashmë me “kumbarë”?

– Dihet që zoti Kokëdhima është mik i afërt i kryeministrit, si dhe anëtar i grupit parlamentar të PS-së e si i tillë është e natyrshme të mundohet të sheshojë çdo mosmarrëveshje. Ky nuk më duket rol kumbari. Të shohim si do të shkojnë ngjarjet në vazhdimësi…

– Faleminderit!