Agron Duka i vendos kusht Lulzim Bashës: Shkëputemi nga opozita, nëse nuk largon ministrin e Brendshëm

609
Sigal

Kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka i ka vendosur kusht kryetarit të PD-së Lulzim Bashës për bashkëpunim në zgjedhjet lokale të 2019-ës, largimin e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Agron Duka u shpreh se nuk e di se si mund të shkojnë në zgjedhjet vendore nëse nuk arrijnë të heqin ministrin e Brendshëm. “Jo vetëm unë, por edhe pjesë të tjera të opozitës do i shkëputen PD-së, nëse nuk arrijnë sukses në këtë betejë që kanë marrë përsipër. Protesta do të vazhdojë deri në fund. Jam anëtar i opozitës dhe kryetar i PAA, nëse opozita këtë radhë nuk arrin atë që i ka vënë qëllim vetes, me të gjitha metodat demokratike, unë jam i pari që largohem dhe nuk e mbështes më këtë opozitë. (Opozita) Ka marrë kauza të tjera dhe nuk ka triumfuar. Në një vend si Shqipëria, nuk mund të jetë ministër i Brendshëm një njeri që ka vëllain të implikuar në trafik droge. Nëse Basha dhe të gjithë anëtarët e tjerë të opozitës, nesër, nuk triumfojmë në këtë luftë, për mendimin tim nuk kanë bërë asgjë. Nuk e di se si mund të shkojnë në zgjedhjet vendore nëse nuk arrijnë të heqin ministrin e Brendshëm. Nuk mund të shkojmë në zgjedhje. Jo vetëm unë, por edhe pjesë të tjera të opozitës do i shkëputen PD-së, nëse nuk arrijnë sukses në këtë betejë që kanë marrë përsipër”, – tha Agron Duka, kryetari i PAA.