Agron Duka fut në bela  PD e Durrësit. Nisin ethet e fushatës për Bashkinë

101

Arqile Gorea, i PD-së:  “Unë kandidat i pavarur në rast se miratohet kandidatura e Dukës”

Shpallja e parakohshme e emrit të Agron Dukës, deputetit të PR-së, si kandidati i përbashkët nga opozita për garën e 21 qershorit për kryetar Bashkie në Durrës, duket se ka krijuar një situatë të rënduar në degën e PD Durrës, e cila po sjell edhe klanizimin e kryesisë lokale.  Vetëm pak ditë më parë, krahas emrave që përfliten në kryesinë e PD Durrës, ka dalë edhe ai i Arqile Goresë, që aktualisht është zgjedhur anëtar i kryesisë degës, anëtar i Këshillit  Kombëtar, dhe i ngarkuar nga Lulëzim Basha si drejtues i Departamentit të Logjistikës në qendër.

Kundërshtimi i Arqile Gorea: Kandidoj i pavarur, nëse PD-ja mbështet Agron Dukën

Arqile Gorea në një prononcim për gazetën “Telegraf”, ka deklaruar se “mbetem kundër kandidimit të Agron Dukës, dhe kundër miratimit nga PD-ja e emrit të tij si kandidat i përbashkët për të garuar në 21 qershor për kryetar Bashkie në Durrës, kjo pasi kam kërkuar që ai kandidat të jem unë, dhe në rast se kjo nuk do të miratohet, atëhere do të garoj  si kandidat i pavarur”. Kjo deklaratë e Arqile Goresë bëhet vetëm pak javë nga konturimi i përfundimtar i listës emërore të PD në qendër, e cila po shqyrton propozimin e kreut të PR-së për të dalë në Durrës me kandidatin e tyre, deputetin Agron Duka. Fakti është se dalja e parakohshme e emrit të Dukës, si kandidati i vetëm për të garuar për Bashkinë e Durrësit, dhe përpjekjet për ta nxjerrë atë si “kandidatin konsensual nga opozita”, kanë zgjuar dhe krijuar një situatë kaotike në kryesinë e degës PD-së në qytetin bregdetar. Kjo pasi deri tani emrat e tillë, si  Igli Cara, Oerd Bylykbashi, Ardian Muka, Arqile Gorea, apo edhe ndonjë tjetër, ishin përgatitur dhe kishin krijuar terrenin e duhur për të dalë si të propozuarit e kryesisë lokale,  duke marrë edhe ‘bekimin” e deputetëve opozitarë të Qarkut. Por dalja e papritur e emrit  të deputetit republikan Agron Duka, duket se nxiti reagimin e prerë  të ish-drejtorit të Përgjithshëm të Postave Shqiptare, Arqile Gorea, i zgjedhur së fundi edhe në forumet drejtuese të PD në Tiranë. Gorea në prononcimin e tij ka deklaruar se “Agron Duka, ardhur nga e majta, që dikur ka bërë fushatë kundër PD-së, nuk mund të jetë kandidati ynë konsensual, ndaj mbetem në pritje të një përgjigje pozitive nga kryesia qendrore e PD-së, pasi në rast të kundërt, do të dal ndoshta edhe kandidat i pavarur”. Arqile Gorea ka qenë kryetar Bashkie në Durrës në vitet 1996-2000, ndërkohë, që ka shqafur sërish ambicjet e veta për të riardhur në atë post, pas zgjedhjes në disa forume drejtuese të PD-së, duke kërkuar miratimin e kandidaturës së tij për zgjedhjet e 21 qershorit.

Gorea nuk ka terrenin e duhur në kryesinë e degës të PD-së

Por duket se emri  i Goresë nuk ka gjetur terrenin e duhur edhe në kryesinë e degës. Osman Stafa, kryetar i degës PD-së Durrës i tha “Telegraf” se “deklarimet dhe prononcimet mediatike të Arqile Goresës, janë individuale, dhe të bëra  pa konsultime me mua si kryetar dege dhe kryesinë. Ne sapo na ka ardhur udhëzimi nga PD-ja lidhur me propozimet për emrat e kandidaturave, por për gjithçka vendosin forumet e parties. Zoti Gorea është anëtar i Këshillit Kombëtar, dhe si i tillë automatikisht është futur në listen e anëtarëve të kryesisë degës, por jo i zgjedhur me vote. Mendoj se deputeti Duka ka ruajtur konturet e një gare, ka elementë që do të diskutohen nga kryesia, por deri tani nuk ka asgjë konkrete”.

BEN  DELIMETA