Agron Duka: Derisa Kryeministri Rama ka financuar fushatën elektorale në SHBA, reformën në drejtësi ta fillojë nga vetvetja

540
Agron Duka, deputet dhe kryetari i PAA, në intervistën për gazetën “Telegraf” shprehet se, nëse provohet që kryeministri Rama ka financuar fushatën elektorale në SHBA, atëherë, ai duhet ta fillojë reformën në drejtësi nga vetvetja. Gjithashtu, zoti Duka thotë se arroganca verbale e mazhorancës për të vendosur veto në bisedime për reformën në drejtësi ka shkaktuar polarizim dhe mosdakortësi. Zoti Duka shpreh edhe kritikat ndaj ambasadorëve në Tiranë, të cilët dukshëm kanë anuar nga mazhoranca. Sipas zotit Duka, duket sikur deputetët që kanë probleme me drejtësinë, duket sikur do të votojnë një reformë në drejtësi që është kundër vetvetes. Zoti Duka thotë që qeveria e “Ramës” ka marrë miliarda euro borxh dhe i ka shpenzuar ato për lukse qeveritare dhe jo për investime publike. Së fundi, zoti Duka shprehet se reforma zgjedhore nuk duhet zvarritur, por edhe nuk duhet të lihet në duart e partive të mëdha, por duhet zhbëhet Kodi aktual Zgjedhor, që bën deputet, njerëzit e listës së kryetarëve dhe elektorati nuk voton dot përfaqësuesit e tij për në Parlament. 

-Zoti Duka, sipas jush, ku qëndron ngërçi politik që nuk miratohet reforma në drejtësi?

-Kjo reformë mbart brenda saj shumë halle, shumë aktorë të politikës, po vënë re mosbesimin mes palëve. Arroganca verbale e mazhorancës për të vendosur veton në bisedime po shkakton normalisht polarizim dhe mosdakortësi mes pozitës dhe opozitës, duke konsumuar energji dhe kohë, pa asnjë produkt të qartë. 

-Ju, zoti Duka, mendoni që ambasadorët e akredituar në Tiranë bëhen palë me mazhorancën, për reformën në drejtësi, derisa deklaruan publikisht që kryetari i Opozitës ndryshon qëndrimin për dhënien e konsensusit?
-Ambasadorët përfaqësojnë vendet partnerë dhe unë besoj se përcjellin mesazhet e tyre. Në javët e fundit kemi pasur raste, kur qëndrimet e tyre kanë anuar dukshëm nga mazhoranca, aq sa krijuan një opinion se delja e zezë qenka opozita. Rrethanat dhe zhvillimit e fundit, dëshmuan se nuk ishte krejt ashtu. Ajo vija e kuqë e përmendur nga Rama, sikur atij i ishte besuar vullneti SHBA-BE, duket se pësoi luhatje dhe lëvizi dukshëm në anën tjetër. Ndaj, më ngjan se ka teprime nga partitë politike për të përdorur bashkëpunimin dhe njëherësh mbështetjen amerikane, apo evropiane me shqiptarët, sikur është në adresë të një subjekti të caktuar. 
– Sipas jush, çfarë do të thotë Kryeministri Edi Rama, i cili deklaroi pas takimit me Nuland në Tiranë që: “Shumica qeverisëse do të mbetet deri ditën e fundit e hapur për çdo kompromis që nuk cënon thelbin e reformës. Pyetja është: Cili është, sipas jush kompromisi që nuk cënon thelbin e reformës?

-Kryeministri Rama ka kohë pas qëndrimeve të Ambasadorit Amerikan pro tij dhe mazhorancës, na del shpesh si zëdhënës i SHBA dhe BE, çka nuk e ka as për tagër, apo të na imponojë vullnete që e kapërcejnë atë. 
Zonja Nuland, dëshmoi se vijat e kuqe të lakuara fort nga qeveria lëvizkan, referencat e Komisionit të Venecias, përfshirë në propozimet e opozitës nuk qenkan përralla, sipas Ramës, por sot i kemi propozime konkrete të dala nën bekimin e SHBA-BE. Ka një propozim konkret të opozitës, që sot është pjesë e propozimit të ofruar me ardhjen e zëvendës sekretares se shtetit, Viktoria Nuland, por iu la ta përcjellin ambasadorëve Lu dhe Vlahutin, që tashmë nuk mund të komentojnë vullnete partish. Ajo që nuk cenon thelbin e reformës, është që qytetarët të mos njihen nesër pas votimit me pronarët e rinj të drejtësisë, por me shërbëtorët e saj, të mos kemi padronë politikë sa majtas dhe djathtas, që pas riformatimit, nisin e kërkojnë ndere trupës së re, siç fatkeqësisht ndodh gjatë tek ne. Nuland nuk ishte as Lu, as Vlahutin, ishte Nuland dhe qëndrimi i saj, solli temperaturë më të ulët politike, së paku këto tre katër ditë. 
-A duhet të votojë Opozita draftin e reformës në drejtësi, në rast së nuk ka kompromis politik?
-Ne gjendjen ku kemi mbërritur unë shoh se presioni për reformën në drejtësi nuk është mbi opozitën, por mbi mazhorancën. Është ajo që duhet të ofrojë dakortësinë, pas propozimit që është ajo që i ka kërkuar PD dhe ky komision ad hoc, tashmë është pjesë negociatash. 
Ky propozim tashmë mban vulën amerikane, ndaj Rama dhe mazhoranca kanë qenë më të ulëtit në botë, e pak të kontraktuar, duke ulur dozat euforike, se ata ishin të zgjedhurit e tej Atlantikut. 
Opozita përfaqëson vullnetin e gjysmës së shqiptarëve, ajo nuk është thjesht numër, por është avokate e votuesve të saj, njëherësh frenuese e tendencës së përqendrimit të shumë pushteteve në një dorë. 
Diçka tjetër: Derisa ky Parlament është akuzuar për deputetë me rekorde kriminale, kjo qeveri është akuzuar se ka ministra të korruptuar (ju kujtoj akuzat e ambasadorit Donald Lu në nëntor 2015, që tha se deputetët kriminelë dhe ministrat e korruptuar pengojnë reformën), kush shqiptar mund të besojë se kjo reformë në drejtësi e kësaj mazhorance do të bëjë katharsin e korrupsionit?
Këtu keni të drejtë, se ka episode që stonojnë dhe ngjan sikur të korruptuarit dhe ata që kanë probleme me drejtësinë, po votojnë kundër vetvetes. Së pari, të vijmë në një draft konsensual, që merr miratimin e gjithë klasës politike. Kjo e bën reformën jetëgjatë, të fortë institucionalisht. Në këtë mënyrë, ajo do të ketë pavarësinë e duhur për të ndëshkuar, këdo ka probleme, me shkeljen e ligjit, abuzimet, korrupsionin. 
Këto deklarata i kemi dëgjuar së bashku të gjithë, duke përfshirë prokurorinë, e cila ka indicie të mjaftueshme për të hetuar dhe dërguar në gjykatë raste konkrete, aq më tepër kur ndërkombëtarët përmendin edhe emra konkretë. Ne duhet të ndërgjegjësohemi, se kur akuzojmë, denoncojmë, të mos e bëjmë një veprim thjesht politikisht, por t’u drejtohemi institucioneve duke kërkuar reagimin dhe veprimin e tyre. 
Pse sot është klimë e vështirë që të investohet në Shqipëri?
Klima politike dhe ajo e biznesit janë në një harmoni dhe prishja e njërës ndikon menjëherë të tjetra, sikur indikatorët në një bursë. Ne po debatojmë gjatë për një reformë në drejtësi, duke përmendur faktin se ky sistem nuk funksionon mirë dhe qytetarët nuk marrin drejtësinë e merituar dhe kjo është thelbësore. 
Një biznesmen stepet, kur merr vesh se në vendin, ku do të hedhë paratë drejtësia, është e korruptuar. në rastin më të parë që atij do t’i duhet të zgjidhë një mosmarrëveshje me palë të tjera, me shtetin, apo këdo subjekt, ndjehet i pasigurtë dhe pa besim se do të dalë e drejta, për sa kohë nuk ka besueshmëri tek drejtësia. Edhe problemet e pronës në Shqipëri janë të mëdha dhe kjo lëkund seriozisht investimet. 
Në vendin tonë në këto 25 vjet janë mbi 8 mijë vrasje për çështje pronash. Kjo është një shifër tronditëse për sipërmarrjen kryesisht të huaj, kur bën një plan biznes dhe mendon të vijë në vendin tonë. pastaj janë dhe probleme të tjera të barrës fiskale, që është ndër më të lartat në rajon, duke mos qenë vend i favorizuar në adresë të taksimit. 
Siguria dhe rendi kanë rënë ndjeshëm, grabitjet janë shtuar, këto janë informacione frenuese për biznesin si vendas ashtu edhe të huaj. Qeveria duhet ta shohë biznesin si partner, si motor të ekonomisë dhe punësimit, jo ajo lopa për t’u mjelë e marrë paratë, 
Që bankat e nivelit të dytë, nuk ndihmojnë biznesin me kredi, cila është përgjegjësia e qeverisë?
Ekonomia është një operacion zinxhir dhe Bankat si biznese private kanë kriteret dhe ligjshmëritë e tyre. 
Duhet të merremi vesh se disa sektorë të ekonomisë ndërtimi kryesisht kanë një rënie dhe ky sektor është i lidhur me disa sipërmarrje të tjera, që kushtëzojnë njëra tjetrën. 
Futja në një cikël të kredive me probleme, ku ka pak biznese, ul kredibilitetin e biznesin, fuqinë e tij paguese dhe risku vjen duke u rritur. 
Diversifikmi i portofolit të kredidhënies në sektorët e energjisë, turizmit, bujqësisë, ka sjellë disa sektorë. ku besueshmëria ka më tepër garanci. Qeveria në këtë mes ka një përgjegjësi që është sa e re dhe e vjetër. 
Nëse qeveria e mëparshme kishte lënë detyrime të prapambetura, dhe qeveria aktuale mori një borxh të madh për t’i shlyer, sot jemi në një moment kur janë krijuar sërish detyrime të prapambetura, punë e papaguar, kjo ishte një vërejtje e FMN për qeverinë që të shlyejë detyrimet dhe të mos thellojë borxhin. . 
Zoti Duka, ju si deputet, a e dini sa është borxhi aktual i Shqipërisë?
Borxhi publik është i lartë, mendoj mbi 72 për qind (është për ta verifikuar) dhe kjo është një shifër serioze që nuk shënon suksese, por duhen masa që ekonomia të jetë fleksibël dhe borxhi të kontrollohet dhe të ulet sa më tepër
A keni mendimin se statistikat zyrtare në Shqipëri manipulohen nga qeveria, derisa INSTAT është në varësi ligjore të kryeministrit?
Kjo beteja e shifrave është disi lojë e vjetër dhe unë mendoj se çdo qeveri ka futur duart nga pak te të dhënat për t’i sheqerosur sipas oreksit elektoral, sesa real. Por nëse shifrat e INSTAT, kanë mbipopullim në të dhëna dhe llogaritje, janë të dhënat e Bankës së Shqipërisë, të Eurostat, të FMN dhe Bankës Botërore, BERZH, që sjellin realitet besoj të pamanipulueshëm nga qeveritë me gjithë ndikimet në partneritetin e shumë punëve dhe projekteve
Zoti Duka, qeveria e Kryeministrit Rama ka marrë hua nga FMN mbi 2 miliardë euro, ndërkohë që mungojnë investimet publike dhe njëkohësisht, kjo qeveri nuk ka bërë as rritje rroge dhe nuk ka dhënë as ndihma sociale. Ju si mendoni, ku shpenzohen borxhet që merr qeveria e Kryeministrit Rama?
Konstatimi juaj ka një vërtetësi që duhet analizuar me vëmendje. Janë marrë miliarda euro BORXH dhe raporti me investimet publike është më pak se modest. Nuk ndihet pesha e investimeve publike, më shumë janë shpenzime luksi, rikonstruksione zyrash, ministrish, apo shërbime të fryra, që nuk shkojnë te konsumatori. Këto para të hedhura në rrugë, shkolla, shëndetësi, bujqësi, mjedis, do të kishin sjellë një rritje punësimi, rritje ekonomike, çka nuk reflektojnë të dhënat aktuale. Jemi edhe nën presionin e zhvillimeve globale, të cilat sjellin efekte në ekonominë tonë. Kujtojmë se pas daljes së Anglisë nga BE, institucionet ndërkombëtare kanë ulur parashikimet e rritjes ekonomike. Ne jemi dhe mes dy ekonomive, që kanë pasur luhatje të shpeshta dhe aspak të lehta, si Greqia dhe Italia, vende me të cilat ne kemi shkëmbimet më të mëdha tregtare, kjo ndikon dhe do të ndikojë. Ndaj qeveria duhet të orientohet në ekonomi, jo thjesht teorikisht. 
A është problem penal dhe politik financimi që Edi Rama, si kryetar i PS në 2011 ka financuar fushatën elektorale të Obamës?
Kam ndjekur shtypin si vendas dhe atë të huaj. Është një çështje në Amerikë që po hetohet nga autoritetet e drejtësisë. Kjo është ngjarje e rëndë, e cila duhet zbardhur. Ka dhe një denoncim nga PD në prokurori për ta zgjatuar hetimin në Shqipëri. Akuza rëndon mbi kryeministrin Rama dhe nëse hetimi shkon drejt provimit të kësaj akuze, atëherë Kryeministri duhet të përgjigjet para drejtësisë. Këtu ka një vendim moral, që duhet të kapërcejë atë ligjor. Nëse provohet implikimi serioz i z. Rama në këtë ngjarje, atëherë kur kërkon reformë në drejtësi, duhet ta nisësh nga vetja. 
Duhet të veprojë gjyqësori shqiptar, në këtë rast?
Ngjarja ka ndodhur në SHBA, dhe atje po kryhet një hetim. Nëse ka episode që e lidhin këtë ngjarje me veprime në Shqipëri, atëherë drejtësia shqiptare duhet të bëhet pjesë e hetimit të kësaj çështjeje

Zoti Duka, Parlamenti shqiptar ka një Komision Parlamentar për Reformë Zgjedhore, por deri tani nuk është folur fare për ndryshimin e Sistemit Zgjedhor, që favorizoi kriminalizimin e Parlamentit. Opozita, a është për zhbërjen e listave të mbyllura të kandidatëve për deputetë?

Ne fatkeqësisht jemi politikë e minutave te fundit dhe kështu dëmtojmë gjithnjë cilësinë e produktit të asaj që bëjmë, duke zvarritur në limite të pajustifikueshme bërjen e reformave të domosdoshme. Ne presim ndoshta fillimin e fushatës elektorale, që të merremi me reformën zgjedhore. Ne partitë e vogla kemi bërë propozime dhe do bëjmë të tjera mbase, për të pasur një reformë zgjedhore që të na japë një parlament me përfaqësues më larg llogarive pushtetshme të partive të mëdha. Nuk duhet lënë e gjithë zgjedhja e reformës zgjedhore në dy apo tre duar, e pastaj do të përballemi me një parlament aspak cilësor, por që sheh interesat e atyre që të shënuan emrin në listë, apo atyre që financuan promovimin. Lista e hapur, sipas meje, është më tepër pjese e garës dhe më e drejtpërdrejtë me votën që merr kandidati, se sa atë që merr partia, në një renditje sigurie. Kështu është më e identifikueshme marrëdhënia me votën. Ndaj duhet nxituar, për të mos filluar sherret ditët e fundit, para zgjedhjeve. 
Sigal