Agim Toro: “Problemi i pronës, i tejkalon përmasat e politikës”

525
Sigal

INTERVISTË/ Agim Toro, nëndrejtori i AKKP-së: Akti Normativ do të shpejtojë procesin e shpërndarjes së fondit të 2013-s

Tashmë, si numri dy i Agjencisë së Kthimit e Kompensimit të Pronave, Agim Toro, në një intervistë për “Telegraf”, flet për pozicionin e tij në këtë institucion dhe zhvillimet më të rëndësishme në çështjen e pronës. Toro thekson se përfshirja në Agjenci ka sjellë një zhvillim pozitiv për pronarët në përgjithësi. Numri dy i AKKP-së komenton gjithashtu hartën e vlerës së pronave, e cila sipas tij ka vend për korrigjime, të cilat do të bëhen në vazhdim. Ndërsa shprehet lidhur me proceset në vazhdim, Toro nënvizon se pritet akti normativ i miratuar nga Qeveria  që të fillojë procesi i shpërndarjes së fondit të 2013-ës, i cili është në një numër llogarie të veçantë, në dispozicion të Agjencisë.

Ju mbani një detyrë tepër të rëndësishme në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Si e shihni veten në këtë pozicion?

Vendosja ime në këtë detyrën e nëndrejtorit të përgjithshëm në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave lidhet drejtpërsëdrejti me interesimin e zgjidhjes së problemit të pronave. Për mendimit tonë, është shumë me vlerë që një përfaqësues i subjekteve të shpronësuara të jetë në këtë administratë që është një administratë e zbatimit të ligjit. Kjo nuk ka të bëjë thjesht me emrin tim si person, mund të ishte kushdo tjetër si përfaqësues i shoqatës, në mënyrë që të ndihmonte në drejtim të zbatimit korrekt të ligjit, të ndihmonte njëkohësisht në drejtim të asaj transparence të nevojshme dhe të domosdoshme që kërkon procesi i kthimit dhe kompensimit të pronave si një nga detyrat kryesore të Komisionit Europian për Shqipërinë.

Kjo do të thotë që ju jeni dakord me këtë ligj?

Kjo nuk do të thotë që ne jemi apo s’jemi dakord me ligjin, ka dy mënyra për të kundërshtuar një ligj: E para, është mënyra që e bojkoton, pra subjektet nuk do të kërkonin të përfitonin pronat e tyre nëpërmjet ligjit dhe e dyta është nëpërmjet kërkesës për zbatimin sa më korrekt dhe të saktë të ligjit, të tregojmë rezultatin që mund të arrijë ky ligj, nëse e zgjidh problemin e pronave apo nuk e zgjidh problemin e pronave. Në këtë këndvështrim, ne kemi thënë që nuk e kemi miratuar ligjin duke arsyetuar që ky ligj nuk do të arrijë të zgjidhë problemin e pronave dhe do të jetë e njëjta situatë që ka qenë këto 22 vjet rresht pa ndërprerje. Dhe duke qenë brenda si një zbatues ligji dhe jo si kundërshtues ligji do të arrihen më mirë konkluzionet se ku janë të metat e ligjit, ku duhet përmirësuar ligji dhe cilat janë mënyrat e zgjidhjes së problemit që është dhe një nga detyrat që ka vënë Komisioni Europian edhe Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut në përmirësim të vazhdueshëm dhe në unifikim të të gjithë procedurave të kthimit dhe kompensimit të pronave apo mënyrat e përfitimit të pronësisë në gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Dhe në këtë aspekt janë vënë detyra që të hartohen ligje në standardin europian, sipas Kushtetutës shqiptare dhe standardeve të  Gjykatës Europiane të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, ku jo në pak raste, shteti shqiptar është ndëshkuar. Duke qenë në këtë post dhe duke i prekur me dorë të gjitha dosjet që kalojnë në Agjencinë e Pronave, do të jemi në gjendje për të përmirësuar më mirë dhe më saktë këto ligje. Vë re, se të gjitha partitë politike që kanë bërë fushatë elektorale, kanë pasur në shtyllën e programit të tyre zgjidhjen e problemit të pronësisë. Pra politika shqiptare, si të thuash hartuesit dhe ligjvënësit e Parlamentit të ardhshëm kanë kuptuar që zgjidhja e pronave duhet të jetë një nga çështjet primare. Në këtë aspekt Parlamenti duhet ndihmuar me problematikën, me faktet, me të dhënat, me transparencën e nevojshme në mënyrë që të arrijë të marrë vendime sa më të drejta dhe ta zgjidhë problemin, sepse të themi “nuk mban më ujë pilafi”, në kuptimin e  këndvështrimit që ka edhe Europa për këtë çështje. Dhe në këtë aspekt qenia e përfaqësuesit të shoqatës në instancat drejtuese të AKKP-së është vlerësuar si një zgjidhje e mirë, e pranueshme në mënyrë që të arrihet sa më parë në një përfundim të drejtë dhe real të çështjes së pronave, ashtu siç përcaktohet dhe në Kushtetutën e Shqipërisë. Pra në këtë këndvështrim unë e pranova detyrën e nëndrejtorit të përgjithshëm të AKKP-së.

Çfarë ka ndryshuar me ardhjen tuaj këtu?

Duke qenë dhe duke pasur patur kontakte me njerëzit gjatë gjithë këtyre viteve, jam përpjekur që me punën time në AKKP, të jem sa më transparent në marrëdhënie me njerëzit, që njerëzit domosdoshmërisht të priten, të sqarohen, t’u plotësohen kërkesat, kur këto kërkesa janë të drejta dhe  njëkohësisht të sqarohen për kërkesat e tyre që nuk janë në përputhje me ligjin, të plotësohen në përputhje me ligjin për të arritur në një vendimmarrje të drejtë. Unë mendoj që megjithëse kam një muaj e gjysmë që jam në këtë detyrë, ka një rezultat konkret, sepse konstatoj që  në korridoret e AKKP-së nuk ka më grumbullime njerëzish nga 20-30 veta sa ishin përditë, korridoret tani janë të qeta, njerëzit punojnë të qetë. Unë i pres njerëzit nga mëngjesi deri në momentin që largohem nga zyra, nuk kam një orar pritje dhe shikoj që gjithmonë e më pak njerëz kanë shqetësime, kanë ankesa përsa i përket trajtimit ose të drejtave të tyre. Njëkohësisht dhe ritmet e punës në sektorët ku shqyrtohen çështjet, janë përmirësuar edhe në këtë këndvështrim unë besoj në kontributin e të gjithëve në punën e personelit dhe të drejtorit të përgjithshëm me të cilin hartuam një program që të arriheshin gjithë këto dhe mendoj se kemi arritur një sukses deri tani.

Cilat janë proceset në ecuri e sipër apo prioritetet e AKKP-së për këtë moment?

Kur unë erdha në këtë detyrë, fondi i kompensimit të pronarëve për vitin 2012 ishte ndarë, ndërsa fondi i kompensimit për vitin 2013 ende nuk është shpërndarë. Me gjithë përpjekjet e bëra që ky fond të shpërndahet përpara zgjedhjeve, nuk ia arritëm qëllimit, sepse për ndarjen e këtij fondi duhet të dalë një akt normativ i Këshillit të Ministrave, i cili tregon mënyrat dhe format sesi do të ndahet ky fond. Meqenëse ky akt normativ nuk ka dalë, ne këtë fond nuk mund ta shpërndajmë. Në kuptimin e garancisë, ky fond është në dispozicion të AKKP-së në një numër llogarie në fond të veçantë, s’mund të preket nga administrata shtetërore apo nga kushdo qoftë. Pra në bazë të ligjit të fondit të veçantë, ky fond ka kaluar në një numër të veçantë llogarie që e disponon Agjencia dhe është në dispozicion të saj, pra nuk preket, sepse ka pasur thashetheme që janë apo s’janë e të tjera. Unë garantoj që këto para janë, por shpërndarja e tyre lidhet me një akt të Këshillit të Ministrave i cili nuk ka dalë.

Cilët pronarë do të përfitojnë nga ky fond?

Ata që kanë një vendim të Komisionit të Kthimit të Pronave për Kompensim, por kriteret sesi do të përzgjidhen këta, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Dhe në këtë aspekt, përderisa nuk ka një vendim të Këshillit të Ministrave ne nuk mund t’i shpërndajmë ato.

Po thonit?

Njëkohësisht në Agjenci ishte një shumë prej gati 12 milion dollarësh, i ardhur nga ALUIZNI si rezultat i të ardhurave të grumbulluara nga ndërtimet pa leje, i cili ishte në dispozicion të AKKP-së, sepse është e ngarkuar me ligj që të shpërndajë edhe fondet e subjekteve që shpronësohen si efekt i legalizimeve. Situata ishte që këtu ishin rreth 11 vendime të Këshillit të Ministrave ku ishte përcaktuar se cilët ishin pronarët që kompensoheshin, për kë numër pasurish kompensoheshin, për sa sipërfaqe dhe njëkohësisht dhe në çfarë shume, të paracaktuara këto nga vendimi i Qeverisë dhe Agjencia nuk ndërhyn dot për të lëvizur në emra, në sipërfaqe apo në para. Agjencia vetëm i administron dhe i shpërndan këto sipas një akti normativ të Këshillit të Ministrave dhe të ligjit që thotë të shpërndahen me këste duke i barazuar të gjithë subjektet që përfitojnë. Vendimet janë që nga 2008-a deri në 2013-ën dhe nga 9 vendimet e para ku pronarët kishin përfituar një shumë nga 47% të vlerës së tyre, në bazë të llogarive dhe parave që kishte AKKP-ja morën dhe 10 % dhe vajtën në 57%. Kurse për 2 vendimet e fundit, që janë të dhjetorit të 2012-ës dhe janarit të 2013-ës, nuk ishte shpërndarë asnjë fond dhe këta do të shkojnë te 57% e vlerës së tyre. Paratë janë në Agjencinë e Pronave, mirëpo akti normativ për mënyrën sesi ndahen këto para, detyron AKKP-në që para se të shpërndajë paratë, duhet të bëhet një verifikim, domethënë subjektet që preken nga shpronësimi, paraqiten në AKKP ku duhet të paraqesin disa dokumente: një prokurë ku është caktuar nga bashkëpronarët se kush do marrë paratë, një numër llogarie që e depozitojnë në një nga bankat e nivelit të dytë ku do derdhen paratë dhe pastaj bëhet një verifikim në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, nëse gjendja e pasurisë ka ndryshuar apo jo, pra të mos kemi transaksione mbi këtë pasuri dhe njëkohësisht dhe përcaktohet sa është sasia që takon secilit nga bashkëpronarët. Kryerja e kësaj procedure është në përfundim, ne bëmë përpjekje maksimale që ta përfundonim sa më parë këtë, të them të drejtën nuk arritëm ta përfundonim, sepse donim t’i shpërndanim këto para, por unë mendoj që menjëherë pas zgjedhjeve, në mënyrë që të mos ketë dhe ndikim në procesin e zgjedhjeve, këto para do të shpërndahen. Dhe janë të gatshme, po përfundojnë dosjet, ndoshta 100% e subjekteve kanë ardhur të bëjnë kërkesën dhe besoj brenda javës së parë apo të dytë pas zgjedhjeve do të dalë vendimi, i cili do të bëhet publik. Kjo bëhet që të gjithë ata qytetarë që e kanë dosjen e rregullt dhe të plotë të mos vijnë më këtu, por të shkojnë direkt në bankën ku kanë hapur numrin e llogarisë dhe të tërheqin paratë. Kjo është për efekt të transparencës maksimale që përpiqemi të arrijmë në këtë institucion, kurse për pronarët që nuk u del emri në media, mund të kenë probleme në dosje që janë: të mosplotësimit të dokumenteve, të problemeve që kanë ndodhur më pas plotësimit të dokumentacionit ku mund të kemi revokime të prokurave, kemi dhe ndryshime të kërkesave, kemi dhe konflikte që kanë vajtur deri në gjyq për arsye nga më të ndryshmet.

Nga praktika juaj cili kompensim është në interes të pronarëve, ai fizik apo financiar?

Praktika ka treguar që të dyja kategoritë ekzistojnë. Në rast se, kompensimi financiar është zbatuar në praktikë deri tani që nga viti 2005 për ato shuma që janë vendosur nga buxheti i shtetit, sipas një praktike të përcaktuar nga akte normative të Këshillit të Ministrave janë paraqitur qytetarë që e kanë kërkuar dhe janë trajtuar sipas rregullave. Është realizuar apo jo kërkesa e tyre, është një gjë tjetër, sepse kjo është e lidhur me sasinë e parave që janë vendosur, pra nuk mund të themi që nuk ka kërkesa për kompensim financiar, kërkesa ka, njëkohësisht ka dhe kërkesa për kompensim fizik. Sot në Agjencinë e Pronave diskutohet një sipërfaqe, të themi, goxha e mirë tokash të vendosura për kompensim fizik, proces i cili nuk ka filluar akoma. Jemi në fazën e bashkëveprimit me institucionet e tjera, si Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, ALUIZNIT, ka një grup pune të ngritur në Ministrinë e Drejtësisë për këtë qëllim që po merret me verifikimin konkret se ku janë këto sipërfaqe me qëllim që të fillojë dhe kompensimi fizik. Dhe gjithë procedurat thuaj se janë përfunduar. Po përgatitet nga Ministria e Drejtësisë dhe akti normativ në mënyrë se si do të operohet me shpërndarjen e këtij fondi të kompensimit fizik dhe shtatori apo tetori do të jetë muaji i një kulmi pune për sa i përket shpërndarjes së këtyre pronave të kompensimit fizik, por gjithmonë janë të lidhura, sepse duhet të kemi parasysh se AKKP-ja është një institucion që është në varësi të Këshillit të Ministrave që ka për detyrë të nxjerrë aktet normative, sesi do të operojnë administratat në varësi të tij, ku përfshihet dhe AKKP-ja.

Pronarët në përgjithësi janë të pakënaqur nga harta e vlerës së pronave e miratuar nga KM. Po ju si shpreheni në lidhje me këtë?

Përsa i përket hartës së vlerës, unë personalisht i qëndroj atyre vërejtjeve që kam thënë pa ardhur në këtë vend pune. Kjo hartë, ka nevojë për përmirësime. Fatmirësisht, në aktin ligjor që ngarkon Qeverinë për të hartuar metodikën dhe hartën e vlerës ligji përcakton se harta e vlerave të pronave mund të rifreskohet e të përmirësohet vit pas viti dhe diçka e tillë na bën të besojmë se harta do të përmirësohet me kalimin e kohës. Edhe kjo temë, pavarësisht se jam në këtë detyrë, është prekur në Ministrinë e Drejtësisë, të cilët kanë pranuar faktin që harta duhet përmirësuar. Dhe unë mendoj përsëri që shtatori do të jetë muaji në të cilin do të fillojmë të rifreskojmë të dhënat, në mënyrë që të arrijmë sa më afër çmimit të tregut, ku më problematike paraqiten çmimet e bregut të detit, sidomos të Shqipërisë së Jugut, çmimet e zonave që kanë interes më të madh për zhvillimin e ekonomisë së vendit, ku dukshëm përcaktohet interesi i qytetarëve për privatizim apo ndërtime. Kjo duhet bërë në mënyrë që dhe pronarët që kompensohen financiarisht, të marrin sa më afër atij që quhet “çmim tregu”.

Si mendoni ju, produkti i zgjedhjeve a do të ndikojë në procesin e kthim-kompensimit të pronarëve?

Unë përshëndes qëndrimin e të gjitha partive politike që do të jenë të përfaqësuara në Parlamentin shqiptar. Të gjithë liderët në gjithë fushatën elektorale kanë pasur një qëndrim shumë të qartë për sa i përket pronës. Të gjithë janë angazhuar për një zgjidhje të drejtë, zgjidhje kushtetuese. Filozofia e pronës është një filozofi e djathtë në të gjithë botën dhe unë jam i bindur që pronarët në filozofinë e tyre janë të djathtë, por mendoj gjithashtu se çdo qytetar është i lirë dhe i fshehtë me votën e tij. Në këtë këndvështrim unë them që të gjithë drejtuesit e partive politike që do jenë në Parlamentin e ardhshëm të ulen këmbëkryq, ta lenë politikën në një anë dhe të zgjidhin problemin e pronës, sepse nuk i përket as të majtës, as të djathtës, i përket përparimit dhe zhvillimit shqiptar.