Agim HUSHI:Ndoshta jam i vetmi tenor në botë që skam marrë asnjë kritik negative për këngën time…

1126
Sigal

 INTERVISTA/ Flet tenori me famë botërore Agim HUSHI: Shqipëria ka rënë në dorë të njerëzve të babëzitur

Rruga e tij e artit ka qenë dhe mbetet ndër më interesantet. Përfundoi studimet për Gjuhë-Letërsi, por ëndrra e tij ishte kënga, muzika. Dhe fati i buzëqeshi kur takoi dirigjentin e parë Mustafa Krantja. I shpjegoi hallin dhe ëndrrën. Dyert ju hapën. Ndoshta në atë regjim ishte ndër të paktët njerëz që mbaroi dy fakultete, ku njëherazi u bë dhe pjesë e TOB, që pak kush e gëzonte këtë të drejtë në atë sistem. Zëri i tij i bukur në demokraci pushtoi skenat më të mëdha dhe më me emër të botës. Dhe ai kurrë se mohoi se ishte shqiptar, por përkundrazi e përmend me krenari të qenit shqiptar.

 Rruga e artit është shumë e vështirë. Të arrish një majë duhet të kalosh në male vështirësish…

-Rruga e artit tim si këngëtar lirik nisi që në fëmijërinë time të hershme.
Nisi në mënyrë fare të natyrshme bashkë me ëndrrat e mija të asaj moshe, dëshirat e mia për të eksploruar botën nëpërmjet syve dhe imagjinatës së një fëmije kurioz për gjërat me te çuditshme, me te bukura, me te paarritshme .
Bashkë me dëshirën për tu bere pilot, futbollist apo ministër, imagjinatën time të ndezur fëminore e ngacmonin ca gjera të pazakonta si filmat, teatri, bile diçka akoma edhe me magjepse: ca njerëz me zëra mbinjerëzor qe këndonin me aq forcë dhe aq lart!
Arti i te kënduarit operistik si çdo formë e artit te kultivuar është një shkrirje artesh në një. Formimi im artistik filloi me magjinë e librave të Giani Rodarit, Zhyl Vern e Servantes, Eseninin, Kuprinin, Turgenievin, Gogolin , Cehovin , Xhon Gorsuorth, Charl Dickens, Daniel Defon, Tomas Man, Aleksander Dyma e Gustav Flober, Viktor Hygo and Gi De Mopasan, O’Henri e Honore de Balzak… Një listë ndërtuesish jo vetëm të imagjinatës time krijuese artistike, por dhe të një gustoje artistike që do formonte të ardhmen time si solist lirik, me një formim shumëdimensional… Unë rrjedh nga një familje e varfër kavajase që bashkë me hallet e përditshme të jetës së një qyteti të vogël bashkë me privimin e një jete kulturore provokonte ëndrrat e mia më të mëdha për një të ardhme ndryshe, jashtë limiteve të një qytetit provincial.
Një kurajë për të besuar në një të ardhme të ndryshme nga ajo jetë meskine dhe e varfër, që fati më kishte afruar në ato vite.
Njerëzit e mi ishin njerëz të thjeshtë që bënin gjithçka për të siguruar ekzistencën, por që përveç ushqimit dhe ngrohtësisë prindërore s’mund të më afronin asgjë që të ushqenin ëndrrat e mija të largëta. Një radio e thjeshtë mbushte dhomën time të varfër me ato tinguj magjepsës që vinin jo vetëm nëpërmjet Radio –Tiranës, por edhe nëpërmjet “Italia Sera”, programit magjeps të mbrëmjes, së përtej detit, që më bënte të lija lojën kukafshehthi me shokët dhe të vija veshin te altoparlanti i vjetër i radios për të dëgjuar ata njerëz të jashtëzakonshëm që këndonin opera për dy orë rresht.  Ishin Di Stefano, Titio Schipo, Ferrucio Tagliavini e plot të tjerë …e njeri prej tyre mësuesi im i ardhshëm tenori legjendar Franco Corelli… Ishin pikërisht këto njerëz të jashtëzakonshëm që me magjinë e zërit të tyre më nxitën pa kuptuar ëndrrën time të fshehtë për t’u bërë dhe unë një prej tyre….

 Kush e zbuloi zërin tuaj si tenor?

Një ditë teksa isha shëtitje me bashkëshorten time Kristinën dhe djalin e porsalindur në Kavajë, ndeshëm me të madhin Mustafa Krantja… E ndjeva se ishte momenti im ti shprehja këtij njeriu, dirigjentit të parë të operës shqiptare, dëshirën time të fshehtë.
Ai më dëgjoi, por jo pa çudi, aq më tepër kur mësoi se, unë sapo isha diplomuar për gjuhë letërsi dhe prisja emërimin si mësues fshati. Dhe ai organizoi një audicion në Konservatorin e asaj kohe, sot Akademia e Arteve. Të parët që më dëgjuan ishin: Hamide Stringa, Feim Ibrahimi, Joni Athanas. Më pas kërshëria për të dëgjuar zërin e ri të tenorit nga Kavaja bëri që Mustafa Krantja të organizonte takime të tjera për të më dëgjuar Marie Kraja, Rozmari Jorganxhi, Shpresa Nishani, Tonin Harapi, Çesk Zadeja ….Dhe çifti Avni dhe Nina Mula ishin të parët që shprehën dëshirën të bëheshin mësuesit e mijë dhe që mentori im Mustafa Krantja ua besoi duke bërë që në themelet e teknikës sime vokale të ishte dora e këtyre mjeshtrave të mëdhenj.

 Kur konkurruat në Akademi si ju pritën të Jurisë dhe kush ishin pjesëtarët?

– Duke qenë se un kisha përfunduar një herë studimet e larta, në kohën e monizmit ishte e ndaluar vazhdimi i dy fakulteteve, kështu që u vendos që duke patur parasysh dhe formimin tim të përgjithshëm kulturor, që unë të vazhdoja vetëm studimet muzikore si një rast i veçantë, në Teatrin e Operës duke qenë njëkohësisht i emëruar aty si solist.
Dhe mësuesja ime e kantos u caktua Nina Mula, mësuesi personal i solfezhit i madhi Simon Gjoni dhe mësuesja e pianos Lili Tafaj.
Ndihem krenar që në Historinë e Teatrit të Operës dhe Baletit unë jam artisti i parë që jam emëruar solist bazuar vetë, në talentin tim natyror, pa diplomë përkatëse dhe mbi të gjitha që në formimin tim kanë pasur dorë më të mëdhenjtë e kulturës kombëtare.
Dhe të mendosh se unë u emërova në një institucion të tillë kulturor që ishte maja dhe kulla e fildishtë e kulturës shqiptare e asaj kohe, ku unë firmosja borderonë përkrah emrave të mëdhenj si: Gaqo Cako, Ramiz Kovaçi, Mentor Xhemali, Tatiana Kora, Edit Mihali, Ibrahim Tukiqi, Hysen Koçia , Shqipe Zani , Gjergj Sulioti e Fitore Mamaqi…
Por me gjithë kujdesin e këtyre mjeshtrave të mëdhenj dhe përkushtimin e tyre, pas një viti unë mendova se studimet e plota ishin domosdoshmëri e suksesit tim të mëtejshëm.
Për këtë, me propozimin dhe kujdesin personal të Ministrit të Kulturës së asaj kohe Prof. Alfred Uçi, Këshilli i Ministrave mori vendim të veçantë për vazhdimin e studimeve të mia të dyta, vendim që e firmosi Manush Myftiu, duke qenë dhe njëkohësisht i punësuar si solist në Teatrin e Operës…
Kështu u shënua një tjetër ngjarje e veçantë për mua dhe Konservatorin e asaj kohe. Unë jam i vetmi në historinë e këtij Konservatori që një student u pranua pa konkursin tradicional të pranimit, si një rast unikal!
Këtu pastaj për katër vite pata fatin të studioja dhe ti kryeja këto studime me rezultate të shkëlqyera me Artistin e Popullit Ramiz Kovaçi, i cili me eksperiencën e tij pedagogjike dhe artistike i dha një shtysë të re profesionale talentit tim vokal.

Cilat janë të veçantat e zërit të një tenori?

-Të veçantat e zërit të tenorit janë ato që ekzistojnë edhe midis instrumenteve.
Cilësia dhe fuqia e tingullit. Tenori është më i lartë se baritoni dhe basi , por dhe vetë midis tenorëve ka ndryshime në fuqinë dhe shkëlqimin e tingullit. Po ashtu, kapacitetit për të përballuar parte vokale të diçiturave të ndryshme.
Po në ndryshim me instrumentet e tjera të ndërtuara nga njeriu, vokali njerëzor është një instrument i gjallë ku mbi te gjitha dominon fuqia interpretuese e këngëtarit, formimi dhe aftësia e tij për të krijuar.

Cili ishte koncerti i parë që keni dhënë ku dhe si jeni pritur?

Koncerti im i parë ka qenë një koncert Gala organizuar nga TOB më 1989, me dirigjent Rifat Teqja, transmetuar live nga RTVSH. U prita shkëlqyeshëm , madje e vetmja gazet zyrtare e asaj kohe përshëndeti daljen time të parë gjë që ishte shumë e rrallë të të dilte emri tek Zëri i Popullit të asaj kohe….
Më kujtohet që isha aq i emocionuar sa me zor kapërdija pështymen. Por i madhi Rifat Teqja më dhe një kurajë qe s’do t’ia harroj kurrë. Pa të fillimi im do kishte qen kujtimi i një dite katastrofe….

 -Pse zgjodhët Austrinë për të vazhduar rrugën e artit, dhe çfarë konkursi kryet për të shkuar në atë Teatër?

-Unë jam qytetar Australian dhe për vite me radhë e kam ushtruar aktivitetin tim në kontinentin e largët, në Sisny Opera House dhe shpesh njerëzit e ngatërrojnë ardhjen time në Austri me Australinë.
Unë fitova një vend pune të shkëlqyer si Shef i Seksionit të Operës në Konservatorin e Vjenës. Duke qenë se im bir Aldo filloi studimet në Paris, në Universitetin Amerikan “Schiller” për Diplomaci ne nuk mund të qëndronim larg tij. Po ashtu, kishte ardhur koha t’i thoshim jo një distance të tillë planetare që na ndante nga Shqipëria të cilën e kishim lënë qysh më 1992, kur unë fitova të drejtën e studimeve Pasuniversitare në Budapest, në Konservatorin Franz List, për tre vjet.

 Në sa skena të botës keni kënduar dhe cilat ka qenë dita më e bukur ?

Kam kënduar pothuaj në të gjithë botën.
Dhe të gjitha ditët e koncerteve apo te shfaqjeve të mia kanë qenë të bukura, të veçanta, të papërsëritshme. Mbase do te veçoja jetën në Singapor si këshilltar i Presidentit të Singaporit Lyric Opera, ku për disa vite kemi jetuar mes një luksi dhe ekskluziviteti të papërsëritshëm qoftë social, aziatik, tropikal…
Por unë, sinqerisht, nuk mburrem se ku dhe në sa vende kam kënduar sa ç’jam krenar të them se jam pritur kudo ku kam kënduar me nota maksimale.
Ndoshta jam i vetmi tenor në botë që skam marrë asnjë kritik negative për këngën time…

-A ju mungon Shqipëria?

-Shqipëria më mungon…më mungon shumë po më shumë më dhemb sepse nuk jam në gjendje ta ndihmoj dhe unë me fuqinë dhe kapacitetin tim.
Shqipëria ka rënë në dorë të njerëzve të babëzitur që mendojnë se janë vetëm ata që duhet të mendojnë për Shqipërinë, se është e drejta e tyre të bëjnë ç’të duan me të dhe të harrojnë se jemi dhe ne bijtë e tjerë që mbase dimë më shumë dhe mund të afrojmë më shumë ndihmë me eksperiencën tonë, njohurit tona, qytetarin tonë….
Po ky është fati i Shqipëri, ky është fati ynë në përgjithësi, se kështu e kemi ndarë ne vetë mes njeri tjetrit…

E ke ndjerë racizmin në Austri apo aty ku ke punuar?
-Racizmin sinqerisht nuk e kam ndjerë kurrë.
Racizmi është pjellë e një shoqërie të paformuar, e një shoqërie që ka komplekset e saj që i shpreh në formën perverse të racizmit.
Duke qen se i kam përkitur dhe kam jetuar në çdo kohë me elitën e çdo vendi ku kam jetuar dhe aq me tepër që kam jetuar në vende ku njerëzit kanë qenë me ngjyrë apo me sy te vegjël, kjo më ka bërë jo vetëm të mos e ndjej racizmin po larmin e racës njerëzore ta shoh si bukurin dhe pasurin e planetit Tokë!

-Si është shkolla shqiptare e muzikës, a është ajo e niveleve europiane?

– Mund të flasim pa dyshim për dy shkolla që megjithëse janë të lidhura midis tyre në traditë përsëri ndryshojnë ndjeshëm.
Shkolla deri në vitin 1990 ka qenë një shkollë që nivelin, konsolidimin profesional, motivimin dhe arritjen shkencore apo artistike e kishte objekt dhe burim force shtytëse.
Dhe shkolla e re, e hapur, jo vetëm në principe demokratizuese por dhe kapitaliste ku përzgjedhja dhe motivi i pranimit në këtë shkolle s’janë me një numër super talentesh po mundësia i jepet pothuaj të gjithëve dhe ku motivet krahas atyre artistike dhe profesionale janë dhe ana materiale që nganjëherë shkojnë mbi ato të ndërgjegjes profesionale. Sot kush paguan me shume merr mësime më shumë….

Cilët janë tenorët botërorë që ju keni për zemër dhe pse?

-Tenorët e mijë të preferuar janë: Di Stefano, Pavaroti, Domingo, Jose Carreras dhe Profesori im Franco Corelli.
Me Correllin studiova për një vit në Milano më 1999 dhe ai shkroi me dorën e tij një letër për mua fjalët më të bukura që dikush i ka thënë për zërin dhe të kënduarën time, letër që dhe sot e kësaj dite e ruaj si kujtimin më të bukur …
Këta tenorë janë pa dyshim më të mëdhenjtë jo vetëm për nga bukuria natyrore e zërit të tyre, por mbi të gjitha nga arti i madh që ata kanë përcjelle njerëzimit dhe universit të kulturës njerëzore!

-Si është një ditë pune për ju?

– Dita e punës time është e zakonshme, pothuaj te gjitha ditët janë dite performuese shto dhe mësim dhënien që është një pasion i imi pa të cilin nuk rroj dot ashtu si pa këngën. Nëse këndoj në shtëpi çdo ditë apo performoj në skenë është pothuajse e njëjta gjë.
Madje, në shtëpi më të shumtën e rasteve këndoj edhe më mirë se në skenë…

 Sa opera keni në repertorin tuaj dhe çfarë i mungon këtij repertori?

– Në repertorin tim kam shumë opera, por un s’jam partizan i sasisë, por i cilësisë. Po them se dhjetë opera i kam të mijat dhe ato janë operat më të vështira dhe më të kërkuarat si: Turandot, Manon Lescout, Il Trovatore, Cavaleria Rusticana, Otello, Pagliaci, Tosca, Aida, Andrea Schenier, Carmen….

-A keni regjim për ruajtjen e zërit dhe kush është armiku kryesor i zërit?

– Regjim të mirëfilltë për zërin as kam as kam pasur kurrë. Po jeta e rregullt, shëndeti i mirë, të ushqyerit me kujdes, të kënduarit çdo dit dhe mbi të gjitha të kënduarit drejt teknikisht janë ato që e mbajnë zërin në formë dhe të freskët….

Tenorët shqiptarë a janë konkurrues me ata Evropianë?

– Tenorët ashtu si dhe këngëtaret e tjerë lirik shqiptare sopranot, mexot apo baritonët janë duke konkurruar me sukses sot në botë dhe duke përfaqësuar jo vetëm arritjet e tyre por dhe kulturën shqiptare operistike që ato përfaqësojnë. Unë jam profesional dhe lajmet të ashtuquajtura mediatike, sensacionale, këndoi këtu apo këndoi atje, mua nuk më bëjnë përshtypje se kudo këndohet. Po arti dhe vlerat e tij maten me si këndohet…Unë kam ndjekur me respekt këngëtare të tillë të mirëfilltë operistik si tenorët A. Kllogjeri, J. Gjipali, sopranot I. Mula, A. Jaho dhe mexosopranon E Shkoza.

Janë vërtet artist që konkurrojnë në botë me dinjitet.

 Ku i bëni zakonisht pushimet?

-Pushimet tani që jemi kthyer në Europë nga Singapori, ne i kemi bërë në Egjipt dhe Spanjë.
Sharm El Sheik dhe Hurgada janë më të preferuarat se Deti i Kuq është mahnitës…

 Sa ndikon familja për një këngëtar?

– Familja edhe tek një këngëtar si për çdo profesion tjetër do thoja, është ajo energji dhe forcë e padukshme që të jep krahë, të mbush dhe të shtyn përpara, ti japësh gjithçka publikut por dhe atyre njerëzve tuaj të dashur që prej vitesh nuk lodhen duke të ndjekur, duke të ndihmuar që performanca jote të jetë maksimale, duke ndarë me ty çdo detaj dhe shqetësim që ofron jeta artistike e një këngëtari që është çdo dit në lëvizje…
Pa një familje të mirë dhe suportuese vështir të flitej për një arritje të plotë në karrierë ashtu siç do thoja se asnjë karrierë nuk do ma plotësonte nevojën për një familje të suksesshme…

 -Cili është mendimi juaj për femrat shqiptare?

-Kjo pyetje më bën të jap një përgjigje shume më të thjeshtë se ç’mund t’i jepte një sociolog. Kam nënë dhe bashkëshorte shqiptare. E ç’mund të them më shume se fjalët më të bukura që mund të gjej për dy krijesat më të dashura të jetës time?