Afrim Krasniqi: Shqipëria nuk foli për të dhënë përgjigje

486
Sigal

Afrim Krasniqi, politologu i njohur, në intervistën për“Telegraf” hedh një dritë nga një këndvështrim ndryshe, për protestat qytetare, duke theksuar se ato ishin reagim ndaj heshtjes, por që të kenë vlerë historike, ato duhet të vazhdojnë kundër korrupsionit, kundër arrogancës së qeveritarëve, etj.. Zoti Krasniqi, pohon se, Shqipëria nuk foli për të dhënë një përgjigje, pasi “Jo”-ja e Kryeministrit ishte individuale dhe jo, institucionale. Sipas zotit Krasniqi, sot Shqipëria vuan nga mungesa e një lidershipi vizionar. Ndërsa nga “Jo”-ja e Kryeministrit Rama, SHBA-të, sipas zotit Krasniqi, nuk do të hakmerren, por, për 4 vjet, nga Uashingtoni, nuk do të ketë ftesë zyrtare për Kryeministrin, apo për kryetarin e opozitës.

– Zoti Krasniqi, protesta qytetare, kundër shkatërrimit të armëve kimike në Shqipëri a mund të cilësohet si një “fitore historike”?

 – Vlerë historike patën debatet dhe projekti, ku u ftua të jetë Shqipëria. Nuk mendoj se, kjo protestë, me gjithë risitë pozitive, mund të krahasohet me ndonjë prej atyre lëvizjeve të mëdha politike. Në thelbin e vet protesta ishte reagim ndaj heshtjes, ndaj frikës dhe ndaj pasigurisë për të ardhmen. Si e tillë, ajo mori fund kur u dha garanci, se nuk ka vend për frikë dhe se të paktën e ardhmja nuk do jetë e rrezikuar nga miti i armëve kimike.

– Nga ana tjetër, a mund të pretendojmë se tashmë, u arrit një hop cilësor në ndërtimin e standardeve demokratike?

– Elementët e protestës sollën risi demokratike, por procesi mbeti larg standardeve demokratike. Nuk pati transparencë, nuk pati përfshirje dhe as konsultim midis institucioneve, nuk pati rol profesional të medias dhe as të institucioneve të pavarura të shtetit, nuk pati akte të përgjegjshme politike. Akti i pranimit dhe më pas i refuzimit të projektit për shkatërrimin lëndëve kimike ishte që në fillim personal, jo institucional, jo transparent dhe kështu edhe u mbyll. Protestues që reagonin prej frikës dhe qeveria që iu përgjigj me të njëjtën sjellje. Nga frika nuk vijnë revolucionet dhe as idetë e mëdha demokratike. Ndaj mungoi një sistem vlerash që të mund ta institucionalizonte protestën. Ata që e krijuan atë dhe ata që iu kundërvunë asaj, me ndonjë përjashtim, vepruan me të njëjtat mjete iracionale: presion dhe refuzim të mendimit ndryshe, identifikim me patriotizmin dhe sigmatizim të palës tjetër për sjellje antipatriotike. Unë vetë shpreha një mendim ndryshe dhe pata reagim të ashpër gati denigrues nga njerëz që konsiderohen mbi mesataren në formim, pra me një rol publik. Gjithsesi, testi kryesor për arritjet demokratike të kësaj proteste do të jetë gatishmëria për të reaguar me të njëjtën forcë e formë në raste të skandaleve politike, vendimeve jotransparente dhe akteve arrogante të politikës në kundërshtim me interesat publike. Unë jam pesimist se kjo mund të ndodhë.

Cila është fitorja e vërtetë e protestave qytetare kundër armëve kimike? “Jo”-ja e Kryeministrit Rama, a mund të vlerësohet si një vendim i drejtë për qytetarët, në një proces politik të menaxhuar gabim?

– Shqipëria dje, sot dhe në të ardhmen vijon të vuajë nga mungesa e lidershipit vizionar, që shikon tej interesave të ditës dhe tej kalkulimit të votave. Unë nuk besoj se vendimi refuzues ishte më i miri për Shqipërinë, dhe anasjelltas. Nuk pati informim dhe as formim të opinionit publik. Pati keqinformim dhe përpjekje për të gjetur alibi refuzuese. U humb shansi për të pasur një debat politik dhe institucional, për ta analizuar shansin historik si aktor në politikën e madhe globale me minimalisht të njëjtën kohë e përkushtim që harxhojmë në negociata rutinore dhe të periodike për KQZ apo reformat zgjedhore. Nëse do të kishte proces, çdo përgjigje që buron prej tij do të kishte qenë më institucionale, më e qëndrueshme, më efektive dhe më e besueshme sesa një “Po” ose “Jo” e një ose dy individëve, të bërë në emër të Shqipërisë dhe shtetit shqiptar.

 – Nisur nga deklarata e ambasadorit Arvizu, një ditë para se Kryeministri Rama të publikonte “Jo”-në,  se “ një “Jo” do të ishte zhgënjyese”, mendoni se SHBA-të tani do të rishikojnë raportet e marrëdhënieve me Shqipërinë?

– Do ishte naive të mendohet se, SHBA-të do të jetë kritike apo hakmarrëse me Shqipërinë e shqiptarët. Ne jemi këta që jemi, këtu e në Kosovë, për shkak të SHBA-ve. Rasti i fundit cenon, por nuk dëmton marrëdhëniet dhe interesat historike. Problemi është pak më i thjeshtë: SHBA ka vendosur përherë në këto dy dekada veton e saj pozitive për të mbështetur Shqipërinë në çdo aspiratë të saj. Ato na ndihmuan të pranohemi në NATO vetëm pak javë pas tragjedisë së Gërdecit. Mjafton kaq për të kuptuar rolin e saj ekstra diplomatik në raport në Shqipërinë. Kam frikë se ky pasion do të mungojë në ditët, muajt dhe vitet e ardhshme. Derisa të mësohemi të jemi serioz, të mos premtojmë gjëra që nuk mund t’i bëjmë dhe të mos ndryshojmë mendje sa herë kemi një protestë apo një sondazh negativ në rrjetet sociale. Dhe me siguri, asnjëri prej liderëve kryesorë politikë, të maxhorancës dhe opozitës, nuk do të ketë ndonjë ftesë zyrtare në Uashington në katër vitet e ardhshme. Kush i njeh marrëdhëniet ndërkombëtare e kupton domethënien e kësaj pritshmërie. Gjithsesi është interesante që SHBA-të të kuptojnë se çfarë modelesh politike plastike ka mbështetur dhe mbajtur në këmbë në politikën shqiptare.

Nga kjo “Jo” e Kryeministrit, mendoni se prestigji i  SHBA-ve është vënë në siklet përballë Rusisë dhe opinionit botëror?

– Ishte refuzim në momentet e fundit dhe me siguri ka shkarkuar një problem. Por të jemi të sinqertë, nuk pres që fatet e botës dhe marrëdhënieve SHBA-Rusi të kenë qenë të varura nga Tirana zyrtare.

– Një përgjigje e Shqipërisë, për të pranuar ose jo armët kimike, duhej të jepej nga Kryeministri (e ca më pak, në atë mënyrë publike), apo duhej të jepej nga Kuvendi, apo nga Këshilli i Sigurimit Kombëtar?

– Vendimi nuk është dhe nuk mund të jetë monopol i Kryeministrit. Kushtetuta dhe ligji kanë krijuar institucione të tjera, President, Këshill i Sigurisë Kombëtare, Komisione parlamentare, organe sigurie, etj., secila ka pasur të drejtë dhe përgjegjësi të jetë pjesë e procesit. Nga ana tjetër kemi opozitë, e cila duhej të ishte më e përfshirë, jo vetëm nga pala amerikane, por edhe nga pala shqiptare. Pavarësisht akteve të saj naive, siç ishte përpjekja naive për të përfituar nga kriza, duke sakrifikuar besimin dhe partneritetin tek partneri kryesor perëndimor, pavarësisht natyrës shqiptare të sjelljes amorale për çdo votë dhe qëllim politik, ajo duhej të ishte pjesë e procesit konsultues. Edhe nëse e refuzonte atë, një traditë që tek ne, fatkeqësisht mungon dhe qe vetë opozita e sotme, dje në pushtet, nuk e ka aplikuar.

– Shqipëria ka nevojë për institucione të forta e të mirëfunksionuara, apo për një lider fuqiplotë?

– Liderët kanë axhenda politike, votohen dhe kërkojnë vota, kurse institucionet janë afatgjata, janë dhe mbeten përjetësisht. Ato dhe vetëm ato përbëjnë garanci për stabilitet dhe demokraci funksionale. Rasti i fundit e dëshmoi këtë fakt dhe kontrast të thellë. Sepse qytetarët protestues ironikisht nuk kërkuan zgjidhje institucionale por personale, sepse maxhoranca nuk ofroi zgjidhje institucionale, por personale dhe sepse opozita nuk kërkoi zgjidhje institucionale, por personale. Madje, asnjëra palë nuk ka reflektuar ende nga hendeku i madh i krijuar midis peshës së udhëheqësit politik të radhës me injorimin e logjikës institucionale. Një praktikë, tipike për vendet me demokraci hibride.

Faleminderit!

Duhet reflektim, për të mësuar të flasin institucionet

 – Doli e fituar, apo e humbur Shqipëria nga kjo përgjigje “Jo”?

– Unë kam bindjen se tundja e flamurit të sovranitetit ekstrem për vendin e dytë më të varfër në kontinent dhe kombin e vetëm pro amerikan në rajon, nuk përbën zgjedhjen më të mirë. Shqipëria nuk ka kapacitete të jetë aktor global, por ka kapacitete dhe mundësi të dëshmojë seriozitet dhe përgjegjshmëri në raport me të tretët. Gjë që mendoj se në rastin aktual nuk e dëshmoi. Dhe për këtë shkaktoi pakënaqësi në disa drejtime, edhe pse brenda vendit, grupime të ndryshme, përfshirë ambientalistë apo antiglobalistë, grupe ekstremiste me konotacion kritik ndaj perëndimit apo ato me natyrë internacionaliste, mund të jetë ndierë të fituara. Shqipëria nuk foli. Folën dy – tre politikanë dhe disa qindra apo mijëra njerëz në rrjete sociale dhe në protestë. Kjo nuk është Shqipëria, është vetëm një pjesë e saj. Institucionet nuk folën, kreu i shtetit nuk foli, Parlamenti nuk foli, qeveria nuk mori vendim dhe as nuk foli zyrtarisht, krerët e institucioneve të sigurisë nuk folën. Kjo përvojë përbën një rast reflektimi për t’u mësuar të flasin institucionet dhe fatet tona të mos varen gjithmonë nga vullneti i një njeriu apo fjalie të vetme në një fjalim të vetëm.