Afrim Krasniqi/Shqipëria në 22 vjet: Vota e përhershme dhe votuesit e lëkundur

537
Sigal

ANALIZA/ Katër muaj para zgjedhjeve të 23 Qershorit, analisti Afrim Krasniqi tregon se si kanë votuar shqiptarët gjatë 22 viteve të fundit

Në teoritë politike krahas zgjedhjes sociale (statuti social, Norris) kemi edhe dy elementë të tjerë thelbësorë për përcaktimin e bazës mbi të cilin votuesit zgjedhin. Elementi i parë është social-psikologjik, marrëdhënia që zgjedhësi krijon me liderin politik ose partinë politike. Në gjuhën e përditshme politike kjo pjesë konsiderohet pjesa militante e partive politike. Referuar zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri nga 1991-2009 shifra minimale që dy partitë e mëdha politike kanë fituar luhatet nga 24-25% e votave kombëtare. Pra, një e katërta e elektoratit është gjithnjë e përcaktuar pro e kundër njërës parti. Kjo pjesë militante nuk cenohet nga ulje-ngritjet politike, nga ndryshimi i liderit apo rrethanave elektorale, nga programet apo platformat elektorale. Ajo ka krijuar në mendjen e saj një imazh politik, kryesisht një imazh emocional, dhe i qëndron besnik atij. P.sh, në Shqipëri tradicionalisht ish të përndjekurit politikë kanë qenë votues për të djathtën dhe ish veteranët e luftës votues për të majtën, pavarësisht sistemit elektoral, liderit të partisë apo shanseve për të fituar zgjedhjet. Duke analizuar ecurinë e votës për dy partitë kryesore politike, PD e PS në shtatë zgjedhjet e fundit parlamentare vërejmë se PS pati rezultatin e saj minimal më 1996 dhe PD më 1997; në zgjedhjet 1991 dhe 1992 palët ndërrojnë rolet, ndërsa në vitin 2001 nis ngushtimi i diferencës së votave midis palëve deri në 10 mijë vota më 2009.

Elementi i dytë ka të bëjë me zgjedhjen racionale. Sipas këtij parimi një pjesë e votuesve janë të prirë për të vendosur mbi bazë pragmatiste një parti ose kandidat që në atë moment u përshtatet më shumë interesave të tyre. Zgjedhja racionale ndodh sidomos në periudhën e ndryshimeve të mëdha politike (p.sh në Shqipëri më 1992, 1997 dhe 2005) ku votuesit bashkohen me shumicën që pritet të vendosë për rotacion politik. Në shumicën e zgjedhjeve parlamentare partia fituese ka marrë 45-55 % të votave kombëtare, ose 20-30 % më shumë sesa elektorati besnik. Kjo është pjesa përcaktuese e përbërë kryesisht nga qytetarë të luhatshëm në zgjedhje, ata që bëjnë zgjedhjen racionale dhe ata që vendosin në momentin e fundit të bashkohen me fituesin.

Le të jap dy shembuj të ndryshimeve drastike në sjelljen e votuesve: në zgjedhjet parlamentare 1997 kryetari i atëhershëm i PD-së Tritan Shehu dominoi raundin e parë me 5,7 mijë vota ndaj 2,2 mijë votave të kandidatit rival. Për shkak se në rang kombëtar fitoi e majta, votuesit e Kavajës ndryshuan qëndrim dhe dy javë më vonë ata votuan me 6,8 mijë vota kundër Shehut ndaj 2,5 mijë votave. Po ashtu më 2005, në Gjirokastër në votimin direkt midis kandidatit të PD (Ruli) dhe të PS (Çeço) diferenca e tyre rezultoi minimale (165 vota). Kolegji Zgjedhor vendosi përsëritjen e tyre rreth dy muaj pasi ishte bërë e qartë rotacioni i pushtetit qendror. Në rrethanat e “reja” të njëjtët votues ndryshuan qëndrim duke votuar Rulin me rreth 5 mijë vota më shumë se kandidatin rival tashmë në opozitë.

Zgjedhja racionale shfaqet edhe në rastet kur kemi të bëjmë me zgjedhje të pjesshme parlamentare ose lokale (asnjë votim i pjesshëm parlamentar në Shqipëri 1991-2009) nuk është fituar nga kandidatët e opozitës), pasi zgjedhësit e zonës duan të përfitojnë nga pushteti i shumicës duke mos qenë të gatshëm të “sakrifikojnë” për të votuar një mandat më shumë në opozitë. I njëjti fenomen shfaqet edhe në rastet kur votuesit e kanë të qartë fituesin dhe zgjedhjet lexohen si formalitet. Kështu ka ndodhur sidomos në sistemet zgjedhore maxhoritare me dy raunde. Fituesi i raundit të parë e ka thelluar fitoren edhe në raundin e dytë. Më 1992 dhe 1996 PD fitoi 100 % të zonave të kaluara në raundin e dytë, më 1997 dhe 2001 PS fitoi të gjitha zonat në raundet e dyta, – në dy rastet kemi të bëjmë me madje me disa zona në të cilat në raundet e para dominues ka qenë kandidati i partisë në opozitë.

Në kriteret e njohura të identifikimit partiak roli i faktorëve kulturorë e social ruan ndikimin e vet edhe në rastin shqiptar. Qytete që humbën rëndësinë që patën në sistemin e kaluar politik (p.sh Vlora, Kuçova, Gjirokastra, Skrapari) votuan pro të majtës ish-komuniste në 80 % të votimeve parlamentare dhe lokale të zhvilluara nga 1991. Qytete të njohura për rezistencë antikomuniste dhe për pasojë, përndjekje politike apo trajtim me status dytësor si Shkodra, Laçi, Kavaja, etj, në 90 % të rasteve kanë votuar pro grupimeve antikomuniste të së djathtës, madje më 1996-1997 në këto zona u votua për ekstremin e djathtë, për partitë nacionaliste.

Teoria e raporteve të ndërvarësisë midis modernizitetit shoqëror dhe angazhimit në jetën politike të qytetarëve gjithashtu vlen edhe për rastin shqiptar. Më 1991 anëtarësia në partitë politike ishte identifikuese për statusin publik; shoqëria u nda në komunistë dhe antikomunistë. PS e PD më 1991 kishin secila mbi 140 mijë anëtarë, por dhjetë vjet më vonë dy partitë së bashku nuk kalojnë 130 mijë anëtarët. Dy partitë më 1991 dhe 1992 fituan së bashku  1,4 – 1,8 milion vota, kurse më 2007-2011 së bashku ato morën jo më shumë se 600-800 mijë vota. Një sondazh i Aleancës Gjinore për Zhvillim nxori në pah rënien e interesit publik mbi politikën. Rreth 63,2 % e të anketuarve pranuan se nuk janë të interesuar për politikën, ndaj rreth 13 % shumë të interesuar. I njëjti sondazh tregoi se mosha e lartë është tri herë më shumë e interesuar për politikën sesa rinia.

Rënia dramatike e interesit për anëtarësi në parti politike erdhi për shumë arsye, ku më kryesore ishte mungesa e demokracisë së brendshme, rritja e pavarësisë ekonomike e sociale të individëve, si dhe ndryshimi i shtresave mbështetëse të palëve politike. Brezat më të vjetër kanë ende interes të veçantë për politikën, ndërkohë që sondazhet parazgjedhore 2011 dëshmonin se rreth 70 % e të rinjve ishin skeptikë ndaj politikës apo procesit zgjedhor. Pas viteve 1993-1994 u rrit interesi i një grupi votuesish për identifikim me parti të reja politike (parti të vogla nacionaliste, qytetare apo liberale) dhe në parlamentin e vitit 2001 dhe 2005 këto parti arritën suksesin historik me 11-12 parti të përfaqësuara në parlament.

Ekzistojnë studime serioze, të cilat pas një pune kërkimore në terren arrijnë në përfundimin se roli i familjes në influencimin e sjelljes elektorale të votuesve të parë është shumë i madh. Marrë parasysh përqindjet e të anketuarve që pranojnë se do të votojnë si familja në nivel të moderuar dhe të lartë, rezulton se pothuaj 3 nga 4 të rinj votues të parë, pavarësisht gjinisë, në 10 shkolla të mesme të Bashkisë Tiranë do të votojnë si familje. Ky është një tregues shumë domethënës për influencën e familjes në një qendër urbane si Tirana, dhe për tendencën stabile të votës në Shqipëri. Edhe studimet të tjera sociologjike të realizuara mbi preferencat politike të elektoratit kanë provuar tezën se motivi kryesor i zgjedhjes është interesi i familjes dhe komunitetit (29 %), ndërsa përkatësia politike dhe vlerësimi për kandidatin kanë të njëjtin nivel mbështetjeje (26 %). Përkatësia klasore nuk ka rol në sjelljen zgjedhore (vetëm 4,4 %). Teza e ndikimit familjar është një tezë e njohur dhe funksionale edhe më parë dhe në terrene të tjera, sipas të cilave familja ka rol vendimtar në formësimin e vlerave dhe qëndrimeve politike.

Faktor tjetër me rëndësi është kurba e pjesëmarrjes në votime. Për 46 vjet në Shqipëri tradita zgjedhore ishte e fiksuar ligjërisht: pjesëmarrje 99 % në votime, 99-100 % vota pro kandidatit të vetëm zyrtar. Pas 1991 sjellja ndaj përgjegjësisë në votime filloi ndryshime graduale. Fillimisht pjesëmarrja ishte shumë e lartë (98 % më 1991), por pas vetëm 6-7 vjetësh pjesëmarrja ra në 50 % për të mbetur edhe në vitet e tjera në të njëjtin nivel. Në studimet politike tre janë faktorët kryesorë që sjellin rënie të votuesve: Legjitimiteti, niveli i ulët i demokracisë dhe sistemi zgjedhor. Të tre këta faktorë kanë pasur ndikimin e tyre direkt edhe në rastin shqiptar. Pas 20 vitesh ende nuk ka një proces zgjedhor të gjithëpranuar (probleme me legjitimitetin), niveli i demokracisë është ende i brishtë dhe sistemi zgjedhor është eksperimentuar në tre modelet kryesore: maxhoritar, mix dhe proporcional.

Një ndikim të madh në uljen e pjesëmarrjes në votime dhe interesit për politikën kanë pasur vetë liderët politikë, sjellja e tyre politike dhe sistemi elektoral e politik që ata kanë imponuar. Sistemi dypartiak konkurrues 1991-1996 ka provokuar më shumë interes për politikën sesa sistemi i paqëndrueshëm shumëpartiak 2001-2009 apo ai i dominimit të një maxhorance të brishtë në jetën politike (pas 2009). Protesta më e madhe publike e një partie politike në Shqipëri nuk ka arritur të mbledhë më shumë se 60-70 mijë qytetarë, ndërkohë që mitingjet e mëdha të ndryshimit të sistemit politik më 1991 kishin një mesatare gati dy herë më të lartë. Në çdo rast të ndarjes bardh e zi midis të djathtës dhe të majtës votat janë ndarë vetëm midis shtresave militante mbështetëse (1991, 1997, 2001) pa pjesëmarrjen e votuesve të pavendosur apo skeptikëve të politikës. Polarizimi politik (p.sh 2009-2010) shoqërohet me kufizim të mbështetësve politikë aktivë, rritje të kritikës dhe mosbesimit qytetar tek politika (vetëm 27 % më 2010), si dhe rritje të shanseve për amnezi kolektive ndaj vendimmarrjes politike.

Rol të veçantë në sjelljen politike luan edhe sistemi elektoral. Aplikimi më 1991 i sistemit maxhoritar, apo e natyrës maxhoritare të sistemeve elektorale 1992-1005, solli tërheqje të madhe të qytetarëve në votime, interes për kandidatët, programet dhe pikëpamjet e tij, garë brenda partive dhe midis tyre, si dhe një kolorit me më shumë mundësi zgjedhjeje për qytetarët. Sistemi proporcional i vitit 2009 u shoqërua me mungesë të theksuar interesi të qytetarëve për kandidatët e listuar nga partitë në zgjedhje. Fushata u imponua nga qendra politike si fushatë tërësisht politike, gara politike u bë midis dy liderëve dhe stafeve të tyre, dhe për qytetarët u bë e qartë se zgjedhja finale do të ishte midis dy modeleve gati të njëjta. Për pasojë, diferenca në rezultat midis palëve ishte gati e papërfillshme, vetëm 10 mijë vota.

Aplikimi i votimit me një raund apo me dy raunde, përfshirja e një numri të madh biznesmenësh në politikë apo hapësira ligjore për kandidatët e pavarur kanë pasur ndikime të dukshme në sjelljen politike dhe rezultatet zgjedhore. Zgjedhjet me një raund i detyronin kandidatët për të luftuar për çdo votë, siç edhe impononin nga zgjedhësit të jenë të jenë pragmatistë, pra të votonin vetëm kandidatët që kanë potenciale reale për të fituar në maxhoritar. Ky votim është ndëshkues për shanset e kandidatëve të tretë të ardhur nga partitë e vogla ose nga vetë zgjedhësit. Më vonë, aplikimi i sistemit proporcional përsëri e dobësoi lidhjen midis zgjedhësve dhe kandidatëve, si dhe imponoi votën pragmatiste për njërin prej dy koalicioneve të mëdha, pasi shanset e koalicioneve të tjera ishin minimale. Fakti që një mandat në koalicionin e madh sigurohej me 8-9 mijë vota, kurse në koalicionet dytësore kërkoheshin 20-24 mijë vota, vjen si mesazh për votuesit që vota e tyre të orientohet nga fituesi me shanse më të mëdha.

Integriteti i zgjedhjeve mbetet problematik përderisa vetëm 34 % besojnë se do të ketë zgjedhje të lira, ndërkohë që imazhi elektoral mbetet dominues mbi programet. AIIS pyeti qytetarët mbi motivin mbi të cilin ata votojnë kandidatin (2009); rezultoi se një e treta e tyre vlerësonin apriori përkatësinë politike të kandidatit, 34.6 % e tyre vlerësonin vetë cilësitë e kandidatit dhe 23.4 % e tyre programin elektoral të propozuar nga kandidati. Rreth 10 % e votuesve nuk kishin një motiv të qartë në zgjedhjen e tyre për një kandidat preferencial. Sipas ligjit shqiptar, partitë politike kanë monopolin e zgjedhjes së kandidatëve dhe hapësira për kandidat të pavarur është minimale, ndaj qytetarët e reflektojnë këtë informacion duke pranuar më shumë se dy të tretat e tyre se zgjedhja imponohet nga kupola e lartë e partisë. Ata pranojnë madje se gati një e treta e kandidatëve janë zgjedhje direkte dhe personale e liderit të partisë, një shprehje e qartë e perceptimit popullor për fuqinë e liderëve partiakë në Shqipëri.

Institucionet

1991

1996

2001

2009

Presidenti

Indirekt

Indirekt

Indirekt

Indirekt

Deputetet

Direkt

Direkt

Direkt

Indirekt

Qeveria

Indirekt

Indirekt

Indirekt

Indirekt

Kryetare, Bashki

Direkt

Direkt

Direkt

Direkt

Kryetar, Komuna

Direkt

Direkt

Direkt

Direkt

Këshillat bashkiake

Indirekt

Indirekt

Indirekt

Indirekt

Këshillat e komunës

Indirekt

Indirekt

Indirekt

Indirekt

Kryetari i Qarkut

Indirekt

Indirekt

Indirekt

Indirekt

Këshilli i Qarkut

Indirekt

Indirekt

Indirekt

Indirekt

Entet Publike

Indirekt

Indirekt

Indirekt

Indirekt

Gjykatat

Indirekt

Indirekt

Indirekt

Indirekt

Tabela bashkëngjitur ilustron ecurinë e procesit vendimmarrës politik dhe zgjedhor në Shqipëri nga viti 1991. Siç shihet nga tabela, në listën e institucioneve kryesore vendimmarrëse vetëm kryetari i njësisë vendore ka mbetur si zgjedhje direkte dhe nominale e qytetarëve. Të gjitha institucionet e tjera politike e kushtetuese e kanë ”humbur” të drejtën e zgjedhjes direkte, dhe janë produkte të maxhorancave politike të rastit. Me ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 mjafton një maxhorancë e thjeshtë me 71 vota për të bërë të mundur qeverisjen politike të të gjitha institucioneve kushtetuese (bën përjashtim Avokati i Popullit), disa për shkak të zgjedhjes me më pak se 72 vota dhe të tjerat përmes të drejtës kushtetuese për të bërë selektimin preferencial me votë parlamentare (p.sh dekretet presidenciale për zyrtarë të lartë, sidomos gjyqtarët në Gjykatën e Lartë dhe Kushtetuese). Kjo tabelë nxjerr në pah distancën e madhe që është krijuar në sistemin politik shqiptar midis sovranitetit direkt qytetar dhe sovranitetit të deleguar përmes të zgjedhurve indirekt.

(Marrë nga studimi me temë: “Voting behavior: Who do Albanians vote for? Analysis of the electoral processes carried out in the period 1991 – 2011 in Albania” in 6th International Conference of Albanian Institute of Sociology (AIS), ISBN 978-9928-4000-2-4, organizuar nga AIS, UMB dhe Universiteti Mesdhetar, 21-22 nëntor 2011, Tirana.