Afrim Krasniqi: Ramush Haradinaj Kryeministër, alternativa më e mirë për Kosovën

492
Sigal

INTERVISTA/ Flet politologu Afrim Krasniqi: Tërheqja e “Vetëvendosjes”, strategji politike

Marrëveshja e firmosur dy ditë më parë mes tri partive të mëdha opozitare në Kosovë, duke propozuar si Kryeministër Ramush Haradinaj ka bërë jehonë të madhe në politikën vendase, rajon, si dhe në media, deri tek ato botërore. Mediat botërore i kanë kushtuar një rëndësi të veçantë situatës pas zgjedhore në Kosovë, dhe koalicionit mes tre partive. Sipas mediave, koalicioni i dy ditëve më parë është cilësuar si “tërmet politik”, në Kosovë. Në datën 10 qershor, opozita ka bashkuar forcat dhe ka firmosur një marrëveshje që përjashton Hashim Thaçin nga posti i Kryeministrit, duke krijuar një shumicë të re pas zgjedhjeve të 8 qershorit. Në marrëveshje shkruhet se: “Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe NISMA, janë bashkuar dhe kanë vendosur që vendit t’i japin një qeveri të kthimit të shpresës”. Sipas marrëveshjes së firmosur nga krerët e tre partive, Ramush Haradinaj, Fatmir Limaj dhe Isa Mustafa, Ramush Haradinaj do të mbajë postin e Kryeministrit, Kryetari i Kuvendit i takon Lidhjes Demokratike të Kosovës e po ashtu edhe Presidenti në harmoni me Kushtetutën. Ndërsa “Nisma” e Fatmir Limajt do të ketë postin e zv/kryeministrit. Reagime të forta nuk kanë munguar dhe nga ana e z. Thaçi, i cili shprehet me bindje se, posti i Kryeministrit është i tij. Por, lidhur me faktin se, sa gjasa ka Thaçi që të krijojë qeveri, nëse koalicioni i ri i formuar do të përbëj maxhorancë, dhe lidhur me kushtin e vendosur nga kreu i lëvizjes “Vetëvendosje” për ndërprerjen e bisedimeve me Serbin, flet për gazetën “Telegraf”, z. Afrim Krasniqi, politolog dhe pedagog në Universitetin e Tiranës. Ndër të tjera, z. Krasniqi shprehet se, Haradinaj është një mundësi qeverisje shumë e mirë për Kosovën, teksa shton se, lëvizja “Vetëvendosje” po përdorë strategji politike, duke shfrytëzuar bisedimet me Serbinë dhe se, ajo si forcë politike ka probleme me identitetin politik dhe programor

 Opozita bashkon forcat dhe firmos një marrëveshje, e cila përjashton z. Hashim Thaçi nga posti i Kryeministrit. Cili është mendimi juaj për këtë koalicion?

-Në një sistem demokratik, çdo parti mund të vendosë lirisht nëse vota e tyre shkon për qeverinë apo opozitën. Në Kosovë forcat e dyta politike vendosën të bashkohen dhe kjo është praktikë demokratike. Ka ndodhur në Slloveni, Gjermani, Itali, Greqi, Turqi dhe Luksemburg që partia e parë të mos krijojë dot qeveri, i njëjti rregull vlen edhe për Kosovën e vitit 2014. PDK nuk i ka votat, nëse do i kishte çështja mbyllet. Partitë e tjera i kanë votat dhe i bashkuan për të krijuar maxhorancën. Është zgjidhje e sforcuar, por e pritshme dhe e mençur në kushtet kur qeveria mund të marrë mandatin e tretë. Nëse koalicioni do kishte qenë parazgjedhor, vlerat e tij do ishin më të mëdha. Vendimi pas zgjedhjeve përbën autokritikë, korrigjon gabimin e tyre dhe indirekt shpreh edhe vullnetin e shumicës së votuesve të Kosovës.

 Hajredin Kuçi e quajti këtë marrëveshje jo kushtetuese. Realisht, a është e tillë, pasi kanë kaluar vetëm 4 ditë nga zgjedhjet?

-Marrëveshja nuk është kushtetuese vetëm sepse kushtetuta nuk parasheh marrëveshje, por procedura institucionale. Ajo është një akt politik, por zgjidhja që ofron kur të jetësohet në parlament është kushtetuese dhe legjitime. Nuk ka dilemë se çdo maxhorancë ka të drejtë të jetë maxhorancë për sa kohë ka votat dhe mbështetjen e shumicës parlamentare. Koalicioni i ri i krijuar i ka votat, është maxhorancë dhe ka të drejtë të përdorë fuqinë e saj parlamentare për zgjedhjen e institucioneve të tjera, përfshirë kryeministrin, kryetarin e parlamentit apo presidentin. Formalisht dhe zyrtarisht ata e kanë këtë të drejtë dhe me siguri do ta ushtrojnë. Reagimi i PDK-së është emocional, i gjen të papërgatitur dhe me synim kërkimin e mjeteve parandaluese, përfshirë presionin publik e politik.

 Sipas mendimit tuaj, sa gjasa ka Thaçi të krijojë qeveri të re, ndërkohë që, ka përballë katër forca opozitare?

Teorikisht jo. Vetëm nëse siguron mandate shtesë parlamentare përmes trafikut parlamentar të deputetëve të rinj. Në çdo rast tjetër e ka të pamundur për sa kohë nuk ka aleatë qeverisës një ose dy nga partitë e dyta politike. Vetëm me pakicat etnike e ka të pamundur të bëhet shumicë, pra të krijojë qeverinë.

 A mendoni se, Thaçi është fituesi moral i zgjedhjeve?

-Është fitues procedural, jo moral. Me pjesëmarrje 42% nuk ka vend për fitues moral, dhe me ndarje kaq të fragmentarizuar të votave nuk ka vend për fitues nominalë. Fryma ishte kundër qeverisë, vota ishte kundër qeverisë, por ajo ishte e ndarë në disa parti të paafta të bashkëpunojnë. Thaçi ka meritën se sfidoi me sukses LDK-në dhe kompensoi ikjen e votave të Nismës për Kosovën, por edhe ky rezultat erdhi përmes mekanizmave jo aq shumë meritor, siç janë tërheqja e biznesmenëve në listat e votimit, përdorimi i shtetit në fushatë, premtimet populiste etj.. Vetëm nëse ai pas zgjedhjeve do i gëzohej fitores, por do pranonte të sakrifikonte veten, pra të mos ishte me çdo kusht Kryeministër, atëherë më siguri do ta kishte më të lehtë të gjente partnerë qeverisës dhe do të kish vend të flitej për fitore morale personale. Kjo nuk ndodhi, ndaj nuk ndodhi as e dyta.

 Po nëse opozita fiton zgjedhjet, mendoni se, mund të jetë qeverisje afatgjatë apo afatshkurtër? Kujtojmë këtu dy zgjedhjet e parakohshme.

-Pas zgjedhjeve nuk ka ende opozitë e maxhorancë, ka palë që kanë konkurruar dhe kanë një rezultat që po e përdorin për negociata për të krijuar maxhorancë dhe opozitë. Pra LDK, AAK, Vetëvendosja, etj, nuk janë opozitë, janë në të njëjtin start me PDK në qeveri dhe secila ka të drejtë të bëhet maxhorancë nëse mbledh 62 vota parlamentare. Koalicioni i ri i ka dhe me siguri nëse jetësohet deri në fund, do jetë i qëndrueshëm. Një parti si PDK-ja e identifikuar me një person, kur bie në opozitë ka probleme të mëdha përshtatjeje, ndaj nuk do arrijë të jetë aq opozitë e fortë sa numri i mandateve të saj. Problemi i vetëm i koalicionit të ri, nëse jetësohet, është Vetëvendosja dhe qëndrimet e saj me votë ndaj sfidave të Kosovës, ku bën pjesë edhe dialogu institucional me Beogradin.

 Si e komentoni pjesëmarrjen e ulët në zgjedhje, mungonin gati 1 milion qytetarë? Zhgënjim apo neglizhencë?

-Nuk kishte disa palë konkurruese, kishte disa parti të njëjta që kanë në garë më shumë liderët e tyre sesa programet e tyre politike. Pra ishte zgjedhje e kufizuar në disa emra, e lidhur me bastione – krahina fisnore dhe një fushatë ku dallimet midis palëve ishin minimale. Në këto raste mungon motivimi i votuesve, mungon një palë tjetër që bën diferencën dhe krijon shpresë, ndaj edhe një elektorat i lodhur, i zhgënjyer, i ftuar të zgjedhë midis disa varianteve të njëjta negative, nuk ka shumë hapësirë për zgjedhje. Për këtë shkak, shumica refuzoi votimin, duke refuzuar sistemin e personalizuar dhe fisnor të politikës në Kosovë.

 A është një shembull i mirë sjellja e qytetarëve dhe e politikanëve të Kosovës në zgjedhje?

-Po, një sukses me rëndësi. Janë zgjedhje shumë më të mira se ato në Shqipëri apo në Maqedoni. Një sfidë që meriton duartrokitje. Arritja kryesore dhe e vetme e këtyre zgjedhjeve.

 Z. Albin Kurti kërkoi që të ndërpriten bisedimet me Serbinë. Sipas mendimit tuaj sa e mundur është kjo gjë? A mund ta quajmë këtë një gabim fatal apo naiv?

-Është strategji politike dhe përbën boshtin politik të Vetëvendosjes, – revolta, refuzimi dhe kritika. Ndaj edhe votohet. Çështja është se, çfarë do të ndodhë kur kjo parti të vijë në institucione, të marrë përgjegjësi? Kur refuzohen bisedimet, atëherë indirekt ofrohet konflikti, – diçka që askush nuk e do as në Kosovë, as në rajon dhe as në kryeqendrat vendimmarrëse politike. Ai moment do jetë sfida reale e Vetëvendosjes dhe me siguri ajo do të dijë t’i përshtatet, duke korrektuar shumë nga deklarimet e sotme populiste. Vetëvendosja ka merita specifike, përfshirë nismën për koalicionin e ri politik dhe për këtë meriton vlerësim, siç ka probleme identiteti politik dhe programor.

 Ramush Haradinaj nga Haga në postin e Kryeministrit. Cili është komenti juaj për këtë?

-Haga ishte një gjyq jo për individin, por për brezin e Luftës në Kosovë. Haradinaj ka qenë kryeministër, i vetmi në histori që lëshon zyrën për të shkuar në burg me dëshirën e tij. Ai provoi dhe mori pafajësinë, sot mendoj se është një alternativë shumë e mirë për Kosovën. Sfida e tij do jetë orientimi me realitetin e ri, me mjedisin e ri, largimi prej miteve të luftës dhe përqendrimi tek realpolitika, tek problemet e mëdha të qytetarëve të Kosovës. Kosova nuk ka kohë dhe as vend për kryeministër e qeveri luksi, ka nevojë për punë, shumë punë, për akte konkrete dhe mirëqeverisje. A është e aftë qeveria e re ta bëjë këtë? Le të shpresojmë edhe pse me skepticizëm të drejtë.

 Sipas mendimit tuaj, kush doli fituese nga bisedimet mes Beogradit dhe Kosovës, Serbia me integrimin e saj apo Kosova që pati një bisedim në tryezë?

-Nuk ishte një garë midis tyre, ishte një nismë e BE dhe SHBA dhe një proces i pashmangshëm. Kosova ka fituar shtetin dhe njohjet e rëndësishme politike, sukseset e saj nuk varen nga Beogradi dhe anasjelltas. Ka probleme midis fqinjëve që duhen diskutuar dhe dialogu ishte dhe mbetet pozitiv. Në gjeopolitikë Serbia fitoi mbështetje nga BE shumë më tepër sesa Kosova, por edhe Shqipëria. Kjo ka arsye të tjera dhe në vend të ndjenjës së viktimizimit, ka vend për të ditur të mësojmë nga gabimet tona për të bërë më të mirën për të ardhmen.

 Për sa i përbetë mandatit për deputete të fituar nga një femër me shami në Parlamentin e Kosovës. Kjo gjë është komentuar nga opinioni publik, media, pse jo dhe politika si një tentativë për islamizimin e shtetit. Cili është mendimi juaj për këtë?

-Nuk ka ende rezultate zyrtare, por nuk është çudi të ndodhë. Në kërkim të votave me çdo kusht qeveria në ikje krijoi koalicione edhe me parti politike radikale fetare. Siç pati parti të tjera politike që keqpërdorën fenë dhe besimin fetar për interesa elektorale e politike. Janë tipare të një tranzicioni të brishtë. Me rëndësi është fakti se, Kosova është shtet evropian, ka orientim evropian e perëndimor, e ardhmja e saj është në BE dhe se, identitetin evropian nuk mund ta cenojë asnjë aksident historik që ka mbetur peng i një perandorie të largët asimiluese për identitetin e gjuhën shqiptare.