Afrim Krasniqi: Politika ka nevojë për vëmendje, gjyqësori objekti – alibia e radhës

531
Sigal

Politika nuk mund të reformojë gjyqësorin, kur ajo është strehë e mbështetëse e të inkriminuarve

KLD e gjyqësori janë kthyer në shënjestër të politikës së ditës! Një palë politike është e pakënaqur me të, pala tjetër politike e mbron, vetë KLD/gjyqësori kërkon që politika të qëndrojë larg. Tri palë në paradoks dhe kundërshti të mëdha, dhe jo vetëm morale, – një lojë me maska që nuk sjell asgjë të re. Vërtetë maxhoranca kërkon reformim të KLD? Nëse po, çfarë quan reformim, – heqjen e ca emrave dhe zëvendësimin me ca emra të saj? Reformim do të thotë diçka tjetër: një sistem tjetër emërimi, zgjedhje, votimi dhe funksionimi, – diçka që maxhoranca nuk ka në plan dhe as interesa ta bëjë! Kur ishte në opozitë propozoi ndryshim kushtetues që gjyqtarët të zgjidhen me 84 vota, tani në pushtet ka hequr dorë prej këtij premtimi. Po LSI? Vërtetë LSI është e pakënaqur me KLD se nuk po lufton korrupsionin?! Pyetja ime është: nëse KLD do ta kishte luftuar korrupsionin a do të kishim sot LSI?! Po PD? Vërtetë ish-ministri i drejtësisë kërkon gjyqësor të pavarur? Aq të pavarur sa janë bërë të pavarur stafi i tij politik i sapoemëruar në gjyqësor? A nuk rrëzoi PD dje gjykatësin e vetëm që përfaqësoi Shqipërinë në Gjykatën Ndërkombëtare në Strasburg dhe a nuk hesht tani për çdo rast korrupsioni që iu bëhet ca gjyqtarëve? Po vetë KLD? A nuk është zv/kryetari i saj një prurje e politikës dhe a ka të drejtë një prurje direkte e politikës të akuzojë politikën për përfshirje në gjyqësor?! Ka dy mënyra për të mos ndryshuar gjërat: ngri një komision ose baltos gjithçka që të mos bëhen dallime midis modelit të mirë dhe të keq! Të dyja po aplikohen edhe këto ditë. Paradoksalisht, asnjë palë politike nuk ka interes për reformë në drejtësi. Nëse PS do kishte interes, së pari nuk do ia jepte ministrin e drejtësisë aleatëve, së dyti nuk do i jepte komisionin parlamentar të ligjeve aleatëve dhe së treti do kishte një platformë publike reformimi strukturor të sistemit gjyqësor. Për LSI koncepti i drejtësisë së pavarur nis e mbyllet në “çantën” e krye-hetuesit të saj! Po PD? Nëse do kishte interes me siguri do ta kishte realizuar reformën gjatë 8 viteve në pushtet, gjë që nuk e bëri. Ju kujtohet një gjyqtar nga Lushnja? Mbushi mediat e parlamentin me akuza e fushatë denigruese kundër KLD për këtë emër dhe kur ky emër ndryshoi votën, votoi pro qeverisë, u hesht për të mos u përmendur më. Kaq ishte “reforma”, kaq kam frikë se kërkohet edhe tani, – thjesht ndryshim vote. Siç ndodhi me Kolegjin Zgjedhor që ishte negativ derisa votoi unanimisht pro PD-së, është bërë pozitiv derisa voton po unanimisht pro PS. Dhe janë të njëjtët emra.

Duhet reformë? Po, dhe urgjent. Po si? Le të marrim modelin e ndonjë vendi në rajon, Kroacisë e Sllovenisë. Strukturë e re, transparencë, përgjegjësi publike, sistem merite, reformë e thellë në sistemin përgatitor dhe promovues, hetim në detaje të pasurisë dhe konflikteve të interesit, zgjedhje me votë të kualifikuar të anëtarëve të gjykatës së lartë e kushtetuese, etj, etj. Çfarë mund të bëjë politika nëse nuk e bën këtë? Ka një hap të parë që ajo ende nuk e ka bërë: ja p.sh, të deklarojë publikisht dhe zyrtarisht se çdo politikan do të përballet me drejtësinë nëse ndeshet përballë akuzave për korrupsion, abuzim, shpërdorim detyrë, konflikt interesi, etj. Gjë që nuk e ka bërë dhe nuk ka dëshmuar shenja se do ta bëjë. Si mundet politika të kërkojë hetime thelbësore kundër pronave të gjyqtarëve kur ajo vetë nuk pranon hetimin e pronave të saj? Si mundet politika të reformojë gjyqësorin duke larguar personat e inkriminuar dhe korruptuar kur vetë ajo nuk ka forcë të pastrojë vetveten dhe vetë ajo është strehë e mbështetëse e këtyre kategorive? Si mundet politika të fajësojë gjyqësorin për gjithçka, kur vetë ajo e ka krijuar këtë gjyqësor, e ushqen, e promovon dhe e trajton sipas interesave të saj, – pa mbajtur asnjëherë vetë përgjegjësi për dështimet? Së fundi, qytetarët kanë votuar partitë dhe liderit e tyre. Ata kanë përgjegjësinë për reforma. Nëse nuk e mbajnë premtimin, nuk arrijnë të bëjnë reforma, atëherë ata dhe vetëm ata janë përgjegjës përpara qytetarëve. Çdo alibi tjetër nuk ka sens, nuk ka vlerë dhe nuk sjell vota.  Palët po tallen. Ata nuk e kanë mendjen tek gjyqësori dhe as duan ta ndryshojnë atë. Nëse e rrëzojnë rrëzohen vetë bashkë me të, ndaj mbajnë njeri-tjetrin. Palët kanë nevojë për tërheqje vëmendje, alibi dhe fronte të reja debati. Gjyqësori është objekti – alibia e radhës! Asgjë më shumë. Ky është lajmi i keq, lajmi më i keq pas vendimit të BE-së për Shqipërinë dhe lajmi akoma më zhgënjyes për të gjithë ata që ende kanë shpresë se oligarkia konsensuale dhe sunduese dhe do të sjellin demokraci dhe shtet të së drejtës!