Afrim Krasniqi: Fushata zgjedhore është pasqyra e partive të pasura dhe qytetarëve të varfër

844
Prof. Asoc Afrim Krasniqi, drejtori i Institutit të Studimeve Politike, në intervistën për gazetën “Telegraf”, duke analizuar veçoritë e kësaj fushate zgjedhore, veçon 3 kontraste: Politikanët kërkojnë nga qytetarët t’u binden atyre. Edhe pse kemi ndarje të re territoriale, kandidatët sillen si me ndarjen e vjetër, ngaqë nuk kanë projekt. Dhe së treti modeli kilentelist pamundësoi që të mos krijohet standart i ri në zgjedhje. 

-Zoti Krasniqi, cilat janë veçoritë e kësaj fushate zgjedhore? 
– Janë tri kontraste: Së pari, kontrasti i thellë midis partive e fushatës së pasur dhe qytetarëve të varfër. Në fushata lokale janë politikanët që kërkojnë qytetarë për t’i bindur dhe për t’iu shërbyer, tek ne janë qytetarët që vrapojnë pas politikanëve për të bërë selfe dhe deklarime besnikërie. Diçka nonsens, tipar i shoqërive oligarkike, ku pakica sundon, dhe shumica nënshtrohet e shpreson në bamirësinë e pakicës sunduese. Së dyti, kontrasti midis faktit se kemi ndarje të re territoriale, kurse kandidatët ende sillen si me ndarjen e vjetër, me të njëjtat premtime dhe pa asnjë projekt konkret. Së treti, në asnjë zgjedhje tjetër nuk ka pasur kaq shumë pakënaqësi brenda vetë PS për kandidatët e saj dhe respektivisht brenda vetë PD për kandidatët e saj, çfarë tregon dominimin e sistemit të emërimit nga lart mbi çdo praktikë, sado të brishtë të zgjedhjes apo imponimit nga poshtë. Modeli klientelist dhe tashmë i shndërruar në tiparin më negativ të shumicës së spektrit politik shqiptar – sistemi i shkëmbimit të favoreve dhe blerjes së votës, – e pamundësoi edhe këtë fushatë të krijojë një standard të ri dhe të shënojë një hap pozitiv përpara. 
– Çfarë produkti politik mund të presim nga këto zgjedhje? 
– Nuk pres të ketë supriza. Natyrisht, që e majta do marrë më pak vota se më 2013 dhe natyrisht, që megjithë këtë rënie, do ketë rezultat shumë më të lartë sesa më 2011 në drejtimin e bashkive të reja. Por zhvillime të tilla nuk thonë asgjë. Ajo që mbetet është fakti se buxheti lokal është minor, sistemi lokal i qeverisjes është në krizë të thellë, qeveria po dështon të krijojë një standard të ri të sjelljes ekzekutive në një proces elektoral, opozita ende është larg dhe as po kërkon rrugë drejt pushtetit, jeta publike dhe vendimmarrja janë peng i humorit të 1-2 individëve, askush nuk flet për krizën e thellë sociale dhe ekonomike dhe se partitë, me konsensus të heshtur, po ushqejnë sistemin klientelist me bizneset pranë tyre. 
– Sa është hapësira e premtimeve elektorale me mundësitë konkrete të realizimit të tyre? 
– Ka një nonsens të madh. Kandidatët premtojnë shumë gjera, të cilat në fakt nuk janë dhe nuk do jenë kompetencë e tyre. Qeveria vetë po bën ndarje midis qytetarëve, duke etiketuar votat “kundër” si e keqja e vendit dhe duke kërcënuar se ata nuk do përfitojnë nga buxheti shtetëror, buxhet i cili me kushtetutë, është buxhet për cdo shtetas, pavarësisht nëse është votues, dhe pavarësisht nëse e do apo e kritikon kryeministrin. Merrni premtimet elektorale të kandidatëve në Shkodër, Lezhë, Durrës, Tiranë, Elbasan, Fier, Vlorë, Korcë, Sarandë dhe deri edhe në Tepelenë apo Vau i Dejës, – secili premton të njëjtat gjëra, dallimi është vetë flamuri e sllogani partiak që mban në podiumet ku flet. Kjo tregon se problemet janë të njëjta dhe se partitë nuk kanë më diferencë midis tyre, – pasojë edhe e faktit se partitë nuk prodhojnë më politikë si ide, si projekte, si vizion dhe alternativë. Ato sillen më shumë si kartele të grupeve të interesit mbështetës në vota apo financa, dhe si të tilla, nuk e ndjejnë fare as nevojën e dallimeve programore. Shikoni partitë kryesore. Nuk kanë fare program elektoral. Nuk kanë dokument të shkruar. Nuk kanë platformë kombëtare dhe as draft kontrate sociale e politike me qytetarët. Ka fjalë, fjalë, fjalime, batuta dhe asgjë më shumë, asgjë që ngelet dhe asgjë nga ato që duhet të bëjë një politikë e përgjegjeshme, vizionare, civile dhe përfaqësuese.
– Përse dështoi dekriminalizimi (edhe) për kandidatët për kryebashkiakë e anëtarë të këshillave bashkiakë? 
– Nuk mendoj se ka dështuar. Ka pasur disa raste, disa janë publike disa janë zgjidhur me marrëveshje jopublike brenda partive politike, sidomos në listat e këshilltarëve. Procesi nuk rezultoi shumë produktiv dhe nuk i dha fund kriminalizimit në sistem, sepse është naive të mendohet se, kur parlamentin e kemi me të inkriminuar, zgjidhjen duhet ta nisim nga këshillat bashkiakë të periferisë. Zgjidhja nis nga lart dhe varet vetëm nga 3 individë, 3 kryetarët e tri parttive kryesore që bëjnë emërimet e kandidatëve. Të inkriminuarit nuk erdhën nga jashtë sistemit, por përmes sistemit, dhe me bekimin e lidërve të tyre politikë. Kjo sjellje përbën shqetësimin dhe pengesën kryesore për reformën e demokriminalizimit sot në zgjedhjet lokale dhe nesër në zgjedhjet parlamentare.

– Ju si e cilësoni thirrjet e herëpashershme të kryeministrit Rama, që elektorati me votën e tij të njehësojë pushtetin vendor me atë qëndror, sepse ai nuk mund të bashkëpunojë me kryebashkiakë të së Djathtës? 
– Është naive, jopolitike, jo etike, dhe është investim tërësisht kundër profilit që vetë kryeministri ka tentuar të krijojë më 2013 tek qytetarët dhe tek partnerët ndërkombëtarë. Zhvillimi i një vendi varet nga burimet e financimit dhe projektet, strategjitë dhe interesat afatgjata, jo nga tesera e partisë së 61 individëve, apo tek mënyra sesi këto tesera përdoren me forma klienteliste gjatë mandatit. Shteti nuk bëhet mbi bazën e teserës, por parimit, standardeve, vizionit dhe integritetit. Pretendimi i kundërt meriton refuzim.
– Zoti Krasniqi, faktikisht, fushata zgjedhore ka filluar 1 muaj para afatit që përcakton Kodi Zgjedhor dhe askush nuk flet. A mund të ketë besueshmëri se kësisoj, kandidatët kanë shanse të barabarta? 
– Nuk e shoh problem madhor nisjen e fushatës përpara kohe, madje në një kuptim, do doja që kandidatët të njiheshin shumë muaj më parë që të kishin kohë për të bërë stafet, programet dhe të trajnoheshin për zgjedhjet. Ne po na ndodh që mund të na dalin kryetarë bashkish individë krejt të panjohur dhe pa përvojë administrative, thjesht se janë zgjedhje e minutës së fundit nga kryetarët e partive. Kjo do kishte pasoja më negative sesa shkelja formale e datës së fushatës. Lidhur me shanset, sistemi ynë zgjedhor është dual, nuk pranon të tretë, madje krijon mekanizma ndërshkrimi për të tretët. Shikoni si anatemohen apriori kandidatët e pavarur, sesi përdoren mekanizma të ndryshëm presioni për të mënjanuar regjistrimin e kandidatëve të tretë në zgjedhje, apo për të stopuar shanset e lindjes së partive të reja politike. Ky është problem, cënon thelbin kushtetues të barazisë dhe mban në këmbë një sistem fiktiv përfaqësimi që bazohet tek formula, jo tek morali dhe vota.
– De facto (disa) kandidatë shpenzojnë shuma të mëdha, miliona lekë në ditë, por që kurrë ato nuk justifikohen, nuk deklarohen. Atëhere, a nuk ushqehet kësisoj politika nga paratë e pista, e pse jo, nga të ardhurat nga krimi?
– Në listën e kontrasteve të mëdha elektorale financimi është kontrasti më i madh. Prej javësh policia njofton arrestime të qytetarëve të ndryshëm që nuk janë në gjendje të paguajnë borxhet e energjisë apo që bëjnë shkelje minore të ligjit. Sjellja e pushtetit me qytetarët në këtë rast është e ashpër, strikte, në gradën e fundit. Kurse vetë partitë, vetë liderit politikë, vetë shteti lejon dhe nxit shkeljen e shumëfishtë të ligjit dhe parimit kushtetues të përcaktuar në nenin 9 të saj mbi transparencën e burimeve financiare. Në asnjë periudhë tjetër vjetore nuk ka më shumë para të papastra dhe informale në qarkullim sesa në fushatë, nuk ka shkelje të ligjeve sesa në fushatë, nuk ka lidhje të shkurtra midis klientelës ekonomike dhe pushtetit politik, sesa në fushatë. Është një sistem i mbyllur ku nuk lejohet zëri kritik, ku nuk lejohet transparenca dhe ku palët kanë konsensus të plotë. Financimi elektoral, sidomos financimi informal, mbetet gangrena e sistemit përfaqësues, mekanizmi që merr peng vendimmarrjen, nxit monopolet ekonomike të sponsorizuara nga përfaqësuesit politikë të klientelës, dhe kufizon ndjeshëm liritë dhe të drejtat qytetare, përfshirë të drejtën për të zgjedhur. Zgjidhja? Një rol më specifik i medias, i shoqërisë civile, i komunitetit ndërkombëtar dhe sidomos i institucioneve zbatuese të ligjit, siç janë prokuroria, drejtoria e pastrimit të parave, drejtoria e tatimeve, apo inspektorati i deklarimit të pasurisë. Nuk ka shpresa të ndodhë së afërmi, por duhet të ndodhë dhe sa më shumë vonohet, as më shumë do vijë praktika e politikës klienteliste dhe e zhgënjimit qytetar nga politika.
Sigal