Afrim Krasniqi: Ditët e qeta për Maqedoninë kanë mbaruar!

470
Sigal

Flet politologu Afrim Krasniqi: Partitë shqiptare në Maqedoni nuk përfaqësojnë zërin qytetar e civil

Mijëra shqiptarë janë solidarizuar në protesta prej katër ditësh në shenjë reagimi ndaj protestës së dhunshme në Shkup, si pasojë e së cilës dhjetëra shqiptarë u arrestuan, shumë u plagosën. Shqiptarët e Maqedonisë i janë bashkuar thirrjeve për protesta të shpërndara nëpër rrjete sociale. Protestat mblodhën shqiptarë në Dibër të Madhe, në Gostivar, në Strugë, në Tetovë dhe Shkup, të nisura kundër rasteve të montuara për 6 shqiptarët dhe dënimit me burg të përjetshëm për vrasjen e pesëfishtë të Smilkovcit, të quajtur rasti “Monstra”. Protestat janë mbështetur dhe nga shqiptarët e Kosovës dhe Shqipërisë, ku të premten priten të mbahen protesta masive në Tiranë, Prishtinë e Shkup. Reagime ka patur dhe nga zyrtarë të Maqedonisë, të cilët janë shprehur se do të kërkojnë monitorimin e ndërkombëtarëve. Sipas Kryeministrit të Maqedonisë, Nikola Gruevski, i cili po ndjek me vëmendje protestat, ekzistojnë organizata të caktuara dhe individë që po tentojnë të hedhin benzinë në zjarr, për të realizuar qëllimet e tyre. Lidhur me zhvillimet më të fundit në Maqedoni, flet për gazetën “Telegraf” politologu shqiptar, z. Afrim Krasniqi. Sipas tij, ditët e mira dhe të qeta për Maqedoninë kanë kaluar dhe është në dorën e saj nëse do të jenë ndryshe ditët, javët, muajt dhe vitet e ardhshme. Z. Krasniqi shprehet se: “Demokracia në Maqedoni është ende në sprovë, edhe për shkak se opozita maqedonase nuk është në Parlament, edhe sepse partitë shqiptare janë më shumë shtojca të politikës zyrtare sesa përfaqësuese të zërit qytetar e civil”.

z. Krasniqi, cili është mendimi juaj për protestat/zhvillimet e fundit në Shkup?

-Lajmi nuk është se ka protestë, lajmi mbetet se në Maqedoni për shkak të raporteve që shteti ka krijuar me qytetarët shqiptarë atje gjithnjë do ketë vend e hapësirë për protestë. Prej vitesh shqiptarët janë angazhuar për plotësimin e detyrimeve që burojnë nga Marrëveshja e Ohrit, ndërkohë që pala tjetër, vijon të jetë selektive dhe të mbajë ende pezull disa prej angazhimeve kryesore që burojnë nga kjo marrëveshje. Shikoni fushatën e fundit zgjedhore: qeveria fitoi duke premtuar se do qeverisë pa shqiptarët, pra pa një të katërtën e shtetit, – një premtim e retorikë refuzuese ndaj standardeve themelore, mbi të cilat u hartua Marrëveshja e Ohrit. Ka një paradoks të dytë: shqiptarët nuk keqqeverisen vetëm prej etnisë së shumicës, maqedonasve, por edhe për shkak të paaftësisë së faktorit shqiptar për përfaqësim e qeverisje cilësore. Shqiptarët kanë partitë e tyre dhe në kushte normale këto subjekte bashkë me të zgjedhurit në funksione do duhej të ndërmjetësonin dhe përfaqësonin qytetarët shqiptarë. Ata nuk e kanë përmbushur këtë mision. Ndaj protesta është reagim qytetar që vjen nga pakënaqësitë përballë shtetit, përballë palës maqedonase dhe përballë modelit inferior që ka krijuar faktori shqiptar në vendimmarrje. Pra, më shumë se protestë e organizuar në objektiva e kërkesa është protestë refuzimi të kësaj Status Quo-je, dhe përpjekje për të tërhequr vëmendjen ndaj problemeve të shumta shqiptare të pazgjidhura.

A mendoni se vendimi i gjykatës për rastin “Monstra” ishte i drejtë?

-Kjo është një çështje që i përket drejtësisë, dilema e vetme është nëse drejtësia është e pavarur, funksionale dhe jo diskriminuese ndaj shqiptarëve. Krimi në fjalë ishte tragjik dhe i rëndë, ndaj kushdo që ka qenë fajtor meriton dënim shembullor përmes një procesi ligjor të besueshëm dhe të faktuar. Maqedonia duhet të ketë mekanizmat për të verifikuar dhe garantuar që synimi për të gjetur fajtorët të mos jetë alibi për të shenjëstruar shqiptarët si përgjegjës dhe objekt dënimi. Një shtet serioz e kapërcen emocionin dhe garanton procese të rregullta dhe të besueshme. Në Maqedoni kjo ende nuk ka ndodhur, ndaj përdorimi i këtij rasti si objekt protestash meriton vëmendje të dyfishtë ndaj një sistemi që nuk ka besimin qytetar se është i aftë të japë drejtësi të njëjtë për çdo qytetar, pavarësisht etnisë së tij.

Gjatë protestave është vënë re prania e flamujve të Palestinës dhe Hamas-it. Pse mendoni se protestuesit bëjnë thirrje islamike? Pse lidhet kjo protestë me fenë?

-Maqedonia ka pasur një problem me grupe ekstremiste, të cilat si në Kosovë edhe aty, ushqehen nga pala tjetër, përkatësisht nga Beogradi dhe Shkupi zyrtar. Qëllimi i tyre për të identifikuar shqiptarët me radikalizmin fetar dhe për të investuar në lëvizje e detaje të tilla publike, siç kanë qenë disa veprime sporadike në të kaluarën dhe përdorimi i simboleve radikale edhe në këtë rast, përbën një shqetësim serioz dhe akt denigrues ndaj identitetit dhe integritetit shqiptar. Nga ana tjetër, vetë faktori politik shqiptar, si dhe iniciatorët e protestave të tilla do duhet të bëjnë diferencën dhe të distancohen në çdo rast publikisht dhe praktikisht nga prurje të tilla radikale dhe provokuese për identitetin evropian shqiptar. Gjithsesi, një protestë dhe lëvizje qytetare për më shumë drejtësi e demokraci nuk ka pse të mbulohet dhe barazohet me aktet e izoluara të grupeve të vogla radikale, siç ndodhi fatkeqësisht edhe në rastin e fundit në Maqedoni.

Tirana dhe Prishtina ende nuk ka dalë me një qëndrim zyrtar në mbrojtje të shtetasve shqiptarë që jetojnë atje. Sipas mendimit tuaj, cili duhet të ishte reagimi në këtë rast?

-Në dallim nga ndonjë ngjarje e njëjtë në të kaluarën në rastin e fundit kemi pasur deklarim zyrtar të Tiranës dhe Prishtinës dhe kjo është pozitive. Dy palët kanë dënuar dhunën, kanë kërkuar dialog, respekt për shqiptarët dhe zbatimin integral të detyrimeve që burojnë nga Marrëveshja e Ohrit. Kjo është e rëndësishme, por gjithsesi, mbetet gjysma e punës. Gjysma tjetër, ajo më kryesorja, është përgjegjësia kushtetuese që ka Tirana zyrtare për kujdes më të madh ndaj shqiptarëve në Maqedoni. Për shembull, nuk është e tepërt të kemi praktika të njëjta që aplikojnë shtete serioze, si, konsultimi zyrtar i institucioneve tona të sigurisë, komunikimi zyrtar me faktorët shqiptarë politikë në Maqedoni dhe me vetë shtetin maqedonas, krijimi i një njësie të veçantë diplomatike pranë MPJ për ndjekjen e situatës dhe kontaktimin me organizatorët e protestës për të nxitur zgjidhjet optimale dhe institucionale brenda normave ndërkombëtare dhe praktikave më të mira ndër-etnike. Shpeshherë heshtja ndaj rasteve të tilla shihet nga politikanët tona si trend, modë, tregues se janë më europianë sesa pjesa tjetër nacionaliste e provinciale, kur në fakt, heshtja ndaj problemeve qytetare e kombëtare përbën aktin më pak trendi, më pak në modë, më fyese për interesat shtetërore e kombëtare.

Po qëndrimi i qeverisë maqedonase, cili duhet të jetë?

-Ndaj qytetarëve që protestojnë nuk vjen zgjidhja përmes forcës dhe denigrimit, por përmes dialogut, komunikimit, reflektimit dhe zgjidhjes së plotë përfshirëse dhe integrale. Pala maqedonasve deri tani ka bërë vetëm pjesën e parë, pra ka ditur të reagojë me forcë, por ka refuzuar të dytën, – aftësinë për të gjykuar si shtet serioz dhe për të marrë përgjegjësitë e zgjidhjes së rasteve të tilla. Mania e viktimizimit ndaj etnive, e denigrimit fetar apo kulturor të tyre, etj., apo e përballjes me forcën e shtetit në emër të stabilitetit e rendit publik, është dhe mbetet sjellje e vjetër dhe e gabuar ballkanike. Rruga tjetër, reflektimi dhe dialogu, mbajtja e premtimeve dhe qeverisja e mirë e demokratike duhet të jenë zgjidhje afatgjatë edhe në Ballkanin Perëndimor. Maqedonia ka pasur rastin ta provojë këtë më 2001, po e provon tani, dhe nëse nuk ndryshon qëndrim e sjellje, rrezikon ta provojë periodikisht edhe në të ardhmen. Aftësia për kriza nuk është vizionare dhe europiane, aftësia për parandalim e zgjidhje optimale të burimeve të krizave përbën burimet e qëndrueshme të politikave vizionare dhe evropiane, për të cilat edhe Maqedonia ka aq shumë nevojë.

Çfarë ndikimi do të kenë këto protesta në marrëdhëniet e mëvonshme midis qeverisë shqiptare dhe asaj maqedonase, apo dhe vetë qytetarëve?

-Natyrisht që, do ketë ndikim të shumëfishtë: nëse nuk ka dialog dhe besim në zgjidhje institucionale protestat mund të vijojnë ose rikthehen periodikisht, vetë faktori politik shqiptar është nën presion dhe i detyruar të ndryshojë qëndrim dhe rishikojë pozicionet e tij edhe në raport me partnerët politikë maqedonas, qytetarët dhe publiku do jenë më të vëmendshëm ndaj të drejtave dhe problematikeve etnike, faktori ndërkombëtarë do e konsiderojë edhe më tej Maqedoninë një vend me institucione të brishta të përfaqësimit etnik e demokratik.

Si i parashikoni protestat në vazhdim?

-Ekzistojnë disa variante, disa skenarë, por në thelb, ato shprehën një qëndrim kritik, pakënaqësi dhe ndjesinë e mosrespektimit të barabartë etnik, – elementë që mbesin dhe përbëjnë sfidën kryesore të shtetit dhe politikës së sotme në vendin fqinj. Demokracia në Maqedoni është ende në sprovë, edhe për shkak se opozita maqedonase nuk është në parlament, edhe sepse partitë shqiptare janë më shumë shtojca të politikës zyrtare sesa përfaqësuese të zërit qytetar e civil. Në raste të tilla i gjithë sistemi i përfaqësimit kërkon rishikim, reflektim dhe korrigjim. A është ky rasti në Maqedoni? Referuar praktikave të tranzicionit dhe atyre të ndjekura nga kabinetet Gruevski, treguesit nuk janë optimistë. Vetë protestuesit nuk kanë platformë, nuk janë një plan politik, ndaj referuar përvojave të tilla pakënaqësia nuk mjafton për të ndryshuar gjendjen. Për rrjedhojë, ditët e mira dhe të qeta për Maqedoninë kanë kaluar. Është në dorën e saj nëse do të jenë ndryshe ditët, javët, muajt dhe vitet e ardhshme.