Afrim Krasniqi : “Detyra e maxhorancës është investimi në Kushtetutë për reformë thelbësore”

583
Sigal

* politilog

PD-ja e aplikoi premtimin e kthimit të trurit dhe dështoi. PS-ja do të ketë të njëjtin fat

Politilogu Afrim Krasniqi, në intervistën për “Telegraf”, duke iu referuar debatit politik për iniciativën e Ramës për të mbledhur CV-të e gjitha atyre që duan të punojnë në administratën publike, është i mendimit se nuk shpreson se do të jetë ndonjë risi, pasi nga të dy palët politike, administrata publike,  është parë dhe trajtuar si pjesë e pushtetit dhe e zgjedhjeve politike. Sipas zotit Krasniqi, detyra e maxhorancës së re është investimi në Kushtetutë për reforma thelbësore, nëse e ka pranuar me sinqeritet gabimin e bërë në 2008-n. Zoti Krasniqi, shpjegon se opozita e re, që të ketë shpresë në misionin e saj “ka nevojë për reformë thelbësore në program, në përfaqësim, në rregulla loje, në mentalitet, në veprim dhe aktivitet, në aleanca, në sjelljen politike ndaj grupeve mbështetëse, në hapjen dhe transparencën publike, në rikthimin e moralit dhe besimit politik”.

– Zoti Krasniqi, në këtë periudhë 2 mujore tranzicioni të ndërrimit të qeverisjes, a ka vakum kushtetues, derisa debati po zhvillohet në sferën  midis kryeministrit në ikje dhe kryeministrit të zgjedhur?

Kushtetuta përcakton periudhën e mbledhjes së Parlamentit të ri (fillimin e muajit shtator) dhe Kodi Zgjedhor specifikon shpalljen përfundimtare të rezultatit zgjedhor, – dy dokumente ligjore që e lejojnë tranzicionin dymujor dhe i japin të drejtë qeverisë që ka humbur zgjedhjet, të mbetet në detyrë deri në ardhjen e qeverisë së re. Kushtetuta dhe ligji nuk kanë kufizime kompetencash për periudhën e tranzicionit, ndaj siç ndodhi në 2005-ën, edhe në 2013-ën, jemi në një situatë të njëjtë dhe gati absurde, kur pala që ka humbur zgjedhjet vijon të qeverisë dhe pala që ka fituar mbetet në pritje në opozitë. Kjo është një çështje më shumë politike, sesa juridike. Juridikisht, gjithçka është në rregull, politikisht gjërat varen nga vullneti politik, kultura politike dhe formimi politik i protagonistëve në fjalë. Në një vend normal, me politikanë të kulturuar, nuk ka nevojë për debat, sepse secila palë respekton integritetin e mandatit politik, por tek ne, ku tradita e abuzimit vijon deri ditën e fundit, ka debat, sepse edhe kultura politike e atyre që janë përfshirë, është minimale. Unë do të doja që menjëherë, pasi u sqarua rezultati zgjedhor, kryeministri aktual të priste në takim kryetarin e opozitës, që ka fituar zgjedhjet dhe të diskutonin së bashku çështjet e tranzicionit, si dhe çështjet që lidhen me drejtimin ekzekutiv të shtetit, një pjesë e të cilave nuk bëhen publike. Kjo kërkesë normale për një vend të civilizuar, tek ne duket absurde dhe e parakohshme, – gjë që tregon rrugën tonë ende të gjatë drejt një demokracie funksionale.

– Një kredimarrje e qeverisë së re  nga FMN-ja, do të ndikojë pozitivisht në përmirësimin e klimës ekonomike të vendit?

FMN-ja është aktor global pozitiv, ka një përvojë asistence në Shqipëri. Prezenca e saj nuk është gjithnjë pozitive, p.sh ajo nuk parandaloi dhe as kritikoi në kohën e duhur problemet me firmat piramidale më 1996-n, gjithsesi prezenca e saj aktuale është e mirëpritur, zhvillim pozitiv dhe ndihmon në rritjen e transparencës së financave publike dhe besueshmërisë në raport me partnerët ndërkombëtarë.

– A ka vend për një paralelizëm midis ngjarjeve që ndodhi me qeverinë e Papandreut në 2009-n, i cili kërkoi ndihmën e FMN-së, me pasojat që dihen, dhe qeverisë së re të Ramës, i cili menjëherë, kërkon, sikurse Papandreu, ndihmën e FMN-së?

Greqia ra në krizë, Shqipëria ka tregues krize permanente, ndaj nuk pritet një rënie më e madhe. Nuk ka ngjashmëri, pasi janë dy shtete me kapacitete të ndryshme ekonomike, me politikë të ndryshme dhe se në rastin tonë, kemi rikthim brenda një kohe të shkurtër, madje të kërkuar me konsensus midis ministrit të financave në ikje dhe qeverisë që vjen, pra mbetet pozitive.

– Por nga ana tjetër, një kredimarrje nga FMN-ja, a mundëson që qeverisja e re socialiste të mbajë premtimet e saj, sidomos me uljen e taksave, uljen e heqjen e TVSH, në fushën e shëndetësisë,  të politikave favorizuese sociale, etj?

PS-ja ka bërë premtime të mëdha në fushatë, tej mundësive dhe kapaciteteve financiare të shtetit shqiptar, gjithsesi ndryshe nga qytetarët e ndjeshëm ndaj premtimeve dhe përgjegjësive, në rastin shqiptar premtimet elektorale mund të harrohen lehtë dhe nuk kanë kosto politike, siç mund të kenë në një vend me traditë politike demokratike. Qytetarët më shumë votuan rotacionin, kundër qeverisë aktuale, sesa për premtimet e opozitës. Vetë ardhja eFMN është maturim, për të mos lejuar qeverinë që të marrë vendime të nxituara edhe kur ato kanë efekt elektoral apo motivohen nga interesa politike të ditës. E djathta e largoiFMN kur u afrua periudha zgjedhore, sepse donte të kishte dorë të lirë në financat e shtetit, e majta po bën të kundërtën, por duhet të presim zgjedhjet e radhës për të parë nëse edhe ajo do të bëjë të njëjtin gabim.

– Është risi politike, që do të ndikojë pozitivisht në vendosjen e raporteve më të drejta midis pushtetit ekzekutiv me atë legjislativ, ndarja e mandatit të deputetit nga ai i postit ministror?

Nuk ka ndonjë ndikim. Ndarja i jep më shumë pushtet kryeministrit, i jep atij liri zgjedhjeje të ministrave dhe i jep parlamentit më shumë zë për kritika. Në thelb, nuk ka ndryshim cilësor. E ka Kosova prej kohësh dhe siç dihet, cilësia e qeverisjes atje nuk është më e mirë sesa e jona, ku postet kanë qenë në tërësi të njësuara. Në qeverinë që po ikën, postet më të rëndësishme i patën ministrat jodeputetë dhe ata nuk sollën ndonjë risi, përkundrazi. Gjithsesi, efekti do të jetë i dukshëm në PS, në krijimin e një brezi të ri politik, me natyrë administrative.

– Nga PS-ja, deri tani, nuk është bërë asnjë përmendje për ndryshime të tilla kushtetuese që do të garantojnë ndërtimin e shtetit të së drejtës, vendosjen e raporteve demokratike midis balancave të pushteteve. Sipas jush, është ende herët, apo ndryshimet e tilla kushtetuese nuk janë qëllimi politik i PS-së?

Ka një paqartësi për ndryshimet kushtetuese. E majta ka fituar 84 vota, por ndryshimet kërkojnë 92 vota, pra kërkohet konsensus më i gjerë. PS-ja është penduar për ndryshimet e vitit 2008, por ajo në çdo deklaratë postzgjedhore është tërhequr nga premtimi për korrigjime kushtetuese. P.sh nuk flet më për zgjedhjen e Presidentit nga populli, për mocionin e shkarkimit të kryeministrit, për rritjen e votës së cilësuar për gjykatën e lartë dhe kushtetuese, etj, akte që i ka kërkuar deri përpara dy muajsh. Leksioni është i thjeshtë: ndryshimet kushtetuese favorizuan Berishën dhe sot favorizojnë Ramën, pra i kthehen në bumerang palës që ka kalon në opozitë. Gjithsesi, kjo është lojë politike sepse në një rast të politikës moderne, dy palët do të mendonin përtej interes të tyre politik lokal dhe do të bënin ndërhyrjet e duhura për rritjen e standardit të sistemit qeverisës dhe politik në vend.

– Maxhoranca e re, nuk ka “maxhorancë” në institucionet e tjera. Duke ditur politikë-bërjen në Shqipëri, ky realitet do të krijojë konflikte politike?

Është e njëjta situatë me të cilën u ndodh PD-JA më 2005, kur shumica e institucioneve ishin zgjedhur nga parlamenti i majtë. Tani situata ndryshon vetëm në faktin se shumë prej drejtuesve të institucioneve kushtetuese janë të prirura të bashkëpunojnë me maxhorancën e re, për shkak të mbijetesës politike, por edhe për shkak të sistemit dhe e nevojës për ndarje të përgjegjësive. Nuk ka rrugëzgjidhje tjetër përveç bashkëpunimit dhe, duke i njohur edhe vetë personat për të cilët flasim, nuk besoj se do ketë ndonjë kundërvënie të një natyre tjetër. Shumica e tyre në periudha të ndryshme kohore kanë qenë produkte zgjedhore edhe të votës së majtë parlamentare, ndaj nuk kemi ndarje klasike majtas-djathtas. Edhe vetë Presidenti ishte zgjedhje edhe e LSI-së, parti që aktualisht ka vend thelbësor në qeverisjen e re.

– Cila duhet të jetë sjellja politike e maxhorancës së re dhe e drejtuesve të institucioneve si Presidenca, LKD, KLSH, KQZ etj?

Kushtetuta dhe ligji. Respekt të kompetencave dhe vullnet politik për reforma. Nuk ka rrugëzgjidhje tjetër. Çdo konflikt politik do të kishte kosto në kohë, në mbështetje dhe në energjitë e qeverisjes. Ndryshimi i vetëm mund të ishte investimi në Kushtetutë për reformë thelbësore në zgjedhjet e reja të këtyre institucioneve, reformë që zakonisht e kërkon çdo parti në opozitë, por e harron sa herë ajo vjen në pushtet. Të shohim, nëse maxhoranca aktuale do bëjë përjashtim nga tradita, por shenjat janë pesimiste.

– Ka të drejtë morale, politike, apo edhe kushtetuese, maxhoranca e re të zhbëjë emërimet e drejtuesve të institucioneve të pavarura?

Vetëm nëse përmbushin kriteret e shkarkimit që përcakton Kushtetuta. Nuk ka rrugë tjetër. Dallim bën vetëm kreu i shërbimit sekret, i policisë, etj. Të tjerët respektohen deri në fundin e mandatit. Qytetarët nuk kanë votuar për institucionet kushtetuese, por për administrimin politik të vendit. Maxhoranca e re ka 100 punë për të kryer, përpara se të mendojë për të deleguarit në sistemet e larta gjyqësore. Gjithsesi, prej vitit të ardhshëm, ajo ka vende vakante në dispozicion dhe do ketë rast të tregojë se mbi çfarë kriteresh do të bëjë këto përzgjedhje.

– Nëse merr ndonjë iniciativë politike, për zhbërjen e institucioneve të pavarura,  maxhoranca e re duhet ta bëjë duke bërë ndryshimet kushtetuese dhe të vendoset vota e cilësuar në emërimet e tyre, apo me vendime që mund të marrë Kuvendi i ri?

Unë do të përkrahja aksionin e opozitës për zgjedhjen e presidentit nga populli, po forcimin e votës zgjedhore të institucioneve kushtetuese. Nëse nuk është ky qëllimi, të tjerat nuk kanë vlerë dhe do jenë nisma politike, pa efekte pozitive për qeverinë dhe qeverisjen. Unë besoj se ajo ka eksperiencën të mos merret me eksperimente dhe aventura, por të dëshmojë seriozitet e përgjegjshmëri. Kjo pritet edhe nga qytetarët.

– E Djathta, e ndodhur përballë një humbjeje të madhe elektorale, a ka vullnet që të reformohet?

Jo, është një proces i gjatë dhe do të marrë kohë. Ajo ende nuk e ka kuptuar se ka humbur zgjedhjet dhe vijon të sillet si fituese. Me këtë natyrë politike veprimi, opozita do ketë shanse për pushtet vetëm nëse qytetarët zhgënjehen shumë me qeverisjen e majtë, siç ndodhi me 23 Qershor me të djathtën. Opozita e re ka nevojë për reformë thelbësore në program, në përfaqësim, në rregulla loje, në mentalitet, në veprim dhe aktivitet, në aleanca, në sjelljen politike ndaj grupeve mbështetëse, në hapjen dhe transparencën publike, në rikthimin e moralit dhe besimit politik, në përfitimin nga gabimet dhe përcaktimin e një strategjie afatgjatë ndryshimi e reformimi. Pra, ka nevojë për gjithçka që deri tani ajo nuk po e bën dhe siç janë treguesit, nuk ka ndërmend ta bëjë derisa të provojë se rrezikon të mbetet minorancë e dukshme në më shumë se një mandat legjislativ.

– Cili duhet të jetë roli i Berishës në opozitë dhe në PD?

Mund të jetë aktiv edhe disa vite, por mendoj se dorëheqja e tij duhet të jetë serioze dhe pa kthim. Çdo kryetar historik i një partie do sillej në këtë mënyrë dhe ai nuk ka pse bën përjashtim. Unë besoj se si çdo njeri normal edhe ai ka gjëra më të dobishme me të cilat mund të merret përveç kapjes pas politikës, siç merret çdo politikan në pension politik. Asnjë politikan nuk është i pazëvendësueshëm dhe i përjetshëm. Asnjë nuk mund ta bëjë edhe politikën, edhe historinë e tij. Ai pati shanse të jashtëzakonshme dhe dihet përfundimi. Tani le të përballet me bilancin e tij politik, me gjykimin e historisë dhe të dorëhiqet realisht nga drejtimi e imponimi edhe de facto i minorancës së re parlamentare.

Administrata,  si pjesë të pushtetit dhe zgjedhjeve politike

– Çështjen e CV-ve, të dërguara  në adresën e kryetarit të PS-së nga të interesuarit, mund të jetë një proces i transparencës,  i normave të reja të  vlerësimit të meritokracisë?

Ka një paradoks: sapo palët miratuan ndryshimet në ligjin për administratën publike, si një nga kriteret e BE-së dhe nis debati për ndryshimin e administratës. Kam parë komente absurde, si ajo e një kolegu, i cili thoshte se vota 1 milion shqiptarëve ishte edhe kundër kësaj administrate. Kjo është e gabuar, 100% e gabuar. Shteti dhe pushteti politik nuk janë e njëjta gjë. Në zgjedhje u votua pushteti, jo shteti, u votuan ministrat, deputetët, partitë, kryeministri, jo ekspertët teknikë në nivelet administrative. PS-ja ka të drejtë të mbledhë CV-të,  por, mendoj, se kjo lëvizje nuk do ketë efekt pozitiv. Ajo do ndeshet në pamundësinë për të përmbushur kërkesat e shumta për punësim shtetëror, pamundësinë për të gjetur hapësira për mijëra shqiptarë të diplomuar jashtë dhe presionin e militantëve të saj dhe militantëve të partive aleate për të marrë pjesë në ndarjen e pushtetit. PD-ja e aplikoi premtimin e kthimit të trurit dhe dështoi. PS-ja do të ketë të njëjtin fat, sepse dy palët po bëjnë të njëjtat gabime, – po e trajtojnë administratën si pjesë të pushtetit dhe zgjedhjeve politike. Gjë që nuk është e saktë dhe nuk mund të jetë e saktë. Italia ka ndryshuar 60 qeveri, por administrata ka mbetur në detyrë, tek ne kur ndryshon jo qeveria, por edhe ministri brenda të njëjtës qeveri shoqërohet kjo me pushime e ndryshime masive në administratën e varësisë, gjë që ka krijuar sot e në të ardhmen e afërt një nivel administrativ larg aftësive dhe nevojave reale të vendit.